Vithkuqi, i historisë, i bukurisë natyrore dhe i freskisë malore

Nga Zylyftar Hoxha, Dita/

Zakonisht, kur të parët tanë shkonin nga Skrapari në pazarin e Korçës, rrugën e llogarisnin për katër ditë, dy vajtje, dy ardhje. Ata tregonin itinerarin dhe ne, megjithëse s’kishim kaluar asnjë herë në atë rrugë, nga ato që dëgjonim vazhdimisht dhe tregimet e tyre, na ishte bërë krejt e njohur.

Aq e sa ne në çdo kohë të ditës të na pyesje, e dinim me saktësi se ku ndodheshin prindërit tanë pazarakë. Ja, tani janë në Sherë të Qafës së Martës, thoshim, pas një ore janë në Shtyllë dhe mbrëmja i zë në Vithkuq; nesër nisen që me natë nga Vithkuqi dhe mëngjesi i zë në Korçë, në pazar. Pasi shisnin ose blinin, në të prishur të pazarit ngarkonin që të ktheheshin në mos në Shtyllë e Çemerricë, të paktën nata t’i zinte në Vithkuq. Dhe kjo ishte e përjavshme.

Pleqtë tanë tregonin për miqtë e vëllamët e bërë nga këto lëvizje. Megjithëse vinin shumë shpesh, ata bujtnin në shtëpitë e vithkuqarëve, se Korça po hyri gushti është e ftohtë dhe nuk gdhihesh dot përjashta. Vithkuqarët, siç na thoshin pleqtë, ishin krishterë, por krishterë nga më të mirët nga të gjithë ata që ishin rreth e rrotull, që nuk bezdiseshin kurrë, por bënin ç’ishte e mundur t’i ndihmonin karvanarët e shkretë. Kishte raste, sidomos ku shisnin rrush e koridha (lloj rrushi), nuk i linin të shkonin deri në Korçë për pakogjë, por ua shkarkonin që aty mallin e ua blinin, më shumë për sadaká se sa u nevojitej. Esnafë të vërtetë.

Por edhe pleqtë tanë, kur vithkuqarët shkonin ndër ne me bagëti për në Vlorë a Myzeqe, u nxirrnin qelqet me raki e pekmez. Shpesh kisha parë gjyshin tim, Rushanin, të ngarkonte pelën me rrush e t’ua çonte në stan ku kishin ndaluar për të kaluar natën që ata “të lagnin gojën”, siç thoshte ai.

Veç kësaj nga të gjitha pikat e horizontit për ne, Qafa e Martës, në lindje, ishte më e rëndësishmja nga të gjitha, dhe ne andej na ngeleshin sytë në pritje të pazarakëve, pasi nga andej vinin pajat e nuseve, nga andej vinte kumtria e dasmës, vinin opingat tona prej meshini, andej vinte, mbi të gjitha, buka dhe kripa…

Këto m’u kujtuan ndërsa po bisedoja në një kafe mëngjesi me mikun tim të vjetër, vithkuqarin e thekur, Gjikë Kurtiqin, fabulistin e njohur.

***

Pesha dhe rëndësia e një vendi nuk është vetëm te bukuritë e tij natyrore, por më tepër nga njerëzit dhe shkalla e zhvillimit të tij, nga historia e tij në shekuj. Vithkuqi ka patur burra me peshë, patriotë kalibri si Evstrat Vithkuqari, Kostë Cepi, Naum Veqilharxhi, Spiro Dine, që i kanë bërë nder jo vetëm atij vendi, por edhe gjithë kombit shqiptar. Shto këtu atë lob të fuqishëm vithkuqarësh të Amerikës, që, sipas një dokumenti të botuar në gazetën “Tradita” të shoqatës së Vakëfeve, me ndihmat e tyre ekzaltuan aq shumë Nolin, sa ai në çast hodhi në letër vargun e famshëm “Mbahu nëno, mos ki frikë, se ke djemtë në Amerikë”.

Atëhere kur Korça sa kish lerë dhe ku veç disa objekteve social-fetare të ndërtuara nga themeluesi i saj, Iljaz Mirahori, dhe 33 shtëpive, s’kishte asgjë tjetër, Vithkuqi dhe Voskopoja aty afër ishin ndër qytetet më të zhvilluara të Shqipërisë juglindore, me prirje ekonomike dhe kulturore që e kishin zili edhe qytetet më të zhvilluara të kohës, pasi bënin tregti në pazaret e Venetikut, Vjenës dhe Laipsigut. Në shekullin e 18-të Vithkuqi kishte, sipas Ilo Mitkë Qafzezit, 10-15 mijë dyer dhe 24 kisha, por e korrigjuar nga autorë të tjerë, fjala dyer është zëvendësuar me banorë, që 10-15 mijë s’janë pak, po të kemi parasysh periudhën për të cilën bëhet fjalë.

Është për të ardhur keq për një të vërtetë, por Vithkuqi ka patur të njëjtin fat si dhe Voskopoja fqinje duke u djegur tri herë, një fat historik që të bën të mendosh se sa të pasigurt kanë qenë këto qytete me përkatësi krishtere brenda regjimit despotik dhe të anarkisë feudale të pushtimit turk, ku vetë regjimi nxiste e miklonte bejlerë fermanlinj zullumqarë, hajdutë e kaçakë ordinerë të zgjeronin pronat e tyre në kurriz të këtyre njerëzve të ndershëm e punëtorë, denbabaden në trojet e tyre, që mallin e gjënë e kishin vënë me gjak e djersë dhe që u detyruan të merrnin arratinë në Hungari, Ukrainë, Bullgari, Manastir, Berat, Korçë e gjetkë. Këto fakte të pakundërshyueshme, historia u ka borxh veçanërisht dy qyteteve, Vithkuqit dhe Voskopojës me vakumet që ka lënë për ta, vakume që më pas kanë sjellë keqkuptime, keqinterpretime apo edhe diskutime që vazhdojnë edhe sot e kësaj dite.

Ndër figurat më të ndritura të Vithkuqit janë Evstrat Vithkuqari ose Jani Strati, siç quhej, një ndër shqiptarët më të shquar dhe më të zgjuar të fundshekullit të 18-të dhe fillimshekullit të 19-të. Fillojnsi profesor i Akademisë së Voskopojës, mësues në Përmet, Gjirokastër, Artë, Janinë, vazhdon me mësimin e gjuhës shqipe që i jep shkencëtarit dhe diplomatit anglez Wiliam Lik në oborrin e Ali Pashë Tepelenës, bashkë me të cilin fillon edhe disa punime shkencore për hartimin e një gramatike dhe të një fjalori tre gjuhësh, shqip, anglisht, greqisht, ndërsa një punim tjetër për rregullat etike dhe logjike ia vjedhin. Në fund të jetës së tij Strati vendoset në Konstandinopojë, duke lënë një sërë veprash gjuhësore, por edhe një punim të pa përfunduar, analizën gramatikore të “Iliadës së Homerit”.

Një tjetër figurë e ndritur e Vithkuqit, është Naum Veqilharxhi, rilindësi ynë i parë. Letra enciklike e Veqilharxhit, është promemoria dhe dokumenti i parë i platformës politike të lëvizjes së re që po lindte në gjirin e intelektualëve shqiptarë, Rilindjes Kombëtare. Ajo tregon largpamësinë e këtij ideologu, i cili me një herë më pas “futi duart në brumit”, duke nxjerrë të parën abetare shqiptare.

Letra e Veqilharxhit, drejtuar nipit të tij, edhe kjo e botuar e plotë në libër, shkëlqen si prizëm diamanti, ngado që ta rrotullosh, për idetë që mbart, për gjuhën aq të bukur dhe të qashtër, për figurat artistike, për vlerat morale, politike, pedagogjike dhe shoqërore. Gjynah që kjo letër të mbete jashtë teksteve shkollore.

Dhe historia e Vithkuqit vazhdon me rilindësin tjetër të shquar, me Spiro Dinen e “Valëve e Detit” si dhe plot figurave të tjera, sidomos me aradhën e vithkuqarëve të Amerikës të fillimit të shekullit 20-të.

Vithkuqi është një haziné (depo) gjigante historike dhe kulturore që nuk shteron kurrë, një thesar ende i pa eksploruar mirë, jo vetëm për periudhën mesjetare dhe Rilindjen, kur ai ndriste si një yll qytetërimi, por edhe më pas duke vazhduar traditën me vizionin, horizontin kulturor dhe largpamësinë e banorëve të tij, të cilët morën rrugët e mërgimit për një jetë më të mirë për familjet e tyre, por edhe sollën prej andej frymë oksidenti.

Në shekullin e 20-të dhe fillimin e shekullit të 21-të, historia e Vithkuqit bëhet më tragjike, më e dhimbshme e më e përgjakshme, rrjedhimisht edhe më heroike, pasi ngjarjet kanë ndodhur në dy luftëra botërore njëra pas tjetrës, por edhe kanë ndërruar vendet tre sisteme politike e shoqërore. Në historinë e Vithkuqit, në këtë periudhë bëhen evidente disa veçanësi:

E para, përpjekjet e shovinistëve grekë në Luftën e Parë Botërore për ta joshur këtë enklavë krishtere të rrethuar nga popullsi me besim mysliman, se ata, nisur nga besimi ortodoks, ishin grekë, por me qenë se nuk e arritën këtë e dogjën dhe rrafshuan krejt fshatin dhe bënë masakra të papara. Dhe e dyta, në Luftën e Dytë Botërore Vithkuqi u quajt “Stalingradi shqiptar”, jo vetëm pse aty u përqendrua drejtimi i Luftës, u formuan disa njësi të mëdha partizane si batalioni “Qamil Panariti”, Komanda e Vendit, Brigada e Parë Sulmuese, Ndërlidhja e Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Nacionalçlirimtare, jo vetëm se Vithkuqi u martirizua, u dogj dy herë, një herë nga italianët, por edhe herën tjetër nga gjermanët, të cilët bënë hi edhe rrënojat që kishin mbetur, por edhe për një fakt tjetër në dukje fare të thjeshtë, por që dëshmon karakterin e fort të njerëzve të këtij fshati, se në 300 e ca shtëpi, asnjë nuk u hodh në krahun tjetër, por të gjithë shkuan me Nacionalçlirimtaren.

E pra, një histori e tillë ia vlen të kujtohet, por edhe të shkruhet bukur. Miku im, Gjikë Kurtiqi ka shkruar dy vëllime për Vithkuqin, i ka me dokumente historikë dhe të shkruar bukur. Por historia e Vithkuqit është, siç thamë më sipër, një haziné që nuk shter kurrë, nuk shterin kurrë bodrumet e nëndheshme të 24 kishave të Vithkuqit me ikona dhe piktura shenjtorësh; nuk shterojnë kurrë qilarët dhe hajatet me zahiretë e dimrit që bëjnë amvisat vithkuqare, nuk mbarojnë kurrë ashefet dhe avllitë ku piqet mishi në hell apo lakrori karakteristik i zonës së Korçës; nuk kanë fund hajatet me kuaj dhe mushka për t’u ngjitur në zabelet e lëndinat më çaj të Rrungajës dhe kullotave alpine të Gorrulit.

Vithkuqi, një mrekulli më vete turistike

Vështirë të gjesh në Shqipëri një vendbanim tjetër malor me resurset turistike që ka Vithkuqi. Vithkuqi ka 24 kisha dhe 100 kroje. Uji është brisk i ftohtë dhe në verë ia shton hijeshinë dhe freskinë fshatit, jo vetëm me gurgullimat, por edhe me gjelbërimin e kopshteve dhe të oborreve. Ndërsa për kishat Vithkuqi zë vend të veçantë në Shqipëri, jo për numrin e tyre, por për arkitekturën dhe zbukurimin e tyre. Këto kisha veç arkitekturës së ndërtimit janë të pasura me ikona, ikonostase dhe afreske (pikturat murale), të punuara nga mjeshtëra të pikturës dhe druskalitjes, që flasin për nivelin ekonomik, kulturor, shoqëror e arsimor që arriti Vithkuqi qytet, gjatë një shekulli të robërisë feudale e ushtarake otomane. Secila nga kishat e Vithkuqit është një muze i veçantë arti, duke qenë pjesë organike e peizazhit vithkuqar, por dhe dëshmitarë të historisë së tij.

Manastiri i Shën Pjetrit në verilindje të katundit, mbi një breg të bukur, ka patur pasuri të madhe, edhe sot ka shumë dyqane në Korçë, nën të, një çiflig që quhet Leshnje, ka ullishte në Vlorë. Në këtë manastir bëhet panairi çdo 19 qershor. Vijnë shumë njerëz nga Korça dhe fshatrat për rreth. Në Vithkuq, të vjetra dhe me famë janë edhe kisha e Kryeëngjëjve, Shën Mërisë, Shën Spiridonit, Shën Kozmait, Shën Gjergjit, e shumë të tjera, kisha, që më së shumti kanë përhapur kulturë dhe dije se sa predikime e ide fetare.

Një nga këto objekte kulti me shumë interes është “Varri i pagëzimit”. Sipas tregimit të pleqve vithkuqarë dhe gojëdhënës, në këtë varr janë varrosur gjithë pjesëtarët e familjes Thana, nga lagja Dukas e qytetit të Vithkuqit.

Veç bukurisë që i ka falur natyra. Aty kanë shije të veçanta prodhimet bujqësore, e veçanërisht perimet dhe frutat e prodhuara nga vithkuqarët. Këtë shije ua u jep klima dhe toka vithkuqare. Në Vithkuq e ka burimin e vet edhe lumi Osum, i cili përshkon gjithë relievin dhe formon një basen që përmbledh të gjitha ujërat e gurrave e burimeve të shumta në këtë vend. Pranë Vithkuqit ndodhet liqeni artificial i Gjançit, ku ka lloje të veçanta peshku, midis të cilëve dallohet trofta. Vithkuqi njihet gjithashtu edhe si një nga vendet e pasura me kafshë të egra për gjueti. Në pllajat, luginat, kodrat dhe kullotat e Vithkuqit rriten shumë bimë medicinale si: dëllinja, çaji i malit, salepi, lule basani, lule shtogu, mëllaga, kamomili, sherebeli, xinxifilet etj. Falë pozicionit, rrethuar nga malet dhe pyjet, klima është e butë në dimër dhe e freskët në verë. Ajo jo vetëm që të çlodh në çdo stinë, por ka edhe shumë vlera kurative.

Amvisat vithkuqare janë mjeshtre të mbaruara në bërjen e pastërmasë, të kollofaceve, kukurecit, të trahanasë, petkave, të turshive me lakër, me domate, me piperka, me piperka të mbushura me gjizë, djathë, me tranguj etj.; të përgatitjes së likove, të gatimit të bukëvaleve, përvëlakëve, zhamrazhikut, të petullave etj.

Në Vithkuq tërheqëse janë edhe prodhimet e veshjes me lesh ose pambuk, të punuara me finesë ne vegë dhe me grep nga gratë dhe vajzat vithkuqare, si si qilimat, velenxat, kuvertat, rrugicat, mbulesat, perdet, kortinkat etj.

***

Në fund, nuk mund të lë pa përsëritur atë që thashë në fillim të këtij shkrimi: se Vithkuqi, dhe më tej Korça, ka qenë ëndrra e skraparllinjve të vjetër, pasi, prej pazareve të tyre u vinte “dermani”, buka dhe opingat, librat, fletoret dhe pajat e nuseve.

Sot kjo ëndërr, për shkak të një projekti të madh, gazsjellësit transkontinental, TAP, po realizohet. Së shpejti, Skrapari do të lidhet me Vithkuqin dhe Korçën nëpërmjet një rruge me parametra bashkëkohore dhe udhëtimi nuk do të jetë si dikur, me ditë, por me orë.

KOMENTONI

Loading...
Name

Aktualitet,6971,Camëri,105,Editorial,1450,Ekonomi,357,Emra për djem,38,Emra për vajza,36,Enciklopedi,81,Histori,1181,Iliridë,234,Kosovë,2063,Kulture,586,Luginë,32,Moti,2,Politik,1567,Reportazh,148,Rezultatet Live,2,Shtypi,77,Sondazhe,7,Sport,404,Video,451,
ltr
item
Zgjohu Shqiptar: Vithkuqi, i historisë, i bukurisë natyrore dhe i freskisë malore
Vithkuqi, i historisë, i bukurisë natyrore dhe i freskisë malore
Vithkuqi, i historisë, i bukurisë natyrore dhe i freskisë malore
https://4.bp.blogspot.com/-u4TiTzPhDoY/WibHDGPxLCI/AAAAAAAALwI/M3-bVhdwh283ovsy65F1FhD3Qa8vOTxOgCLcBGAs/s640/1-10.jpg
https://4.bp.blogspot.com/-u4TiTzPhDoY/WibHDGPxLCI/AAAAAAAALwI/M3-bVhdwh283ovsy65F1FhD3Qa8vOTxOgCLcBGAs/s72-c/1-10.jpg
Zgjohu Shqiptar
http://www.zgjohushqiptar.info/2017/12/vithkuqi-i-historise-i-bukurise.html
http://www.zgjohushqiptar.info/
http://www.zgjohushqiptar.info/
http://www.zgjohushqiptar.info/2017/12/vithkuqi-i-historise-i-bukurise.html
true
269073700948665522
UTF-8
Ngarkuar te gjitha postimet Nuk gjendet ndonje postim SHIKO TE GJITHA Lexo me Shume Repliko Hiq Repliken Fshi Nga Kreu FAQET POSTIMET Shiko te Gjitha REKOMANDUAR PER JU LABEL ARKIVA KERKO TE GJITHA POSTIMET Nuk u gjet asnje material sipas kerkeses tuaj Kthehu te Kreu E Diel E Hene E Marte E Merkure E Enjte E Premte E Shtune Hen Mart Merk Enj Pre sht Die Janar Shkurt Mars Prill Maj Qershor Korrik Gusht Shtator Tetor Nentor Dhjetor Jan Shk Mar Pri Maj Maj Qer Gush Sht Tet Nen Dhj menjehere 1 minute me pare $$1$$ minutes ago 1 ore me pare $$1$$ hours ago Dje $$1$$ days ago $$1$$ weeks ago me shume se 5 jave me pare Followers Follow THIS CONTENT IS PREMIUM Please share to unlock Kopjo te Gjithe Kodin Selekto te Gjithe Kodin All codes were copied to your clipboard Can not copy the codes / texts, please press [CTRL]+[C] (or CMD+C with Mac) to copy