Arkiva Shqiptare, kodikët e Shqipërisë

Kodikët mesjetarë të Fondit 488 të AQSh

Në fondin arkivor të Arkivit Qendror Shtetëror ruhet një koleksion i veçantë dokumentesh, i emërtuar Fondi “Kodikët e Shqipërisë”. Ky fond mban numrin 488 dhe përmban 119 njësi ruajtjeje, të cilat janë materiale dokumentare që i përkasin të periudhës bizantine dhe pas bizantine. Nga këto njësi ruajtjeje 102 prej tyre janë të plota, kurse 17 janë fragmente.

I. Përmbajtja e kodikëve të AQSh

Këta kodikë mesjetarë, ose, siç mund t’i quajmë më thjesht, këta libra të shkruar me dorë, në periudhën kur përdoreshin ishin të barasvlershëm me librat e sotshëm: u përgjigjeshin kërkesave të njerëzve për të këmbyer dijen, për ta përjetësuar atë, për ta transmetuar tek brezat pasardhës dhe për ta përdorur në veprimtaritë e përditshme. Funksionet e tyre varen nga teksti që përmbajnë. Përmbajtja e kodikëve mesjetarë të AQSh-së ndahet në këto kategori:

1) Libra teologjikë, që ndahen në:

a) Libra të Dhiatës së Vjetër, prej të cilëve kemi vetëm tekste të librit të Psalmeve (fig. 1: kodik i Beratit, nr. 18, Psalme me Komente, shek. XI);

b) Libra të Dhiatës së Re, që i kemi në tre forma: libra që përmbajnë tekstin e katër ungjijve dhe i quajmë Katërungjillësh (fig. 2: kodik i Vlorës, nr. 10, Katërungjillësh, shek. XIV-XV), fragmente ungjillore që i quajmë Ungjilltar (një libër i cili përmban pjesët ungjillore që lexohen në shërbesat kishtare gjatë festave të ndryshme fetare të vitit, fig. 3: kodik i Beratit nr. 3, Ungjilltar, shek. IX), dhe Veprat e Apostujve (fig.4: kodik i Beratit nr. 17, Veprat e Apostujve, shek. X);

c) Ligjërata apo predikime të Etërve të Kishës, të cilët përmbajnë tekste të ndryshme teologjike, si fjalime, komente mbi ungjijtë, predikime, këshilla për jetën e krishterë apo për jetën murgjërore (fig. 5: kodik i Beratit nr. 27, Komente të Joan Gojartit mbi Ungjillin e Markut, fund i shek. IX – fillim i shek. X);

ç) Jetë dhe martirizime shenjtorësh. Këta libra, siç e thotë dhe titulli i tyre, përmbajnë jetëshkrimin e shenjtorëve të ndryshëm, ose rrëfime mbi mënyrën si kanë rënë dëshmorë persona të ndryshëm historikë, që në krishterim konsiderohen shenjtorë (fig. 6: kodik i Beratit nr. 20, Jetë dhe martirizime shenjtorësh, shek. XI).

2) Libra liturgjikë. Këta përdoren gjatë ceremonive fetare, kryesisht brenda kishave, ku edhe ruheshin. Kjo kategori librash ndahet në:

a) Mineon (leximet e çdo muaji), i cili përmban kanonet dhe troparet, më thjeshtë, himnet që këndohen gjatë shërbesave kishtare (fig. 7: kodiku i Beratit nr. 54, Mineon, shek. XV);

b) Sinaksaristis, që përmban variante të shkurtër nga jetët e shenjtorëve të ditës (fig. 8: kodiku i Beratit nr. 41, Sinaksaristis, shek. XIV);

c) Triod që përmban troparet dhe kanonet e festave të lëvizshme fetare;

ç) Pesëdhjetore (Pendikostar), që përmban troparet dhe kanonet e periudhës së pesëdhjetë ditëve nga Pashka deri të dielën e Gjithë Shenjtorëve;

d) Oktoih (libri i tetë tingujve), i cili përmban himnet që këndohen të shtunën dhe të dielën, në të tetë tingujt e muzikësbizantine (fig. 9: kodiku i Përmetit nr 81, Oktoih, shek. XII).

dh) Liturgji Hyjnore, që përmban tekstet tradicionale të liturgjisë (fig. 10: kodiku i Korçës nr. 96, Liturgjia Hyjnore e Joan Gojartit, shek. XVIII).

e) Tipiko, që përmban udhëzime mbi rendin e shërbesave kishtare (fig. 11: kodiku i Beratit nr. 62, Tipiko e manastirit të Shën Savës, fund i shek. XIII).

3) Libra muzikorë, të cilët ndahen në:

a) Stihirar;

b) Heirmolog;

c) Anastasimatar (fig. 12: kodiku i Korçës nr. 72, Anastasimatar, 1736); d) Antologji muzikore.

Këta libra përmbajnë himne kishtare shoqëruar me kompozime muzikore të muzikës bizantine, që këndohen gjatë shërbesave fetare në kishë. Të gjithë këta libra, në dallim nga librat liturgjikë që u përmendën më sipër, përmbajnë gjithmonë edhe tekstin, edhe muzikën e gjithë shërbesave kishtare.

4) Libra filozofikë, që përmbajnë logjikë, hyrje në filozofi, fizikë dhe metafizikë, dhe traktate filozofike (fig. 13: kodiku i Beratit nr. 74, “Hyrje në fizikë dhe metafizikë” e Teodor Anastas Kavaliotit, 1752).

5) Libra juridikë. Këta libra quhen nomokanone. Dy nga tekstet më të njohur juridikë të Mesjetës bizantine, që ruhen edhe në AQSh, janë Nomokanoni i Vlastarit dhe Nomokanoni i Manuel Malaksosit (fig. 14: kodiku i Beratit nr. 60, Nomokanon i Manuel Malaksosit, 1786).

6) Regjistra. Natyra e teksteve të dorëshkrimeve që përmban Fondi 488 është kryesisht me përmbajtje librore, siç u përshkrua më sipër. Por kemi në këtë fond edhe dy dorëshkrime të ndryshëm, D 99, njohur ndryshe edhe si “Kodiku i Madh i Korçës”, dhe D 100 i njohur si “Kodiku i Fierit” apo”Kodiku i Shën Kozmait”, që janë dy regjistra (lat. regestum) me përmbajtje krejt tjetër. Kodiku i Korçës është një regjistër i Mitropolisë së Korçës që përmban të dhëna për komunitetin ortodoks të Korçës mes fillimit të shek. XVII deri në fillim të shek. XX. Kurse Kodiku i Fierit përmban kontrata paramartesore të fshatrave të Myzeqesë shkruar mes viteve 1819-1843.

III. Gjuha e shkrimit të kodikëve

Gjuha në të cilën janë shkruar të gjitha materialet e Fondit 488 (me përjashtim të kodikut të Shkodrës nr. 83, i cili është shkruar në latinisht), është greqishtja. Përmbajtja e këtyre librave, të cilën e renditëm më sipër, si dhe funksioni i tyre përcakton, njëkohësisht, edhe gjuhën e shkrimit. Të gjithë këta libra janë përdorur në jetën e përditshme të Kishës Ortodokse apo të personave që në një mënyrë apo në një tjetër kanë qenë lidhur me të.

II. Një histori e shkurtër e koleksionit

Historia e librave mesjetarë, nga bangoja e shkruesit, deri në ditët, kalon nëpër shumë peripeci, mes zjarreve të luftës apo të rastit, nëpër duart e tregtarëve apo të grabitësve, nëpër raftet e bibliotekave dhe kushteve klimatike jo gjithmonë të favorshme. Në Shqipëri kemi 100 kodikët e Fondit 448, historia e të cilëve është e vështirë të thuhet me siguri. Shumë hipoteza janë hedhur deri më sot mbi historikun e tyre, shpesh euforike dhe të pa argumentuara shkencërisht. Përgjigja e plotë mbi prejardhjen e këtyre kodikëve, mbi udhëtimin që kanë kryer nga dora e shkruesit deri në AQSh, do ta kishim të plotë pas studimit të hollësishme të çdonjërit libër dhe, mes të tjerash, krahasimit me sivëllezërit e tij nëpër botë. Nisur nga gjurmët që kanë lënë këta kodikë në kohë, në vija të përgjithshme, historia fillon kështu:

“… Skuripeqi i fali manastirit të Teologut të madh dhe [kishës së] Shën Gjergjit 27 libra, më të zgjedhurit dhe më të rëndësishmit. Kur serbët plaçkitën Beratin, ngritën gjithçka përpjetë; kur varnin majtas e djathtas rrënojat jashtë Kalasë, papa Teoduli, që shërbente në një famulli të vogël, iu lut atij [Skuripeqit] dhe e çoi deri tek kulla që ndodhet pranë portës së madhe të Kështjellës. I shpëtuan këta 27 libra dhe i mbajtën ngarkuar në pjesën e brendshme të kullës, duke bërë 4 rrugë vetë hieromonaku, duke mbajtur në shpinë dhe në duar nga dy libra. Kurse shokët e tij plaçkitnin dhe rrinin indiferentë. Vëllezërit e hieromonakut u larguan, sikundër edhe gjithë banorët e Kalasë. … [Kjo ndodhi] në vitin 6864 [1356].1? Më poshtë shkruesi, sipas të gjitha gjasave vetë Teoduli, i cili e quan veten herë “papa” (prift), herë “hieromonak” (prift-murg), rendit librat duke i emërtuar, si dhe disa objekte të tjera kishtare, të cilat ai vetë, bashkë me Skuripeqin, i shpëtuan nga plaçkitja. Ky shënim, siç na e jep shkolltarit francez Pierre Batiffol, ndodhet në kapakun e Diptikut të Shën Gjergjit, dorëshkrim i fund shekullit XIV, të cilin sot nuk e zotërojmë. Ky mund të quhet dhe katalogu u parë i dorëshkrimeve të Beratit.

Qysh prej datës 1356 dhe deri në mes të shek. XIX nuk kemi asnjë informacion për ekzistencën e librave mesjetarë në Shqipëri. Më 1868 Anthim Aleksudhi, Mitropoliti i Mitropolisë së Beratit boton librin me titull Përshkrim i shkurtër historik i Mitropolisë së Beratit2, ku, veç të tjerash, përshkruan dhe disa dorëshkrime, mes tyre 3 në pergamenë të purpurt. Është shumë e lehtë për t’u kuptuar se dy prej tyre janë ato dorëshkrime që sot i njohim si Beratinus 1 dhe Beratinus 2, kurse të tretin e konsiderojmë të humbur. Ky libër bëri që vëmendja e studiuesve të kohës të kthehej nga Berati. Për të studiuar thesaret e Kalasë së Beratit niset Pierre Batiffol, që e përmendëm më sipër, i cili gjithë vëzhgimet e tij i botoi më 18873. Në artikullin e vet, Batiffol përshkruan 16 kodikë që ndodhen në Kalanë e Beratit dhe transkripton të gjithë tekstin e Beratinus 1, të cilin e boton në artikull. Nëse Batiffol-it i njihet merita e sjelljes në dorë të studiuesve perëndimorë teksti i Beratinus 1, pa asnjë kundërshtim Anthim Aleksudhit i njihet merita e prezantimit botërisht të një kodiku që nuk njihej në kohën e tij. Ky i fundit, duke ndjekur shembullin e Batiffol-it, në vitet 1896-1901 vazhdon të botojë pjesëza të një katalogu të kodikëve që ndodhen në Mitropolinë e Beratit4.

Gjatë shek. XX historia na sjell më shumë informacione për kodikët e atij që sot është F 448. Këtyre librave u referohet më pas Ilo Mitkë Qafëzezi në artikujt e ndryshëm të tij, si dhe Nikos Veis, studiues grek, i cili ndodhej në Gjirokastër dhe në zonat përreth gjatë Luftës së Dytë Botërore. Më 1951 Veis bonon “Katalog i dorëshkrimeve dhe i librave të shtypur të Mitropolisë së Gjirokastrës”. Nga dorëshkrimet që përshkruhen prej tij, vetëm 1 nga ata ndodhet sot në AQSh dhe mban referencën F 488, D 79 (ose kodiku i Gjirokastrës).

Në vitet ’50 të shek. XX këta libra filluan, pjesë-pjesë, të sillen në Arkivin e Shtetit, prurje e cila vazhdoi deri në fund të viteve ’80. Këtu u bë për herë të parë dhe një inventarizim i këtij koleksioni, si dhe u përgatitën pasaportat shoqëruese të çdo dokumenti, ato që sot janë botuar si “Katalog i kodikëve Mesjetarë kishtarë të AQSh” hartuar nga i ndjeri Theofan Popa5.

III. Vlerat dhe të veçantat e librit mesjetar

Pas këtyre informacioneve, natyrshëm lind pyetja: Ç’na duhen sot këta libra, pse duhet të shpenzojmë kohë dhe para me ta, dhe jo me diçka tjetër? E para, këta nuk janë libra të zakonshëm, por libra që bartin një traditë të caktuar tekstesh, na flasin për mënyrën e ndërtimit të librit para epokës së Gutenberg-ut, por edhe pas shpikjes së shtypshkronjës. Transmetojnë një traditë të gjatë dhe shumë të ndërlikuar të materialeve me të cilat është prodhuar libri, si dhe janë objekt i gjerë studimi i historisë së artit. E dyta, këta libra u mbijetuan shekujve, në luftë apo paqe, u lakmuan nga shumë vetë, shërbyen si objekt që trajtohej me respekt të veçantë dhe u atribuoheshin vlera të veçanta. Bashkë me pasuritë e tjera që na kanë lënë paraardhësit, na lanë edhe këta libra, të cilët janë pjesë e identitetit tonë si popull.

Më tej, po të flasim për vlerat specifike që bartin, mund të shtriheshim në më shumë tema. Në këtë koleksion kemi një potpuri tiparesh të veçanta që bartin, zakonisht, librat e Mesjetës. Mënyra e shkrimit, vijëzimet e fletëve, forma e dekoreve, ngjyrat e përdorura, kapakët, emrat e shkruesve dhe vendet e shkrimit janë tipare të përgjithshme që e bëjnë çdo kodik të Fondit 448 të papërsëritshëm. Ndryshimet më të dukshme i hasim, p.sh., tek dekoret, çka të orientojnë për nga ndikimi kulturor që ka pasur dekoruesi i kodikut në fjalë, apo tek forma e shkrimit, elementë këta që tregojnë edhe datën e lindjes së kodikut. Më pas, mënyra e lidhjes dhe kapakët tregojnë me përafërsi zonën gjeografike ku janë punuar kapakët. Ose, më tej, mënyra si numërtohen fletët apo fashikujt, shenjat e ndryshme dalluese që vendosen përgjatë tekstit për të ndihmuar lexuesin. Shprehur në terma të përgjithshëm, kodikët e F 448 u përkasin disa zonave të ndryshme. Kemi kodikë me prejardhje perandorake (Konstandinopoja ose qendrat e mëdha përreth saj), kodikë nga zona e Epirit (zona e ndodhur në perëndim të maleve të Pindit dhe Perëndimi i jugut të Shqipërisë), si dhe kodikë që i përkasin zonës së Italisë së Poshtme (Otranto, gadishulli Apenin). Fatkeqësisht, jo të gjithë kodikët japin informacion të saktë mbi datën e shkrimit, shkruesin dhe vendin e shkrimit. Është mëse e zakonshme që, fleta e fundit e kodikut, ku ndodhen këto të dhëna, të jetë dëmtuar ose këputur. Megjithatë, disa informacione të këtij lloji i kemi ende. P.sh., sipas shënimit në fund të kodikut, Minai ka kopjuar kodikun nr. 10 të Vlorës; murgu dhe dhjaku Joanik ka kopjuar kodikun e Beratit nr. 21; Mihail Slavopuli ka kopjuar kodikun e Beratit nr. 23; Joan Halkeopuli ka kopjuar kodikun e Beratit nr. 34; Teodori, logotet i Beratit, i burgosur në kështjellën e Skraparit, ka kopjuar kodikun nr. 50 të Beratit; Joani, i biri i të ndjerit Gjergj, ka kopjuar kodikun nr. 60 të Beratit; Nikolla, prift në Voskopojë ka kopjuar kodikun nr. 84 të Voskopojës, etj. Interesant është rasti i kodikut nr. 66 të Beratit, një nomokanon i kopjuar në vitin 1612 nga Gjinoja, prift dhe ikonom i Pogonit. E veçojmë këtë rast sepse emri “Gjino” është një emër tipik shqiptar që në këtë rast e hasim në zonën e Pogonit (fig. 15: kodiku i Beratit nr. 66, Nomokanon i Manuel Malaksosit, 1612).

IV. Lënda e shkrimit, pergamena, letra dhe bojërat

Për të prodhuar librin e dorëshkruar, në rastin tonë, librat e koleksionit të mësipërm, zakonisht përdorej pergamena dhe letra. Pergamena ka zakonisht ngjyrë të bardhë ose pak si të verdhë. Janë përdorur të gjitha llojet e pergamenës, që nga ajo e purpurt, pergamenë që përdorej vetëm me urdhër të perandorit dhe për dokumente perandorake, deri tek palimpsesti, pergamena e përdorur më shumë se 1 herë. Bie shpesh në sy pergamena e bardhë luksoze, e përpunuar në mënyrë të shkëlqyer, si në rastin e kodikut të Korçës nr. 92, apo të kodikut të Vlorës nr. 10, shenjë treguese se librat e kanë prejardhjen nga scriptorium-et e qendrës së Perandorisë Bizantine. Kurse për librat e shkruar në letër janë përdorur të dy tipat e letrës së zakonshme për kohën, letra orientale (quhet edhe letër arabe apo bombicin), dhe letra perëndimore (që prodhohej me një teknologji të njëjtë si letra orientale, por e modifikuar dhe e përmirësuar në Itali, fillimisht në Fabriano, nga ku u shpërnda në gjithë Evropën perëndimore). Teksti shkruhet gjithmonë me dorë, nëpërmjet një kallami të mprehur në majë, apo nëpërmjet pendëve të shpendëve, të përshtatura për shkrim. Maja e penës apo pendës (shpesh këto emërtime ngatërrohen njëri me tjetrin) ngjyhej pak në bojë dhe pastaj me të shkruhej mbi pergamenën apo letrën (në raste të tjera edhe mbi papirusin) e mbështetur mbi gju, dhe jo në tryezë. Është interesant fakti se, në Mesjetë, tryeza, apo bangoja e punës, përdorej për të vendosur mjetet e nevojshme për shkrimin ose kopjen amë nga i cili kopjohej teksti, dhe jo librin e ri që po shkruhej. Bojërat, zakonisht, përftoheshin nga lëndë natyrore: kryesisht përdorej bloza dhe kjo bojë quhej atramentum ose encaustrum, e cila përzihej me rrëshirën e palmës (e quajtur edhe gomë arabe). Në kohë dhe vende të ndryshme kësaj përzierjeje i shtohej lëndë nga lëvorja e lisit apo kripëra minerale (si sulfati blu). Analogjia e këtyre përbërësve përcaktonte dhe nuancat e bojës, duke e bërë të zezë të fortë, kafe apo kafe të çelët.

Për dekoret e dorëshkrimeve janë përdorur, zakonisht, ngjyra të ndryshme nga ajo e tekstit kryesor. Haset shpesh boja e kuqe, e kaltër, blu e errët, e verdhë, etj., të cilat, po ashtu, prodhohen nga përbërës natyrorë, nga bimët, insektet apo gjallesat e detit. Në kodikët që hyjnë në kategorinë e librave të luksit, hasim dhe dekoret ku është përdorur gjerësisht ari, qoftë në disa germa, qoftë në miniatura.

V. Kodikët e AQSh dhe UNESCO

Kodiku i Purpurt i Beratit nr. 1 (emërtuar ndryshe Beratinus Purpureus, fig. 16: kodiku i purpurt i Beratit nr. 1) dhe Kodiku i Purpurt i Beratit nr. 2 (emërtuar edhe Aureus Anthimi, fig. 17: kodiku i purpurt i Beratit nr. 2) janë regjistruar në vitin 2005 në Regjistrin e Trashëgimisë së Botës të UNESCO-s. Motivi i futjes së këtyre dy dokumenteve në Regjistër ishte: “Rëndësia e tyre për komunitetin e përbotshëm si bartës të zhvillimit të literaturës së vjetër biblike, liturgjike dhe hagjiografike. … Këta dy kodikë përfaqësojnë një nga thesaret më të çmuar të trashëgimisë kulturore të Shqipërisë”. Duhet theksuar se roli i UNESCO-s në këtë rast është thjesht promovues. Kodikët ruhen në AQSh, sipas ligjeve në fuqi të Shtetit Shqiptar dhe janë shpallur dokumente me rëndësi historike kombëtare.

VI. Kodikët mesjetarë, veprimtari dhe ekspozita në Shqipëri dhe jashtë saj

Nga fillimi i muajit maj të vitit 2010, për një muaj e gjysmë qëndroi e hapur në mjediset e AQSh në Tiranë ekspozita “Dorëshkrime Bizantine dhe Pasbizantine në Shqipëri”, ku objekt i ekspozitës ishin 46 kodikë (në origjinal) të fondit për të cilin flasim, dhe 28 panele me pamje të përgjithshme apo detaje nga 54 kodikë. Ishte hera e parë në historinë e arkivit dhe të vetë kodikëve që paraqiteshin për një kohë kaq të gjatë, në një numër kaq të madh, për publikun e gjerë shqiptar. Kjo ekspozitë u organizua nga Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave, Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë, Arkivi Historik dhe Paleografik i Bankës Kombëtare të Greqisë dhe Fondacioni Grek i Kulturës – Vatra Tiranë.

Për shkak të vështirësive praktike që paraqet çelja e së njëjtës ekspozitë në mjedise të tjera jashtë arkivit apo në qytete të tjera, ideja e promovimit edhe më gjerë të këtyre thesareve të vazhdoi përmes paneleve fotografike. Kështu, në bashkëpunim me Mitropolinë e Korçës dhe me pushtetin vendor të qytetit të Korçës, kjo ekspozitë u hap në janar të vitit 2011 në Qendrën Kulturore të qytetit dhe qëndroi e hapur për një javë. Po ashtu, në qershor 2011 ekspozita u hap edhe në Prishtinë, ku vizitorët patën mundësinë të shikonin për herë të parë pamjet e Fondit 488 të ekspozuara në mjediset e Bibliotekës Kombëtare Universitare të Kosovës.

Së fundi, në korrik 2011 këtë ekspozitë e çelëm pikërisht në vendin ku kanë qëndruar një pjesë e madhe e këtyre librave, në kishën e Hyjlindëses, sot Muzeu “Onufri” në kala të Beratit. Ekspozita, fillimisht, u çel në Qendrën Kulturore “Margarita Tutulani” në Berat ditën kur qyteti festonte 3 vjetorin e regjistrimit në regjistrin e trashëgimisë kulturore botërore të UNESCO-s, dhe për mbi 2 muaj qëndroi e ekspozuar në Muzeun “Onufri”. Më pas udhëtimi i ekspozitës vazhdoi në muzetë historikë të qyteteve të Fierit dhe të Lushnjës.

Shumë e rëndësishme për njohjen dhe promovimin e koleksionit të dorëshkrimeve të Tiranës ishte dhe pjesëmarrja e 14 kodikëve (në origjinal) në ekspozitën “Shkëlqimi i Bizantit. Dorëshkrime bizantine të dekoruara në Ballkan”, çelur me rastin e Kongresit të 22-të Ndërkombëtar të Studimeve Bizantine në Sofje, Bullgari. Ekspozita qëndroi e hapur në datat 22 gusht – 30 shtator 2011 dhe u vizitua nga rreth 9 000 vizitorë.

Në datat 23-25 maj të vitit 2012, me rastin e marrjes së presidencës së Këshillit të Evropës, në mjediset e Këshillit u çel një ekspozitë e vogël me qëllim paraqitjen e thesareve të trashëgimisë kulturore të Shqipërisë. Pjesë e ekspozitës ishin dhe katër fletë nga dy kodikët e purpurt, Beratinus 1 dhe Beratinus 2 ” (përkatësisht dy fletë nga secili), si dhe kapaku i argjendtë i Beratinus 1.

[5] Theofan Popa, “Katalog i kodikëve kishtarë mesjetarë shqiptarë”, Kodikët e Shqipërisë, Tiranë, 2003, f. 87-198./ZgjohuShqiptar.info

KOMENTONI

Loading...
Name

Aktualitet,6986,Camëri,105,Editorial,1450,Ekonomi,357,Emra për djem,38,Emra për vajza,36,Enciklopedi,81,Histori,1181,Iliridë,234,Kosovë,2063,Kulture,586,Luginë,32,Moti,2,Politik,1572,Reportazh,148,Rezultatet Live,2,Shtypi,77,Sondazhe,7,Sport,405,Video,452,
ltr
item
Zgjohu Shqiptar: Arkiva Shqiptare, kodikët e Shqipërisë
Arkiva Shqiptare, kodikët e Shqipërisë
Arkiva Shqiptare, kodikët e Shqipërisë
https://3.bp.blogspot.com/-ejp4rWIVK4M/Wm9zMOqFJzI/AAAAAAAAQtc/6EcPyD7MKNAPGZ0IM11UkJB-UdzuwSwBACLcBGAs/s640/prmbledhje_nga_ilirida-online.com-3-5.jpg
https://3.bp.blogspot.com/-ejp4rWIVK4M/Wm9zMOqFJzI/AAAAAAAAQtc/6EcPyD7MKNAPGZ0IM11UkJB-UdzuwSwBACLcBGAs/s72-c/prmbledhje_nga_ilirida-online.com-3-5.jpg
Zgjohu Shqiptar
http://www.zgjohushqiptar.info/2018/01/arkiva-shqiptare-kodiket-e-shqiperise.html
http://www.zgjohushqiptar.info/
http://www.zgjohushqiptar.info/
http://www.zgjohushqiptar.info/2018/01/arkiva-shqiptare-kodiket-e-shqiperise.html
true
269073700948665522
UTF-8
Ngarkuar te gjitha postimet Nuk gjendet ndonje postim SHIKO TE GJITHA Lexo me Shume Repliko Hiq Repliken Fshi Nga Kreu FAQET POSTIMET Shiko te Gjitha REKOMANDUAR PER JU LABEL ARKIVA KERKO TE GJITHA POSTIMET Nuk u gjet asnje material sipas kerkeses tuaj Kthehu te Kreu E Diel E Hene E Marte E Merkure E Enjte E Premte E Shtune Hen Mart Merk Enj Pre sht Die Janar Shkurt Mars Prill Maj Qershor Korrik Gusht Shtator Tetor Nentor Dhjetor Jan Shk Mar Pri Maj Maj Qer Gush Sht Tet Nen Dhj menjehere 1 minute me pare $$1$$ minutes ago 1 ore me pare $$1$$ hours ago Dje $$1$$ days ago $$1$$ weeks ago me shume se 5 jave me pare Followers Follow THIS CONTENT IS PREMIUM Please share to unlock Kopjo te Gjithe Kodin Selekto te Gjithe Kodin All codes were copied to your clipboard Can not copy the codes / texts, please press [CTRL]+[C] (or CMD+C with Mac) to copy