Çudira shqiptare/ Mjeku luan tavëll e bilardo në orar të punës, pacientët presin

, Çudira shqiptare/ Mjeku luan tavëll e bilardo në orar të punës, pacientët presin“Fiks Fare” ka denoncuar mbrëmjen e së hënës, sesi një mjek i Qendrës Shëndetësore në Orikum, gjatë orarit zyrtar të punës, rri në lokal, duke mbajtur pranë edhe ambulancën.Për mjekun Enrik Haxhiraj u ankuan në “Fiks Fare” disa qytetarë, të cilët shpjegonin që ai rri në lokal gjatë orarit zyrtar të punës, duke lozur tavëll dhe nuk shërben për pacientët, duke i lënë të presin pas dere. Madje, qytetarët thanë se ka raste që ai lëshon recetat nga lokali.Pas këtyre ankesave, gazetarët e “Fiks Fare” shkuan në Orikum, për të verifikuar rastin. “Fiks Fare” e vëzhgoi për dy ditë mjekun Haxhiraj, ku ditën e parë shkoi në qendrën shëndetësore, ku gjeti mjekun që po dilte. Ai u mbajt në ruajtje gjatë gjithë ditës, por qëndroi në një kafe, duke mos u kthyer më në punë. Edhe në ditën e dytë, mjeku doli që paradite, madje, këtë e konfirmojnë edhe disa qytetarë. Për këtë arsye, gazetarët e “Fiksit” e kërkuan mjekun dhe e gjetën teksa rrinte me persona të tjerë në lokal. Fillimisht, ai shkon te një gomisteri gjatë orarit të punës, më pas shkon në një lokal, ku ka me vete edhe shoferin e ambulancën.Më pas, ai shkon në një tavernë (piceri), ndërsa gazetarët e “Fiks Fare” shkojnë dhe e kërkojnë në qendrën shëndetësore. Pasi njoftohet nga kolegët, mjeku shkon në qendrën shëndetësore, duke u justifikuar se ishte në një vizitë në familje, por nga pamjet e realizuara nga “Fiks Fare”, rezulton që ai del nga taverna, shkon në makinën e tij, merr çantën e tij dhe më pas hipen në ambulancë, duke u shtirur sikur kishte qenë për vizitë.Mjeku Enrik Haxhiraj pretendon për “Fiksin” se ka qenë në vizitë në familje. Ai thotë se shkon në kafe rreth 20 minuta në ditë, ose për të ngrënë. I pyetur se ku ishte para se të vinte, ai gënjen duke thënë se ishte te një pacient. Më pas, ai pranon se luan ndonjëherë tavëll, por kur është në gatishmëri, nuk është e thënë se ai duhet të qëndrojë në qendër shëndetësore, por loz me shokët, tavëll, bilardo dhe po i ra telefoni paraqitet në punë. Sa i përket recetave, ai thotë se lëshon receta të parimbursueshme jashtë spitalit, por kryesisht për pacientë që nuk lëvizin dot dhe i viziton në shtëpi.Drejtoresha e qendrës shëndetësore, Gjinovefa Hasko, thotë se ditën që gazetarët e “Fiksit” shkuan aty, nuk e ka vënë re këtë mungesë, por në ndonjë rast mund të ketë qenë pak tolerante me oraret, kur ai ka dalë të pijë ndonjë kafe. Po ashtu, ajo deklaron se është e kundërligjshme të jepen receta në lokal dhe që ndonjëherë është toleruar mjeku për zgjatjen e orareve të kafesë, por që gjatë orarit zyrtar të punës duhet të respektohet nga çdo mjek. Ajo thotë se aty janë vetëm tre mjekë pensionistë dhe i riu Haxhiraj. (Burimi: Top Channel)/ZgjohuShqiptar.info

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button