Hormova: Nga masakra, në masakër dhe…përsëri në këmbë!

Veledin Durmishi

Nuk e di a mund të ketë një tjetër fshat në Shqipëri që të ketë përjetuar dhimbje, tmerre e njëherazi qëndresë sa Hormova. Hormova, qyteza më e madhe, me 700 shtëpi dhe 5000 banorë, në Krahinën e Rrëzës, të Tepelenës. Brenda një shekulli, mbi 1000 burra të therur dhe masakruar barbarisht, mbi 5000 banorë të ikur pa kthim, më shumë se 3000 të tjerë të vdekur dhe të tmerruar rrugëve të mërgimit nga dhuna, uria, malaria, dhe sëmundjet e pashërueshme. Një shembull i rrallë trimërie dhe ndoshta i papërsëritshëm në botë, me 200 dëshmorë…E, megjithatë, ajo qëndroi si ai lisi vigan, mbi të cilin janë derdhur rrufe pa fund, degët iu dogjën, por rrënjët mbetën, dhe lastarë të rinj mbinë. Hormova, rilindi përmes dhimbjeve si feniksi që ngjallet nga hiri. Sfidoi kohërat dhe stuhitë e shekujve.

Terrori dhe masakra që bëri Ali Pasha mbi këtë fshat e zvogëloi atë. Hormova ka njohur disa emigrime. Më i rëndi, më i madhi, ka qënë zbrazja e fshatit pas masakrës së Pashait të Janinës, ku qindra familje ikën në vende të ndryshme për t’i shpëtuar përndjekjes se pashait mizor. U vendosën në Vlorë, Berat, Fier, Përmet, Çamëri. Largimi tjetër është ai pas masakrës greke, ajo e vitit 1914, më pas është largimi pas luftës italo-greke dhe i fundit, ai i viteve ’90.

Hormova është një fshat që ka histori sa askush tjetër në vendin tonë. Historia i ka dhënë dinjitet e dinjiteti i ka dhënë histori.

Perënditë do të shtrëngonin kokën nëse do të dëgjonin mizoritë, barbaritë, tmerret që fqinjët tanë ujqër, veriorë e jugorë, kanë treguar, teksa thithnin gjak dhe kafshonin territore nga trojet shqiptare. Thika, pushka, helmi në shiringat e gjakut, intrigat, akrepi në shkronjat shqipe, tradhtitë, religjionin gjithçka të prapë armiqtë e vunë në shërbim të shovinizmit të tyre. Por Shqipëria dhe Hormova si pjesë e saj mbijetuan.

Hormova, rilindi përmes dhimbjeve, hirit dhe gllanikëve të gjakut. Sfidoi kohërat dhe stuhitë e shekujve. Sot gjallon dhe lulëzon e bukur, në ijët e Malit Golik. Rreth 200 familje me mbi 1000 banorë jetojnë dhe gëzojnë në vatanet e të parëve të tyre. Mbi 300 të tjera, me 2000 banorë shpërndarë në gjithë Shqipërinë…

***

Vërtet në Jug nuk janë zhvilluar beteja të mëdha me pushtuesin turk, por revolta dhe zemërimi ndaj tyre është shoqëruar me protesta të mëdha të cilat kulmonin kur pushtuesit osmanë kërkonin të vendosnin pushtetin e tyre, kryesisht nëpërmjet taksave. U vra një spahi aty, Ilbegiu Mihaili dhe kjo do të ishte edhe sinjali i një luftë të përhershme mes osmanëve dhe popullsisë së Rrëzës e kryesisht ai i Hormovës. Fshatarët kundërshtuan fort pushtetin osman, refuzonin të paguanin taksat dhe ky rebelim u kushtoi. Porta e lartë urdhëroi burgosje, internim ndaj njerëzve që ngrinin krye, madje kryen edhe masakra ndaj të pabindurve. Mbi 700 hormovitë e lekëljotë rrokën armët dhe u dhanë frymë protestave të tyre. Për vite e vite Hormova do të mbetej vatra e revoltës, fshati ku niseshin luftërat, protestat antiosmane. Reformat me karakter ekonomik, ushtarak, administrativ të cilat synonin nënshtrimin tërësisht të popullsisë vendase, sollën një valë të re luftërash. Dhe kjo u bë më evidente kur çdo shqiptar do të shkonte pesë vjet ushtar dhe shtatë vjet rezervë në shërbim të perandorisë. Kjo situatë e re mblodhi krerët e Jugut në një kuvend ndërkrahinor që u quajt “Lidhja shqiptare” me në krye Zylyftar Podën, Ismail Vlorën, Tafil Buzin dhe Shahin Kolonjën. Tubimet ishin të pranishme përditë. Hormovitët i përfaqësonte Ali Hormova. Sjellja e tyre ishte e qartë: shqiptarët nuk kishin gjak për të dhënë për hapësirat e pamata të perandorisë osmane. Gjakun e kishin për të mbrojtur trojet e tyre. E për të, ata nuk e kishin kursyer kurrë! Të gjithë me Tafilë u ngrenë/ Kërcyen në Tepelenë/ Te mekami bënë benë/ Që nizamë të mos venë…

Masakra greke e Hormovës

Fshatrat e rreshtuara, sup më sup, të njëra tjetrës, në gjunjët e malit të Golikut janë disa, dhe grekët kanë dashur t’i nënshtronin nën qëllimin dhe pretekstin e tyre se këto janë troje greke, banorët janë grekë autoktonë, flasin greqisht dhe janë ortodoksë grekë. Dhe sigurisht në këtë varg fshatrash ishte edhe Hormova, historia e së cilët i kishte shqetësuar jo pak qeveritë greke, pushtuesin turk si dhe pashallëkun e Janinës. Popujt i lidhnin njeri me tjetrin shumë fije, por politika trazonte keqas marrëdhëniet shqiptaro-greke duke ngjallur urrejtje të cilët herë-herë krijonin luftëra dhe krime të mëdha. Herë-herë nga toka helene vinin banda që, ndërsa në qafë mbanin kryqin e besimit të tyre, në duar mbanin thikën dhe urën e zjarrit.

Dhe tabela ishte si gjithnjë Hormova rebele, Hormova e panënshtruar, Hormova që kishte prishur ëndrrat e vjetra e të reja të megali-idhesë greke. Të gjunjëzonin Hormovën, ta çnderonin atë, të përzinin myslimanët, të mbillnin kudo kishat e tyre e ngado të vinin tabela “Vorio Epir”. Përpjekjet e kishës greke për të kontrolluar kishën ortodokse autoqefale shqiptare janë të vjetra dhe s’kanë ndikuar kurrë në afrimin e popujve e qeverive tona. Nga rrasoja e zezë e priftërinjve grekë, shqiptarët kanë patur frikë; pas saj janë fshehur qëllime të mbrapshta që në themel kanë patur forcimin e pozitave greke në Jug të Shqipërisë.

Dhe qëllimi justifikon mjetin. Mblodhën kriminelë, burgaxhinj, ordinerë, tradhtarë; i armatosën me armët e urrejtjes të cilat ata kishin shekuj që i njihnin dhe që i përdornin, dhe atë pranverë të vitit 1914, marshuan drejt Hormovës.”Ja vdekje, ja Greqi”, ulërinin bishat greke edhe pse në qafë mbanin simbolin e krishterimit, kryqin. Por u ndeshën me shqiptarët që ishin rreshtuar në llogore e të vendosur të ruanin kufijtë e tokës së tyre. 200 trima i komandonte Selam Musai që aty u plagos, por që jetën do ta jepte në një tjetër front, në atë të Vlorës, me një tjetër pushtues, atë italian. Mbi 200 grekë u vranë në këtë luftë, por edhe 12 luftëtarë të lirisë derdhën gjakun aty në gjoksin e malit të Golikut. U larguan grekët nga ato ditë luftimi, por urrejtja u buronte nga sytë. Sërish ata nisën betejën tjetër, tani jo më ballë përballë, por me atë mënyrën e tyre të cilën e njohin se ata e kanë shpikur e që për të i njeh gjithë bota: pabesinë.

Më 1 prill 1914 në orën nëntë të mbrëmjes andartët grekë që numëroheshin mbi 2000 trupa, rrethuan Hormovën. E rrethuan duke mbyllur çdo shteg, Hormova u vu nën një darë të fortë rrethimi. Trupat që mësynë Hormovën ishin trupa me uniformë të rregullt të ushtrisë greke. Plani ishte i qartë: të çarmatosen hormovitët, të grumbullojmë armët. Tradhtarët janë gjendur në çdo kohë. Listat ishin gati, me emër e mbiemër, për çdo shtëpi. Do të vriteshin, do të thereshin të gjithë burrat e fshatit. Mizoritë e tyre s’kanë patur ndonjëherë fund. Me shekuj fqinji ynë Jugor, greku, ka zotëruar perfekt dinakëritë, pabesitë dhe i ka përdorur ato për greqizimin e viseve të Jugut të Shqipërisë. Dhe funksionoi hapi i parë i sulmit.

Për pak orë u sollën të lidhur të rrapi i fshatit paria e Hormovës. Ishin paria e fshatit, burrat që krejt të çarmatosur ishin nën goditjet e bajonetave, thikave e torturave çnjerëzore të andartëve grekë. I grumbulluan e grupe-grupe, i nisën drejt fshatit Kodër, pak kilometra drejt veriut, përballë lumit të Vjosës e Tepelenës.

Një kishë e vogël ishte në fshatin Kodër, një kishë, shtëpi e Zotit, por që Zoti nuk u çmend nga ato që pa aty, në oborrin, në truallin e kishës. Një kasaphanë e vërtetë, një tmerr, një dhunë e padëgjuar kund. Andartët tani i mbanin thikat ndër dhëmbë e urrejtja aty nisej, aty nxitej për të shfryrë te njerëzit e pafajshëm e të pambrojtur hormovitë. Tragjeditë e Eskilit s’kanë rrëfyer kund të tilla masakra. Mendja njerëzore s’i ka thënë kund, mesjeta ka dëshmuar aty-këtu edhe tolerancë qoftë edhe hyjnore. Andartët grekë ishin të vendosur të çojnë deri në fund urrejtjen e tyre që askush nuk e ka ditur nga u ka buruar. 217 burra hormovitë u vranë aty. Rreth mureve të kishës rrinin ushtarët grekë që godisnin pa ndërprerje, dy mitraloz nuk e pushuan sulmin fatal. Përleshjet trup me trup, midis hormovitëve dhe armikut, ishin të ashpra dhe të përgjakshme. Tre burra të Hormovës, Sako Shikua, Arif Llaci dhe Sute Zeneli, me duart e tyre mbytën tre roja greke, të cilët u morën armët dhe tentuan të dalin, por pak metra dhe ata ranë mes breshërisë së plumbave. E pa tërë tmerr këtë skenë Begë Tena, i cili u përlesh dhëmbë për dhëmbë me ushtarët grekë, por nuk mundi dot më tej. Ushtarët ishin gardh dhe ai bie i gjallë në duart e andartëve. Urrejtja nuk paska patur kufi në atë kishë të vogël. Trimin hormovit Begë Tena e lidhën, dhe para syve të tij i therën djalin. O tempora, o mores! O Zot, falju njerëzve mëkatet kur nuk dinë çfarë bëjnë! Begën e varën në litar, i prenë këmbët, e shpuan me thikë në zemër.

Pranvera mbajti frymën atë prill, ndërsa dita ngeci diku në grackën e dy netëve. Ç’do të thoshte Soloni, Sokrati për bëmat e pasardhësve të vet ndaj fqinjit të tyre që historia i paska dënuar kur i hodhi në kufi të njeri-tjetrit?! Hienat greke silleshin rrotull vendit të masakrës. Ata shijonin frytet e dhunës së vet, teksa kënaqeshin duke parë fqinjin e vet të masakruar si askund gjetkë.

Masakra mbaroi, por, edhe pse mundësitë e informimit ishin të pakta, ngjarja fluturoi shpejt. Opinion ndërkombëtar reagoi menjëherë. Erdhi ambasadori amerikan, një komision hetimor ndërkombëtar pa me sytë e vet këtë masakër e cila kishte gjetur jehonë edhe në mediat ndërkombëtare. Ortodoksët shqiptarë të kësaj treve kanë refuzuar të jenë nën ndikimin e kishës greke, ndikim që ndihet edhe sot e tërë ditën e për këtë punojnë jo pak qarqe jashtë Shqipërisë, por edhe brenda saj.

Lufta e Shkallës së Zezë

Masakra greke e vitit 1914 shkaktoi plagë të mëdha të cilat edhe koha nuk mund t’i shëronte dot. Një pjesë e hormovitëve ikën, por vendi nuk u shkretua. Atu rilindi jeta, shpirti luftarak i hormovitëve nuk mund të shuhej kurrë. Ai shpirt aty ishte, në çdo vatër, në çdo shtëpi,te çdo burrë që shihte horizontet duke shtrënguar pushkën në duar. Luftërat me Italinë e prekën edhe Hormovën, revolta ani-Zog i bëri hormovitët të protestojnë sërish. Dhe shumëkush e kishte fare të qartë: hormovitët nuk mund t’i gjunjëzonte askush! Pushtimi fashist i shtatë prillit 1939 ngjalli një indinjatë të madhe popullore. Lanë shtëpitë, stanet, punët e bujqësisë dhe u rreshtuan në krahun e Çlirimtares dhjetëra e dhjetëra burra e gra hormovitë. U organizuan në çetat territoriale dhe lidhjet me udhëheqësit e luftës ishin të vazhdueshme.

Dhe aty, poshtë fshatit, në atë vendin që metafora e emrit s’është aspak e pëlqyeshme, u zhvillua një betejë e cila ka hyrë në histori si beteja e “Shkallës së Zezë”. Shtator i viti 1943. 200 hormovitë dhe nga fshatrat përreth, krijuan një batalion partizan i udhëhequr nga Abaz Shehu, Hero i Popullit. I bënë një pritë hordhisë naziste, e goditën fort atë duke vrarë 14 gjermanë, u godit edhe një aeroplan nazist që mitralonte trupat partizane. Lugina e Drinos u ndez flakë. Bijtë e Rrëzës dëshmuan si gjithnjë trimërinë e tyre. Sulmi ishte si rrufe dhe armikun e mbërtheu paniku. Lugina është e ngushtë dhe armiku mbeti brenda grackës së saj. Dhe populli e ka përjetuar këtë luftë: “Atje poshtë te Shkallë e Zezë/ Luftë e ashpër seç u ndez/ Djemtë e Rrëzës si luanë/ U përleshën me gjermanë/ ku vini more dushmanë/ Kanë zot këto anë…”/ZgjohuShqiptar.info

KOMENTONI

Loading...
Name

Aktualitet,7006,Camëri,106,Editorial,1452,Ekonomi,358,Emra për djem,38,Emra për vajza,36,Enciklopedi,81,Histori,1182,Iliridë,234,Kosovë,2074,Kulture,587,Luginë,32,Moti,2,Politik,1577,Reportazh,148,Rezultatet Live,2,Shtypi,77,Sondazhe,7,Sport,414,Video,454,
ltr
item
Zgjohu Shqiptar: Hormova: Nga masakra, në masakër dhe…përsëri në këmbë!
Hormova: Nga masakra, në masakër dhe…përsëri në këmbë!
Hormova: Nga masakra, në masakër dhe…përsëri në këmbë!
https://1.bp.blogspot.com/-QKnDBcRidME/WlTr-KszrJI/AAAAAAAAOhk/4M1jDGqBwDwJ-FWQBJnOI31j2UZ8NWndACLcBGAs/s640/57871817-905x395.jpg
https://1.bp.blogspot.com/-QKnDBcRidME/WlTr-KszrJI/AAAAAAAAOhk/4M1jDGqBwDwJ-FWQBJnOI31j2UZ8NWndACLcBGAs/s72-c/57871817-905x395.jpg
Zgjohu Shqiptar
http://www.zgjohushqiptar.info/2018/01/hormova-nga-masakra-ne-masaker.html
http://www.zgjohushqiptar.info/
http://www.zgjohushqiptar.info/
http://www.zgjohushqiptar.info/2018/01/hormova-nga-masakra-ne-masaker.html
true
269073700948665522
UTF-8
Ngarkuar te gjitha postimet Nuk gjendet ndonje postim SHIKO TE GJITHA Lexo me Shume Repliko Hiq Repliken Fshi Nga Kreu FAQET POSTIMET Shiko te Gjitha REKOMANDUAR PER JU LABEL ARKIVA KERKO TE GJITHA POSTIMET Nuk u gjet asnje material sipas kerkeses tuaj Kthehu te Kreu E Diel E Hene E Marte E Merkure E Enjte E Premte E Shtune Hen Mart Merk Enj Pre sht Die Janar Shkurt Mars Prill Maj Qershor Korrik Gusht Shtator Tetor Nentor Dhjetor Jan Shk Mar Pri Maj Maj Qer Gush Sht Tet Nen Dhj menjehere 1 minute me pare $$1$$ minutes ago 1 ore me pare $$1$$ hours ago Dje $$1$$ days ago $$1$$ weeks ago me shume se 5 jave me pare Followers Follow THIS CONTENT IS PREMIUM Please share to unlock Kopjo te Gjithe Kodin Selekto te Gjithe Kodin All codes were copied to your clipboard Can not copy the codes / texts, please press [CTRL]+[C] (or CMD+C with Mac) to copy