Pal Gazulli, ose ai që e thërrisnin “Mendja e Kastriotit”

, Pal Gazulli, ose ai që e thërrisnin “Mendja e Kastriotit”

Nga: Paulin Zef Zefi Historian

Kontaktet e para ndërmjet Arbërisë dhe Republikës së Raguzes nisin që nga zanafilla e krijimit të këtij shteti (1358) por lidhjet e ngushta ndërmjet Raguzës dhe Kastrioteve përkojne me vitin 1420 kur Princi i fuqishem Gjon Kastrioti (1437) nënshkruan një marrëveshje tregtare me Republikën e Raguzes (Dubrovnik-Kroaci) së bashku me 4 Djemte e tij Stanishi, Reposhi, Kostandini dhe GJERGJI (15-vjeç) ku ne baze te kësaj marrëveshjeje, Tregtarët raguzianë gëzonin liri të pakufizuar tregtie duke nisur që nga qyteti portual-doganor Shufada (delta e Matit) e deri në çdo cep të Principatës Kastrioti ku në këmbim, që të pestë Princat morën ”Qytetarinë Raguziane”.

”Besnikeria Raguziane”:Duke iu referuar çdo burimi historik në lidhje me raportet thellësisht miqësore ndërmjet hyjnorit GJ.KASTRIOTI dhe Republikes së Raguzës, duhet nënvizuar fakti se të gjithë Patricët dubrovnikas (Aristokracia), Klerikët-Katolikë (Shqiptarë dhe të huaj) dhe sidomos komuniteti i rëndësishëm Arber i këtij shteti, bënin pjesë tek rrethi më i ngushte i GJ.KASTRIOTIT dhe ata e meritonin respektin e tij të pakushtëzuar sepse nuk shënohet qoftë edhe një rast i vetëm ku Raguzianet ta kenë zhgenjyer, perkundrazi ata i kanë qëndruar besnikë duke tejkaluar edhe mundësite e tyre dhe nga ana tjeter, është shumë e turpshme kur perdorim metodën krahasuese me Princat Arbër që morën pjesë në Besëlidhjen e Lezhës (2 mars 1444), ku pothuajse të gjithë me radhë, e tradhëtuan njëri pas tjetrit.

Kjo frymë bashkëpunimi kaq miqësore ndërmjet GJ.KASTRIOTIT dhe Republikës së Raguzës kultivohej dhe mbahej gjallë sidomos falë 3 Vëllezërve të shquar Gazullorë që ishin elita intelektuale e këtij shteti:

Gjon, Pal dhe Andrea Gazulli të cilët kanë dhënë një kontribut të paçmueshëm në Historinë e Kombit Shqiptar për vetë faktin se këto figura të shquara kanë qënë krahu i djathtë i hyjnorit GJ.KASTRIOTI, ose më konkretisht shpresa e tij e fundit në momentet decizive dhe më të vështira në luftën titanike kundër Perandorisë Osmane ku Arbnori i madh Pal Gazulli përveç se i siguronte armatime dhe logjistikë, mjete financiare apo shumë shërbime të tjera të paçmueshme, ai gjithashtu kishte përgatitur një zgjidhje shumë të volitshme duke llogaritur edhe skenarin më tragjik të mundshëm: “Disfata me osmanet”

Kush ishte”Pal Gazulli”?

Pal Gazulli (Paulus Gassulus) mendohet se ka lindur në lokalitetin Trojë (Trojet e vjetra) që ndodhet në një rrafshinë të vogël në një zonë të thellë malore të mbuluar me pyje, pranë vendbanimeve të sotme ”Gjazuj i epërm dhe Gjazuj i poshtëm” në pjesën verilindore të territorit administrativ të Bashkisë Lezhë (Mirdita etnografike). Pal Gazulli lindi në vitin 1405, pra ishte bashkëmoshatar me Heroin tonë Kombëtar GJERGJ KASTRIOTI (1405-1468) dhe ndoshta, pikërisht kjo karakteristikë fatlume, shërbeu si ogur i mirë për ravijëzimin e fatit të tij të madh duke ja kushtuar gati të gjithë jetën një kauze të shenjtë siç ishte kontributi i tij jetik për GJ.KASTRIOTIN dhe lirinë e Arberisë.

Pal Gazulli e fillon rrugën e tij të dijes në qytetin e Shkodrës Veneciane por formimi i tij intelektual vjen falë studimeve intensive në qytetin e Raguzës ku vellai i tij i madh Gjon Gazulli (1400-1465) përveç reputacionit në qarqet shkencore të kohës, ai gëzonte statusin e njërit ndër qytetarët më të privilegjuar si rezultat i aftësive të tij te jazhtëzakonshme duke spikatur që në një moshë shumë të re.Ai e nisi jetën e tij si Klerik Katolik (Meshtar) në vitin 1430 por ndërkohë që etja për dije dhe personaliteti frymëzues i të vellait Gjon Gazulli ,ishin shtysa e tij kryesore për të vazhduar studimet e mëtejshme në Universitetin e Padovas (Itali) ku formimi i tij intelekual arrin kulmin në zoterimin e disa gjuhëve te huaja si:

Latine, Sllave (kroate), Hungareze, Franke (frëngjisht), Italisht (dialektet kryesore të kohës) dhe greqishten e vjetër. Pal Gazulli ishte diplomat, pedagog dhe orator por gjithashtu iu akordua edhe titulli “Kalorës kryqtar” dhe falë këtij pozicioni prestigjoz, ai komandonte një trupë te vogël kaloresish Arbër dhe Raguzianë të cilët i shërbenin për misione të rëndësise së veçantë që do citohen pak më poshtë.

Në vitin 1442 Pal Gazulli u emërua Rektor i shkollave te Raguzës dhe këtë detyrë e ushtroi zyrtarisht deri në muajin mars të vitit 1444 pasi dha dorëheqjen ne një mënyrë shumë fisnike duke argumentuar arsyet e largimit të tij nga Raguza dhe rikthimin në Atdhe ku gjithcka lidhej me mbështetjen e tij të përzemert për GJ.KASTRIOTIN dhe kauzën e tij te shenjtë.

Fillimisht Pal Gazulli shfaqet në qytetin e Lezhës dhe më pas në Krujë, menjëherë pas formimit të ”Besëlidhjes së Lezhës” (2 mars 1444) duke shërbyer si këshilltar personal dhe bashkëpunëtor i ngushte i GJ.KASTRIOTIT deri në vitin 1452.Gjatë kësaj periudhe (1444-1452), aktiviteti i Pal Gazullit ishte shumë intensiv pasi citohet se ai qëndronte në krye të Trupës kalorsiake.

Kalorësi Pal Gazulli merrej me zhvendosjen e shumave të mëdha monetare nga Kruja dhe Lezha në drejtim të Raguzes (Dubrovnik), Venecias, Napolit, Romës, Milanos dhe anasjelltas. etj. Gjithashtu Kalorësi Pal Gazulli në krye të Trupës së tij kalorsiake, dërgonte legata për në Dubrovnik, Napoli, Romë, Milano dhe deri në Burgund (Francë).

Në vitin 1452, GJ.KASTRIOTI e cakton njeriun e tij besnik Pal Gazulli në pozicionin e Ambasadorit të tij personal në Republikën e Raguzës, detyrë të cilën Pali e ushtroi me një zotësi të jashtëzakonshme deri në vitin 1459 dhe pikërisht Pal Gazulli perveç kompetencave të Ambasadorit, ai gëzonte privilegjin e veçantë për të nënshkruar me dorën e vet, në emrin e GJ.KASTRIOTIT dhe kjo vërtetohet nga shumë marrëveshje personale të Heroit tonë Kombëtar me Republikën e Raguzës, ndërkohe që ai personalisht figuronte në territorin Arbër duke luftuar kundër ekspeditave ushtarake të barbarëve osmane.

Ne vitin 1460, Pal Gazulli i siguron GJ.KASTRIOTIT dhe Gardës së tij Pretoriane(2000-Kalores), transportin e tyre të plotë nga Kepi i Rodonit (Durres) në drejtim te Raguzës ku më pas, anijet e flotes Raguziane ju garantojnë një lundrim të sigurtë në ujërat e detit Adriatik dhe deri në zbarkimin e tyre pranë qytetit italian Barleta (Puglia) dhe pikërisht këtu GJ.KASTRIOTI korr edhe fitoren e tij të parë kundër kryengritjes së Baronëve(1459-1464) duke i dhënë zemër Mbretit të Napolit. Ferrante i II-të i cili deri tani ndodhej në një situatë të pashpresë.

Ne vitin 1462 Pal Gazulli ka realizuar edhe veprën e tij më të pabesueshme Patriotike, pasi këtë vit, ai i kërkoi Republikës së Raguzes ishujt ”Hvar dhe Korcula (Kroaci)” me qëllim që këtu të vendosej ushtria Arbërore dhe familjet e tyre në rast të një disfate të mundshme me Perandorinë Osmane dhe nëse do të bëhej tërheqja nga Atdheu amë, nderkohë që vetë Raguza kishte shpallur një vasalitet formal nën Perandorinë Osmane që në vitin 1458, vasalitet që ka zgjatur deri në vitin 1684 kur kaloi nën administrimin e plotë të Austrisë Hapsburg.

Menjëherë pas vdekjes së diplomatit të shquar Arber Gjergj Pelini (Georgius Pelino (1463)”, GJ.KASTRIOTI e thërret mikun e tij të vjetër dhe shumë besnik Pal Gazulli duke i besuar pozicionin e privilegjuar por shumë delikat si Ambasadori i tij personal në Republikën e Venecias dhe pikërisht me datë 13 dhjetor 1463, ”Pal Gazulli” perfaqëson vetë Heroin tonë Kombetar në marrëveshjet e drejtpërdrejta me Senatin Venecian në praninë e Dozhit(Duxe) (Kryetari i Republikes).

Lajmin e kobshem për kalimin në amshim të hyjnorit ”GJERGJ KASTRIOTI” me datë 17 janar 1468, Pal Gazulli e mëson ndërkohë që po planifikonte konturimin e një ”Besëlidhje të dytë të Lezhës” duke zbatuar direktivat e mikut të tij të dashur i cili tashmë ishte larguar nga kjo jetë.

Pas kësaj ngjarje ogurzezë jo vetëm për Pal Gazullin por për të gjithë Europën e Krishterë dhe sidomos për Popullin fisnik Arbnor, funksioni i Ambasadorit personal te GJ.KASTRIOTIT nuk shërbente më.Njeriu i jashtëzakonshëm dhe Shqiptari i madh Pal Gazulli u rikthye perkohësisht në Atdheun e tij por andej nga fundi i vitit 1468 ai u vendos sërish në Raguza ku jetoi edhe dy vite të tjera deri sa ndërroi jetë në vitin 1470.”Lavdi Familjes Fisnike Gazulli dhe respekt për të gjithë pasardhësit e tyre”./ZgjohuShqiptar.info

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button