Palermo-Pasha Liman dhe në nënujësit e asaj kohe…

“Pasha Liman, e diel në drekë! Pas emisionit radiofonik “Heroizmi i popullit tonë në shekuj”, duke ndenjur shtrirë në krevatet tona, Sh. më habiti me vetëpërgjigjen e pyetjes së tij. – E di çfarë po mendoj? -më pyeti. – Sikur të plaste një luftë tjetër… Do kishim të paktën ca heroizma të reja”.

(Marrë nga ditaret e mi të asaj kohe – Sh. shok i imi, oficer në nëndetëse)

………………………………………………………………………………………………………………

Nga kurioziteti, por dhe nga lidhjet personale me botën e nëndetëseve, kam kërkuar e lexuar shumë rreth Bazave Nëntokësore të Marinës nëpër botë. Ka shumë pak material të publikuar për këtë temë. Një e famshme dhe shumë e ngjashme me Bazën e Palermos në Shqipëri ishte Baza e Balaklavasë në Krime të Detit te Zi.

Për shumë arsye sovjetikët, pavarësisht kostos së jashtëzakonshme, vendosën të ndërtonin një Bazë të Nëndheshme Nëndetësesh, fare pranë Sevastopolit, në Balaklava të Krimesë. Balaklavaja ishte një qytezë e mbyllur në fundin e një gjiri të ngushtë, shumë të mbrojtur nga stuhitë e natyrës e sytë e kureshtarëve dhe më e rëndësishmja duket se plotësonte kushtet e mbrojtjes nga sulmet bërthamore aq afër të mundshme gjatë Luftës së Ftohtë. Kjo zgjedhje për Flotën Sovjetike të Detit të Zi ishte gati njëlloj sikur ta kishte këtë bazë në Detin Mesdhe, i cili konsiderohej si teatër shumë strategjik i Luftës së Ftohtë. Në vitin 1953, Instituti i Projektimeve të Leningradit përgatiti dhe çoi para qeverisë projektin e kësaj Baze Nëntokësore. Vetë Stalini personalisht u përkujdes deri në detaje për këtë projekt.

Realizimi i këtij projekti i mori Bashkimit Sovjetik të asaj kohe 8 vjet. Më 1961 Baza Nëntokësore e Nëndetëseve në Balaklava u quajt e përfunduar. Emri i koduar i saj ishte “825 GTC”. Po atë vit, vetë udhëheqësi sovjetik i asaj kohe, Nikolay Khruschev, vizitoi bazën në fjalë dhe në mbarim të vizitës, duke tundur duart, siç ishte në tipin e tij, tha diçka që nuk u harrua kurrë. – Ai tha se e gjitha kjo duhet t’iu jepej prodhuesëve të verës për qilar!… Dhe në fakt koha tregoi që rusët do ta përdornin bazën e Balaklavasë si një bazë ushtarake në paqe, por kurrë për luftë… Sot kjo Bazë njihet si Muzeu Naval i Luftës së Ftohtë!

…Shumë larg nga Balaklava dhe nga Deti i Zi, në një tjetër vend mesdhetar, të tjerë diktatorë, në një lidhje të re “dashurie” me një vend të madh e përseri aziatik, menduan e filluan të ndërtonin një tjetër Bazë Ushtarako-Detare Nëntokësore. Kjo e kësaj radhe, ndryshe nga ajo e Balaklavasë, nuk ishte menduar për nëndetëse, por për Katera Silurues me Raketa. Dhe për këtë punë qe zgjedhur Gjiri i Palermos në jug të Shqipërisë. Projekti i kësaj baze ishte një bashkëpunim kinezo-shqiptar, i paparë e i padëgjuar për vendet e Detit Mesdhe për nga kostoja, volumi i punës që do kryhej dhe fuqia ushtarake që do instalohej në të.

Unë kam shpenzuar disa vite si nënujës në Bazën Nëntokësore të Palermos.

Po çfarë ishte në të vërtetë Baza e Palermos?

Në fakt, asnjëherë unë nuk kam parë dokumente zyrtare rreth megaprojektit të Palermos dhe megjithëse kam ndenjur disa vjet atje, më mungoi dhe dëshira e eksplorimit të labirinteve të tij. As foto nuk ka shumë dhe ish-nënujësit duket sikur nuk kanë kujtime të mira atje e vazhdojnë të kujtojnë Pasha Limanin si shtëpi të parë e jo Palermon.

Ka shumë shifra, por ato vetëm se do ta bëjnë më të trishtuar tregimin tim. Dija që kishte shumë ambiente të brendshme, si depo silurash, karburantesh, ofiçina riparimesh, salla dizel – gjeneratoresh, sisteme ajrimi, sisteme alarmi, sisteme zjarrfikëse, sisteme komunikimi, zyra, vinça ure për të ngritur nga uji katerat që nuk erdhën kurrë e plot ambiente të tjera e pajisje teknike. Kishte dhe një dalje të dytë nga veriu, porta e të cilit ishte bllokuar nga prurjet shkëmbore të rrymave detare. Në më të shumtën e ambienteve të brendshme unë nuk shkela kurrë, tek ca se nuk më lehohej hyrja e tek ca të tjera se nuk kisha dëshirë… Shumë herë e kisha përshkuar tunelin kryesor vajtje-ardhje në gjithë gjatësinë e tij me qëllimin aspak ushtarak apo eksplorues, thjesht për të dalë në krahun tjetër të malit e për të peshkuar në ujërat me më shumë peshk të atij krahu.

Mbas prishjes me kinezët projekti i Katerave me Raketa u bë i pamundur, duke provuar kështu dhe njëherë më shumë, në një shkallë miliona herë më të madhe vërtetësinë e proverbit se “Kali i huaj të lë në rrugë”. M. Shehu, dyshi i diktaturës, gjatë një vizite në këtë objekt, menjëherë pas prishjes me kinezët tha se “partia po mendonte ta përdorte objektin për nëndetëset”. Dhe kështu bënë! Dhjetëra mijëra ushtarë xhenierë, shumica bij të shtresave të persekutuara politiksht, gërmuan si skllevër, nën ujë e nën gurë, prej më se 20 vjet në shkëmbijtë e Palermos. Sasira të mëdha fondesh u hodhën në këtë shpellë, e cila në mendjen time, përveç panevojshmërisë që në momentin e idesë, devijimeve të projektit, e plot bëmave të tjera në fundin e viteve ’80, e gjeti veten përfundimisht të papërdorshme…

Vajtja ime e parë atje ndodhi në një ditë dimri të vitit 86, kur bashkë me një tjetër inxhinier nënujës, ishim urdhëruar që përdorur një nga gjuajtësit detarë të FLD, të bënim disa matje të cilësive hidroakustike të gjirit të Palermos. Ishte një ditë vërtet e keqe për të qenë në det;- një ditë gri, e ftohtë me erë e lagështi të madhe, kur mua dhe shumicën e marinarëve na kish zënë deti e era e të vjellave të thartuara dukej sikur mbushte gjithë gjirin aspak mikpritës të asaj dite të parë timen në atë vend. Grija e kaftë dhe e shpëlarë e brigjeve të lagura e të gurta të Palermos, në atë ditë të largët e të ftohtë dimri, më la si përshtypje të parë një ndjenjë të thellë vetmie e trishtimi. Objektet tokësore të Bazës të futura nëpër gryka e rrëkera plot ferra e gjëmba, të gjitha të suvatuara keq me atë llaçin rërëtrashë të atyre anëve, ushtarët-skllevër rrobashqyer e të pluhurosur të xhenjos, që leviznin si të burgosurit në xhirot e ajrimit e pak më poshtë hyrja e betontë e bazës… Kishte vetëm pak vende të gjelbra buzë detit nga Baza e deri tek kalaja e Ali Pashës në lindje dhe ca kaktuse gjëmbashumë shkretëtirash në faqet lindore të gjirit për t’i lënë vendin më në lartësi, drunjve të vetmuar të valanidhit.

Si për ta bërë edhe më të zymtë këtë situatë po ato ditë si një lajm të ri, më kishin treguar dhe për një vrasës serial të kapur dhe të dënuar me vdekje për një seri vrasjesh horror midis ushtarësh të xhenjos.

E vetmja gjë çuditërisht ndryshe që vura re në atë ditë të parë, por dhe në ca vizita të mëpastajme, ishte një ushtar xhenier me origjinë nga Dukagjini, që sa herë ishte i lirë, ulej gjithmonë mbi një gur të madh në anën jugore të hyrjes së tunelit dhe këndonte këngët e vendit të tij…

Gjendja morale e nënujësave të asaj periudhe ishte tejet e rënë. Duke qenë vetë një nga ata e duke i njohur nga shumë afër shokët e mi të nënujit, pa mëdyshje heronj të një lloji të pashoq të fatit të tyre, nuk kam besuar kurrë se ata në shumicën e tyre mund të frymëzoheshin e të shtyheshin të luftonin për motive ideologjike. Unë e di që ata si edhe unë nuk iu besonin eprorëve politikë.

Ne ishim një popull i tërë i dënuar me punë të detyruar. Para pak ditësh, kur po lexoja një artikull rreth veprës letrare të Visar Zhitit në Itali pashë që autori e quante poetin një ish-të dënuar me punë të detyruar. Buzëqesha trishtë me padijen e autorit. Poeti ishte i dënuar me burg dhe i tërë fisi e krushqia e tij bluhej nga mulliri i luftës së klasave, ndërsa gjithë ne të tjerët nga frika e atij mulliri bënim atë që na urdhëronin dhe jo atë që donim. Kështu ishte dhe puna jonë e të qenët nënujës!

Transferimin e Brigatës së Nëndetëseve nga Pasha Limani për në Palermo besoj se të gjithë nënujësit e pritën keq. E pritën keq, sepse ishte teknikisht dhe ushtarakisht i gabuar. Nënujësit për vetë mënyrën e jetes së tyre ishin njerëz të zgjuar e të lexuar dhe e dinin më mirë sesa “të mëdhejtë” e Tiranës se çfarë ishte më mirë për nëndetëset. Përveç kësaj ne ishim mësuar me Pasha Limanin, i cili na ishte bërë gati si shtëpia jonë dhe ndiheshim keq që do ta linim. Gjiri i Vlorës kishte qenë një laborator shumë i mirë stërvitjeje për nënujësit, dhe popullsia përreth kishte qenë jashtëzakonisht e dashur me ne. Uzina e Riparimit të Anijeve ishte afër për çdo problem teknik apo nevojë riparimi. Dhe tani, me urdhëer nga lart duhej të iknim për fare! T’i linim të gjitha! Te linim me te mirat per te pasur me te keqiat. Baza e Palermos nuk kishte qenë kurrë e nuk do bëhej asnjëherë e përshtatshme për Nëndetëset. Dukej sikur po na çonin atje që të mos e linin bosh atë shpellë ku kishin harxhuar aq shumë.

Të gjithë ishin të prekur e të pakënaqur nga kjo ikje. Trishtimi i ndarjes kish ditë që kish pllakosur në Pasha Liman… Shikonim Zylon e klubit që mezi i mbante lotët, kamarieret tona po ashtu, mbaj mend Kananin, shoferin legjendar të autobuzit të nënujësave, njeriu i fortë që i shkulte dhëmballet e veta me daret e punës e që i pirë si gjithmonë qëndronte këmbëhapur në sheshin para Komandës dhe zihej me veten. Po ashtu, punonjësit e KRAF, që nuk e fshihnin fare dëshpërimin e ndarjes. Besoja thellësisht që kjo ishte vërtet një ndarje e keqe dhe dukej si goditja e fundit dhe e parikuperueshme kundër nëndetëseve nga administrata e paaftë e militante e strukturave të shtetit të asaj kohe. Kanë kaluar shumë vite, por edhe sot më bëhet sikur në bankinën e Nëndetëseve në Pasha Liman, krahas njerëzish të tjerë, qëndronte i përlotur dhe shoku ynë B.Sh., i cili kish kontribuar aq shumë në historinë e teknikës së nëndetëseve dhe së fundi ishte transferuar në një detyrë tjetër. Ne e linim Pasha Limanin ndërsa sirenat e trishtuara të përcjelljes së Brigatës së Nëndetëseve gjëmonin gati deri në Vlorë në atë mëngjes të trishtuar për historinë e kësaj Baze…

Ikëm duke mbyllur kështu realisht e përfundimisht historinë e vërtetë të Nëndetëseve në Pasha Liman. Pak para ikjes tonë shoku im, ish oficeri Sh., të cilit i takon fragmenti i ditarit në krye të këtyre shënimeve, ishte dënuar me 8 vjet burg për ulje të vigjilencës ushtarake. Po ato ditë kur ne këmbëzvarrë po përpiqeshim të instaloheshim në Palermo, roja i portës së tunelit, efektiv i Brigadës së Nëndetëseve zbrazi mbi xhenjerin dukagjinas që këndonte tek porta e tunelit një breshëri të tërë plumbash. Akoma dhe sot e kësaj dite, si një dëshmi e absurdit që nuk riparohet dot kurrë, mbi betonin e Portës së Jugut janë gjurmët e atyre plumbave që i morën jetën atij djali të gëzuar.

…………………………………………………

…U desh shumë kohë që ne të gjenim njëfarë normaliteti në bazën e Palermos, por kurrë atë që duhej… Ngadalë e ngadalë filluam të ingranohemi në jetën e njerëzve të zgjuar e kulturuar të Bregut të Detit dhe të paktën unë një ditë e ndjeva veten një nga ata. Siç e kam thenë dhe kur kam shkruar për këngën “Vajzë e valëve”, unë endërroja një botë tjetër, endërroja lirinë qe s’e kishim dhe kështu shkoja buzë detit e shtangesha në ëndrrën time. Shihja larg atje, ku qiell e det bëheshin një, dhe me vete thoja se atje është Amerika, endrra ime e lirisë…

…Punës në Nëndetëse kisha filluar t’i shmangesha, por dhe eprorët – shokë të mi -nuk kishin me qejf të kërkonin llogari… Shteti ynë ishte vetëmundur e vetëshpartalluar në mënyrën më të keqe të mundshme, duke ecur kundër ligjeve të natyrës e të jetës…

Dhe një herë ishte për t’u kujtuar thënia e famshme e Nikolay Khruschev për Bazën e Balaklavasë…Vlente njëlloj dhe për Bazën e Palermos…!

…Unë dhe shokët e mij vajtëm djem të rinj e të bukur në Flotë dhe një dekadë e pak me vonë po iknim të maturuar e të trishtuar e me bindjen e thellë se ai shtet i shpartalluar nga të gjitha anët duhej bërë ndryshe. Unë isha nga të parët që ika e të tjerët një nga një më prapa, por të gjithë të bindur se vendi ynë kishte humbur shumë vite energji, rini e shpresa në mënyrën më të keqe të mundshme… Iknim dhe linim pas historinë e dhimbshme të rinisë tonë, një histori për fat të keq gjithmonë të përgojuar nga politika e mentaliteti, një histori që për çdo komb tjetër do ishte histori krenarie…

Marrë nga profili i Avis Gjyshja/ZgjohuShqiptar.info

KOMENTONI

Loading...
Name

Aktualitet,6996,Camëri,106,Editorial,1452,Ekonomi,358,Emra për djem,38,Emra për vajza,36,Enciklopedi,81,Histori,1182,Iliridë,234,Kosovë,2067,Kulture,587,Luginë,32,Moti,2,Politik,1575,Reportazh,148,Rezultatet Live,2,Shtypi,77,Sondazhe,7,Sport,408,Video,454,
ltr
item
Zgjohu Shqiptar: Palermo-Pasha Liman dhe në nënujësit e asaj kohe…
Palermo-Pasha Liman dhe në nënujësit e asaj kohe…
Palermo-Pasha Liman dhe në nënujësit e asaj kohe…
https://3.bp.blogspot.com/-Dhpuu2pGzJY/WmmkPrABbNI/AAAAAAAAQKw/ip5uIQm2tmsd0OV3NRSg3fBGhKj36EG4ACLcBGAs/s640/s1-696x522.jpg
https://3.bp.blogspot.com/-Dhpuu2pGzJY/WmmkPrABbNI/AAAAAAAAQKw/ip5uIQm2tmsd0OV3NRSg3fBGhKj36EG4ACLcBGAs/s72-c/s1-696x522.jpg
Zgjohu Shqiptar
http://www.zgjohushqiptar.info/2018/01/palermo-pasha-liman-dhe-ne-nenujesit-e.html
http://www.zgjohushqiptar.info/
http://www.zgjohushqiptar.info/
http://www.zgjohushqiptar.info/2018/01/palermo-pasha-liman-dhe-ne-nenujesit-e.html
true
269073700948665522
UTF-8
Ngarkuar te gjitha postimet Nuk gjendet ndonje postim SHIKO TE GJITHA Lexo me Shume Repliko Hiq Repliken Fshi Nga Kreu FAQET POSTIMET Shiko te Gjitha REKOMANDUAR PER JU LABEL ARKIVA KERKO TE GJITHA POSTIMET Nuk u gjet asnje material sipas kerkeses tuaj Kthehu te Kreu E Diel E Hene E Marte E Merkure E Enjte E Premte E Shtune Hen Mart Merk Enj Pre sht Die Janar Shkurt Mars Prill Maj Qershor Korrik Gusht Shtator Tetor Nentor Dhjetor Jan Shk Mar Pri Maj Maj Qer Gush Sht Tet Nen Dhj menjehere 1 minute me pare $$1$$ minutes ago 1 ore me pare $$1$$ hours ago Dje $$1$$ days ago $$1$$ weeks ago me shume se 5 jave me pare Followers Follow THIS CONTENT IS PREMIUM Please share to unlock Kopjo te Gjithe Kodin Selekto te Gjithe Kodin All codes were copied to your clipboard Can not copy the codes / texts, please press [CTRL]+[C] (or CMD+C with Mac) to copy