“Arbën Xhaferri, udhëkryqi mes rilindësit të fundit shqiptar dhe mendimtarit të parë të moderuar bashkëkohor”

Nga Edi Rama / Më vjen mirë që u bëmë mbarë, për ta kryer këtë detyrim të rëndësishëm lidhur me veprën 5-vëllimshme të Arbën Xhaferrit, e cila është një dëshmi shumë imponuese e një personaliteti të jashtëzakonshëm në qasje, por edhe shumë atipik në përmbajtje. Mbase nuk e ekzagjeroj po të them se është mendimtari më atipik i botës bashkëkohore shqiptare.

Vepra e tij është padiskutim, të paktën në këndvështrimin tim modest, një tërësi refleksionesh unikale, që shtrihet nga trajtimi i problematikave të demokracisë dhe perspektivave të Europës, deri në zbërthimin e konstelacioneve gjeostrategjike botërore; nga shpërbërja e Jugosllavisë, tek lufta e Kosovës dhe konflikti në Maqedoni dhe në tërësi, rreth dhe në thellësi të çështjes shqiptare; nga sfidat e ditës, natyrës ndërpartiake brendashqiptare, deri tek një elaborim sa imagjinativ dhe kreativ, aq edhe filozofik dhe solid i marrëdhënieve të partive shqiptare me shtetin dhe me kombin.

Besoj shumë që kjo vepër është një vlerë e pazëvendësueshme në bibliotekën e cilitdo që është i interesuar për të hyrë më thellë dhe për ta kapërcyer sipërfaqen e pasqyrës së jetës së përditshme shqiptare. Prapa angazhimeve intelektuale të Arbën Xhaferrit qëndron një përpjekje këmbëngulëse dhe e pandërprerë për një ripërkufizim të interesave politike kombëtare nën dritën e transformimeve rrënjësore globale, por dhe rajonale, qysh nga mbarimi i Luftës së Ftohtë.

Po ashtu besoj që Arbën Xhaferri është në një farë mënyre udhëkryqi mes rilindësit të fundit shqiptar dhe mendimtarit të parë të moderuar bashkëkohor, nëse i referohemi gjithmonë suazës së bashkëkohësisë. Duke qenë padiskutim, dijetari më i dalluar mes politikanëve dhe politikani më i dalluar mes dijetarëve ndër shqiptarët, qysh nga fillimvitet ’90-të e këtej, Arbën Xhaferri është shëmbëlltyra e një përpjekjeje të jashtëzakonshme intelektuale dhe politike, për ta menduar dhe rimenduar politikën kombëtare në dritën e dinamikave të reja globale.

Duke e pasur mundësinë e kësaj vepre shumëvëllimshme, konstaton se ai kishte nisur shkrimet e para në një periudhë transformimi të dyfishtë; Nga njëra anë, rënia e komunizmit, e cila mes të tjerash po përçonte bashkë me entuziazmin e një kulture postnacionale, edhe një politike posthistorike. Nga ana tjetër shpërbërjen e dhunshme të Jugosllavisë, që përçonte një vrull të ri etnonacionalist.

Në këtë mënyrë, edhe atëherë kur një pjesë e konsiderueshme e shoqërisë shqiptare ishte ende shumë konfuze për këto marrëdhënie, për shkak të një bote vlerash në rënie dhe një realiteti historik në ngjizje e sipër, Arbën Xhaferri kultivonte mendime të thella dhe të qarta për ndërlidhjen mes demokracisë, mes politikës kombëtare dhe Perëndimit.

Në këtë ndërmarrje, ai është i vetmi kontekstualizues kombëtar i zhvillimeve globale dhe afirmues global i interesave kombëtare. Saktësisht, brenda këtij konteksti historik dhe politik ma ha mendja qëndron edhe sekreti, pse e gjithë themelia tematike e kësaj vepre qëndron pikërisht te demokracia, te kombi dhe tek Europa, Perëndimi.

Kjo është një vepër që mund të shërbejë gjithnjë si një platformë e gjallë diskutimesh, reflektimesh dhe konkluzionesh të arsyeshme, pasi në këtë kontekst, Arbën Xhaferri ofron jo vetëm zbërthime shumë të posaçme intelektuale, por edhe mësime shumë të lexueshme politike. Ia vlen të thuhet se qysh në vite më të hershme, pas rënies së regjimeve komuniste, ai nisi të formulojë unitetin e pashpërbëshëm midis demokracisë dhe interesave kombëtare, në përgjithësi. Duke kuptuar pothuajse më mirë se kushdo tjetër zhvillimet politike, se përkushtimi demokratik i shqiptarëve do të funksionojë si kundërpeshë politike ndaj shteteve të tjera ish jugosllave, që ishin ende të rezervuara ndaj projekteve perëndimore. Nënvizimi i tij është se burimi i krizave në Ballkan, veçanërisht në zonën e ish Jugosllavisë, ishte pikërisht mungesa e demokracisë institucionale dhe mungesa politike e barazisë kombëtare.

Sidoqoftë, përpara këtyre problemeve, ai, duhet thënë se nuk luan thjesht rolin e komentuesit kritik, një zonë ku mund të thuhet me plot gojën se Arbën Xhaferri ishte një princ i pakonkurrueshëm si intelektual, por shkon përtej dhe mori rolin e vështirë dhe të kontestueshëm për natyrë të aktorit të angazhuar politik. Në fillim të viteve ’90-të, fillimisht, ai u shqua për rolin e konsiderueshëm në riorientimin politik të shqiptarëve në Kosovë, në shtysën drejt trendeve demokratike dhe integrimit euroatlantik. Më pas, në mesin e ’90-s e tutje, ai u bë një udhërrëfyes i arsyeshëm, i pazëvendësueshëm dhe mbështetës i fuqishëm i politikave kombëtare të shqiptarëve në Maqedoni.

Mbi të gjitha, ajo që impresionon në të gjithë këtë të jetuari mes intelektualit të rafinuar dhe aktorit të përzier në politikën e përditshme dhe jo fort të rafinuar të shqiptarëve janë idetë e tij shumë inovative politike, lidhur me domosdoshmërinë e ndërtimit të shtetit maqedon, sipas parimit të konsensusit të kombit maqedon dhe shqiptar. Dhe kur? Në një kohë kur idetë e sundimit dhe përvetësimit nacional të shtetit në emër të parimit të shumicës demokratike e dominonin të gjithë kontekstin postjugosllav, padyshim, përfshirë edhe kontekstin në Maqedoni.

Po ashtu, Arbën Xhaferri vendosi një standard të ri dhe unë mendoj të paarritshëm, në sferën politike shqiptare në rajon, si politikan që asnjëherë nuk ngurronte t’i zgjaste dorën e bashkëpunimit oponentëve politikë brenda dhe jashtë suazës së jetës politike të shqiptarëve, në funksion të interesit kombëtar, duke i vënë shpeshherë, qëllimisht dhe pa droje, interesat e tij të pjesshme politike apo partiake nën presionin e interesit të përbashkët kombëtar.

Në këtë mënyrë, vetiu, ai u shndërrua në një prej figurave kryesore të pluralizmit demokratik në botën që lindi pas shembjes së Jugosllavisë, në përgjithësi dhe besoj në faktorizuesin publik më të rëndësishëm të interesave të shqiptarëve, në veçanti.

Ajo që e kompleton këtë figurë kaq të lidhur me idenë e kombit dhe e bën tërësisht atipik, si një model për t’u ndjekur, për të mos gabuar, duke harruar anën tjetër të medaljes, Arbën Xhaferri ishte një admirues i madh i Europës, por jo vetëm kaq, një admirues me një njohje të jashtëzakonshme të Europës, çka është shumë e vështirë ta kërkosh, pastaj është dhe më e vështirë ta gjesh si komponente kaq të plotë tek cilido në botën shqiptare, që shkëlqen për komponenten e parë.

Janë vërtetë mbresëlënëse, qindra e qindra faqe mbi kushtetutshmërinë, mbi rajonalizimin, mbi intensitetin e lëvizjeve nacionaliste në Europë!

Ai ka shkruar qindra komente mbi politikat e zgjerimit. Askush tjetër nuk mund të thotë të njëjtën gjë për askënd, mbi mundësitë e vetëfaktorizimit dhe raportet e përgjithshme mes shqiptarëve dhe Bashkimit Europian. Aty ku Arbën Xhaferri vlen çdo ditë si pikë referimi dhe përbën një shembull për të mos u harruar në asnjë moment, kur gjendemi në dilema të ndryshme, është këmbëngulja e tij se rrugëtimi europian i shqiptarëve nuk ka alternativë, pavarësisht se ai nënvizon se kjo nuk është një kompensim për problemet e brendshme sociale dhe politike.

E them këtë, sepse, në këtë pikë, ne kemi shumë nevojë të kujtohemi vazhdimisht që, pavarësisht problemeve të brendshme sociale dhe politike, për ne si komb, rrugëtimi europian nuk ka alternativë.

Ka shumë e shumë gjëra që mund të thuhen dhe me thënë të drejtën, unë ndjehem në vështirësi, sepse e ndjej peshën e përgjegjësisë, kur flitet për një autor kaq të sofistikuar, siç është Arbën Xhaferri, por dua të shtoj dhe një tjetër kompontente modestisht, që për pothuajse dy dekada, Arbën Xhaferri ka ofruar dhe një qasje interpretuese thellësisht reformiste të kulturës dhe të fesë, duke i parë ato si funksionale në aspektin demokratik dhe si të pajtueshme nga pikëpamja kombëtare.

Nga kjo perspektivë, pavarësisht se në referencat më të avancuara akademike të kohës së tij, puna e Arbën Xhaferrit është një ndërmarrje e madhe e rilindjes kulturore dhe është një angazhim për mundësitë prosperuese të ndërsjella midis kryqit dhe gjysmëhënës, – ky është përkufizimi i vetë Arbën Xhaferrit që unë nuk do kisha pasur kurrë kurajon ta shqiptoja, – në dritën e një horizonti të përbashkët kombëtar.

Së fundi, ka dhe një element tjetër që vlen të nënvizohet, fakti që Arbën Xhaferri nuk e ka kaluar lehtë dhe akuzat dhe kritikat brutale ndaj tij nuk kanë munguar. Përkundrazi, kanë qenë të pakuptimta. Duket si e pamendueshme sot, kur ai nuk është më, por, kur sa ishte mes nesh, ka qenë shpesh herë objekt sulmesh, kritikash, akuzash krejtësisht surreale, nëse i shohim nga këndvështrimi i sotëm dhe nëse i shohim nga lartësia e veprës së tij, e cila flet me aq shumë forcë dhe qëndron me një hije aq të rëndë, sa të gjithë akuzuesit e tij sot duken si miza.

Duke e falenderuar përzemërsisht Batonin, në radhë të parë, që u bë shtysë kryesore për këtë nismë, ku unë modestisht dhashë kontributin tim, së bashku me Lindën; Duke falenderuar Shkëlzenin që ndër shumë të tjera ka edhe një kontribut të madh për mua personalisht, që ka qenë njeriu që më ka prezantuar me Arbën Xhaferrin dhe ky është një fat; Duke falenderuar Presidentin që është këtu i pranishëm, pranë meje dhe që me siguri ka dhe ai gjëra të vlefshme për të thënë, pasi e ka njohur nga afër dhe kanë bërë një goxha rrugëtim të përbashkët me Arbën Xhaferrin, unë thjesht dua t’i kërkoj falje Arbën Xhaferrit, nëse në gjithçka thashë e lëndova finesën e tij intelektuale dhe ju afrova më shumë seç duhet, sepse nga të gjitha takimet me të, çka gjithmonë e kujtoj, ka qenë një frazë që ma ka thënë, kur unë isha në një moment jo të lehtë në jetën time publike, mes vorbullës së baltës sonë të përditshme, – se në librat e shenjtë thuhet “bukën e përditshme jepna o Zot”, ndërsa në politikën shqiptare thuhet “baltën e përditshme falna o Zot”, – kur, pasi folëm për temën konkrete dhe tha në fund: “zgjidhe si të duash, vetëm mos harro kurrë të mbash distancë higjienike prej këtyre”. Kjo e distancës higjienike është një porosi e paharrueshme, por edhe jo gjithmonë e realizueshme, për fat të keq. Kështu që Presidenti, nëse do të vazhdojë këtu tek distanca higjienike, mund ta marrë fjalën./ZgjohuShqiptar.info

KOMENTONI

Loading...
Name

Aktualitet,6986,Camëri,105,Editorial,1450,Ekonomi,357,Emra për djem,38,Emra për vajza,36,Enciklopedi,81,Histori,1181,Iliridë,234,Kosovë,2063,Kulture,586,Luginë,32,Moti,2,Politik,1572,Reportazh,148,Rezultatet Live,2,Shtypi,77,Sondazhe,7,Sport,405,Video,452,
ltr
item
Zgjohu Shqiptar: “Arbën Xhaferri, udhëkryqi mes rilindësit të fundit shqiptar dhe mendimtarit të parë të moderuar bashkëkohor”
“Arbën Xhaferri, udhëkryqi mes rilindësit të fundit shqiptar dhe mendimtarit të parë të moderuar bashkëkohor”
“Arbën Xhaferri, udhëkryqi mes rilindësit të fundit shqiptar dhe mendimtarit të parë të moderuar bashkëkohor”
https://3.bp.blogspot.com/-Ad4HPgEftiM/Wodc6WFy1XI/AAAAAAAAB5o/VoezvWJMqXAzdcDRID-oHip8HfIPCTFFQCLcBGAs/s640/xhaferri.jpg
https://3.bp.blogspot.com/-Ad4HPgEftiM/Wodc6WFy1XI/AAAAAAAAB5o/VoezvWJMqXAzdcDRID-oHip8HfIPCTFFQCLcBGAs/s72-c/xhaferri.jpg
Zgjohu Shqiptar
http://www.zgjohushqiptar.info/2018/02/arben-xhaferri-udhekryqi-mes-rilindesit.html
http://www.zgjohushqiptar.info/
http://www.zgjohushqiptar.info/
http://www.zgjohushqiptar.info/2018/02/arben-xhaferri-udhekryqi-mes-rilindesit.html
true
269073700948665522
UTF-8
Ngarkuar te gjitha postimet Nuk gjendet ndonje postim SHIKO TE GJITHA Lexo me Shume Repliko Hiq Repliken Fshi Nga Kreu FAQET POSTIMET Shiko te Gjitha REKOMANDUAR PER JU LABEL ARKIVA KERKO TE GJITHA POSTIMET Nuk u gjet asnje material sipas kerkeses tuaj Kthehu te Kreu E Diel E Hene E Marte E Merkure E Enjte E Premte E Shtune Hen Mart Merk Enj Pre sht Die Janar Shkurt Mars Prill Maj Qershor Korrik Gusht Shtator Tetor Nentor Dhjetor Jan Shk Mar Pri Maj Maj Qer Gush Sht Tet Nen Dhj menjehere 1 minute me pare $$1$$ minutes ago 1 ore me pare $$1$$ hours ago Dje $$1$$ days ago $$1$$ weeks ago me shume se 5 jave me pare Followers Follow THIS CONTENT IS PREMIUM Please share to unlock Kopjo te Gjithe Kodin Selekto te Gjithe Kodin All codes were copied to your clipboard Can not copy the codes / texts, please press [CTRL]+[C] (or CMD+C with Mac) to copy