Në Lundrën e Këngës Polifonike të Bregut

Sadedin Mezuraj

Të djelën mbrëma më 18 shkurt ,salla e Muzeut Historik Kombëtar , u mbush me dashamirës të këngës labe dhe admirues të dy grupeve me emër të Bregut: “Bejka e Bardhë” e Pilurit dhe “Vajza e Valave” e Himarës. Një pranverë tingujsh e ngjyrash u derdh mu në mes të Tiranës e të këtij dimri sado të butë , një buqetë këngësh të Fosforinës polifonike, të perfomuara plot vibracione emocionale , pathos dhe ekspresivitet nga zërat mrekullorë të Pilurit dhe Himarës.

Salla ishte tepër e vogël për atë madhështi dhe magji , mbrujtur në magjen e lashtë të shpirtit të popullit dhe ripërtërirë pareshtur nga bartësit dhe interpretuesit e saj virtuozë. Po si mund të nxinte ajo hapsirë e ngushtë dallgët joniane të isos , jehonat e maleve të Vetëtimës, këngët e thëllëzave, tingujt e culës dyjare , peisazhin baritor me “Bejkën e bardhë” që zbret duke u tundur, me naze e nure , atë dekor të maleve kryelarta të Labrisë ku Perënditë, me vështrimin nga deti, presin Princin e Dashurisë tek vjen mbi Lundrën e Këngës Polifonike të Bregut?

Si mund të mbante ajo sallë atë ujvarë me meloditë shumëzërëshe , atë kombinim të recitativave shpërthyese me ariozitetin mbresëlënës, epizmin krenar me lirizmin ngazëllyes, zërin melodioz të Katina Bejlerit me tonet kumbuese të Erimioni Mërkurit , atë Hajde deeee drithëruese të hedhësit –si sokëllimë kapedanësh në shtërngatë- atë harmoni tingujsh e tonesh ku shpaloset shpirti bregasve , i mbushur me prushe dashurie dhe hove shqiptarie?

Kënga polifonike është madem i rrallë i një etnokulture të stërlashtë, pjesë organike e AND-së së labit , dëshmi identitare dhe pasaportë e patjetërsueshme e një kulture orale vitale e cila “ u bë shkronjë pa lindur shkronjat”, testament i të parëve tanë , kronikë e një jete me gjithë dramat, dhimbjet, dashuritë, dëshmorët, dufet dhe dertet, të derdhura mrekullisht në tekste të selitura nga vjershëtorët anonimë dhe penëartët e njohur , nga Neço Muka tek Lefter Çipa, Bardi i madh i Bregut .

Kënga labe është magji, mrekulli, bukuri, harmoni, melodi dhe dashuri e pafund për jetën. Trimëria dhe dashuria, si dy tipare të shpirtit lab, të Malit dhe të Bregut, i kanë dhënë këngës së tij polifonike tonet epike, shpesh elegjiake në nderim të trimave dhe heronjve dhe nota lirike të përjetimit emocional të vrulleve të dashurisë.

Epizmi krenar dhe lirizmi ngazëllyes, u shpalosën plot bukuri , temperament dhe emocionalitet në këngët e performuara nga grupi Pilurit dhe Himarës. Kënga polifonike e Bregut i përngjet një ngrehine me dy tempuj llamburitës, Tempulli Trimërisë dhe Tempulli Dashurisë. Labi ka shkuar drejt luftës si drejt dashurisë , në emër të jetës dhe lirisë në trojet e tij. Ndërsa dashuria , burimi dhe ngazëllimi i jetës, hera herës nëpër këngët polifonike të traditës vjen si ndjenjë përvëluese, si brengë e mall, si një “luftë” me mjedisin frenues dhe pengues.

Studimet etnomuzikologe kanë evidentuar se kënga polifonike e Bregut është një kurorë e bleruar, me plot lule e novacione , me rrënjët në shtratin e këngës labe të Kurveleshit . Por ndryshe nga kënga labe e Kurveleshit ku tradicionalisht kanë dominuar notat epike, në këngën polifonike të Pilurit dhe Himarës, sikurse nënvizon muzikologu Spiro Shetuni (Polifonia labe, Tiranë 1989) shpërfaqet m dukshëm “ngazëllimi subjektiv lirik”. Në këngët “Tundu bejkë e bardhë, tundu”, “Thëllëza që shkel mbi vesë”, “Shko moj shko kuac e kuqe” ,”Aman mike kapedane” etj. vezullon optimizmi për jetën, shpalosen imazhet e një dashurie të pastër djaloshare dhe himnizohet forca e dashurisë (tani që të kam me vete/ u bëra sa shtatë dete) si pasuri dhe ilaç shërues i kësaj jete.

Këngët polifonike të Pilurit spikatin për freskinë dhe gjallërinë plot hove lirike dhe drithërima epike, për notat poetike, interpretimet ekspresive dhe plot ngjyresa emocionale. Në evoluimin e stilit piluriot dhe këngës polifonike të Bregut në përgjithësi, padyshim që një rol të rëndësishëm ka luajtur pena e poetit Lefter Çipa i cili i ka poetizuar dhe shpirtëzuar tekstet e këngëve , duke i veshur ato me sharmin e një bote emocionale plot vrulle dhe pathos për jetën.

Në poetikën e vjershërimit popullor dhe tekstet e këngëve labe, përgjithësisht mbizotëron mali si skenë veprimi, simbol dhe metaforë. Në këngët polifonike të Bregut takohet mali me detin ,qielli me tokën, si hapsira topografike dhe peisazh gjeografik por edhe si trope poetike të sjella mjeshtërisht në vargjet e Neço Mukës,Lefter Çipës, Kristo Çipës etj. Në vargjet e këngës së Bregut subjektin lirik e shjatojnë vështrimet e zanave të malit dhe e grishin plot ëmbëlsi sirenat e detit. Midis malit me furtunë dhe detit me dallgë, shqiptari Bregut ka krijuar përmes këngës shumëzërëshe një vertikalitet ndërlidhës me Qiellin, si dimension shpirtëror , prej nga vijnë kumtet dhe rrufetë, ku shfaqet drita e Diellit jetëdhënës dhe Hëna e netëve dashurore.

Në poetikën e vargjeve të Lefter Çipës deti merr trajtën e simbolit të Historisë tonë, plotë dallgë e tallaze e mbi këtë përfytyrim poeti ka krijuar mjeshtërisht metaforën e madhe të Lundrës së Këngës . Kësisoj. Kënga polifonike është perceptuar jo thjeshtë si lodër argëtuese dhe dëfrim i shpirtit, por edhe si instrumentin esencial i mbijetesës së kombit .

Edhe kur kalatë dhe fortesat e kësaj toke u rrënuan përballë invazioneve të huaja, Kështjella e Këngës Polifonike u bë streha e shpirtit shqiptar , dëshmi e autentike e një kulture muzikore të lashtë, e lindur para Bazilenjve dhe këngëve bizantine. Kënga shumëzërëshe u shpall mbi malet e Labërisë dhe funksionoi si mësim historie kur nuk kishte historian, si porosi morale kur nuk kishte eduaktorë, si kronikë e luftrave kur mungonin kronikanët, si melhem për plagët dhe brengat e shpirtit, kur mungonin mjekët dhe psikologët. Poeti ,me dy vargje , gdhend rolin dhe funksionin e këngës polifonike në antropologjinë kulturore të botës shqiptare:

Këngët e atdheut tim/ Janë ilaç e janë shërim

Aktiviteti i dy grupeve polifonike të Bregut në Muzeun Historik Kombëtar u zhvillua në përkujtim të dyzet e pesë vjetorit të këngës emblematike të Pilurit Tundu bejkë e bardhë, tundu dhe si një homazh për Neço Mukon, në nëntëdhjet vjetorin e regjistrimit të këngëve polifonike të Himarës në pllakat e gramafonit në Paris. Si këngëtar i pasionuar i këngës polifonike dhe muzikant, me regjistrimin e këngëve të Himarës në shoqërinë diskografike Parthe në Francë në fund të viteve 20-të , Neço Muko i bëri një shërbim të madh kulturës kombëtare dhe dëshmoi një akt të lartë atdhetarie, duke materializuar në disqe disa nga perlat e këtij thesari si Vajza e Valave, Llaj çoban, Moj Katina nina-nina, Hyri prill çu shkru bora , majave, Moj nepërka pika pika etj.

Ishte mjaft domethënës fakti që në njërën anë të disqeve Neço Muko regjistroi Himnin e Flamurit si për të treguar se Flamuri Kombit i kishte rrënjët jo vetëm tek luftrat dhe qëndresa shumëshekullore të popullit por edhe tek kultura e tij muzikore, tek këngët e tabanit të labit të malit dhe bregdetit.

Studimet folklorike tashmë kanë vlerësuar rolin thelbësor të Neço Mukos si reformator i këngës himariote . Mbështetur në një traditë që gjallonte në Himarë e rrotull saj, Neço Muko këngën polifonike e rilindi, e ripërtëriti dhe modernizoi, duke e ngritur në maja të reja prej nga rrezatuan më pas “stili himariot” dhe “stili piluriot” i polifonisë labe. Duke mbajtur parasysh këtë kontribut madhor, eventi i organizuar në sallën e Muzeut Historik Kombëtar, ndonëse modest, mund t’i kishte dhënë një hapsirë më të madhe për t’i bërë homazh emrit dhe rolit të tij në zhvillimin e këngës polifonike të Bregut.

Kënga polifonike lindi dhe u zhvillua si një kulture muzikore autoktone në mjediset fshtare e baritore të maleve të Labërisë dhe gjalloi brënda mjediseve të mbyllura, si pjesë e ceremonialit të dasmave dhe gëzimeve familjare, e ndërthurur me ritet e motëmotit, ritualet magjike dhe jetën baritore. Nga gjysma e dytë e shekullit të njëzetë ajo u masivizua, u ngjit në skena e festival, fitoi një qarkullim më të shpejtë dhe , pse jo, në periudhën moniste, u përdor nga regjimi komunist edhe si mjet propagandistik. Por përtej shërbesave të imponuara dhe deformacioneve , kënga polifonike njohu zhvillime dhe novacione , duke u ripërtërirë në shtratin e një tradite të konsoliduar.

Po cila është e ardhmja e këngës polifonike në kushtet e modernitetit, të globalizmit, të kulturës konsumeriste dhe mjeteve të komunikimit masiv? Në ditët tona, edhe pse mbështetja institucionale dhe materiale është e vakët, kënga polifonike ja ka mbritur me mundime të mbijetojë dhe të japi impulse të reja.

Poetë dhe vjershëtorë me emër si Lefter Çipa, Maliq Lila, Feti Brahimi, Kujtim Mici,Zaho Balili,Hamdi Pulo, Muhamet Tartari, Tomorr Lelo,Teno Lona, Dule Havari, Nertezi Asllani, Sejmen Gjokoli dhe emra të tjerë më të rinj, si pjesë e Urdhërit të Templlarëve të Këngës polifonike , si mbartës të sekreteve të Fjalës , me vargjet e tyre kanë përcjell dallgëzimet e shpirtit dhe psherëtimat e luleve, tingujt e zileve dhe gjëmimin e erërave mbi male, ahtet dhe brengat, dufet dhe dertet e shpirtit të labit , të mbushur me prushe dashurie dhe flake atdhetarie.

Një aradhë marrësish me zërin e shkëlqyer, kthyes dhe hedhës brilantë dhe isombajtësit i kanë dhënë këngës polifonike frymë e krahë, duke e ngritur në maja të zilishme magjinë dhe bukurinë e saj mrekulluese.

Mjetet moderne të komunikimit si facebook dhe youtube, televizioni dhe kamerat kanë krijuar avantazhe për qarkullimin e kësaj pasuri dhe çuarjen e saj më pranë një publiku që e do dhe e pëlqen këngën labe.

Në rrugën e gjatë të evoluimit të saj kënga polifonike i përngjet një lisi me rrënjë të hedhura në shtartin e traditës dhe një kurorë që bleron pareshtur. Natyrisht që degë të veçanta të kësaj peme ka ndodhur të thahen apo atrofizohen dhe nga trungu i saj të buisin lastarë të rinj, shpresëdhënës për mbajtjen gjallë të kësaj pasurie të çmuar, tashmë e shpallur nga UNESCO si pjesë e trashëgimnisë kulturore botërore.

Eshtë ngazëllyese kur shikon se si në një faqe si ajo Labëria, e administruar nga një grup të rinjsh pasionantë të këngës labe, krahas videove me këngët e grupeve më të spikatura të traditës, të hidhen edhe regjistrime të bëra “për qejf” nga të rinj virtuozë , me zëra brilantë e plot dashuri për këngën polifonike.

Nga ana tjetër, një mori grupesh polifonike janë krijuar mbi bërthamën e grupeve të dikurshme, madje edhe mes emigrantëve, si një përpjekje për të mbajtur të pashuar zjarrin e këngës polifonike. Një zjarr që besojmë se do të vazhdojë të përndizet e prushërohet edhe më tej, përballë erërave të reja të modernitetit./ZgjohuShqiptar.info

NA NDIQNI EDHE NE FACEBOOK JU LUTEMI!

KOMENTONI

Loading...
Name

Aktualitet,6964,Camëri,105,Editorial,1449,Ekonomi,357,Emra për djem,38,Emra për vajza,36,Enciklopedi,80,Histori,1180,Iliridë,234,Kosovë,2059,Kulture,586,Luginë,32,Moti,2,Politik,1567,Reportazh,148,Rezultatet Live,2,Shtypi,77,Sondazhe,7,Sport,403,Video,451,
ltr
item
Zgjohu Shqiptar: Në Lundrën e Këngës Polifonike të Bregut
Në Lundrën e Këngës Polifonike të Bregut
https://4.bp.blogspot.com/-wzMHdZ8rGZA/Woy3o6Pi3kI/AAAAAAAACRk/7uajR4VakukCFQ2h4i-0dA7a_x4HvqaUwCLcBGAs/s640/gggg.png
https://4.bp.blogspot.com/-wzMHdZ8rGZA/Woy3o6Pi3kI/AAAAAAAACRk/7uajR4VakukCFQ2h4i-0dA7a_x4HvqaUwCLcBGAs/s72-c/gggg.png
Zgjohu Shqiptar
http://www.zgjohushqiptar.info/2018/02/ne-lundren-e-kenges-polifonike-te-bregut.html
http://www.zgjohushqiptar.info/
http://www.zgjohushqiptar.info/
http://www.zgjohushqiptar.info/2018/02/ne-lundren-e-kenges-polifonike-te-bregut.html
true
269073700948665522
UTF-8
Ngarkuar te gjitha postimet Nuk gjendet ndonje postim SHIKO TE GJITHA Lexo me Shume Repliko Hiq Repliken Fshi Nga Kreu FAQET POSTIMET Shiko te Gjitha REKOMANDUAR PER JU LABEL ARKIVA KERKO TE GJITHA POSTIMET Nuk u gjet asnje material sipas kerkeses tuaj Kthehu te Kreu E Diel E Hene E Marte E Merkure E Enjte E Premte E Shtune Hen Mart Merk Enj Pre sht Die Janar Shkurt Mars Prill Maj Qershor Korrik Gusht Shtator Tetor Nentor Dhjetor Jan Shk Mar Pri Maj Maj Qer Gush Sht Tet Nen Dhj menjehere 1 minute me pare $$1$$ minutes ago 1 ore me pare $$1$$ hours ago Dje $$1$$ days ago $$1$$ weeks ago me shume se 5 jave me pare Followers Follow THIS CONTENT IS PREMIUM Please share to unlock Kopjo te Gjithe Kodin Selekto te Gjithe Kodin All codes were copied to your clipboard Can not copy the codes / texts, please press [CTRL]+[C] (or CMD+C with Mac) to copy