Flet zbuluesi politik i Shqipërisë në Francë: Të gjithë anëtarët e byrosë kryenin vizita fshehurazi në Paris

Flet Hasan Luçi, ish-zbulues politik i Shqipërisë në Francë: Të gjithë anëtarët e Byrosë Politike, vinin për vizita mjekësore në Paris. Që nga Mehmet Shehu, Beqir Balluku, Ramiz Alia, Adil Çarçani dhe Spiro Koleka…Ish-kryeministri i vendit, gjatë kohës së komunizmit, Mehmet Shehu ka kryer disa vizita mjekësore, madhe edhe operime në kryeqytetin francez, Paris.

Këtë e pohon gjatë një rrëfimi për “Albanian Free Press”, Hasan Luçi, ish-zbulues politik i Shqipërisë në Francë.

Duke dhënë detaje interesante gjatë qëndrimit të Mehmetit atje, deri edhe tek një takim i fshehtë me homologun e tij, Zhak Shirak, i cili u mbajt larg mediave.

Por edhe mbi dietën që ai ndiqte, për të mbajtur në kontroll shëndetin, siç ishte për shembull një produkt i veçantë, margarina e misrit, e cila mund të gjendej vetëm në Belgjikë…

Intervistoi Albert Z. Zholi

Kur erdhi ish-kryeministri Mehmet Shehu për mjekim në Paris?

Në shkurt të vitit 1972. Atëherë u takova me të, për herë të parë. Dhe në një nga shëtitjet e para ndodhi një ngjarje e vogël. Teksa do të shëtiste në pyllin e famshëm dhe parkun Sen-Klu, nga ku Parisi duket si në pëllëmbë të dorës, si zakonisht, vendi do vizitohej më parë nga grupi shoqërues, për t’i njohur rrugët dhe mjedisin për masat e sigurimit. Kështu, një ditë më parë grupi kishte qenë atje. Ditën tjetër, u nisëm me tre vetura, dy të grupit shoqërues. Njërën veturë e ngisja unë, edhe si shoqërues diplomat i ambasadës. Kur mbërritëm afër urës që del tek tuneli i Sen-Klus, nga vetura e tretë sipas planit, më thanë të dilja para. U thashë se unë kam 4 vjet që s’kam qenë atje, prandaj të shkonte përpara grupi që vajti atje një ditë më parë. Por përgjegjësi Llambi Peçini i ra prapë shkurt, më dha shenjë me inat mos ta vonoja kot udhëheqësin. Kështu kalova para dhe eca siç e mbaja mend rrugën. Përgjegjësi e kuptoi atëherë gabimin e vet dhe doli para e korrigjoi ecjen. Kur mbërritëm në park e filluam shëtitjen normalisht, Mehmet Shehu më bëri shenjë t’i afrohesha.

“Nga fshati i Mehmet Sulës, je ti Hasan?”, -më pyeti ai.

“Më falni, shoku kryeministër, por ai është nga fshati im”, iu përgjigja unë.

“Ashtu ë… qerrata, s’ta ha qeni shkopin”, – tha ai duke qeshur dhe nuk e zgjati më tej.

Pak më vonë, Llambi u shkëput dhe m’u afrua, kur isha ende i inatosur me të dhe ia prita: “Pse më nxore përpara?! U dola borxhit, aq më tepër që ti dërgove grup tjetër më parë për të mësuar rrugën”.

“Më fal, unë e dija se qe ndryshuar rruga e hyrjes në park, por mos u mërzit se i fitove pikët me përgjigjen që i dhe për atë mikun e tij, bashkëfshatarin tënd. Në fillim të shau, por na tha mos të themi si të shau, por i falet atij”, tha ai.

“Ai të ka sharë ty e jo mua, se unë do t’ia shpjegoj vetë”, ia prita Llambit.

“U mbyll kjo punë”, më tha duke qeshur e më futi krahun.

Por mua s’më ikte inati për këtë ngjarje dhe me kë, pale. Me atë që të gjithë e quanin tepër të rreptë e s’ta përtonte duke të sikterrisur.

Kjo ishte vizita e parë dhe e fundit e tij?

Në 1973-shin, erdhi përsëri për operim. Ditën e dytë, pas operacionit vajtëm në spitalin e kuadrove në Port d’Itali për t’i çuar tufën e luleve për urimin e rastit. Frederik Nosi, këshilltar, Labo Abazi dhe unë, të dy sekretarë të parë, vajtëm dhe i dorëzuam lulet pa u futur në dhomën ku ishte shtruar dhe po ktheheshim në shtëpi. Unë ngisja veturën “Pezho 404”, por në një vend në unazën e dytë të Parisit, kuptova se frenat nuk kapnin, ndërsa tentoja të frenoja. Pasi rrëshqiti pak, vetura ndali. Xhami i parë u thye, por dyert s’hapeshin nga goditja. Labua bërtiti “fike, mos ndizet benzina”, por e kisha fikur. Kur vajtëm në shtëpi, u treguam ngjarjen, por pa e mbaruar fjalën, ambasadori J. Malo, na priti me këmbët e para dhe nuk pyeti për gjendjen tonë shëndetësore, por bërtiti: “Po vetura ç’pësoi?!”. Në fillim, Labua dhe unë ia kthyem me ton të ashpër, pa fjalë banale: “ti pyet si jemi e na uro që shpëtuam, pa veturën ta paguajmë me morra!”. Unë nxora proces-verbalin e ia zgjata, pastaj ikëm të nxehur pa i dhënë më shpjegime, pa i pirë as kafen në shtëpinë e tij. Ia mbajtëm vëth në vesh, sjelljen këtij gjysmë çami, siç i thosha. Incidenti u mbyll lehtë se s’kishim faj, por qenkëshim të lindur me këmishë. Të gjithë çuditeshin me ne, që qeshnim pas kësaj historie për të qarë. Kryeministri e mori vesh më vonë. Vetura e prishur na lidhi duart, se na duhej urgjent, por na e riparuan shpejt dhe e ngisja më me kujdes.

Kush nga Ministria e Shëndetësisë e shoqëronte shokun Mehmet Shehu?

Llambi Ziçishti, ministri i Shëndetësisë. Në vitin 1973, para se të operohej kryeministri, një ditë para, në kohën që prisja të dilte ai për shëtitje se kisha radhën e shoqërimit, vjen Llambi Ziçishti, ministri i Shëndetësisë, që e shoqëronte dhe më kërkoi ta çoja tek prof. Pol Miliezi për këshillim me të. E sqarova se isha me shërbim dhe sipas rregullit s’kisha si ta lija kryeministrin dhe i thashë, të shikoja mos këmbehesha me Labon. Pas pak pashë Fiqretin që u ngjit nga kati i 4-t në të 5-in, ku isha e ku ishte apartamenti i pritjes së udhëheqjes. Ajo, e kërrusur si varfanjake, me duar të kryqëzuara, me sy të ftohtë e të egërsuar, m’u drejtua gati në fytyrë: “Po ti, Hasan, as ministrat nuk të pëlqejnë?! Hajde të vemi te Mehmeti, ta shohim këtë punë?!”. E kuptova arsyen e sjelljes së saj, se pasi Llambi kishte zbritur në banesën e Nasi Gjokës, këshilltarit tregtar, në katin e 4-t, ku e shoqja Dhimitra, ishte shoqe e ngushtë me Fiqretin që në shkollën mbretërore, i kishte treguar se unë e paskësha refuzuar ta çoja te prof. Miliezi. Llambi merrte zjarr shpesh si pushka e jevgut, edhe në muhabet kur s’i pëlqente ndonjë gjë.

Kështu, ia prita flakë për flakë Fiqretit: “Më falni, por unë jam në shoqërim të kryeministrit sot dhe ai tani do të dalë, unë nuk mund ta lë dhe shokut Llambi, i thashë, sa të gjeja zëvendësuesin e çoja unë. Ia shpjegoj unë shokut kryeministër, shoku Llambi e ka gabim”, theksova unë. Sa i thashë kështu, ajo e mbylli derën e hapur gjysmë të apartamentit të kryeministrit dhe iku poshtë pa thënë asgjë. Pas pak, erdhi Llambi në dhomën e grupit të shoqërimit, që prisnim të dilte kryeministri. Unë, i bërë lulëkuq, iu drejtova duke ngritur zërin, se kisha muhabet me të që kur ai ishte për stazh në Paris në vitet’60: “Pse bëni si fëmijë shoku ministër?! Unë ua shpjegova çështjen dhe ju s’pritët të gjeja zëvendësuesin. Pastaj pse më trembni me sh.Fiqret?!”. Ai qe ende me inat dhe desh të thoshte diçka, por iu mor goja, siç bënte shpesh në të tilla raste nervozizmi,por kuptova vetëm fjalët: “Më lër rehat, dhe ti duhesh?!”, e doli me rrëmbim e vajti te Javeri. Pas kësaj skene shokët e kuptuan pse isha bërë tym dhe ua shpjegova ngjarjen. Ata më thanë vetëm kaq: “kujdes, se je ca kokëshkretë?!”. Nga Nasi e Dhimitra, të tjerët mësuan “hatanë” time me ministrin e Shëndetësisë. Skena të tilla, loja si macja me miun, patëm disa, por kaluan atëherë.

Si komunikonte shoku Mehmet me Shqipërinë nga Parisi?

Mehmet Shehu dhe Fiqreti kërkonin të flisnin me telefon me Shqipërinë, por lidhja nuk qe ende e menjëhershme. Kështu që mua më vinin në vështirësi disa herë, megjithëse ambasada bënte ndërhyrje pranë zyrës franceze të na lidhnin shpejt, por francezët na thoshin se me ambasadën tonë nuk kishin kontratë për përparësi në bisedime telefonike. Mangësinë e kësaj kontrate se s’paguanim çmimin e saj, e pësonim ne se udhëheqësit i shkarkonin nervat mbi ne diplomatët pa faj. Sa të bëhej lidhja, ne s’na linin rehat, “çfarë bëni, kërkojeni shpejt”.

Po shoku Mehmet, çfarë kërkesash kishte për blerje sendesh apo mallrash të veçanta?

Meqenëse Mehmet Shehu qe gjahtar i regjur, më erdhi kërkesa për të blerë bilbila që bënin zërat e kafshëve të egra të gjuetisë dhe modele patash e rosash të egra për të ndjellë ato të vërtetat, në kënetat rezervate të gjuetisë. Iu futa një fushe të re kërkimi, se në fshat i zija mëllenjat me tepsi, lepujt me lak, derrat me çark e lak, veç me llastikë e dërrasa zogjtë. Nuk hoqa për t’i gjetur dyqanet që binin në sy nga çiftet në vitrina, veç që kërkova në librin e telefonave. Atje gjeta lloj-lloj dhe në fillim bleva mostra, të cilat u pëlqyen në Tiranë. Më vonë u blenë edhe të tjera nga Gani Kodra e Fejzo Bijo, siç thoshin këta, për Mehmetin e Kadriun, që ishin gjahtarët më në zë në Shqipëri. Unë vetë shijova dy turtuj që m’i dhuroi Kadri Hazbiu në Tiranë, ku i gatuam me oriz dhe gruaja e mbajti avaz se sa të shijshëm u bënë turtujt, por ishim 5 vetë dhe do të ishte mirë që të kishim nga një secili. Në fakt, Kadriu mbante pak gjah për vete, ose aspak, se ua falte të tjerëve, pasi e kam parë vetë kur ua ka çuar shoferi ose i kanë marrë. Ky qe një veprim bujar e fisnik për ata që nuk dinin, apo nuk kishin mundësi të gjuanin vetë. Shumë njerëz e kujtojnë ende për këtë cilësi me mirënjohje e respekt.

Po jashtë Francës, a ke bërë ndonjë shërbim tjetër në interes të Mehmet Shehut?

Në 1980-tën shkova me shërbim në Stokholm. Para se të nisesha, më njoftuan se në aparatin e Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë, do të më jepnin diçka për t’ia çuar Skënder Shehut, që studionte atje. Në fakt, më çuan tek Fiqret Shehu, e cila më dha një letër dhe një tepsi bakllava, pa ia hedhur shurupin, të cilën duhej ta mbaja në dorë të mos dëmtohej. Me veten time thashë: “ja, e mori hakën me diçka që s;e mendoja hiç”. Atje më priti në aeroport Gani Kodra, që shoqëronte Skënderin dhe më çoi ku banonte ai. Ia dhashë porositë, por vura re një ftohtësi të madhe. Unë e takoja për herë të parë Skënderin. Edhe ky i ngjante shumë të atit, por ishte më i heshtur se ai dhe i vëllai, pasi Bashkimi bënte përjashtim, i ngjante t’ëmës, më i çelur. E pashë të udhës të dilja shpejt. Vajta në ambasadë kur gjeta ish-ambasadorin tim në Paris, Dh.Lamanin, i cili për çudinë time, më priti sikur të ishim vëllezër para të tjerëve, por i qëndrova ftohtë se ashtu e meritonte. Shokët e shoqet që u ndodhën atje se prisnin letrat nga familjarët, e kuptuan qartë qëndrimin tim. Në fakt Enver Hoxha kishte dhënë porosi që ta kthenin Dhimitrin nga Parisi në atdhe, por miqtë e tij e çuan në Suedi. Ai më ftoi për darkë, por i bëra bisht dhe s’e bëri më fjalë rolin e mikut. Atje gjeta mikun tim Mark Tushën, një mirditor i zgjuar, me të cilin kalova shumë mirë në jetë e në punë, si vartësi im në Tiranë. Ai kishte Lilianën, një grua të bukur e të zgjuar, të gjallë, tip burri e shkathët. Më ka ardhur shumë keq se ai pësoi një aksident me veturë në Suedi, ku u godit rëndë në kokë dhe si rrjedhojë vdiq në vitet ’80, pasi u kthye në atdhe, ku punuam sërish disa vjet së bashku dhe brodhëm Evropën dhe gati tërë Shqipërinë me punë zbuluese. I la fëmijët jetimë të rinj. Në Suedi gjeta edhe Kujtim Jahon nga Bolena e Kurveleshit të Poshtëm, të cilin e njihja që në atdhe, se punonim në një qendër pune. Ai qe martuar me një vajzë nga fshati im. Më mori për darkë dhe ia kaluam shumë mirë se është tip gazmori. Një ditë ia kalova me Ilir Hoxhën, se më ftoi edhe për darkë, me uiski e shampanjë. Ai kishte shofer Spiro Denën, bashkëfshatarin tim. Me Ilirin kujtuam qyfyret me Dh. Lamanin në Paris. Ai dhe Ganiu më treguan se si Dhimitri qe bërë bishë se Skënder Shehu me shokë kishin bërë një piknik, ku hëngrën edhe një qengj në hell, pa e ftuar atë. Ky fakt doli edhe në gjyqin e Fiqretes, ku Dhimitri doli dëshmitar, gjoja si mbrojtës i rregullores me familjet e udhëheqësve. Në fakt, atij i kishte mbetur qejfi se nuk e përfilli Skënderi, pra Dhimitri kishte njoftuar edhe MPJ-në me telegram për thyerjen e rregullores, gjë tepër e rrallë për Dhimitrin, i cili fuste kudo hundët.

EPISODI

Takimi i fshehtë i Mehmetit me Shirakun dhe kritika nga Tirana

“Javer Malo më tha një ditë, se kryeministri do t’i bënte një vizitë kortezie kolegut francez, por ishte problem çështja se mos mësohej nga gazetarët. I thashë, se në fakt, ne kishim kërkuar si ambasadë herë pas here, në fillim gojarisht, pastaj me proces-verbale nga mbledhjet, se udhëheqësit tanë që vinin në Paris ose kalonin tranzit nga Parisi, sidomos ministri i Jashtëm apo zëvendësi i tij, duhej të bënin vizita mirësjellje përkatëse në Francë. Përsa i takon ruajtjes së sekretit të vizitës, i thashë, zor të mos merret vesh në disa plane dhe kryesori për mua është se francezët s’e mbajnë sekret vetë, përkundrazi do gjejnë mënyrën ta bëjnë të njohur, seu intereson si fakt, pa pyetur për rezultate. “Po, po shoku Enver e ka dhënë miratimin?”, e pyeta. Javeri tha: “Më duket po, po s’e di saktë”, – i kishte thënë kryeministri. “Ti mos ki frikë se këtë punë e di vetë ai, ti s’ke pse të njoftosh, se e ndërlikon çështjen me të, -e këshillova unë, -megjithëse shoku Enver që të ka proto-mik, mund t’i mbetet qejfi”. Unë s’kisha pse vrisja mendjen për punët e të mëdhenjve, por krimbi më hante, pse nuk sqarohej mirë ky hap. Hapin protokollar të këtij takimi e bëri Labo Abazi, si i ngarkuar me protokollin. Të nesërmen ata vajtën tek kryeministri Shirak. Kur u kthyen, gjeta rastin e pyeta Javerin si vajti puna. “Shkurt,-tha ai, -mirë, pa probleme, edhe Shiraku qe dakord të mos bëhej publike kjo vizitë”. “Ishalla”, -i thashë. Të nesërmen gazeta “Lë Figaro” e dha shkurt lajmin dhe ia çova Javerit, i cili u hutua, por dukej i bukur, i çuditur dhe me buzëqeshje. “Për hajër”, -i thashë.-“Në luftë, si në luftë, thonë francezët”, shtoi ai. “Tani bëj njoftimin siç e jep gazeta, -i thashë, -pa asnjë koment”. “Mirë thua”, tha, dhe shkoi në zyrë. Pas disa orësh, erdhi telegrami shifër nga Tirana, që Javerin e kishte turbulluar më keq. Ai nuk ma tha përmbajtjen, por nga fytyra e tij dhe e Mehmetit kuptova se qenë rënduar. Gjeta rastin kur erdhën në ambasadë dhe i thashë Javerit, “ti mos jep përgjigje, le ta japë vetë kryeministri”. Më tej çështja u shkri si kripa në harresë për ne…por i doli tymi, kur Mehmeti u vu në shënjestrën e topit në vitin 1981…”

DIETA

Margarina e misrit që hante shoku Mehmet, si ia gjeja deri në Belgjikë

“Mehmet Shehu mbante dietë dhe përdorte një lloj margarine misri, por nga kjo nuk kishte në Francë, vetëm në Belgjikë. Vendosëm të shkoja atje, megjithëse nuk kisha shoqërues dhe u nisa vetëm. U nisa në ora 7.30 të mëngjesit dhe duhej të bëja 600 kilometra. Vajta e bleva në qytetin e parë belg në kufi dhe u ktheva duke bërë pak pushim për një kafe dhe furnizim të veturës me benzinë. Në ora 13.00 mbërritëm njëherësh unë dhe grupi nga shëtitja, para pallatit në rrugën “Federasion”. Mehmet Shehu doli nga vetura dhe ma bëri me dorë të veja tek ai sa lashë veturën. “E more?”, -pyeti ai, megjithëse e pa qesen në dorën time. “Po, si urdhëruat Juve”. “Kur vajte kaq shpejt?”, pyeti sërish. “Kur je vetëm në udhëtim s’të pihet as kafja”, iu përgjigja. “Shpejt e paske bërë atë rrugë, po djali djalë”, buzëqeshi ai. Shoqëruesit më thanë se i shpëtova që e gjeta, se kishte ditë që ua kërkonte dhe i shante se s’qenë të zotë të gjenin as margarinën. Këtë lloj margarine ia dërguam edhe më vonë në Tiranë, duke e marrë sa herë në Belgjikë, se u specializova edhe në këtë “degë”./ZgjohuShqiptar.info

KOMENTONI

Loading...
Loading...
Name

Aktualitet,7268,Camëri,108,Editorial,1508,Ekonomi,374,Emra për djem,38,Emra për vajza,36,Enciklopedi,81,Histori,1205,Iliridë,237,Kosovë,2144,Kulture,600,Luginë,34,Moti,2,Politik,1640,Reportazh,149,Rezultatet Live,2,Shtypi,77,Sondazhe,7,Sport,462,Video,465,
ltr
item
Zgjohu Shqiptar: Flet zbuluesi politik i Shqipërisë në Francë: Të gjithë anëtarët e byrosë kryenin vizita fshehurazi në Paris
Flet zbuluesi politik i Shqipërisë në Francë: Të gjithë anëtarët e byrosë kryenin vizita fshehurazi në Paris
https://1.bp.blogspot.com/-z1b-ISAU-yg/Wrb7isYtoxI/AAAAAAAAFGI/lAMbGipb-zE3P0xZIdHwfxDufgZ_hpFfwCLcBGAs/s640/mehmet-shehu-626x360-905x395.jpg
https://1.bp.blogspot.com/-z1b-ISAU-yg/Wrb7isYtoxI/AAAAAAAAFGI/lAMbGipb-zE3P0xZIdHwfxDufgZ_hpFfwCLcBGAs/s72-c/mehmet-shehu-626x360-905x395.jpg
Zgjohu Shqiptar
http://www.zgjohushqiptar.info/2018/03/flet-zbuluesi-politik-i-shqiperise-ne.html
http://www.zgjohushqiptar.info/
http://www.zgjohushqiptar.info/
http://www.zgjohushqiptar.info/2018/03/flet-zbuluesi-politik-i-shqiperise-ne.html
true
269073700948665522
UTF-8
Ngarkuar te gjitha postimet Nuk gjendet ndonje postim SHIKO TE GJITHA Lexo me Shume Repliko Hiq Repliken Fshi Nga Kreu FAQET POSTIMET Shiko te Gjitha REKOMANDUAR PER JU LABEL ARKIVA KERKO TE GJITHA POSTIMET Nuk u gjet asnje material sipas kerkeses tuaj Kthehu te Kreu E Diel E Hene E Marte E Merkure E Enjte E Premte E Shtune Hen Mart Merk Enj Pre sht Die Janar Shkurt Mars Prill Maj Qershor Korrik Gusht Shtator Tetor Nentor Dhjetor Jan Shk Mar Pri Maj Maj Qer Gush Sht Tet Nen Dhj menjehere 1 minute me pare $$1$$ minutes ago 1 ore me pare $$1$$ hours ago Dje $$1$$ days ago $$1$$ weeks ago me shume se 5 jave me pare Followers Follow THIS CONTENT IS PREMIUM Please share to unlock Kopjo te Gjithe Kodin Selekto te Gjithe Kodin All codes were copied to your clipboard Can not copy the codes / texts, please press [CTRL]+[C] (or CMD+C with Mac) to copy