Kishat historike të Voskopojës rrezikojnë të zhduken

, Kishat historike të Voskopojës rrezikojnë të zhduken

Objektet e kultit postbizantine në Voskopojë dhe Vithkuq të Korçës janë klasifikuar në mesin e 7 vendndodhjeve me monumente që rrezikojnë të shkatërrohen në Europë. Janë 12 kisha që hasen me degradimin e ndërtesave, afreskeve, por edhe me vjedhjet.
Europa Nostra, Organizata Kryesore e Trashëgimisë në Europë në bashkëpunim me Institutin e Bankës Europiane të Investimeve ka klasifikuar kishat e dy zonave si mjaft të rrezikuara duke i renditur krah monumenteve të tjera si në: Austri, Bullgari, Gjeorgji, Rumani, Greqi, Turqi e Mbretërinë e Bashkuar.
Kreu i Fondacionit ‘E shkuara për të Ardhmen’, Kliti Kallamata tregon se 12 kishat sot përballen me një sërë problematikash duke nisur nga amortizimi struktural, degradimi i afreskeve dhe vjedhjet çka sipas tij bën që të ndërhyhet menjëherë.
“Këto kisha që për ne kanë një vlerë unikale janë në një gjendje jo të mirë. Duke parë gjendjen e tyre ne i nominuam për t’i futur në këtë listë, në mënyrë që pas kësaj të fillojmë të hapin programe për restaurimin e tyre. Këto vuajnë pasi nuk kanë pasur restaurim prej vitesh. Është një grup kishash që kanë lidhje me njëra-tjetrën”, u shpreh Kallamata për Top Channel.
Ky klasifikim shikohet si diçka pozitive, pasi parashikon ndërhyrje në këto monumente kulti që kanë vlera të veçanta për trashëgiminë tonë kulturore./ZgjohuShqiptar.info

NA NDIQNI EDHE NE FACEBOOK JU LUTEMI!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button