Një histori e rrallë në zemër të Shqipërisë

Nëse natyra lejohet të marrë frymë, të riprodhojë vetveten, të kurojë plagët mbi 20-vjeçare, atëherë ajo do të mundet të ofrojë sërish bukuritë mahnitëse të saj. Siç ndodh sot me Lagunën e Karavastasë, një perlë tërësisht shqiptare

Për dikë mund të duket e çuditshme, por laguna, fillesat e saj – sipas studiuesve, – i ka që në periudhën prehistorike. Ashtu siç ka nisur të banohet, sipas gjetjeve arkeologjike, që në epokën e bronxit, të hekurit e kështu me radhë, mes gjurmëve ilire, arbërore e deri më sot. Shkumbini, në njërin krah, e Semani në tjetrin, rrethuan në rrjedhën e shekujve këtë zonë, duke i dhënë ngadalë imazhin e një natyre të paprekur e të pandikuar nga dora e njeriut.

Diku historia, e diku legjendat u mpleksën në këtë vend. Rreth viteve 48 para Erës sonë, kur Jul Çezari marshonte drejt Shkëmbit të Kavajës për t’u përballur me Pompein, ushtria romake – mes rezervave ushqimore – kishte me vete edhe stika të pishave të shumta të Romës. Gjatë rrugëtimit, një pjesë e tyre ranë, duke i dhënë fillesën në këtë mënyrë edhe pyllit të dendur të Divjakë-Karavastasë.

A ka pasur vërtet një fillesë të tillë, kjo zonë e dendur me pisha? A ishin romakët, ata që lanë padashur farat pas, në lagunën që ekzistonte prej shekujsh? Edhe në qoftë thjesht një legjendë, ajo sërish duket e bukur dhe e prekshme, ndoshta për shkak të ndjesive të veçanta që transmeton ky vend, e zbulimeve të shumta arkeologjike që ka dhuruar. Histori e legjenda, këtu të gjitha janë bashkë.

Në fakt, njeriu i pare që shkroi gjerësisht për Karavastanë ishte një gjuetar anglez, i cili në vitin 1908, në librin “Gjuetia e shpendëve në Europën e egër” jep detaje për këtë zonë, e mbi të gjitha për shpendin e rrallë, pelikanin kaçurrel.

“Vumë re pelikanët, që notonin përreth, duke formuar para syve tanë një masë të madhe në horizont. Shoqëruesi na tha se mund të afroheshim deri në afro 27 metra, pa iu krijuar shqetësime. Dola nga varka me aparatin në dorë dhe uji nuk shkonte më shumë se lartësia e gjurit. Pelikanët largoheshin nga foleja, vetëm për një distancë të shkurtër, dhe ktheheshin shumë shpejt, për të zënë vend te vezët e tyre. Ishte një kënaqësi e jashtëzakonshme, që më në fund e gjeta veten shumë afër tyre, pas shumë përpjekjesh gjatë një muaji të tërë.

Dëmet e shkaktuara lagunave gjatë periudhës së komunizmit, me tharjen e kënetave, ishin të konsiderueshme, sidomos për shpendët, e megjithatë problemet më të mëdha Laguna e Karavastasë i përjetoi gjatë periudhës post-diktaturë. Prerja e paligjshme e pyjeve dhe gjuetia pa kriter, thuajse ia morën frymën. Shpesh dukej sikur fati i Karavastasë ishte vulosur, si shumë zona të tjera në Shqipëri.

Për të kuptuar atë periudhë të trazuar, ku shkatërrimi ia zuri vendin çdo lloj logjikeje normale, nuk është e vështirë. Mjafton të njihesh me fatin e pishës 400-vjeçare, monument natyre.

“Në trupin e saj shikojmë shenjat e çmendurisë njerëzore, duke nisur nga tritoli, që është vënë në vitin ’97 dhe shenjat e një zjarri, që ka rënë rreth vitit 2002. Megjithatë, ajo është në këmbë, duke dhënë idenë që – sado i madh të jetë veprimi njerëzor mbi natyrën – përsëri natyra triumfon mbi njeriun, në qoftë se ajo ruhet”, tha Ardian Koçi, drejtor, Administrata e zonave të mbrojtura, Fier.

E megjithatë, ndryshe nga sa jemi mësuar shpesh të raportojmë për zona në të gjithë vendin, Karavastaja ktheu faqe. Shpesh duket sikur u rikthye nga të njëjtat legjenda e histori, prej të cilave ishte krijuar. Nuk u desh shkencë, as fjalë të mëdha, veç vullnet e punë për të ruajtur një perlë të tillë.

Moslejimi i asnjë dëmtimi të mëtejshëm të pyjeve, moratoriumi i gjuetisë dhe investimet në funksion të tyre, dhanë një rezultat të jashtëzakonshëm.

“Ka qenë e vështirë marrja e të gjithë territorit në zotërim, sepse duhej të luftonim ndaj të gjithë atyre personave, që e kishin konsideruar këtë zonë si shesh, ku mund të bënin përshesh”, tha Ardian Koçi.

Parku Kombëtar Divjakë-Karavasta është mbi 22,230 hektarë; i përbërë nga pyje me pisha mesdhetare, dushk, pylli i kularit, por edhe sipërfaqe në tokë bujqësore. Llogariten mbi 250 lloje shpendësh, 29 lloje gjitarësh dhe 25 zvarranikësh.

Në kohën e diktaturës, ndërmarrja që mbulonte Rrethin e Lushnjes kishte mbi 530 punonjës, shifër kjo që në 2013-n arriti në vetëm 11, 5 nga të cilët për parkun. Sot administrata ka shkuar në 18 punonjës, duke ruajtur edhe një pjesë në zonën e Fierit. Sigurisht, numri do të duhej të vinte gjithmonë në rritje, për të garantuar sa më shumë siguri për zonën e mbrojtur. Në çdo rast, rezultatet e kohëve të fundit tregojnë se, shpesh dëshira e përkushtimi sjellin arritje jo të vogla.

NëKaravasta, siç raporton Shoqata Ornitologjike e Shqipërisë, gjenden rreth 25 për qind e shpendëve të ujit dimërues në Shqipëri. Nga 250 lloje shpendësh dimërues, që ngrejnë fole e migrues, të vrojtuar që prej vitit 1932, një numër i madh bëjnë pjesë në listën e llojeve të rrezikuar. 7 prej tyre janë globalisht të rrezikuar, ndërsa rreth 50 lloje të tjera shpendësh janë të rrezikuar në shkallë kombëtare.

“Këtu ishin instaluar agjenci që merreshin vetëm me gjuetinë, ndërsa italianët vinin çdo ditë. Çdo ditë këtu kishte grupe italianësh, që shkonin deri në 20 veta ose më shumë. Interesat e këtyre grupeve ishin shumë të mëdha, si pasojë e të ardhurave që i sillte biznesi i gjuetisë”, tha më tej Ardian Koçi.

Mes shpendëve globalisht të rrezikuar gjejmë shqiponjën e madhe të rosave, skifterin këmbëkuq, kojlikun e madh, kryekuqen e vogël, rosën e zezë krahëbardhë, por edhe simbolin e lagunës, pelikanin kaçurrel.

Mbi 250 kanë qenë çiftet riprodhuese të pelikanëve kaçurrelë, sipas monitorimeve të kryera në fillimvitet 1900. Ata ranë në periudhën e komunizmit, për shkak të ndërhyrjeve në këneta, e më pas rrezikuan të zhduken në vitet ’97, ’98 e me radhë, duke arritur minimumin historik në vetëm 19 çifte, pak vite më parë. Viti 2014 gjeti 37 çifte, ndërsa 2015-a, 46 të tillë. Shifrat janë larg atyre të para, por tregojnë një rritje të qëndrueshme e të vazhdueshme të çifteve të pelikanëve, që sot duket se janë kthyer për të gjetur strehë përsëri në Karavasta.

“Ngado, Karavastaja sot ofron pamje të mrekullueshme, gjelbërim, natyrë të egër e po aq të ëmbël, sa ecja delikate dhe fluturimi i fuqishëm i mbi 1 mijë flamengove, që kanë mësyrë në këtë zonë. Edhe ata kanë rigjetur një oaz dikur të humbur.

Laguna e Divjakë-Karavastasë është sot një shembull, një mundësi, një kartolinë, një imazh apo figurë, – quajeni si të doni, – sepse ajo i ofron të gjitha. Është panorama e një vendi që po kuron plagët, që po rigjen vetveten, që jep shpresë. Nga këtu duhet të fillojë e ardhmja për të gjitha zonat e tjera, ato të shkretuara, të harruara, të prera, të masakruara apo shterpëzuara. Të gjitha duhet të gjejnë vetveten, ashtu si Karavastaja, kjo mrekulli tërësisht shqiptare./ Top Channel/ZgjohuShqiptar.info

NA NDIQNI EDHE NE FACEBOOK JU LUTEMI!

KOMENTONI

Loading...
Name

Aktualitet,6893,Camëri,105,Editorial,1437,Ekonomi,350,Emra për djem,38,Emra për vajza,36,Enciklopedi,80,Histori,1178,Iliridë,227,Kosovë,2054,Kulture,580,Luginë,32,Moti,2,Politik,1562,Reportazh,147,Rezultatet Live,3,Shtypi,77,Sondazhe,7,Sport,397,Video,447,
ltr
item
Zgjohu Shqiptar: Një histori e rrallë në zemër të Shqipërisë
Një histori e rrallë në zemër të Shqipërisë
Një histori e rrallë në zemër të Shqipërisë
https://1.bp.blogspot.com/-q7iDxSNpRNs/WqwkcVJqYlI/AAAAAAAAU8E/Hxu25nsokmwlk8zIcKr4jCfVzGAJ3Zv9QCLcBGAs/s640/hisotria.jpg
https://1.bp.blogspot.com/-q7iDxSNpRNs/WqwkcVJqYlI/AAAAAAAAU8E/Hxu25nsokmwlk8zIcKr4jCfVzGAJ3Zv9QCLcBGAs/s72-c/hisotria.jpg
Zgjohu Shqiptar
http://www.zgjohushqiptar.info/2018/03/nje-histori-e-rralle-ne-zemer-te.html
http://www.zgjohushqiptar.info/
http://www.zgjohushqiptar.info/
http://www.zgjohushqiptar.info/2018/03/nje-histori-e-rralle-ne-zemer-te.html
true
269073700948665522
UTF-8
Ngarkuar te gjitha postimet Nuk gjendet ndonje postim SHIKO TE GJITHA Lexo me Shume Repliko Hiq Repliken Fshi Nga Kreu FAQET POSTIMET Shiko te Gjitha REKOMANDUAR PER JU LABEL ARKIVA KERKO TE GJITHA POSTIMET Nuk u gjet asnje material sipas kerkeses tuaj Kthehu te Kreu E Diel E Hene E Marte E Merkure E Enjte E Premte E Shtune Hen Mart Merk Enj Pre sht Die Janar Shkurt Mars Prill Maj Qershor Korrik Gusht Shtator Tetor Nentor Dhjetor Jan Shk Mar Pri Maj Maj Qer Gush Sht Tet Nen Dhj menjehere 1 minute me pare $$1$$ minutes ago 1 ore me pare $$1$$ hours ago Dje $$1$$ days ago $$1$$ weeks ago me shume se 5 jave me pare Followers Follow THIS CONTENT IS PREMIUM Please share to unlock Kopjo te Gjithe Kodin Selekto te Gjithe Kodin All codes were copied to your clipboard Can not copy the codes / texts, please press [CTRL]+[C] (or CMD+C with Mac) to copy