Shqipëria, nga Stalini te Mao

Entela Resuli

Elidor Mëhilli, studiues dhe historian, prej vitesh jeton në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Atje punon si Asistent Profesor në historinë evropiane dhe ndërkombëtare në Hunter College, City University of New York.

Prej disa muajsh Mëhilli ka botuar një libër që pritet të jetë një botim i rëndësishëm në titujt e historisë së Shqipërisë. Libri aktualisht gjendet vetëm në gjuhën angleze, ndërsa autori po punon që shumë shpejt ta sjellë atë në shqip.

“Nga Stalini tek Mao, Shqipëria dhe Bota Socialiste”, u prezantua muajin e kaluar në Qendrën Woodrow Wilson në Uashington.

Nëpërmjet këtij botimi, studiuesi Elidor Mëhilli jep kontributin e tij duke shtjelluar përvojën e Shqipërisë gjatë diktaturës, por edhe dinamikat e ndërlikuara që krijoi regjimi i asaj kohe me botën komuniste.

Mëhilli komenton në këtë intervistë për Dita-n një version pak të njohur të historisë që nuk bazohet në kërkimet dhe punën që është bërë në shumë arkiva brenda dhe jashtë vendit.

Për autorin ky ishte një projekt që nuk duhej thjesht të reflektonte ngjarjet historike, por t’i analizonte ato në një dritë të re, që ai thotë se i mungon historiografisë shqiptare.

Në këtë botim, nuk mungon edhe analiza e kultit të individit, një vështrim nga afër i figurës së Enver Hoxhës, lëvizjet e tij brenda partisë por edhe në relatat me aleatët ndërkombëtarë për të garantuar mbijetesën: “Kjo shihet shumë mirë madje me prishjen me Bashkimin Sovjetik, në vitin 1960. Një moment shumë i rrezikshëm për të ardhmen e tij në krye të partisë dhe të ardhmen e tij në krye të vendit dhe mënyra se si ai arrin ta shfrytëzojë këtë moment pasqyron pikërisht këtë aftësi për të mbijetuar që ai e kishte shumë të fortë”- shprehet Mëhilli.

Studiuesi Elidor Mëhilli po punon tani për ta sjellë librin në shqip, por premton të vazhdojë të kontribuojë në debatin e hapur mbi të shkuarën e Shqipërisë. Në planet e tij për të ardhmen janë kërkimet mbi periudhën e ndërrimit të sistemeve, nga fundi i viteve 1980-fillimi i viteve 1990.

-Si fillim, Prof. Mëhilli, mund na tregoni diçka ku jeton dhe me se merresh në SHBA?

Unë punoj si Asistent Profesor në historinë europiane dhe ndërkombëtare në Hunter College, City University of New York (CUNY). Kolegji ku jap mësim është pjesë e sistemit universitar publik të qytetit të Nju Jorkut- më i madhi i llojit të vet në SHBA. Edhe studentët pasqyrojnë larminë e Nju Jorkut, duke përfshirë edhe studentë shqiptarë. Prej pothuaj 5 vjetësh, jap mësim historinë e Europës në shek. 19-20-të, Luftën e Ftohtë, si dhe historinë e vonë diplomatike dhe ekonomike të periudhës së pas-Luftës së Dytë Botërore. Studimet e masterit dhe doktoraturës i kam kryer në Princeton University, ndërsa studimet universitare në Cornell University. Përveç këtyre, kam mbajtur poste të specializuara (post-doctoral fellowships) në Columbia University dhe University of Pennsylvania.

-Sa kohë keni që jeni zhvendosur aty dhe si është jeta juaj në Amerikë?

Unë kam ardhur në SHBA kur kam qenë 17 vjeç. Kam ardhur vetëm, fillimisht si pjesë e një programi shkëmbimesh kulturore.

-Ktheheni shpesh në Tiranë?

Kthehem çdo vit. Prindërit dhe nipin tim, Joelin, i kam në Tiranë.

-Ju mungon Shqipëria apo e ndjeni veten qytetar të botës?

Unë kam nënshtetësi shqiptare. Mund të ndihesh qytetar i botës sa të duash, por është edhe ai blloku i vogël prej kartoni-pasaporta-që ose të jep siguri, ose jo. Shqiptarët tashmë janë një realitet diasporik, dhe për shtetin shqiptar kjo është një sfidë, përballë së cilës deri më sot ka dështuar.

-Le të ndalemi të libri që sapo keni publikuar në anglisht, nga shtëpia botuese amerikane Cornell University Press, “Nga Stalini te Mao, Shqipëria dhe Bota Socialiste”. Pse një libër për komunizmin?

Po të shikosh literaturën anglofone mbi komunizmin, vështirë se gjen rast europian më të injoruar se Shqipëria. Në gjuhën angleze, për shembull, nuk ka patur një studim të thelluar të diktaturës shqiptare që të bazohet në arkivat shqiptare. Janë botuar gjëra të natyrës gazetareske. Përndryshe, studime të periudhës së pas-luftës në shqip, edhe kur janë bërë, shpesh kanë mbetur peng të debateve të vjetra. Në burimet që kanë përdorur, dhe sidomos në horizontin historiografik, kanë qenë të kufizuara. Pra, çështja për mua nuk shtrohej: pse, por si? Si mund të shkruhet një histori ndryshe e komunizmit shqiptar? Dhe përgjigja që jep libri është e tillë: Drama e Shqipërisë së pas 1945-s është edhe një dritare e vogël për të hulumtuar ca prej dinamikave më të rëndësishme botërore të shekullit të 20-të. Unë nuk kam dashur të shkruaj një libër që ekzotizon Shqipërinë, siç është zakoni tek autorë të ndryshëm perëndimorë. Kam dashur ta shoh historinë shqiptare si një farë udhëkryqi ku janë ndeshur ideologji, projekte gjeopolitike, dhe modele shoqërore.

-Sa kohë keni punuar për këtë libër dhe cilat arkiva keni përdorur?

Kam filluar sistematikisht punën arkivore në Tiranë në vitin 2008, duke punuar pothuaj çdo vit që atëherë. Jam përqendruar kryesisht në Arkivin Qendror Shtetëror (ku është derdhur edhe fondi i ish-Arkivit të Komitetit Qendror të Partisë së Punës të Shqipërisë), në arkivin e Ministrisë së Punëve të Jashtme, si dhe në disa arkiva të tjera të vendit. Përveç këtyre, kam punuar gjatë në arkivat diplomatike dhe shtetërore në Romë, në arkivat diplomatike dhe partiake gjermane dhe çeke (flas për ish-partitë komuniste) në Berlin dhe në Pragë, në arkivat e Londrës, në arkivat shtetërore dhe ish-partiake të Moskës, si dhe me arkiva në Uashington, Meriland, Nju Jork, dhe në arkivat e Institutit Huver në Stenford (Stanford University), Kaliforni, ku kam qenë studiues i ftuar në vitin 2016. Libri mbështetet në rreth 19 arkiva dhe material në gjashtë gjuhë të ndryshme.

-Keni gjetur material në arkivat shqiptare?

Arkivat shqiptare janë një thesar, por, për fat të keq, shtetarët i kanë trajtuar si plaçkë lufte. Ato janë centralizuar vonë – pas viteve ’50. Pa arkivat shqiptare, një libër i tillë nuk do të mund të shkruhej; një shtet që plaçkit apo rrënon arkivat rrëfen diçka edhe për karakterin e tij. Duhet të shtoj se unë kam insistuar, kur kam dhënë intervista në median shqip, kundër qasjes ndaj arkivave domosdoshmërisht si depozita përgjigjesh, por si një mundësi për të ngritur pyetje të reja për të shkuarën, për veten, dhe sidomos për marrëdhënien tonë me pushtetin, i cili sistematikisht ka folur në emër të një ëndrre shqiptare, vazhdimisht e ka përdorur idenë e integrimit shqiptar në një rend ndërkombëtar si një lloj alibie për autoritarizmin.

-Ka qenë punë e lodhshme?

Në fillim ka qenë e vështirë për të punuar në arkivat e Tiranës. Deri dhe skedarët e ish-arkivit të Partisë së Punës në Arkivin Shtetëror janë mbajtur larg publikut, mbyllur me kyç. Një situatë anormale. Nuk ka patur frymë bashkëpunimi me studiuesit – arkivat kanë shërbyer gati si agjenci verifikimi dokumentacioni të pronave. Drejtorët janë vënë e janë hequr si qoka partiake. Mungon profesionalizmi dhe trajnimi i duhur. Gjendja është përmirësuar kohët e fundit, por arkivat janë ende shumë vite larg prej standardeve ku duhet – sidomos kur shteti insiston se është gati të bëjë llogaritë me të shkuarën.

-Çfarë keni zbuluar, cilat janë kontradiktat që keni gjetur gjatë kërkimit në arkiva?

Libri Nga Stalini te Mao-ja ndërtohet pikërisht mbi kontradiktat: ndërtimi i socializmit në një kontekst agrar; modeli sovjetik si një shembull që krijoi probleme të paparashikuara; zelli i madh ideologjik i viteve ’50 në një vend ku as nuk ishin botuar ende veprat e plota të Marksit, Leninit, dhe Stalinit. Nga njëra anë, pushteti e shihte veten të projektuar në anën e duhur të historisë (anti-fashizmi, rruga progresive drejt vetëmjaftueshmërisë ekonomike nëpërmjet planifikimit shtetëror). Nga ana tjetër, i duhej të përballej me thyerjen e vazhdueshme të botës komuniste. Sa më shumë numëroheshin arritjet e planeve pesë-vjeçare, aq më shumë shtoheshin radhët e armiqve. Miqësia “e përjetshme” me Moskën, ndërtuar pas prishjes me Titon, përjetohet më pas si një dramë në vitet ’60, kur Shqipëria e vogël prej 2 milionësh rreket të mbrojë stalinizmin prej pasardhësve të Stalinit.

-Si ka qenë jeta e një njeriu në komunizëm?

Libri jep një panoramë të dy dekadave të para të pasluftës duke mos u kufizuar tek hallkat e larta të partisë dhe pushtetit, por duke kapur edhe diçka nga përditshmëria e kësaj epoke, e cila mbetet çuditërisht e huaj për ne. Për shembull, një kapitull merret me ndërtimit e ish-kombinatit të tekstileve “Stalin” në fillimin e viteve ’50, si dhe me sovjetizimin e jetës së përditshme nëpërmjet kurseve të gjuhës ruse, programeve të radios, filmave, literaturës, shkollave. Ka munguar një qasje e thelluar tek këto dinamika shoqërore – ndërkohë që dëshmitarët e asaj periudhe rrallohen gjithnjë e më shumë. Kur flitet për komunizmin shqiptar, shpesh projektohet mbrapsht perspektiva e viteve ’80, duke krijuar idenë e gabuar se komunizmi ka qenë detyrimisht izolim. Në fakt, vitet e pasluftës kanë qenë vite ndërkombëtarizimi të një pjesë të shoqërisë shqiptare – kujtoni, për shembull, të rinjtë që studiuan në Moskë, Pragë, etj. dhe që u bënë elitat e mëvonshme të vendit. Një pjesë tjetër merret me fillesat e planifikimit urban – si veprim i centralizuar – si dhe me qytetet e para “socialiste” në vend. Jam munduar të kap jo vetëm paradokset dhe dështimet – siç është bërë zakon në studimet e komunizmit – por edhe optimizmin për modernizmin e vendit, pa të cilin një analizë e pushtetit do të ishte e cungët.

-Po për sa i përket “Kultit të individit”, ç’mendim keni për veprimet e Enver Hoxhës, si e ka trajtuar ai këtë pjesë gjatë jetës së tij?

Megjithëse majat e kultit të Hoxhës janë të mëvonshme, që në vitet e para të pas-luftës vihet re identifikimi i tij si udhëheqës i shquar, përkrah Titos dhe Stalinit. Hoxhës nuk i mungonte instinkti politik për t’i “zbutur” ethet e kultit në çaste kur dukej se mund të kalohej në dinamika vetë-sabotuese. Për shembull: Gjatë të ashtuquajturit Revolucion të Madh Kulturor Proletar në Kinë, Hoxha e sheh kultin e Mao Ce Dunit si një lloj rreziku. Nëpër protokollet e Byrosë Politike, Hoxha rëndom e paraqet veten si një figurë moderuese, si një prezencë mbi palët, si pjesë të një udhëheqjeje kolektive. Në fakt, se ku përqendrohej pushteti duket pikërisht në çaste kritike – sikur në vitin 1960, me sovjetikët- kur Hoxha jo vetëm vendos kursin, por edhe shpik armiq pro-sovjetikë. Ndërsa kritikon kinezët, kulti i Hoxhës vetëm forcohet në vitet ’70. Pra, nëse e masim pushtetin e Hoxhës vetëm nëpërmjet dokumenteve marrë jashtë kontekstit, përftohet një pamje e paplotë. Në një rend të tillë, pushteti lëvrohej edhe në prapaskena, mbas mbledhjeve, gjatë redaktimit të dokumenteve. Është e vështirë të shpjegosh funksionin e kultit pa marrë parasysh tërë atë aparat që ndërtohej rreth individit, dhe sidomos kontekstin gjeopolitik ndërkombëtar të cilit i referohej. Do të ishte kurth, për mendimin tim, shpjegimi kulturor që e sheh kultin e njëshit si një lloj ADN-je shqiptare.

-Përveç Enver Hoxhës, a ka patur ndonjë figurë tjetër me ndikim të fortë gjatë periudhës komuniste në Shqipëri?

Sisteme diktatoriale si ato të Shqipërisë së pasluftës prodhojnë histori të personalizuar. Nuk ka dyshim se është e vështirë të kuptosh hierarkinë komuniste pa u marrë seriozisht me figurën e Hoxhës – me dinakëritë, me aftësinë e padiskutueshme për t’u dukur folklorik, me komplekset, me frikat, me instinktin që ishte arma e tij e fortë por edhe një lloj prange prej të cilës nuk shpëtonte dot. Megjithatë, më duket se historia e Shqipërisë socialiste nuk është dhe nuk mund të jetë thjesht historia e Enver Hoxhës. Prandaj, për një gjeneratë te re studiuesish, sfida do të jetë edhe si të ngrihet një aparat kritik në lidhje me të shkuarën e vonë- një aparat që nuk riprodhon pafund të njëjtin imazh të hijeve të Enverit, dhe që nuk rrotullohet tek të njëjtat çështje të vjetruara.

-Po sot, sa është trashëguar Kultin e Individit, e gjeni prezent në realitetin tonë?

Është e vërtetë se sot kemi parti politike që identifikohen deri në marrëzi me njëshat që kanë apo që kanë patur në krye. Është në qarkullim të lirë mediatik shprehja idiote “lider historik.” Ç’do të thotë? Politika vazhdon të konceptohet si luftë për jetë a vdekje, si sport gjakatar, që do të thotë se personalizohet, se hymnizohet udhëheqësi me grusht të hekurt që “e pastron” partinë. Vëmendja ndaj historisë dhe ndaj kulturës materiale historike është në përpjesëtim të zhdrejtë me prodhimin vendas bruto të “liderëve historikë”. Duket sikur këto kanë qenë prodhimet kryesore shqiptare tash e 27 vjet: pallate, “call centers”, dhe liderë historikë.

-Duket sikur asgjë nuk ka ndryshuar…vazhdojnë përzgjedhjet në poste drejtuese në bazë të mediokritetit?

Nuk më duket se përzgjedhja nëpërmjet mediokritetit është domosdoshmërisht ideologjike. Nuk ka qenë gafë apo gabim. Pushteti autoritar e kishte të nevojshme të mblidhte rreth vetes njerëz që nuk e kundërshtonin hapur, dhe sidomos njerëz që ishin të gatshëm të ndynin duart. Këtë dinamikë e shohim ende: ajo masa amorfe që jeton brenda hapësirës së debateve televizive, e përbërë prej figurash me grada universitare, madje edhe me llustrën e diplomave perëndimore, me anglishte të perfeksionuar enkas për donatorët dhe kancelaritë e huaja, që kërkojnë me ngulm të të bindin se e bardha është e zezë. Kur pushteti ndërtohet kështu, të japësh një mendim ndryshe kthehet në një lloj sfide ekzistenciale. Shikoni si i kanë përballuar kundërshtitë e brendshme partitë politike shqiptare – si mini luftra civile.

-Po të rinjtë, që kërkojnë të futen në politikë, si i vlerësoni… A sjellin ata risi me idetë e tyre?

Ka patur një farë idealizimi të të rinjve në Shqipëri. Edhe më parë se dhjetoristët, me të cilët dhe nga shumë prej të cilëve është abuzuar mjaft. Deri në një farë mase, kjo është e kuptueshme, sepse edhe popullata ka qenë mesatarisht e re. Por sot që flasim situata demografike ka ndryshuar, madje është alarmante. “Të rinjtë” në politikë nuk janë më të rinj – duken të rinj, sepse dinosaurët nuk zhduken kurrë. “Të rinjtë” janë deputetë në parlament, janë kryetarë partish, janë kryetarë bashkish, janë ministra prej shumë vitesh, apo lloj lloj zv. ministrash, që një zot e di se ç’bëjnë. Nuk besoj se duhen fytyra më të reja që riprodhojnë të njëjtin sistem të vjetër.

-Po ju vetë, çfarë raporti keni patur me socializmin, kur them ju, e kam fjalën për familjen tuaj, se ju besoj keni qenë fëmijë?

Unë kam qenë 9 vjeç, nxënës tek shkolla Sabaudin Gabrani në Tiranë, kur është rrëzuar monumenti i diktatorit, në shkurt të 91-shit. Vështirë të them si ato vite, dhe sidomos periudha e frikshme e ‘97-s, trauma e së cilës mendoj se ka mbetur e papërpunuar në Shqipëri, kanë ndikuar tek qasja ime. Pa dyshim që kanë ndikuar. Socializmin si problem historiografik, dhe aq më tepër si dilemë gjeopolitike në rang botëror, unë e kam kuptuar plotësisht larg Shqipërisë, në disa seminare me studiuesin Jan Gross, që ka bërë shumë armiq në Poloni me kurajon e tij, me intelektualin polak Adam Michnik, dhe me profesorin e historisë ruse Stephen Kotkin, që është një nga studiuesit më të mirë në botë të Stalinizmit./ZgjohuShqiptar.info

NA NDIQNI EDHE NE FACEBOOK JU LUTEMI!

KOMENTONI

Loading...
Name

Aktualitet,6893,Camëri,105,Editorial,1437,Ekonomi,350,Emra për djem,38,Emra për vajza,36,Enciklopedi,80,Histori,1178,Iliridë,227,Kosovë,2054,Kulture,580,Luginë,32,Moti,2,Politik,1562,Reportazh,147,Rezultatet Live,3,Shtypi,77,Sondazhe,7,Sport,397,Video,447,
ltr
item
Zgjohu Shqiptar: Shqipëria, nga Stalini te Mao
Shqipëria, nga Stalini te Mao
https://4.bp.blogspot.com/-nsHMhTMjssE/Wqm5BTDm45I/AAAAAAAAECo/6nQkJ7Cm-U4MdQZBcUPQr9vtGkxll0izACLcBGAs/s640/AH1962_Foto2gr-905x395.jpg
https://4.bp.blogspot.com/-nsHMhTMjssE/Wqm5BTDm45I/AAAAAAAAECo/6nQkJ7Cm-U4MdQZBcUPQr9vtGkxll0izACLcBGAs/s72-c/AH1962_Foto2gr-905x395.jpg
Zgjohu Shqiptar
http://www.zgjohushqiptar.info/2018/03/shqiperia-nga-stalini-te-mao.html
http://www.zgjohushqiptar.info/
http://www.zgjohushqiptar.info/
http://www.zgjohushqiptar.info/2018/03/shqiperia-nga-stalini-te-mao.html
true
269073700948665522
UTF-8
Ngarkuar te gjitha postimet Nuk gjendet ndonje postim SHIKO TE GJITHA Lexo me Shume Repliko Hiq Repliken Fshi Nga Kreu FAQET POSTIMET Shiko te Gjitha REKOMANDUAR PER JU LABEL ARKIVA KERKO TE GJITHA POSTIMET Nuk u gjet asnje material sipas kerkeses tuaj Kthehu te Kreu E Diel E Hene E Marte E Merkure E Enjte E Premte E Shtune Hen Mart Merk Enj Pre sht Die Janar Shkurt Mars Prill Maj Qershor Korrik Gusht Shtator Tetor Nentor Dhjetor Jan Shk Mar Pri Maj Maj Qer Gush Sht Tet Nen Dhj menjehere 1 minute me pare $$1$$ minutes ago 1 ore me pare $$1$$ hours ago Dje $$1$$ days ago $$1$$ weeks ago me shume se 5 jave me pare Followers Follow THIS CONTENT IS PREMIUM Please share to unlock Kopjo te Gjithe Kodin Selekto te Gjithe Kodin All codes were copied to your clipboard Can not copy the codes / texts, please press [CTRL]+[C] (or CMD+C with Mac) to copy