Takimi Rama-Tsipras dhe marrëveshja me grekët, Ditmir Bushati tregon për bisedimet

Debatet për negociatat për kufirin detar me Greqinë vijojnë të jenë ende prezente për sa kohë nuk është dhënë akoma autorizimi i presidentit Meta.

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ditmir Bushati, ka qenë i ftuar në emisionin “Përballë” në RTSH, me gazetarin Lutfi Dervishi ku në këtë intervistë foli për marrëdhëniet me Greqinë, po ashtu dhe për vijimin e negociatave.

Një pikë tjetër që u diskutua në këtë intervistë ishte dhe takimi mes Ramës dhe Tsipras, që për ministrin ende nuk ka asnjë të konfirmuar dhe po negociohet për një takim zyrtar në prill.

Intervista e plotë:

Lutfi Dervishi: Në prag të 100 vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, saktësisht 6 vjet më parë, më 22 mars 2012, një diplomat i njohur grek, Aleksandros Mallias, ish ambasador në Tiranë thoshte se, marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Greqisë karakterizohen nga inercia, amullia, mungesa e vullnetit politik dhe energjisë pozitive. Ishte viti 2012. Greqia në atë kohë reagonte ndaj mos ratifikimit të marrëveshjes për shelfin kontinental dhe zonës detare, marrëveshje e rrëzuar në Tiranë nga Gjykata Kushtetuese, për deklaratat politike në lidhje me çështjen çame dhe minoritetin grek në Shqipëri. Për të analizuar marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve thoshte Mallias, kërkohet psikiatër dhe jo një diplomat. Diplomati grek në atë kohë nisi avokatinë për një qasje totale ndaj problemeve mes dy vendeve madje, duke përfshirë edhe Kosovën. Ai sugjeronte takime të mirëpregatitura të ministrave të Jashtëm jashtë syve të medias dhe publikut që do të pasoheshin nga takimet e dy kryeministrave për të gatuar dhe për të paraqitur “Neë Deal”, marrëveshjen e re midis Shqipërisë dhe Greqisë.

Gjashtë vjet më pas, Kreta dhe Korça janë qytetet që dy Ministrat e Jashtëm të dy vendeve janë përpjekur për të gatuar lëndë të mjaftueshme për marrëveshjen e re. Është njoftuar edhe një takim i dy kryeministrave për Pashkët në Korçë. A jemi afër një marrëveshje të re më Greqinë dhe çfarë të reje sjell kjo marrëveshje? Tirana zyrtare duket optimiste por Tirana politike nuk është në një mendje për një marrëveshje të re për detin. Ashtu si 8 vjet më parë, diskutime të mëdha pati për autorizimin apo plotfuqishmërinë e Presidentit dhe opozita akuzon qeverinë për shitje territori. Betejat mes patriotëve dhe tradhtarëve, ekspertëve dhe gjithëditurve venë në pikëpyetje në një farë mënyrë atë që është mjaft e rëndësishme në marrëveshje të tilla – mbështetjen e publikut. Shqipëria pret që të hapë negociatat me Bashkimin Evropian. Është një vit vendimtar për të mos humbur vite të tjera. A do të kemi marrëveshje të re me Greqinë dhe Bashkimin Evropian këtë pranverë. Për këtë do të flasim sot në studio me z. Ditmir Bushati, Ministër për Evropën dhe Punët e Jashtme.

Z.Ministër, faleminderit që jeni në studion e emisionit “Përballë”.

Ministri Bushati: Faleminderit për ftesën.

Lutfi Dervishi: Do t’a nisja me një konstatim që ndoshta mund të bini dakord që marrëdhëniet me Greqinë në vitet e fundit kanë qenë në një farë stanjacioni, përjashto takimet e nivelit të lartë në konferenca ndërkombëtare apo forume ndërkombëtare, tani çdo gjë duket ndryshe. Ju, si e shpjegoni këtë kalim pindarik të diplomacisë shqiptare nga një periudhë ftohje, në një moment që duhen zgjidhur të gjitha problemet e trashëguara dhe problemet e reja?

Ministri Bushati: Diskutimet e para për adresimin e çështjeve të mbetura pezull me Greqinë kanë nisur në fund të 2013 dhe fillim të 2014. Janë bërë edhe disa shkëmbime vizitash dhe bisedash në nivel ekspertësh edhe në nivelin më të lartë diplomatik. Duke patur parasysh faktin, siç edhe ju e thatë në fillim të këtij emisioni, me shfuqizimin e marrëveshjes së famshme të detit nga ana e Gjykatës Kushtetuese, ne kemi pasur një periudhë ngrice në marrëdhëniet ndërmjet Shqipërisë dhe Greqisë, dhe kur i referohem fundit të 2013, fillimit të 2014, elementi kryesor ishte rivendosja e besimit në këto marrëdhënie. Më kujtohet që patëm nisur një diskutim në nivel teknik që përfundoi më pas me një zgjidhje politike përsa i përket çështjes së toponimeve sepse kishte ende shtetas shqiptarë që nuk lëviznin lirisht në të dy anët e kufirit dhe duhet të kishim zgjidhje për këtë çështje. Është punuar, janë bërë disa takime, ju e thatë, qoftë në nivel dypalësh, ashtu edhe në instanca ndërkombëtare. Ne kemi shfrytëzuar të gjitha këto mundësi për të pasur biseda. Janë vendosur çështjet një e nga një në tryezë. Në momente të caktuara ka pasur luhatje nga kjo marrëdhënie, retorika dhe në momente të tjera, jemi përpjekur që kohën ta përdorim më me efektivitet për të skicuar rrugëzgjidhje të mundshme.

Lutfi Dervishi: Nëse mund t’ju bëj një pyetje cinike… kanë qenë më të vështira bisedimet ndërmjet Bushati-Kotzias apo Bushatit dhe Presidentit Meta?

Ministri Bushati: Me Presidentin Meta nuk negociojmë. Me Presidentin Meta jemi në një skuadër dhe rolet janë të ndara. E gjithë periudha e këmbimit të letrave, por edhe të konsultave besoj që ka qenë e shëndetshme për të gjithë ekipin, në qoftë se do të vazhdojmë në mënyrë figurative..

Lutfi Dervishi: Edhe kur komunikimi bëhet në mënyrë publike?

Ministri Bushati: Natyrisht, nuk do kisha preferuar që komunikimi të bëhej në mënyrë publike apo letrat të bëheshin të njohura publikisht, jo se jam kundër transparencës, por janë disa çështje të cilat shkojnë përtej interesit të qytetarëve. Por kjo është një çështje e tejkaluar dhe është e rëndësishme që ne të ecim përpara dhe të mbyllim një kapitull të marrëdhënieve me Greqinë për të hapur një faqe të re të historisë. Natyra e çështjeve dhe gamave të çështjeve është delikate. Janë çështje të cilat e kanë origjinën që nga Lufta e Dytë Botërore, deri te ditët e sotme prandaj mendojmë që duhen mbyllur për të hapur një faqe të re dhe për të çliruar më shumë energji pozitive. Besojmë se marrëdhënia shqiptaro-greke e ka potencialin për të çliruar këtë lloj energjie.

Lutfi Dervishi: Ekipi i mëparshëm negociator është kritikuar se e bëri marrëveshjen në më pak se një vit dhe ata kishin vetëm një çështje, çështjen e detit. Ju me dy raunde në Kretë dhe me bisedimet që përmendët, mendoni se do të arrini të zgjidhni në pak muaj, të adresoni të gjithë problematikën, siç ju keni thënë, 70 vjeçare të problemeve midis dy vendeve?

Ministri Bushati: Nuk janë dy raunde në Kretë. Bisedimet e para për këtë paketë kanë nisur në vitin 2014, ndërkohë që në vitin 2016 ne kemi këmbyer nota me palën greke, ku të dyja palët kanë listuar çështjet dhe kanë skicuar gjithashtu rrugëzgjidhje të mundshme e pas këmbimit të këtyre notave, kemi vendosur krijimin e një mekanizmi dialogu që drejtohej nga dy ministritë e Jashtme. Janë bërë disa raunde bisedimesh dhe konsultimesh, sikundër janë bërë raunde të posaçme në nivel ekspertësh, ku janë analizuar jo vetëm vendimmarrja e Gjykatës Kushtetuese, por edhe çështje të ngjashme të së Drejtës së Detit dhe Jurisprudencës Ndërkombëtare në këtë fushë dhe takimi i Kretës e takimi i Korçës, kanë qenë takime më intensive, me pjesëmarrjen dhe drejtimin e dy ministrave, për t’i dhënë një shtysë të mëtejshme këtij dialogu të nisur mes palëve.

Lutfi Dervishi: Jeni i kënaqur me dy takimet?

Ministri Bushati: Natyrisht që është bërë një progres i qenësishëm dhe ka një erë të re të marrëdhënieve ndërmjet Shqipërisë dhe Greqisë. Është shumë e rëndësishme që ne mos të mbetemi peng i së shkuarës, sepse e kam thënë edhe disa herë, ne nuk ulemi në këto takime për të rishkruar historinë, apo për t’i mbushur mendjen njëri-tjetrit për mënyrën sesi ne e shohim të shkuarën, por për të adresuar, në përputhje me disa parime të së Drejtës Ndërkombëtare dhe me një frymë evropiane, të gjitha problematikat e për të shikuar drejt së ardhmes.

Lutfi Dervishi: Cilat janë pikat/çështjet prioritare për Shqipërinë gjatë këtyre bisedimeve?

Ministri Bushati: E para, ne duam që të ezaurojmë kapitullin e luftës, sepse është paksa absurd që sot e kësaj dite ka ende një Ligj Lufte në fuqi në Greqi përkundrejt Shqipërisë, i cili ka efekt politik.

Ne nuk ndjehemi asfare të kërcënuar në kuptimin ushtarak, apo në kuptimin e sigurisë, sepse jemi dy vende anëtare të NATO-s, por është një absurd politik, të cilin ne duam të evitohet sa më shpejt të jetë e mundur. Së dyti, ka një aspekt ligjor çështja e Ligjit të Luftës, sepse pronat e shtetasve shqiptarë me kombësi greke dhe pronat e shtetit shqiptar janë vendosur nën sekuestro konservative, si pasojë e këtij ligji. Prandaj, ne mendojmë se heqja e Ligjit të Luftës me një akt të njëvleftshëm nga ana e së drejtës greke, do të çlironte energji pozitive qoftë në kuptimin politik dhe psikologjik, por mbi të gjitha dhe në kuptimin ligjor të fjalës. Dhe kjo do të ezauronte edhe një lloj debati të stisur këtu së brendshmi në rast se ekziston apo jo një ligj i tillë. Më pas, e gjithë shporta e çështjeve të Luftës së Dytë Botërore duhet që të adresohet.

Lutfi Dervishi: Shporta e Luftës së Dytë Botërore është prioritare për ne?

Ministri Bushati: Thashë një nga elementët, pra është një shportë e cila duhet mbyllur. Tek shporta e Luftës së Dytë Botërore ne kemi çështjen çame, është çështja e të rënëve grekë në Shqipëri gjatë luftës italo-greke, janë çështjet e Lirive dhe të Drejtave Themelore të Njeriut, të cilat duhen adresuar në një mënyrë sa më të civilizuar. Kemi një shportë të dytë, e cila është shumë e rëndësishme, e cila është shporta e përditshmërisë, që ka një impakt real në jetën e qytetarëve tanë. Greqia sapo hoqi rezervën mbi vulën apostille. Janë rreth 6.7 milionë euro në vit të shpenzuara vetëm në vitin 2017 që merren nga qytetarët shqiptarë…

Lutfi Dervishi: Greqia ishte i vetmi vend në Bashkimin Evropian që mbante vulën apostille për Shqipërinë….

Ministri Bushati: …nga qytetarë shqiptarë dhe ne besojmë që kjo do të hapë mundësi që ne të ofrojmë shërbime më të mira konsullore me kosto disa herë më të ulët, siç e bëjmë në Itali. Jemi drejt përfundimit të marrëveshjes për njohjen e patentave, apo lejen e drejtimit të automjeteve, e cila gjithashtu do t’i krijojë një frymëmarrje më të madhe shtetasve tanë, por edhe shtetasve grekë. Dhe do të vazhdojmë gjithashtu me çështje të tjera që kanë lidhje drejtëpërdrejtë për jetën e qytetarëve tanë që jetojnë në Greqi. Sikundër janë çështjet që kanë lidhje me detin dhe me të gjithë regjimin kufitar. Nuk kam parasysh këtu thjesht detin territorial, zonën ekskluzive ekonomike dhe shelf-in kontinental, por edhe çështjet që kanë të bëjnë me menaxhimin e incidenteve kufitare, piramidave, për ta mbyllur njëherë e përgjithmonë këtë temë, sepse përcaktimi, saktësimi dhe konfirmimi i të gjithë kësaj pakete që ka të bëjë me regjimin në det dhe në tokë, në qoftë se do të përdor këtë fjalë, ne besojmë se do të krijojë një mundësi të re të zhvillimit të marrëdhënieve ekonomike dhe tregtare ndërmjet Shqipërisë dhe Greqisë.

Lutfi Dervishi: Ju përmendët çështjet prioritare për Shqipërinë, po cilat janë pikat prioritare për Greqinë në këto bisedime?

Ministri Bushati: Natyrisht që prioritetet e Greqisë i përcakton vetë pala greke.

Lutfi Dervishi: E ndjeni që gjatë bisedimeve ato kanë prioritet një çështje të caktuar?

Ministri Bushati: Natyrisht që pala greke ka prioritet përsa i përket mbylljes së kapitullit të Luftës, por në listimin e prioriteteve, tek mbyllja e kapitullit të Luftës, listimi nuk është i njëjtë me atë të palës shqiptare. Gjithashtu, pala greke, në gjykimin tim, ka interes për të pasur një marrëveshje përsa i përket zonave detare, pra për delimitimin e zonave detare dhe pala greke gjithashtu është e interesuar për pjesën e përditshmërisë. Por, siç për ne ka një interes më të posaçëm tek shqiptarët që punojnë dhe jetojnë në Greqi, për palën greke ka një interes më të posaçëm tek të drejtat e minoritetit grek këtu në Shqipëri.

Lutfi Dervishi: Pronat e Kishës Ortodokse Shqiptare janë çështje të ngritura nga pala greke?

Ministri Bushati: Nuk është një çështje që është pjesë e paketës apo të jetë diskutuar.

Lutfi Dervishi: A ka qenë Kryepeshkopi Janullatos pjesë e negociatave?

Ministri Bushati: Jo.

Lutfi Dervishi: Cilat janë çështjet që ju mendoni se kanë nevojë për kompromis apo që Shqipëria duhet të çedojë?

Ministri Bushati: Në rast se flasim për dialog apo negociata duhet të kuptojmë që për të gjitha çështjet ka nevojë për kompromis…

Lutfi Dervishi: Edhe për Ligjin e Luftës?

Ministri Bushati: Për çështje të karakterit të dyanshëm, natyrisht që ka nevojë për kompromis sepse është vetë procesi i negocimit dhe i uljes në një tryezë që të imponon këtë logjike. Ko është dhe arsyeja që e kam thënë shpesh që kjo nuk është një marrëdhënie e lehtë. Ka disa vite që punohet. Nuk ka të panjohura për ne përsa i përket gabimeve apo gafave që janë bërë në të shkuarën apo pakujdesive që janë vënë re në të shkuarën. Por natyrisht, në tryezën e negociatave është e rëndësishme që të dyja palët të dalin me një shije të mirë dhe marrëveshje të drejta dhe të ndershme.

Lutfi Dervishi: Një nga çështjet e ndjeshme që ju e përmendët, për Shqipërinë, prioritet në shportën e parë është çështja çame, që ka mjaft ndjeshmëri si në Shqipëri, por dhe në Greqi, por në kahe të ndryshme. Pyetja ime në fakt ka të bëjë me një gjë. Duke parë programin qeveritar të qeverisë shqiptare në 2013, në paraqitjen e programit të politikës së Jashtme për herë të parë u fut çështja çame dhe ju thoni që do synojmë ta trajtojmë çështje çame në përputhje me normat e gjithëpranuara të së drejtës dhe marrëdhënieve ndërkombëtare, ndërsa në 2017 kjo frazë nuk është më dhe ju personalisht e keni quajtur këtë çështje si një çështje politike. Çfarë pritshmërish keni për këtë çështje nga bisedimet?

Ministri Bushati: E para, duhet të ritheksojmë faktin që për ne çështja çame nuk ka lidhje me ndryshimin e kufijve apo nuk ka asnjë lloj lidhje me pretendime të karakterit territorial sepse Shqipëria i përmbahet angazhimeve të Protokollit të Firences të 25’, i përmbahet gjithashtu angazhimeve të Aktit Final të Helsinkit. Është një çështje politike dhe e lidhur drejtpërdrejt me liritë dhe të drejtat themelore të njeriut, sepse ne besojmë që përgjegjësia është individuale dhe nuk mund të jetë një përgjegjësi kolektive.

Ka pasur mendime që përfaqësues të komunitetit çam gjatë luftës kanë qenë bashkëpunëtorë të nazizmit dhe për ne, kjo është një përgjegjësi individuale, që në asnjë lloj mënyre nuk mund të penalizojë një komunitet të nderuar. Së dyti, ka të bëjë me të drejtën përkujtimore që është një e drejtë, e cila është mishëruar edhe në një pjesë të mirë të parimeve dhe instrumenteve të së drejtës ndërkombëtare në fushën e të drejtave të njeriut, që do të thotë që komuniteti çam gjithashtu ka të drejtën për të përkujtuar dhe për të nderuar veprimtarinë e pjesëmarrësve apo aktivistëve të tij, të cilët nuk jetojnë më apo janë deportuar në mënyra të papranueshme me Evropën e ditëve të sotme. Së treti, ka të bëjë me lëvizjen e lirë të këtyre personave, me mundësinë për të vizituar pronat e tyre, për të vizituar familjet apo shtëpitë ku ata janë lindur dhe në përputhje, kuptohet me rregullat e qarta të Shengenit ku Greqia është pjesëtare. Pra, dhe ne kemi hulumtuar gjithashtu praktika të ndryshme sesi vende të ndryshme të Bashkimit Evropian dhe jo vetëm, e kanë adresuar këtë çështje, pra çështje të ngjashme me këtë që ne po diskutojmë në përputhje me parimet e së drejtës ndërkombëtare.

Lutfi Dervishi: Cila praktikë është më afër kësaj çështjeje?

Ministri Bushati: Ne kemi parë praktikën për shembull të Sudetëve, ku ka disa elementë të ngjashëm të cilat janë krejtësisht të aplikueshëm përsa i përket këndvështrimit tonë në këtë çështje.

Lutfi Dervishi: Çështja çame është një çështje me një ndjeshmëri shumë të lartë në Athinën politike, duke patur parasysh dhe deklaratat e Presidentit grek dhe zyrtarëve grekë dhe deklaratave të herë pas hershme të ministrisë së Jashtme. Shikoni hapësirë se do të gjendet një kompromis, një zgjidhje apo do të ketë probleme me të cilat do të mësohemi të jetojmë dhe nuk do të zgjidhen me Greqinë?

Ministri Bushati: Ne besojmë se edhe për këtë çështje ekzistojnë të gjitha mundësitë që pavarësisht këndvështrimeve të ndryshme që kanë palët, të gjenden formulime dhe rrugë të cilat përpiqen për të adresuar çështjen çame.

Lutfi Dervishi: Heqja e Ligjit të Luftës a nënkupton që do të pasohet dhe nga shfuqizimi i akteve nënligjore të mëpasshme, të paktën të viteve të mëvonshme të 98’ e 99?

Ministri Bushati: Ne natyrisht presim shfuqizimin jo thjesht të Ligjit të Luftës, por të gjitha barrierave që kanë një lidhje të drejtpërdrejtë me Ligjin e Luftës, që do t’i jepnin mundësi shtetasve shqiptarë, shtetasve shqiptarë me kombësi greke dhe shtetit shqiptar për të gëzuar të drejtat pronësore në mënyrë efektive.

Lutfi Dervishi: Zoti ministër, mes dy vendeve shkojmë drejt një traktati të ri miqësie, drejt një marrëveshje të re? E shihni këtë të afërt?

Ministri Bushati: Vullneti ynë është për të shkuar drejt një partneriteti strategjik, por jo vetëm në kuptimin e thjeshtë e formal të fjalës. E kam ndjekur me vëmendje debatin në Shqipëri në lidhje me Traktatin e Miqësisë së 1995-1996, një traktat miqësie i cili nuk zgjidhi për hir të së vërtetës shumë prej këtyre çështjeve që ne i diskutojmë…

Lutfi Dervishi: …një prej të cilave është dhe çështja e pronave

Ministri Bushati: Aty ka qenë çështja e pronave, ka pasur pretendime që me atë Traktat Miqësie çështja e Ligjit të Luftës është e mbyllur apo i është vënë kapak! Praktika na vërtetoi se asnjë prej këtyre çështjeve nuk u adresuan. Prandaj ne kemi përqafuar idenë e deklaratës së partneritetit strategjik apo të një traktati të ri strategjik me Greqinë. Në radhë të parë, si një instrument që afirmon zgjidhjen e disa çështjeve të së shkuarës dhe konsiderohet si dritare për projektet e bashkëpunimit të së ardhmes. Ju më pyetët pak më parë, a do të vazhdojmë të jetojmë si fqinjë, qoftë me idenë që do të ketë prapë probleme mes nesh. Natyrisht që me fqinjët ka gjithmonë çështje që duhet të diskutohen apo çështje që jo-domosdoshmërisht bihet dakord. Por qëllimi ynë dhe ambicia jonë është se duke shkuar drejt një deklarate të re të partneritetit strategjik, traktat apo marrëveshje si të duam ta quajmë, të paktën çështjet themelore, kryesore që janë në interesin e të dyja vendeve të jenë të adresuara.

Lutfi Dervishi: Traktati, pakti, marrëveshja kur të nënshkruhet do të thotë që janë të zgjidhura problemet apo ….disa probleme do të lihen për t’u zgjidhur me vullnet të lirë politik në të ardhmen. Shkojmë drejt këtij Traktati me probleme të zgjidhura ?

Ministri Bushati: Ne dëshirojmë të shkojmë drejt traktatit me probleme të zgjidhura.

Lutfi Dervishi: Marrëveshja me Italinë për detin ka zgjatur 8 vjet, ndërsa tashmë me Greqinë, përveç marrëveshjes për detin janë dhe problematika historike dhe aktualiteti. Çfarë ju bën të themi optimist që thoni se do të shkojmë me probleme të zgjidhura, kur koha duket që nuk është shumë e mjaftueshme për t’i dhënë zgjidhje totale problemeve të reja dhe të vjetra?

Ministri Bushati: Tek çështja e përcaktimit apo delimitimit të zonave detare me Greqinë, mendoj se çështja më e rëndësishme është çështja e vullnetit politik. E thashë pak më parë, ne jemi të qartë se çfarë ka ndodhur. Pala greke gjithashtu është e qartë se çfarë ka ndodhur. Kemi pasur një qëndrim para pak ditëve të qeverisë greke në Parlament, sipas së cilës Marrëveshja e famshme e 2009 është një marrëveshje e vdekur. Prandaj do t’i bëja thirrje çdo kujt, më pëlqeu shprehja që ju përdorët të gjithëditurve, të heqin dorë nga pretendimet që Marrëveshja e 2009 ishte një marrëveshje e mirë dhe sot tregojnë me gisht vendimin e Gjykatës Kushtetuese, sepse në kuptimin ligjor të fjalës, ajo marrëveshje nuk ekziston, ka pushuar së ekzistuari që në momentin që Gjykata Kushtetuese e ka shfuqizuar. Ne kemi të qartë vendimmarrjen e kësaj gjykate, e cila për hir të së vërtetës është detyruese për ne, jo për palën greke. Duhet të jemi të ndershëm me opinionin publik. Nuk është vendim i një tribunali ndërkombëtar, as gjykate arbitrazhi apo një instance ndërkombëtare që i detyron të dyja palët. Për ne është një lloj blu printi, se duhet të kemi parasysh për të mos gabuar, për të mos përsëritur të njëjtat gabime dhe ne besojmë që me aplikimin e parimeve të cilat nuk janë marrë parasysh në 2009, pala shqiptare do të ketë një marrëveshje më të drejtë dhe më të ndershme se ajo e 2009.

Lutfi Dervishi: Nëse marrëveshja e re që ju thoni se është më e mirë, çfarë do të thotë kjo për të negociuarit e parë dhe nënshkruesit e parë të marrëveshjes së vjetër?

Ministri Bushati: Ne besojmë që marrëveshja e re që mund të dalë si produkt i negocimeve me palën greke, do të jetë më e mirë, më e drejtë dhe më e ndershme për shkak të aplikimit të disa parimeve dhe disa rrethanave të cilat në vitin 2009 janë injoruar ose nuk janë marrë parasysh. Kjo që po themi ne, do të verifikohet në momentin që do të kemi një marrëveshje dhe ne po hyjmë në bisedime me palën greke për të pasur një marrëveshje dhe mendoj që është momenti ku ne të fokusojmë të gjitha energjitë dhe të krijojmë një mjedis sa më të shëndetshëm publik, jo thjesht politik për ekipin negociator dhe të mos analizojmë për momentin se çfarë ka ndodhur në 2009-ën sepse është e qartë për ne se çfarë ka ndodhur në 2009-ën.

Lutfi Dervishi: Çfarë ka ndodhur, sipas jush, në qoftë se mund t’a thoni me një fjali?

Ministri Bushati: Mendoj që Shqipëria në 2009-ën nuk ka qenë e përgatitur siç duhet për të hyrë në procesin e negocimit për një marrëveshje për përcaktimin e zonave detare me Greqinë dhe ajo marrëveshje e arritur ka qenë një marrëveshje në disfavorin e Shqipërisë. Sot për sot, besoj është e rëndësishme si për Shqipërinë, ashtu dhe Greqinë për të pasur një marrëveshje e cila të jetë e aplikueshme në praktikë. Kam dëgjuar me vëmendje të gjithë debatin që është zhvilluar edhe këto ditë në Shqipëri për sa i përket rezervave të mundshme të naftës dhe të gazit që janë poshtë Jonit, pra në det, qoftë dhe për sa i përket zhvillimit ekonomik të hapësirës detare, të detit territorial, të zonës ekskluzive ekonomike apo për shfrytëzimin e hapësirës ajrore mbi detin territorial dhe mbi zonën ekskluzive ekonomike, sepse ka dy regjime ekonomike të ndryshme mbi detin territorial. Është plotësisht në sovranitetin e vendeve respektive ndërsa në zonën ekskluzive ekonomike ka një rregjim të përbashkët. Pra, për t’i dhënë një lloj shtyse këtyre zhvillimeve është e rëndësishme që çdo lloj marrëveshjeje të jetë sa më e drejtë dhe sa më e ndershme. Kemi shembuj jo fort kilometra larg nesh mes Sllovenisë dhe Kroacisë të cilat edhe pse…

Lutfi Dervishi: 12 mijë kilometra katrorë dhe kanë 27 vite bisedime…?

Ministri Bushati: Edhe pse kanë shkuar në një tribunal ndërkombëtar në një gjykatë arbitrazhi, nuk kanë gjetur ende sot e kësaj dite një zgjidhje që t’a pranojnë të dyja palët prandaj mendoj që vullneti politik, i kombinuar me parimet e së drejtës ndërkombëtare që duhet të zbatohen në mënyrë të drejtë dhe të ndershme në praktikë, mund të na japin një marrëveshje më të mirë dhe më të drejtë se ajo e 2009-ës.

Lutfi Dervishi: Të paktën nga artikulimi në Parlament por dhe në media, opozita është kundër marrëveshjes…

Ministri Bushati: Për fat të keq Partia Demokratike është në një situatë mjaft kontradiktore. E para, do të kishte qenë në nderin e saj që të ishte më e duruar dhe më e kujdesshme në artikulimet publike. Nga njëra anë thotë marrëveshja e 2009-ës është një marrëveshje shumë e mirë, nga ana tjetër tund vendimin e Gjykatës Kushtetuese që e shfuqizon marrëveshjen e 2009-ës dhe sot thotë që duhet të shkojmë në tribunal ndërkombëtar apo në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë. Për të shkuar në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë: A, duhet marrëveshje mes të dyja palëve, pra duhet që të dyja palët të bihen dakord që do të shkojmë, B, duhet që të ketë dështuar procesi i negociatave. Ne mendojmë që është një fitore jo e vogël fakti që me Greqinë po ri-ulemi në tavolinë për të rishkruar një marrëveshje të re, ç’ka ka qenë e pamundur deri para pak kohësh siç deri para pak kohësh pala greke nuk ka pasur një qëndrim kosistent edhe për çështjen e Ligjit të Luftës apo për çështje të tjera. Mendoj që në procesin e dialogut janë shkrirë disa akuj, palët kanë afruar qëllimet e tyre dhe nuk janë fokusuar në kuptimin metaforik të fjalës thjeshtë tek pema, por tek pylli, pra tek ajo çka është në interesin tonë të përbashkët.

Lutfi Dervishi: Në vendimin e Gjykatës Kushtetuese thuhet se kufiri ka ekzistuar, qeveria e mëparshme e bëri objekt me tezën se nuk ka ekzistuar kufiri detar. Cili është qëndrimi i tanishëm?

Ministri Bushati: Ky është një diskutim në fakt teknik. Në lidhje me protokollin e Firences, pra se ku fillon dhe maten apo fillon përllogaritja rreth vijës delimituese, ne e kemi shënuar si një nga detyrat tona të shtëpisë këtë çështje të Gjykatës Kushtetuese dhe natyrisht që do të jetë pjesë e negocimit tonë apo qëndrimit tonë negociues me palën greke.

Lutfi Dervishi: Një nga çështjet që Shqipëria ka këmbëngulur të paktën prej 30 vitesh ka qenë një marrëveshje për ujërat e ëmbla për Vjosën, a është Vjosa pjesë e bisedimeve?

Ministri Bushati: Nuk është pjesë e bisedimeve.

Lutfi Dervishi: Çka do të thotë…

Ministri Bushati: Nuk është pjesë e bisedimeve, por kjo nuk do të thotë që siç e thashë dhe më parë, në të ardhmen ne do të kemi çështje të tjera në të cilat do të angazhohemi me palën greke. Nuk ka lidhje me përcaktimin e regjimit kufitar.

Lutfi Dervishi: Po ndoshta ka lidhje që edhe në variantin më ideal ne nuk shkojmë në një traktat të ri, në një pakt të ri, në një marrëveshje të re me të gjitha problemet e ezauruara.

Ministri Bushati: Nuk e kemi konsideruar çështjen e Vjosës kështu që përmendet si një çështje që do të meritonte një vëmendje për të qenë pjesë e një dokumenti të partneritetit strategjik. Fakti që palët nënshkruajnë një dokument të partneritetit strategjik, siç bie fjala ne kemi me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me Kosovën, me Italinë, me Francën, etj, nuk do të thotë se çdo çështje është e ezauruar plotësisht dhe nuk ka kënd-shikime të ndryshme. E thashë dhe një herë tjetër, e rëndësishme është se shtyllat të jenë të sistemuara, siç të dyja palët mendojnë se është më mirë për to.

Lutfi Dervishi: Ndoshta nuk ka shumë rëndësi por për Vjosën ka pasur dy probleme, një devijim i parë, i cili ka marrë 7% të prurjeve një projekt i 2014-ës i cili mund të devijonte deri 70% të prurjeve që është me rëndësi besoj jetike për gjithë zonën. Meqë jemi tek çështja e…

Ministri Bushati: Edhe për Vjosën ne e kemi ndjekur këtë si çështje edhe me projektin që ka qenë në zbatim, edhe me rregullat mjedisore të cilat janë të aplikueshme. Nuk diskutohet për Greqinë, por edhe për Shqipërinë si një vend kandidat. Më lejoni të përfitoj nga mundësia që ju më dhatë për të ritheksuar që, qoftë e drejta ndërkombëtare, qofte e drejta evropiane, për të tilla çështje është e detajuar dhe është detyruese për shtetet. Ka pasur një diskutim në media këto kohë sipas të cilit pretendohet që Greqia ka bërë eksplorime edhe në detin Jon, për sa i përket zonave naftë mbajtëse. Mund t’ju them që në ministrinë tonë ka një dosje voluminoze të komunikimeve me palën greke në përputhje më rregullat që imponon e drejta ndërkombëtarë ku në zonat, atë që konsiderohet det territorial, secila palë bën kërkimet e veta, ndërsa në zonat ku ka një regjim më të përbashkët nga pikëpamja e menaxhimit, duhet dakortësi dhe një gjë e tillë natyrisht që nuk ka ndodhur.

Lutfi Dervishi: Shqipëria pret të mbyllë problemin e delimitimit të zonës detare me Greqinë. E ka mbyllur me Italinë, kemi probleme me vende të tjera me Malin e Zi?

Ministri Bushati: Natyrisht, kemi mbyllur me Italinë regjimin kufitar. Regjimi kufitar me Italinë është më i favorshëm. Pretendojmë që të mbyllim dhe me Greqinë dhe më pas duhet të shkohet drejtë një marrëveshje për pikën treshe apo për koordinatën treshe mes Shqipërisë, Italisë dhe Greqisë. Italia me Greqinë kanë mbyllur një pjesë, jo totalisht regjimin mes tyre, pra puna vazhdon, ndërkohë me Malin e Zi do të duhet që të bëhet në të ardhmen.

Lutfi Dervishi: Kam parasysh në bisedimet e para ka qenë një kabllogram i Ambasadës Amerikane mjaftë i qartë për ndjeshmërinë e palës greke që të mos kishte të huaj të përfshirë në bisedimet dy palëshe. A ka asistencë të huaj në grupin negociator shqiptar?

Ministri Bushati: Gjatë gjithë këtyre viteve kemi pasur ekspertizë, kemi pasur një konsulencë të një kompanie ligjore amerikane. Fillimisht ka pasur një projekt në lidhje me hartat, në lidhje me koordinatat, të mbështetur nga konsulentë norvegjeze dhe për sa i përket institucioneve relevante shtetërore, por si kundër nga ana jonë, ka patur konsultime edhe me partnerë jo thjeshtë për leximin që i është bërë vendimmarrjes së Gjykatës Kushtetuese, por edhe për të konsideruar, për të hulumtuar në mënyra të ndryshme se si kjo çështje mund t’a adresojë në të ardhmen.

Lutfi Dervishi: Ka një shprehje nga zona e Shkodrës: “siç duken bathët janë afër Pashkët”. Me afrimin e Pashkëve, çfarë lajmi prisni të ketë në Korçë këtë radhë? Në kuptimin politik…është konfirmuar takimi i dy Kryeministrave?

Ministri Bushati: Po punohet për një takim të dy kryeministrave. Ka pasur një takim në Davos dhe po punohet për një vizite të kryeministrit grek në Shqipëri. Besoj se është një lajm pozitiv që konfirmon progresin e marrëdhënieve tona dy palëshe. Edhe shpresoj që të ecim me lajme pozitive në të ardhmen. Filozofia jonë ka qenë filozofia e ecjes me hapa të vegjël. Pra, nuk është se në një moment të caktuar si me magji do i zgjidhim të gjitha çështjet sepse duhet të jemi realistë që po jetojmë në Ballkan, në Mesdhe dhe fqinjët gjithmonë kanë se çfarë të ndajnë me njeri tjetrin dhe kanë se për çfarë të debatojnë. Por është e rëndësishme që të shikojmë që ka një klimë mirëkuptimi dhe të dyja palët jemi të përqendruar për të fituar historinë e së ardhmes dhe jo për të ndëshkuar ato që kemi lënë pas.

Lutfi Dervishi: Edhe një pyetje për t’a mbyllur kapitullin e çështjes me Greqinë. Vendimi i Gjykatës Kushtetuese e imponon transparencën në këtë proces. Si arrini që të mbani një balancë ndërmjet vendimit të Gjykatës për të qenë transparent dhe diskrecionit të nevojshëm për ta mbyllur këtë marrëveshje?

Ministri Bushati: Kjo është një pyetje nga ato një milion euro që thuhet rëndom nëpër biseda apo nëpër filma të ndryshëm. Është një pyetje shumë e rëndësishme. Ky natyrisht për ne ka tre komponentë të rëndësishëm që është ligji, qoftë ai ndërkombëtar apo qoftë e drejta e brendshme. Është opinioni publik që duhet të jetë i informuar dhe duhet të marrë garancitë e nevojshme që ne po ecim në hapin e duhur. Dhe normalisht pala tjetër me të cilën ne negociojmë apo duhet të negociojmë.

Lutfi Dervishi: Nëse i rikthehemi se fundmi në prag të traktatit në lidhje me marrëveshjen me Greqinë. Çfarë elementi të ri prisni të shikoni në këtë traktat?

Ministri Bushati: Ne në këtë marrëveshje të re, apo dokumenti të partneritetit strategjik, duam që të fokusohemi gjithashtu edhe për të ardhmen. Qoftë për sa i përket bashkëpunimit politik, ashtu edhe kontakteve njerëzore dhe zbatimit të projekteve të ndryshme në Ballkan dhe ne Mesdhe ku Shqipëria dhe Greqia kanë një rol të ndryshëm.

Lutfi Dervishi: Zoti ministër, përpara se te kalojmë te çështja e…

Ministri Bushati: Kur flas për kontaktet njerëzore kam parasysh, shoqërinë civile, trupat artistike etj. Ka stereotipa negative qoftë për shoqërinë greke, ashtu edhe për atë shqiptare, të cilat duhen luftuar.

Lutfi Dervishi: Ndoshta duke nisur nga niveli më i lartë sepse dhe elementi njerëzor është një çështje normale, duke pasur parasysh praninë e madhe të shqiptarëve në Greqi dhe praninë e minoritetit grek në Shqipëri. Para se të fillojmë të shikojmë atë që Shqipëria pret me një lloj padurimi, hapjen e negociatave, dua të ndalem shkurtimisht te Kosova vetëm për dy çështje. Ka një tezë kohët e fundit që Serbia nuk ka nevojë t’a njohë Kosovën dhe që Serbia mundet që të njohë Kosovën në Kombet e Bashkuara pa qenë e detyruar ta njohë drejt për drejtë. Ka ke një koment për këtë tezë?

Ministri Bushati: Nuk e di nga buron kjo tezë, por besoj se edhe strategjia e fundit e zgjerimit që mund të kërkojë Komisioni Evropian, përforcon tezën dhe linjën sipas të cilës, pa një njohje të Kosovës nga ana e Serbisë, nuk mund të ketë anëtarësim të kësaj të fundit në Bashkimin Evropian.

Lutfi Dervishi: Ky është pozicioni i Shqipërisë?

Ministri Bushati: Ky është pozicioni i Shqipërisë, sikundër një marrëveshje të Serbisë dhe Kosovës përsa i përket njohjes dhe çështjeve të tjera që janë pjesë e dialogut politik që zhvillohet ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, do të krijonte një perspektivë më të qartë të Kosovës për t’u anëtarësuar në OKB. Në OKB, një ndër elementet e ekuacionit, të njohura, jo më të panjohura me mënyrën se si zhvillohen ngjarjet atje, ka të bëjë me faktin se ka pesë shtete të cilët kanë të drejtën e VETO-s. Dhe të paktën dihet qëndrimi i njërit prej pesëshes.

Lutfi Dervishi: Eshtë formula Ukrainase në kohën e Bashkimit Sovjetik – Ukraina kishte një vend në Kombet e Bashkuara. Por edhe një zhvillim tjetër që të bën përshtypje është që Serbia gjithmonë kërkon që jo vetëm të mos njohë, por edhe lobon për të tërhequr njohjen e shteteve që e kanë njohur tashmë Kosovën. Nuk kam parë ndonjë reagim të MPJ ndaj këtij qëndrimi të Serbisë.

Ministri Bushati: Në fakt, qëndrimi i Serbisë për këtë çështje është i dyzuar. Nga njëra anë bën atë që sapo thatë, nga ana tjetër kërkon një marrëveshje historike me Kosovën dhe për Kosovën. Mendoj që është e rëndësishme që si Serbia, ashtu dhe Kosova, me mbështetjen e Bashkimit Evropian dhe SHBA, të përqendrohen te kjo e dyta. Sepse është rruga e duhur jo vetëm për të përfunduar procesin e arritjeve të pajtimit në Ballkan, por edhe për të na hapur rrugë në mënyrë më të vrullshme që të dyja këtyre vendeve për procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Lutfi Dervishi: Meqë përmendët në kontekstin e marrëveshjes historike. Në media ka qarkulluar intensivisht kohët e fundit ideja e shkëmbimit të territoreve. Keni ndonjë koment për këtë?

Ministri Bushati: Është më mirë të fokusohemi të pjesa e çështjeve që akoma nuk janë zbatuar si pjesë e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë dhe natyrisht ne mbështesim avancimin e dialogut në çështje të karakterit politik. Një dialog që sapo ka nisur në drejtimin e dy Presidentëve.

Lutfi Dervishi: Komisioni pritet që të fillojë hapjen e negociatave për Shqipërinë. A jemi ne gati për të hapur negociatat?

Ministri Bushati: E para, ne besojmë se Komisioni në prill do të propozojë nisjen e bisedimeve për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Bazuar mbi logjikën jo vetëm të rekomandimit të 2016, por edhe mbështetjes që mori nga rekomandimi i vendeve anëtare në 2016, sipas të cilit, hapja duhet të ndodhë në momentin që Shqipëria zbaton Reformën në Drejtësi, me specifikisht, ligjin për vettingun apo procesin e vettingut. Në dy vitet e fundit, Shqipëria ka bërë një proces në zbatimin e reformave në drejtësi dhe reformave të tjera në fushën e sundimit të së drejtës, luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Kur themi a jemi gati, gjithmonë ka fusha ku mund të bëhet shumë më tepër dhe ne mund të flasim për nisjen e një procesi dhe nuk mund të flasim për përfundimin e tij. Mendoj që nisja e bisedimeve për anëtarësim mund të jetë një motivim edhe më i madh, jo vetëm për Shqipërinë dhe instancat shtetërore, por për të gjithë shoqërinë për të vijuar procesin e demokratizimit dhe transformimit. Do të jetë një ogur besoj i mirë për opozitën, për shoqërinë civile, për median, për biznesin, sepse të gjithë përfitojnë nga ky proces. Por natyrisht, klima për procesin e zgjerimit, pavarësisht se për herë të parë që nga Samiti i Selanikut i 2003 ne kemi një strategji të Komisionit Evropian për procesin e zgjerimit, sepse deri para pak kohësh konsiderohej me vdekje klinike procesi i zgjerimit nga vendet anëtarë të BE-së. Ende edhe sot e kësaj dite, nuk ka një gatishmëri apo entuziazëm aq të fortë politik sa kishte bie fjala, në 2004 për këtë proces. Prandaj është e rëndësishme që të gjitha palët politike, ne si përfaqësues të mazhorancës, të sigurojmë përgjegjësinë kryesore në këtë proces. Opozita nga ana tjetër, të sillet në mënyre të përgjegjshme, sidomos në këto momente përcaktuese.

Lutfi Dervishi: Zoti ministër, ju e thatë që hapja e negociatave nuk është mbarimi por është fillimi i një procesi që mund të marrë vite, 7 apo 10 vite ose diçka më shumë, ç’ka do të thotë që për shkak të këtij procesi, Shqipëria do të jetë gati për të qenë si vendet e tjera të Bashkimit Evropian. A mendoni se po e ndërtojmë Evropën në këto vite, brenda në Shqipëri?

Ministri Bushati: Kjo është një pyetje shumë e drejtë dhe bën më tepër sens se gjithë debati shpesh steril lidhur me kapitujt me x apo y standard apo ligj. Mendoj qe ky është një proces udhëtim i brendshëm dhe ka hapa pozitivë, ka hapa solid dhe çështje ku mund të thuhet pa mëdyshje që Shqipëria ka arritur pikën e mos kthimit pas. Sikundër ka çështje për të cilat ne na duhet më tepër vullnet dhe çështje për të cilat ne na duhet shumë më tepër kurajë për t’i përballuar. Besoj se është bërë një punë voluminoze dhe nuk ka të krahasuar edhe me vende të tjera për sa i përket reformës ne drejtësi. Frytet e para po vijnë, nga fakti që gjyqtarë apo prokuror të niveleve të larta i shmangen përmes dorëheqjeve procesit të vettingut, do të thotë që presioni i opinionit publik, i kombinuar edhe me ekspertizën ndërkombëtare dhe me vullnetin politik, po jep fytet e para. Ka një vendosmëri për të bashkëpunuar për sa i përket luftës së krimit të organizuar dhe korrupsionit. Nuk janë çështje vetëm shqiptare. Duhet të luftojmë perceptimin negativ që është përgjithësisht për Shqipërinë apo për kriminalitetin shqiptar në përgjithësi. Edhe këtë çështje duhet të vijojmë t’a përballojmë me kurajë të shtruar. Ka më shumë transparencë, ka më shumë afërsi me Bashkimin Evropian gjatë këtyre viteve. Sikundër ka më shumë ambicie nga ana jonë dhe më shumë padurim.

Lutfi Dervishi: Rekomandimi i Komisionit do të pasohet nga votimi i vendeve anëtare. Ka vende anëtare që janë ende në fazën e hezitimit për hapjen e negociatave me Shqipërinë.

Ministri Bushati: Sot për sot qëndrimi i vendeve anëtare natyrisht që është në pritje të asaj ç’ka do të propozojë Komisioni Evropian.

Lutfi Dervishi: …që me një probabilitet të lartë Komisioni do të thotë që të hapen.

Ministri Bushati: Probabiliteti i lartë është dhe ne besojmë që Komisioni do të vijë me një rekomandim për hapjen e bisedimeve, një. E dyta, do të shtjellojë në mënyrë të besueshme procesin e reformave, vështirësitë në të cilat haset procesi i zbatimit të reformave dhe gjithashtu do të ofrojë dhe një horizont në lidhje me pritshmëritë nga procesi i reformave në momentin që Shqipëria do të ulet apo vendi do të ulet në tryezën e bisedimeve për anëtarësim. Natyrisht, dinamika e brendshme e vendeve anëtare është e tillë që sot për sot nuk të krijon mundësinë për të folur me garanci absolute rreth vendimmarrjes. Pse? Mjafton të shohim detajet e fundit në disa prej vendeve anëtare të Bashkimit Europian ku forca politike të cilat kanë ndjeshmëri disi të ndryshme rreth projektit europian

Lutfi Dervishi: po por disa vende tashmë janë shprehur pozitivisht. Çka do të thotë që…

Ministri Bushati: Natyrisht, brenda Bashkimit Europian ka vende të cilat janë përgjithësisht në favor të procesit të zgjerimit. Ka, nuk diskutohet vende të cilat e konsiderojnë veten me të drejtë avokatë të Integrimit Europian të Shqipërisë …

Lutfi Dervishi: Italia, Austria …

Ministri Bushati: Italia, Austria, vende të tjera dhe për këtë ne jemi mirënjohës. Ka një iniciativë gjithashtu të Greqisë në mbështetje të hapjes së bisedimeve për anëtarësim të Shqipërisë e cila do të konkretizohet në javët në vijim sikundër ka vende të cilat përgjithësisht e thonë fjalën e tyre krejt në fund.

Lutfi Dervishi: Si Hollanda… Vendi ku keni studiuar. Bashkimi Europian ka një program asistence për vendet që kërkon t’i ofrojë dhe kushte formale kur do që t’i përdorë për t’i penguar ose për t’i frenuar. A është Shqipëria e përqëndruar dhe e fokusuar mirë tek programet e asistencës? Te Europa brenda Shqipërisë, te një politikë e përgjegjshme, te institucionet e pavarura, një politikë që respekton vullnetin e votuesve, një Parlament europian… Nuk mendon që jemi pak larg?

Ministri Bushati: Natyrisht, në rast se ne do t’i referohemi apo do të analizojmë kapacitetet absorbuese të Shqipërisë, janë pak a shumë të njëjta me kapacitetet absorbuese të të gjitha vendeve të rajonit dhe nuk ka pikë diskutimi që duhet shumë punë për t’i përmirësuar, për t’i fuqizuar këto kapacitete, aq më tepër kur me të drejtë kërkojmë një akses të përshkallëzuar për sa i përket fondeve strukturore, sepse në bazë të të gjitha studimeve, edhe studimit të fundit të Bankës Botërore, vendeve të Ballkanit Perëndimor, pavarësisht nëse janë në proces të negociatave, janë kandidatë apo jo, do t’i duhen rreth 5 dekada në qoftë se ecim me këtë ritëm për të pasur një zhvillim ekonomik të krahasueshëm me atë të vendeve të Bashkimit Europian. Prandaj, edhe në procesin e Berlinit, edhe në axhendën e ndërlidhshmërisë, edhe në axhendën e mobilitetit, kemi synuar së bashku me vendet e tjera dhe natyrisht me Gjermaninë, Francën, Austrinë, Italinë dhe vende të tjera të Bashkimit Europian për të shtuar sinergjinë në këtë proces, në kuptimin politik, ekonomik , financiar dhe tek shkëmbimet njerëzore. Alfa dhe Omega e pyetjes që ju më bëtë ka të bëjë: a) me vullnetin politik: b) me vokacionin shoqëror: c) me investime në administratë publike dhe në fuqizim të kapaciteteve njerëzore.

Lutfi Dervishi: Nga këto të treja që ju përmendët ne jemi mirë vetëm tek e dyta.

Ministri Bushati: Tek e dyta jemi goxha mirë, tek e para dhe tek e treta duhet shumë më tepër punë.

Lutfi Dervishi: Çfarë mësimesh kemi nxjerrë, ju folët për vullnetin politik. Mua më kujtohet një zyrtar i lartë i Komisionit Europian në atë kohë në vitet 2011, (ish drjetori për zgjerimin) Sannino, që vinte në Tiranë para 8 vitesh dhe lutej: “Merruni vesh, bëni këto 2 gjëra se do të duhen vite për të kapur trenin.” Dhe ikën 8 vite dhe ende për shkak të dinamikës së brendshme në Bashkimin Europian, Brexit dhe fenomeneve të tjera, emigrantët. Çfarë rrezikojmë ne nëse nuk e kapim trenin këtë rradhë? Sa vite të tjera? Është një dekadë tjetër e humbur?

Ministri Bushati: Nuk do të doja sot që të përqëndrohesha tek skenari B…

Lutfi Dervishi: Mësimi që kemi nxjerrë…

Ministri Bushati: ..por më duhet të them që në këtë pikë, për të qënë edhe i ndershëm me veten

Lutfi Dervishi: S’kemi kohë…

Ministri Bushati: Nuk do të doja sot që të përqendrohesha tek skenari B. Por, më duhet të them që në këtë pikë për të qenë edhe i ndershëm me veten, këtë pikë ne duket se e kemi të vështirë për të nxjerrë mësime dhe kjo është arsyeja e pse e thashë. Pavarësisht se mazhoranca apo qeveria ka peshën kryesore në këtë proces, në fund të ditës për të dëshmuar përgjegjshmëri, sepse 2018 realisht është një mundësi e artë, në radhë të parë për Shqipërinë, për shkak edhe të ecurisë për të cilën ne folëm, për të hyrë në një fazë të re në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian, ç’ka nuk do të jetë në 2019 por edhe për shkak të faktit që në këtë vit do të kemi zgjedhje në institucionet evropiane, e kemi të vështirë sot për sot të parashikojmë se cila do të jetë klima në hapësirën evropiane gjatë vitit 2018-s. Flasim për klimën politike. Ju me të drejtë thatë që: Nga momenti që negociatat hapen, mund të shkojnë 7, 10 vjet, në varësi të ecurisë së vendit, në varësi të oreksit të vetë Bashkimit Evropian për të pranuar vendet e tjera. Dhe, e gjithë kjo kohë nuk përkon në asnjë lloj rrethane me një forcë politike.

Lutfit Dervishi: Me një mandat të një force politike…

Ministri Bushati: Prandaj, sa më shpejt kuptojmë që me këtë proces nuk fitohet asnjë votë por thjeshtë dëmtohet aspirata e vendit, aq më mirë do të jetë për të gjithë.

Lutfi Dervishi: Zoti ministër, dua t’ju bej një pyetje, ua kam bërë në një aktivitet publik por ndoshta me shpresën që mund të marrë përgjigje tjetër. A ka Shqipëria një plan B?

Ministri Bushati: Shqipëria nuk ka një plan B dhe nuk mendoj se duhet të ketë një plan B.

Lutfi Dervishi: …mendoj se kjo nuk është një gjë e mirë!

Ministri Bushati: Nuk mendoj se duhet të ketë një plan B.

Lutfi Dervishi: Dmth jemi pa një plan B.

Ministri Bushati: Nuk shoh një plan B, transformimin demokratik, për transforimin demokratik

Lutfi Dervishi: Dakord, fuqia transformuese e afrimit drejt BE-së nuk krahasohet.

Ministri Bushati: Nuk shoh! Edhe vende të tjera që kanë një marrëdhënie të ngushtë, le të themi, me Rusinë, bie fjala, siç është rasti i Serbisë, nuk mendoj se qytetarët serbë e shohin Rusinë si model për sa i përket stilit të jetës, për sa i përket mënyrës se si i ndërtonin institucionet demoraktike, për sa i përket lirive dhe të drejtave themelore të njeriut.

Lutfi Dervishi: Meqë ju e përmendët dhe që ra fjala, flitet për ndikimin rus në Ballkan. E ndjen Shqipëria ndikimin rus në Ballkan?

Ministri Bushati: Natyrisht që ka një ndikim rus në Ballkan. Rusia ka qenë…

Lutfi Dervishi: … Jo! Flas për Shqipërinë.

Ministri Bushati: Në Shqipëri nuk kemi të njëjtën shkallë që shohim nëpër disa vende të tjera të Ballkanit Perëndimor. Por më lejoni të jem i drejtëpërdrejtë për këtë çështje. Ne nuk shohim prezencën ruse në Ballkan si kërcënim në vetvete. Prezenca ruse në Ballkan, dhe ne duhet që gjithashtu të kemi një marrëdhënie…

Lutfi Dervishi: Çfarë marrëdhëniesh duam me Rusinë?

Ministri Bushati: Ne duhet të kemi marrëdhënie normale me Rusinë. Sepse, sot për sot, situata është anormale. Rusia është një aktor i rëndësishëm në politikën ndërkombëtare sikundër Shqipëria dhe shqiptarët në përgjithësi në rajon, në këtë kënd të Evropës ka një peshë të caktuar politike dhe gjeostrategjike dhe ne e kuptojmë që kemi shumë gjëra që na ndajnë. Në kuptimin politik, nga pikëpamja e përkatësisë, nga pikëpamja e orientimit euro-atlantik. Nga ana tjetër, është gjithashtu me vlerë të nënvizohet që ka fusha të karakterit kulturor, ekonomik dhe tregtar që ja vlen të zhvillohen marrëdhënie ndërmjet dy shteteve tona. Prezencën ruse në Ballkan, si e tillë, natyrisht nuk ka pse ta shohim si kërcënim, por nga ana tjetër…

Lutfi Dervishi: Siç tregoi në rastin e Malit të Zi, duhet të tregohet kujdes…

Ministri Bushati: …aktivitetin frenues, për sa i përket ecurisë euro-atlantike të vendeve të rajonit, e shohim me shqetësim. Siç është edhe rasti që ju përmendet, me Malin e Zi.

Lutfi Dervishi: Dy pyetje të fundit nëse më lejoni, shumë shpejt. Kina është një aktor i rëndësishëm, tashmë në rang global dhe investitori numër një në Shqipëri. Si i sheh Shqipëria marrëdhëniet me Kinën? Çfarë perspektive ka? Dhe, a ka shqetësime për praninë e rritur ndjeshëm, ekonomike?

Ministri Bushati: Natyrisht që Kina ka një prezencë ekonomike në Shqipëri dhe në rajonin tonë. Mbase me të drejtë, ministri i Jashtëm gjerman në detyrë, Zigmar Gabriel thotë që: Sot për sot, Kina është vendi që ka një strategji më të qartë dhe më afat gjatë edhe nga mënyra se si ushtron politikën e Jashtme. Interesi ynë është për të vazhduar dhe për t’a thelluar bashkëpunimin dhe për të shfrytëzuar sa më shumë potencialin ekonomik të kësaj marrëdhënie. Po nga ana tjetër, qëndrimi i qartë i shtetit shqiptar dhe i shoqërisë shqiptare dihet, për sa i përket vokacionit të tonë Euro-Atlantik./ZgjohuShqiptar.info

NA NDIQNI EDHE NE FACEBOOK JU LUTEMI!

KOMENTONI

Loading...
Loading...
Name

Aktualitet,7962,Camëri,108,Editorial,1709,Ekonomi,416,Emra për djem,38,Emra për vajza,36,Enciklopedi,81,Histori,1284,Iliridë,251,Kosovë,2374,Kulture,628,Luginë,49,Moti,2,Politik,1778,Reportazh,155,Rezultatet Live,2,Shtypi,79,Sondazhe,8,Sport,493,Video,496,
ltr
item
Zgjohu Shqiptar: Takimi Rama-Tsipras dhe marrëveshja me grekët, Ditmir Bushati tregon për bisedimet
Takimi Rama-Tsipras dhe marrëveshja me grekët, Ditmir Bushati tregon për bisedimet
Takimi Rama-Tsipras dhe marrëveshja me grekët, Ditmir Bushati tregon për bisedimet
https://4.bp.blogspot.com/-k2HdlogR22M/Wqkj8JoVSlI/AAAAAAAAUyY/3FvR6IpMYbgr8KfSWeoNB5b5VOeUIqK-wCLcBGAs/s640/bushati-kotzias-1-696x481.jpg
https://4.bp.blogspot.com/-k2HdlogR22M/Wqkj8JoVSlI/AAAAAAAAUyY/3FvR6IpMYbgr8KfSWeoNB5b5VOeUIqK-wCLcBGAs/s72-c/bushati-kotzias-1-696x481.jpg
Zgjohu Shqiptar
http://www.zgjohushqiptar.info/2018/03/takimi-rama-tsipras-dhe-marreveshja-me.html
http://www.zgjohushqiptar.info/
http://www.zgjohushqiptar.info/
http://www.zgjohushqiptar.info/2018/03/takimi-rama-tsipras-dhe-marreveshja-me.html
true
269073700948665522
UTF-8
Ngarkuar te gjitha postimet Nuk gjendet ndonje postim SHIKO TE GJITHA Lexo me Shume Repliko Hiq Repliken Fshi Nga Kreu FAQET POSTIMET Shiko te Gjitha REKOMANDUAR PER JU LABEL ARKIVA KERKO TE GJITHA POSTIMET Nuk u gjet asnje material sipas kerkeses tuaj Kthehu te Kreu E Diel E Hene E Marte E Merkure E Enjte E Premte E Shtune Hen Mart Merk Enj Pre sht Die Janar Shkurt Mars Prill Maj Qershor Korrik Gusht Shtator Tetor Nentor Dhjetor Jan Shk Mar Pri Maj Maj Qer Gush Sht Tet Nen Dhj menjehere 1 minute me pare $$1$$ minutes ago 1 ore me pare $$1$$ hours ago Dje $$1$$ days ago $$1$$ weeks ago me shume se 5 jave me pare Followers Follow THIS CONTENT IS PREMIUM Please share to unlock Kopjo te Gjithe Kodin Selekto te Gjithe Kodin All codes were copied to your clipboard Can not copy the codes / texts, please press [CTRL]+[C] (or CMD+C with Mac) to copy