Ishulli i Sazanit, “foshnja” e braktisur që s’pat “nënë” kurrë!


Nga Pandeli BARDHI - Realiteti më detyron të shprehem kështu, e ndoshta edhe më ashpër. Ishulli i Sazanit, një ishull i vetëm, një ishull i vogël, një «foshnjë» pa «nënë»! Asnjëherë gjatë shekujve, nuk ka qënë më i trishtuar se sot. Njohu pushtime të shumta, qysh nga koha e romakëve. Ka «rënkuar» nën pushtimin e turqve, venedikasve, francezëve, grekëve etj., por nuk është «nënshtruar»! Edhe atëherë, kishte gjallëri e nuk ishte një «foshnjë e braktisur», e harruar, por ishte «dikushi». Edhe Diktatura e armatosi deri në dhëmbë, por edhe faj nuk kishte. Ishte koha e luftës së ftohtë dhe «foshnja», si një pozicion strategjik që kishte në Mesdhe, ishte e detyruar të «duronte» peshën e rëndë të armëve, të mbante «malin» e betoneve mbi trupin e saj të vogël, të duronte «operacionet» e shumta në çdo qelizë të trupit! Ishte i armatosur, por ishte edhe krenar. Gumëzhinte nga gjallëria, nga rregulli, nga gatishmëria për t’i ardhur në ndihmë «nënës» edhe brenda disa minutave, nëqoftëse dikush guxonte t’i prekte asaj, qoftë edhe një fije floku! Nuk e mbajti as pesëdhjetë vjet, «nëna» e vet dhe e trajtoi si një «foshnjë» të adaptuar dhe jo si një «fëmijë» që e kishte nxjerrë nga «barku» i vet! E megjithatë, gjatë viteve të diktaturës ishte «dikushi» megjithëse nuk i «qeshi» një herë buza! Nuk i interesonte atëherë diktaturës që këtë mrekulli të natyrës ta kthente në një vend turistik që të sillte begati, por ta kthente në një vend «ku do të thyenin kokën të gjithë armiqtë imperialisto – revizionistë»!

Por më keq akoma, kjo mrekulli nuk mund të kapërdijë trishtimin e këtyre njëzet e pesë viteve, që janë më të rënda se vitet e njëzet e pesë shekujve. Edhe pushtuesit e para dhjetë shekujve, në fund të fundit njerëz ishin dhe diçka bënë për këtë Ishull. Në kohën e sotme, në vitet e demokracisë, «pushtuesit» janë ferrat e gjarpërinjtë, plagët e hapura, që kurrkush nuk po kujtohet t’ja heqi sadopak dhimbjet. Dua me këtë rast, sikur të nxis sadopak sedrën e atyre që kanë diçka në dorë shtetarëve të çfarëdo ngjyre qofshin, që të shpenzojnë diçka sot, që «foshnja» të rritet e të sjelli të ardhura të shumta për brezat që do të vijnë. E them këtë, pasi kohët e fundit diçka sikur kanë filluar të «belbëzojnë» për Sazanin, për ta kthyer atë në një vend turistik.

Por, politikanët nuk e kuptojnë që janë ndër ata që populli nuk para i beson. Më pak të besueshëm bëhen ata, sidomos kur janë përpara ndonjë fushate parazgjedhore. Edhe ndonjë rrugicë kur e fillonin, edhe ndonjë depo uji apo shkollë fillore kur fillojnë për ta ndërtuar, nuk përfundon kurrë! Të mos themi, kur ndonjë politikan si ai «merhumi» që u largua nga skena politike e tani bën «ciu- ciu» vetëm në Facebook, i cili edhe kur fillonte për të bërë ndonjë rrugicë, e priste shiritin e inagurimit tre herë, e më pas mbetej ashtu! «Do ta kthejmë në një zonë turistike», thonë krerët e Ministrisë së Mbrojtjes. Nga ana tjetër, thonë se e kanë kaluar në administrim të Bashkisë Vlorë. Po të kemi parasysh që Bashkia Vlorë, ka qysh para dyzet viteve, që nuk ka vënë dorë edhe në rrugën që kalon para ndërtesës së saj, i bie që për Ishullin e Sazanit të mendojë të bëjë diçka në vitin 3098! Por deri atëherë, «lum kush të rrojë, ta shohë «Zonjë»! E vërteta është ajo, që nuk ka mundësi ekonomike. Nuk ka para për këtë ishull perlë, që me harxhime të pakta sot, të sjelli para lumë, nesër. Para, ka vetëm për ata që vjedhin, që shesin e blejnë drogë e tritol, që zhvatin e rrëmbejnë, që vrasin e presin, që luajnë më djersën e popullit si me mallin e babait të tyre! Para, nuk ka shteti as për ata që kaluan rininë e tyre pranë kësaj «foshnje» e që u rritën bashkë me të, që u «burrëruan» bashkë me të!

Kësaj «foshnje» të bukur, kësaj perle të mrekullueshme që e bekoi natyra, kësaj krijese të Zotit, kësaj parajse të Perëndive, kurrkush nuk i foli një fjalë të ëmbël. «Shkon i huaji, e me kambë e shklet/ E nji fjalë të amël/ Kurkush, s ‘ja qet!», shkruante Pashko Vasa, përpara njëqind e tridhjetë e pesë vitesh. Por, a do të vijë dita kur po para kaq vitesh, Pashko Vasa shkruan: «Asht toka e jonë/ të parët na e kanë lanë/ Kush mos na e preki/ Se desim të tanë!»

Nuk dua edhe unë të jem pesimist, por si kanë ardhur kohët, «demokratët» e sotëm nuk presin hasmin të na vijë në derë e të përdori forcën, por ua falin vetë, pjesë të «trupit të nënës e të foshnjës»! Në ngjarjet e vitit 1997, «nënën» e pushtuan «forcat e errëta», kurse «foshnjën» e pushtuan kaçakët, shumë herë më të rrezikshëm edhe nga kaçakët e piratit Haxhi Alia, që kishte për banesë, shpellën me të njëjtin emër në cep të Gadishullit të Karaburunit! Kur ishulli u «pushtua» përsëri nga ata që e pushtuan para afro një shekulli në bashkëpunim me «pushtuesit» vendas, një fregatë turke me ekuipazh nga bijtë e nënës dhe turq, u nis për në Ishullin e Sazanit. «Pushtuesit» e rinj lejuan vetëm turqit të zbresin në tokë, kurse të zotët e shtëpisë u izoluan në fregatë! Kemi të drejtë të pyesim sot: A ka zot ky vend? E nëqoftëse ka, ku janë? Piratit të deteve, Haxhi Alia nuk i shpëtonte nga syri asnjë pirat i huaj, kurse «Guardias pushtuese» të pajisur me radarë modernë e mjete europiane të kohës, gomonet e mbushura me trafikantë të qënieve njerëzore, me drogë e mallra kontrabandë, kalojnë nën hundën e tyre.

Kujtime, ngjarje, mbresa nga më të ndryshmet ruan njeriu në kujtesën e tij. Në mënyrë të veçantë, ato që nuk harrohen kurrë janë kujtimet e atyre viteve që kalon në vendet tejet të vështira, siç është Ishulli i Sazanit. E vetmja që mund të përballojë vështirësitë është shoqëria e mirë, shoqëria pa komplekse dhe interesa, shoqëri që e lidhin vetëm vuajtjet e vështirësitë e shumta. Kjo shoqëri më ka lidhur edhe mua me Jashar Alushin, Naim Muhajn, Ibrahim Gaxhollin,Hasan Oparakun, Kujtim Hysajn, Pandi Shollën, Avni Dinon e shumë e shumë të tjerë. Kemi jetuar atje me vite të tëra. Fëmijët e Hasanit, Jasharit, Naimit, Pandit, Kujtimit e qindra të tjerëve, lindën e u rritën atje. Ky mall e detyron Hasan Oparakun, i cili megjithëse ka vetëm pak ditë që ka bërë një ndërhyrje kirurgjikale në zemër, të mos ndahet nga shokët e të marri një rrugë të mundimshme e të lodhshme për shëndetin e tij, për të mos u ndarë nga shokët. Kështu edhe Jashari që të lërë bashkëshorten e tij në gjendje jo të mirë shëndetësore e të vijë atje, ku kaloi as më shumë e as më pak, por plot pesëmbëdhjetë vjet. Kështu të gjithë... kështu edhe Ibrahim Gaxholli, Naim Muho... Ishin që të dy, Komisar e Komandant të Ishullit, ishin Komanda e Ishullit. Të bashkuar dje, të bashkuar edhe sot, në kohën e «përçarësve» e «grindavecëve» për mustaqet e Çelos, megjithëse jo në gjendje të mirë shëndetësore.

Jemi me qindra, që kemi shërbyer atje për vite të tëra, që mbas më shumë se dyzet vitesh të larguar, vendosëm të shkojmë atje ku kemi kaluar rininë, ku bashkë me Ishullin u rritëm e u burrëruam, e sot jemi në moshën e pensionit. Si të rinj që ishim atëherë, përpara dyzet e tre viteve, nuk e kishim me qejf që të shkonim, por nuk kishim rrugë tjetër, nuk na e lejonte këtë, betimi që kishim bërë. Mbas më shumë se katër dekada që kërkojmë të shkojmë, është e vështirë të marrësh leje nga organet kompetente, të cilët kanë frikë se mos ne u nxjerrim ndonjë «sekret»! Eh! Në ushtri duhet të hash kur nuk të hahet, duhet të flesh kur nuk të flihet», na thoshin dikur. Ishim të rinj atëherë dhe shumë shpejt u mësuam me vështirësitë e kushteve për punë, jetesë e stërvitje. I riu si veriu! Shkojmë në Sazan, mbas dyzet e tre vitesh e dy muaj. Udhëtimi nuk mbajti më shumë se gjysëm ore. I vetmi ndryshim me ato kohëra, kur udhëtonim me anijen prej druri, «Detari» që këtë rrugë, kur deti ishte i qetë e përshkonte mbi një orë e gjysën, e në shumë raste, kur deti «grindej» e përshkonte për më shumë se tre orë. Kapiteni i saj ishte Niko Garo. Kujtoj Kapitenin Niko, i cili ja kishte marrë dorën kësaj anije prej druri që lëkundej si «tapë» mbi sipërfaqen e detit. Kur era frynte nga maja e Llogarasë, kapiteni Niko e kthente timonin në drejtim të Karaburunit, që anija të përfundonte në Ishullin e Sazanit! Në të kundërt, kur era frynte nga gryka e rrjedhjes së Semanit, ai e drejtonte anijen në drejtim të rrjedhës së lumit Seman, që anija të përfundonte në Ishull! Ishte edhe një anije tjetër, me emrin «Kozma Nushi». Kjo ishte metalike, por më e vogël, e cila drejtohej nga Miallaq Pulo. Qenia e saj metalike, e bënte më «trime» dhe më të shpejtë për t’i hyrë dallgëve të detit mespërmes! Lëkundjet e shumta mbi sipërfaqen e detit, bënte që të gjithëve, por sidomos gratë dhe fëmijët të «ndëshkoheshin» rëndë! Sa të lehta dukeshin mbi sipërfaqen e ujit, aq të rënda bëheshin kur ecnin përballë erës! Vetëm Nikua e Llaqi e dinin këtë, të cilëve edhe xhaketa u bëhej ujë nga djersët!

Vështirësitë e shumta të atyre viteve përballoheshin me shoqëri, me miqësi e me një harmoni të tillë që ishte për ta patur zili. Qysh sa vije këmbën në molin e ishullit e deri në majën më të lartë, kishte njerëz dhe me ato mundësi që kishte atëherë, shteti i kishte krijuar të gjitha kushtet që të bëhej një jetë normale, me gjithë kushtet e vështira në furnizimin me ujë dhe energji elektrike. Si të rinj që ishim atëherë, si me të qeshur thoshim se i ngjanim Robinson Kruzosë! Për çdo rast sëmundje apo lindje, anijet luftarake ishin në gatishmëri dhe u vinin në ndihmë më shpejt se sa sikur të ishin në qytetin e Vlorës. Edhe kur dikush shkelte ujrat tona territoriale, anijet tona luftarake, brenda pak minutave ishin në vendin e ngjarjes, ku edhe të huajt, jo vetëm çuditeshin, por edhe e shihnin me sytë e tyre, që ky vend kishte zot! Por nuk ndodhte kështu, kur dikush dëshironte të lidhej e të bisedonte nëpërmjet telefonit me të afërmit e tij, sidomos me ata të zonave të largëta. Duhej të qëndroje me orë të tëra, të kalonte linja telefonike nga njëri central telefonik në tjetrin e megjithatë rrallë mund të lidheshe e të merrje ndonjë lajm nga familjet e të afërmit. Nuk ishte më mirë as kryeqyteti, kur tërë ditën e liridaljes që ishte dita e diel e kalonim në gabinat telefonike, në pritje që centralistja të na lidhte me të afërmit. E në fund të ditës merrnim edhe «shpërblimin»: «Me personin e kërkuar nuk mund të lidheni për arsye të defektit të linjës telefonike, ose personi i kërkuar nuk është paraqitur...»!

Por, le të vazhdojmë me Sazanin. Kishte dyqane, kopshte e çerdhe, kishte shkollë 8-vjeçare, kishte kinema e rrobaqepësi. Të gjitha familjet e ushtarakëve ishin të punësuara. U ndërtuan banesa të reja e pallate në të tri Lagjet e tij. Kudo ndihej atmosfera e punës. Diktaturës komuniste, thuaja tërë të këqijat, por jepi hakun! Diktatura, për interesat e saj e të të gjithëve e bëri Ishullin të ishte «dikushi» në Mesdhe. Por, ne që kemi kaluar atje me dekada të tëra e i kemi shërbyer si «birit» të vetëm, na revoltojnë kur dëgjojmë disa gazetarucë të tipit Bushati and Co, kur na e paraqesin ishullin një shkatërrirë, sikur kështu të ketë qenë gjithmonë për të na «mbushur» mendjen, sikur ai kështu kishte qenë gjithmonë dhe se, me këtë «mburrej diktatura»! Këta tipa gazetarucësh, këta bllokmenucë të llastuar që atëherë, ishin në bebelina nuk kanë moralin të shajnë prindërit dhe vjehrrit e vjehrrat e tyre se nuk kishin me çfarë të mburreshin! Ata kishin me çfarë të mburreshin përpara këtyre «musybetëve» të sotëm, që ua rrëmben bukën «kaposhi» nga duart, e u lë «glasat»!

Nuk u provua ndonjëherë në luftë atëherë, as «nëna» as «foshnja» por e vërteta është se ishin të pa papushtueshëm, qoftë nga ajri qoftë nga deti, qoftë nga toka, sikur edhe me muaj të tërë të luftonin. Nuk kishte vallë, çfarë t’u tregojë turistëve? Le t’ua tregojnë ato turistëve duke i treguar edhe «prapësitë» e Diktaturës, por edhe «mbarësitë» e demokracisë! Çfarë kanë më shumë për të treguar si janë ndërtuar i Piramidat e Egjyptit, përpara bunkerëve, tuneleve të betonuara, vëndkomandave e Pozicioneve të zjarrit të armëve të rënda në majat e maleve? Të gjitha këto, janë ndërtuar nga ushtarë e kuadro, duke mbajtur në shpinë me qindra metra larg, edhe ujin, edhe çimenton edhe rërën, edhe blloqet e betonit, mbasi terreni nuk lejonte kalimin e mjeteve e makinave! Punonim e sakrifikonim në ato vite, për ta bërë «koracën tonë të padepërtueshme»! Sot, turistët e vizitojnë Ishullin e Sazanit, vetëm duke i ardhur rreth e rrotull e duke e soditur nga larg. E shohin me sy dhe «plasin» me zëmër, për të parë se çfarë ka në brendësi! Vitet ikin e kohët ndryshojnë. Mbas kaq vitesh, le të hyjmë e të «zbulojmë» se çfarë ka në këtë krijesë të mrekullueshme të natyrës. Demokracia ka krijuar kushte për ndryshime të shpejta në Shqipëri, dhe me siguri edhe në Ishull. Një të vetëm, të vockël, kemi të tillë dhe jo si bota, që kanë me dhjetra e qindra e i mbajnë në «pëllëmbë të dorës»!

Vijon... /ZgjohuShqiptar.info

KOMENTONI

Loading...
Loading...
Name

Aktualitet,7560,Camëri,108,Editorial,1594,Ekonomi,396,Emra për djem,38,Emra për vajza,36,Enciklopedi,81,Histori,1248,Iliridë,243,Kosovë,2239,Kulture,614,Luginë,39,Moti,2,Politik,1691,Reportazh,150,Rezultatet Live,2,Shtypi,77,Sondazhe,7,Sport,470,Video,477,
ltr
item
Zgjohu Shqiptar: Ishulli i Sazanit, “foshnja” e braktisur që s’pat “nënë” kurrë!
Ishulli i Sazanit, “foshnja” e braktisur që s’pat “nënë” kurrë!
Ishulli i Sazanit, “foshnja” e braktisur që s’pat “nënë” kurrë!
https://4.bp.blogspot.com/-DHkAG17C0LU/W2C-ThA3yoI/AAAAAAAAXPs/VBWFey2zePE2qbPdn4U2pcBXUAUskEz2QCLcBGAs/s640/Ishulli-i-Sazanit-905x395.jpg
https://4.bp.blogspot.com/-DHkAG17C0LU/W2C-ThA3yoI/AAAAAAAAXPs/VBWFey2zePE2qbPdn4U2pcBXUAUskEz2QCLcBGAs/s72-c/Ishulli-i-Sazanit-905x395.jpg
Zgjohu Shqiptar
http://www.zgjohushqiptar.info/2018/07/ishulli-i-sazanit-foshnja-e-braktisur.html
http://www.zgjohushqiptar.info/
http://www.zgjohushqiptar.info/
http://www.zgjohushqiptar.info/2018/07/ishulli-i-sazanit-foshnja-e-braktisur.html
true
269073700948665522
UTF-8
Ngarkuar te gjitha postimet Nuk gjendet ndonje postim SHIKO TE GJITHA Lexo me Shume Repliko Hiq Repliken Fshi Nga Kreu FAQET POSTIMET Shiko te Gjitha REKOMANDUAR PER JU LABEL ARKIVA KERKO TE GJITHA POSTIMET Nuk u gjet asnje material sipas kerkeses tuaj Kthehu te Kreu E Diel E Hene E Marte E Merkure E Enjte E Premte E Shtune Hen Mart Merk Enj Pre sht Die Janar Shkurt Mars Prill Maj Qershor Korrik Gusht Shtator Tetor Nentor Dhjetor Jan Shk Mar Pri Maj Maj Qer Gush Sht Tet Nen Dhj menjehere 1 minute me pare $$1$$ minutes ago 1 ore me pare $$1$$ hours ago Dje $$1$$ days ago $$1$$ weeks ago me shume se 5 jave me pare Followers Follow THIS CONTENT IS PREMIUM Please share to unlock Kopjo te Gjithe Kodin Selekto te Gjithe Kodin All codes were copied to your clipboard Can not copy the codes / texts, please press [CTRL]+[C] (or CMD+C with Mac) to copy