Parlamenti debaton për dështimin e regjistrimit

, Parlamenti debaton për dështimin e regjistrimit

Parlamenti i Maqedonisë ka nisur debatin për shfuqizimin e Ligjit për regjistrimin e popullsisë dhe ndërprerjen e operacionit të regjistrimit.

Një debat i ashpër ka pasuar midis deputetëve të pozitës dhe opozitës për propozimin e Qeverisë për ndërprerjen e vlefshmërisë së Ligjit për regjistrim, me të cilin edhe zyrtarisht u ndërpre regjistrimi.

Ministri i drejtësisë, Blerim Bexheti arsyetoi vendimin për dështimin e procesit të regjistrimit, dhe se bëri të ditur se të gjitha materialet do të asgjësohen nga ana e Entit Shtetëror të Statistikave, ndërsa ai gjithashtu informoi se do të paguhen të gjitha harxhimet e bëra lidhur em zbatimin e këtij procesi.

Deputetët e PDSH-së kanë braktisur seancën parlamentare dhe nuk do të marrin pjesë në punën e Parlamentit lidhur me shqyrtimin e procesit të dështuar të regjistrimit. “Ne kemi ndërmarrë këtë hap, pasi që nuk është bërë dialog më i gjërë politik për procesin e regjistrimit, për shkak të mosmbajtjes së takimit të liderëve të katër partive më të mëdha politike dhe për shkak se maxhoranca nuk ka zhvilluar konsultime paraprake lidhur me shfuqizimin e Ligjit që është në rend dite”, theksoi shefi i grupit parlamentar i PDSH-së, Imer Aliu.

Sipas tij, PDSh me kohë ka reaguar lidhur me mënyrën e realizimit të këtij regjistrimi, i cili siç tha ai ka qenë manipulativ. Ai theksoi se shqiptarët në këtë proces kanë treguar vetëdije të lartë, që çoi në dështimin e këtij manipulimi. Aliu nënvizoi gjithashtu se PDSh kohë më parë kishte propozuar shtyerjen e afatit të regjistrimit të popullsisë, me qëllim të mos anashkalimit të shqiptarëve që punojnë përkohësisht jashtë vendit.

LSDM ka drejtuar kritika të ashpra në adresë të Qeverisë lidhur me dështimin e regjistrimit dhe se kjo parti kërkoi që të paraqitet në debatin parlamentar edhe kryeministri Nikolla Gruevski.

“Gruevski duhet të përgjigjet se saktësisht çfarë ndodhi me regjistrimin dhe se cilat janë arsyet për dështimin e plotë. Qytetarët duhet të dijnë se kush ka tentuar që të falsifikoj regjistrimin, dhe se a është dikush nga VMRO-DPMNE, BDi apo faktori ndërkombëtar dhe që duhet të jap përgjegjësi penale dhe politike”, deklaroi deputetja e LSDM-së, Vesna Bendevska.

Deputeti i RDK-së, Izet Zeqiri deklaroi se Qeveria aktuale nuk ka kapacitet për të menaxhuar procesin e regjistrimit të popullsisë.

“Mangësitë kryesore të cilat RDK-ja para fillimit të regjistrimit i shpalosi u verifikuan edhe në praktikë se ishin: koha e gabuar e mbajtjes së regjistrimit, interpretimi kundërthënës i ligjit për regjistrim nga njerëzit kryesor të KQR për kategorinë e mërgimtarëve dhe të qytetarëve pa status të definuar të rezidencës dhe përgatitjet e dobëta për organizmin e regjistrimit”, theksoi Zeqiri.

Deputetja e Partisë për Ardhmëri Evropiane (PEI), Rejhan Durmishi që përfaqëson komunitetin torbesh theksoi se shteti u frikësua se me këtë regjistrim do të formohej strukturë e ndryshuar etnike në Maqedoni.

Seanca parlamentare lidhur me shfuqizimin e Ligjit për regjistrim do të vazhdoj nesër, kur pritet debatet midis pozitës dhe opozitës.

Regjistrimi i popullsisë i filluar më 1 tetor rezultoi i dështuar dhe u ndërpre vetëm 5 ditë para përfundimit të afatit zyrtar që ishte paraparë më 15 tetor.

Nga faqa ne facebook: Te behemi 50.000 veta kunder regjistrimit te fese & kombesise.Loje e Grekut —> “Shperndaje”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button