Dovolani Boxing – të parët e boksit shqiptar në SHBA

Në mesin e bashkatdhetarëve të shumtë që jetojnë dhe veprojnë në SHBA, veprojnë shumë shoqata e klube të ndryshme sportive amatore. Nuk mungojnë as figura të njohura të jetës shoqërore, shkencore e artistike, që me talentin dhe shkathtësitë e tyre janë imponuar shoqërisë dhe estradës amerikane.
Këto ditë, është formuar edhe një shoqatë, që është shndërruar në Kompani, shkollë, klub e cka jo, për sportet luftarake.
Bëhet fjalë për Kompaninë “Dovolani Boxing”, që sipas idesë së themeluesve, do të jetë një pikë grumbullimi të shumë të rinjve të grupmoshave të ndryshme, për të ushtruar boksin, këtë sport mjaft të popullarizuar luftarak ndër shqiptarët.
“Ideja për të formuar këtë kompani boksi lindi falë njohjes dhe kontakteve me boksier të ndryshëm, por vendimtare ishte prania dhe përkushtimi ndaj boksit e boksierit nga Struga, Nasi Hani. Ai u shndërrua në një figurë emblematike ndër shqiptarët, kur është fjala për boksin”- është shprehur Ajet Dovolani, një biznesmen tepër i suksesshëm, që vendlindjen e tij-Dibrën e ka zëvendësuar me SHBA. Ai, -Ajet Dovolani, edhe më parë ka ndihmuar sportistët shqiptar kudo, por tani e ka thelluar bashkëpunimin e tij me boksin, duke u “infektuar” me ringun. “Më ka infektuar Nasi Hani dhe e kam vështirë të shërohem nga ky “infektim”, sepse goditja kryesore ndodhi në Gjermani, kur ai mposhti për pak sekonda kundërshtarin. Ai moment ishte vendimtar”-theksoi Ajet Dovolani, përkundër modestisë së tij.
Vetë Nasi Hani lidhur me formimin e kësaj Kompanie të boksit, që është Kompania e parë e këtij lloji të shqiptarëve në SHBA, për Agjencinë INA u shpreh: “Është vërtetë kënaqësi të jesh i rrethuar me njerëz të tillë që çmojnë dhe vlerësojnë në këtë mënyrë sportin-boksin. Kam kaluar shumë kampe të boksit, kam edhe eksperiencë dhe besoj se tërë këtë do të mund ta transmetoj edhe tek shumë të tjerë që kanë interesim të merren qoftë edhe si amator me këtë sport, e sidomos grupmoshat e reja që do ta kenë një kënd të tyre, sepse kjo do të jetë edhe një shkollë e boksit, sidomos për fëmijët shqiptar të bashkatdhetarëve tanë. Paralelisht me angazhimin tim këtu, unë do të vazhdoj karrierën time profesioniste pa shkëputje”-përfundoi Nasi Hani.
Në stafin drejtues, ku fjalën kryesore e ka Ajet Dovolani, si drejtues është emëruar Dritan Dovolani, shumë i njohur në SHBA, si Tony Dovolani, nga “Dancin with the Stars show”.
Për kryetrainer është angazhuar Fernely Feliz, trajner tepër i suksesshëm në SHBA dhe jashtë, me sukseset e tijë duke u angazhuar me shumë kampion të botës në peshat e ndryshme.
“Ajo që ka rëndësi të potencohet është se Kompania “Dovolani Boxing” është e regjistruar dhe funksionon konform dispozitave të ligjeve dhe rregullativës së SHBA-së. “Dovolani Boxing” kemi pasë rast ta promovojmë edhe në tubimin “Kuq e Zi” në tubimet e shqiptarëve në Nju Jork, ku na janë bashkangjitur edhe shumë artist nga Shqipëria, Kosova etj, siç është rasti me Frederik Ndocin, artistin dhe këngëtarin e mirënjohur shqiptar”-përfundoi Nasi Hani. (INA)

Beji “Like” me poshte faqes ne facebook ” Zgjohu Shqiptar !!! “Me pas klikoni ketu per ta shperndare ne profilin tuaj. Faleminderit !

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button