Flet ministri Klosi: Makinat e para 2009, skema për daljen nga qarkullimi dhe si do bëhet zëvendësimi

Këtë do të bëjë nëpërmjet një pakete masash ligjore dhe rregullative që do të nisin zbatimin në 6-mujorin e parë të vitit që vjen. Sipas ministrit të Turizmit dhe Mjedisit Blendi Klosi, zëvendësimi do të bëhet gradual, duke i dhënë mundësi të gjithëve të kalojnë në një mjet më të mirë se ai që kanë, duke minimizuar në maksimum kostot.

“Kush ka makinë shumë të vjetër, do ketë mundësinë të marrë një makinë të përdorur, por në moshë jo shumë të madhe duke përfituar nga taksat më të ulëta dhe nga incetivat për nxjerrjen jashtë qarkullimi të një mjeti shumë të vjetër. Kush ka makinë të përdorur, por jo shumë të vjetër përmes incentivave mund të blejë një mjet të ri me 0 km”, shprehet Klosi.

Në një intervistë dhënë për “Panorama”, ministri bën me dije edhe masat që parashikohen të ndërmerren për importin e makinave, si edhe formulën e re të taksimit që do të nisë të aplikohet.

Çështjet mjedisore në përgjithësi dhe reduktimi i nivelit të ndotjes kanë qenë në pararojë të axhendës suaj si ministër. Një ndër masat e parashikuara për të bërë të mundur këtë është edhe rinovimi i flotës së automjeteve. Si parashikohet që të bëhet kjo?

Në axhendën tonë nuk ka pararojë. Sa i takon mjedisit, apo pastrimit nga mbetjet i të gjithë territorit të vendit, ne duam ta zhvillojmë në të gjithë planet e mundshme. Për këtë, kemi nisur konsultimet me të gjithë ekspertët e fushës, përfaqësuesit e shoqërisë civile, qytetarë të thjeshtë që vuajnë apo përballen çdo ditë me problematikat e mjedisit.

Për ne pastërtia është gurëthemeli, mbi të cilën do të ndërtojmë një strategji të plotë e cila do të shtrihet si operacion në 6 muajt e parë të vitit 2018. Ne synojmë që brenda vitit 2020, sikundër ka deklaruar edhe Kryeministri Rama, Shqipëria të jetë shumë më e pastër, krahasuar edhe me vendet e rajonit.

Përgjatë kësaj periudhe dhe në përmbyllje të saj ne kërkojmë të kemi përmbushur edhe objektivin për mbjelljen e 20 milionë e 200 mijë pemëve. Pra, strategjia jonë e re është “pastro dhe gjelbëro”, ku përveç pastrimit do të fokusohemi edhe te rehabilitimi i ambientit. Vetëm pasi ta kemi bërë këtë, do të kemi të gjithë mekanizmat e nevojshëm që të mos arrijmë në këtë pikë ku jemi.

Kjo nuk mund të bëhet me një aksion pastrimi, por kërkon një angazhim gjithëpërfshirës. Padyshim, aksionet janë një instrument i rëndësishëm dhe do të vazhdojnë çdo javë në të gjithë vendin.

Në këtë fushatë do të kërkojmë të mobilizojmë biznesin lokal, institucionet shtetërore, ushtrinë, përfaqësuesit e shoqërisë civile, shkollat për të krijuar bindjen e plotë se të gjithë duhet të pastrojnë. Për sa i përket pyetjes suaj, makinat janë një nga ndotëset kryesore. Mbi bazën e një studimi që kemi realizuar, kemi arritur në përfundimin se Shqipëria ka flotën më të vjetër të automjeteve në rajon. Janë makina, që jo vetëm kanë një kosto shumë të lartë mirëmbajtjeje, por kanë edhe një kosto të jashtëzakonshme sa i takon mjedisit. Për këtë arsye kemi kërkuar që ne të zhvillojmë një aksion, i cili do të shtrihet në katër sektorë.

Cilët do të jenë këta sektorë?

E para, është bllokimi me mekanizma ligjorë i mosfutjes më në vendin tonë të makinave që kanë dalë prej shumë kohësh nga qarkullimi në Europë. Në duam që shkallë-shkallë të mos lejojmë futjen e këtyre automjeteve të vjetra në Shqipëri, duke iu krijuar mundësi biznesit, por edhe qytetarëve që të jenë të përgatitur. E dyta, po aq shumë i rëndësishëm është trajtimi i makinave në fund të jetës.

Ne do të ndërtojmë një filozofi të re për sa i përket kësaj kategorie. Ato do të shkojnë drejt demontimit të plotë, duke i hequr pjesët e vlefshme. E treta gjë që duam të bëjmë, është që të kemi një filozofi të re të trajtimit të skrapit, apo pjesëve fundore të makinave. Mjafton të ecësh në një nga rrugët kryesore të Tiranës, përkatësisht rruga nga Zogu i Zi në Kombinat mund të ketë rreth 6, 7 apo edhe 10 pika skrapi.

Në të gjithë Tiranën kemi evidentuar plot 180 pika që grumbullojnë pjesë makinash, mbetje nga të gjitha llojet, që krijojnë në qytet një situatë krejtësisht jashtë çdo parametri të lejuar. Prandaj, edhe ne do të kërkojmë standarde të reja në pikat e përpunimit dhe grumbullimit të skrapit. E katërta gjë që duam të bëjmë, në kuadër të fushës së makinave, është që ne të planifikojmë së bashku me Ministrinë e Transportit dhe bashkitë hartimin e një pakete me lehtësirat e nevojshme fiskale për të lejuar futjen e makinave elektrike në vendin tonë, si një mënyrë për të reduktuar ndotjen.

Në operacionin e madh që është ndërmarrë për pastrimin e Shqipërisë, pjesa e makinave, më duhet të them, është një ndër pjesët më të studiuara dhe më të detajuara. Ka pasur përpjekje gjatë këtyre viteve për përmirësimin e situatës, por ne mendojmë që tani ka ardhur koha që për mjedisin dhe turizmin të flitet duke iu dhënë peshën dhe rëndësinë që duhet.

Të rikthehemi tek zëvendësimi i flotës së automjeteve, për ta bërë më të qartë, çfarë masash do të ndërmerren?

Shqipëria para viteve ‘90 nuk ka pasur eksperiencë me automobilin, sa kohë ai ishte i ndaluar për përdorim privat. Ishte normale që, në fillimet e demokracisë, qeveritë të kenë pasur një politikë nxitëse e lehtësuese për importin e veturave, e mjeteve dhe që në vijim ka pasur një inerci në këtë fushë, pa vendosur kufizime në importin e tyre.

Edhe kur filloi të ndiqej një politikë kufizuese në periudhën para vitit 2005, ajo u modifikua, fatkeqësisht, nën ndikimin e krizës ekonomike botërore që e preku veçanërisht fushën e automobilit nga viti 2008 e më pas me heqjen e penalizimeve materiale që përfshiheshin në taksën doganore të mjeteve motorike, që u bënë zero që nga gushti 2011.

Kjo lloj mosndërhyrje ka çuar në situatën kur në vend flota ka arritur afro 500 mijë mjete, por mosha mesatare e mjetit në përdorim është mbi 20-vjeçare, pra, shumë më e lartë se ajo e Europës së Bashkuar që e ka poshtë 10 vjetëve.

Nuk ka formë tjetër ndërhyrjeje, përveçse masat ligjore e rregullative e, për këtë, nuk ka arsye të shpikim rrotën, ne do të mbështetemi në direktivat europiane në këtë fushë të industrisë apo aktivitetit ekonomik.

Sigurisht, hapat që do hedhim do të mbajnë parasysh që kjo të prekë sa më pak shtresat në nevojë e më pak të mbrojtura, por pa neglizhuar edhe detyrimin që të mbrojmë qytetarët këmbësorë nga gazrat e dëmshëm që këto mjete sjellin.

Zëvendësimi do të bëhet gradual, duke i dhënë mundësi të gjithëve të kalojnë në një mjet më të mirë se ai që kanë, duke minimizuar në maksimum kostot. Kush ka makinë shumë të vjetër do ketë mundësinë të marrë një makinë të përdorur, por në moshë jo shumë të madhe duke përfituar nga taksat më të ulëta dhe nga incetivat për nxjerrjen jashtë qarkullimi të një mjeti shumë të vjetër. Kush ka makinë të përdorur, por jo shumë të vjetër përmes incentivave mund të blejë një mjet të ri me 0 km.

Cili do të jetë pragu për importin e makinave?

Qeveria ka një objektiv të qartë europiane dhe adaptimi i legjislacionit do të orientohet nga direktivat europiane në çdo fushë të jetës. Në Europë sot nuk mund të regjistrosh për qarkullim një mjet, që nuk plotëson normat Euro 6 për gazrat që lëshon në atmosferë.

Ne nuk do të jemi kaq drastikë që ditën e parë, se e dimë që një masë e tillë do të sillte frenim e kufizim për shumë qytetarë, por po studiojmë që ajo të jetë efektive dhe në masën që të kufizojë e penalizojë në maksimum hyrjen e mjeteve që ndotin më shumë dhe të krijojë mundësinë për një rinovim gradual të flotës në qarkullim. Opinioni i ekspertëve anon në adoptimin fillestar të nivelit të Standardi Euro 5 që, për situatën ku jemi, duket se është pragu i duhur për vendin tonë.

E këtu po flasim për mjete që fillojnë nga viti 2009 dhe mbushin shumë shpejt 10 vjet përdorimi. E rëndësishme për ne është që të përdorim një legjislacion transparent e të kuptueshëm për qytetarët, që ata të mos bien pre e abuzimit sa kohë që kemi ende një situatë tregu informal në shitblerjen e mjeteve, dhe mbase edhe kufizimi kohor, pra, me vit prodhimi mund të jetë për t’u konsideruar.

Ju përmendet vendosjen e pragut për importet, por a do të aplikohen instrumente nxitës për importimin e mjeteve Euro 5 dhe Euro 6?

Ne ndodhemi në një situatë ku vendi është i tejmbushur me mjete shumë të vjetra, që përpos mungesës së theksuar të sigurisë rrugore janë një nga shkaktarët kryesorë të ndotjes së mjedisit dhe të rritjes së simptomave dhe sëmundjeve që lidhen me sistemin respirator. Është në interesin e të gjithë shoqërisë që këto mjete të dalin nga qarkullimi dhe forma më e mirë është që vlerën e tyre ta çojmë si incentivë për blerjen e një mjeti Euro 5 dhe Euro 6. Për këtë po punojmë me institucionet për të arritur në një përfundim, që e gjithë shoqëria të përfitojë një vlerë të shtuar pa dëmtuar askënd financiarisht. Sikurse e preka edhe më lart, do të konsiderojmë masa të ndryshme për nxitjen e importit të mjeteve të reja dhe për këtë na ndihmon eksperienca botërore. Do të nxisim me incentiva materiale heqjen nga qarkullimi të mjeteve që janë nën normat Euro 3 të ndotjes, sikurse po vlerësojmë edhe mundësinë të promovojmë edhe ulje të çmimit, mbase me uljen e TVSH-së për ato të reja.

Mjetet motorike ekzistuese janë përkatësisht M dhe N me nivel shkarkimi Euro 1 dhe Euro 2. Si do të shkohet tek standardi Euro 3, sikundër e parashikon vendimi i miratuar disa muaj më parë?

Për mjetet Euro 1 dhe Euro 2 mund të arrihet të shkojnë në nivelin Euro 3, duke bërë një investim që nuk i kalon 1.000 euro në varësi të vitit të prodhimit dhe markës. Por, ne po punojmë që të ofrojmë mundësinë për t’i nxjerrë nga përdorimi këto mjete dhe më shumë pak kosto përdoruesit të kenë mundësi të marrin një makinë të paktën Euro 4’ me të cilat janë tejmbushur të gjithë trotuaret buzë rrugëve të Shqipërisë’ duke krijuar një situatë të papranueshme.

Ndryshime do të ketë edhe në nivelin e taksimit. Si do të bëhet?

Kjo është një temë që prek më shumë Ministritë e Financave e Transportit, me të cilat po koordinojmë masat që duhen marrë, por ajo që mund të them është se ne jemi nga vendet e pakta në botë që ende nuk i kemi përcaktuar makinës (veturës) një status luksi. Kudo në Europë mjeti vlerësohet pothuaj edhe si shtëpia apo apartamenti për vlerën e taksës që duhet të paguajë, dhe kjo e lidhur kryesisht me fuqinë motorike dhe çmimin.

Sigurisht do të jemi të kujdesshëm që kjo barrë të jetë më e lartë për ata që përdorin mjetet e luksit e me cilindrate të madhe motorike dhe që janë të gatshëm të paguajnë shumë më tepër për statusin e tyre social, dhe më e ulët për një mjet me cilindrate të ulët e që përdoret nga familjarët për biznesin e tyre e me të cilin furnizojnë dyqanin apo shpërndajnë produktet e prodhuara në fshat.

Nga ana tjetër, ajo për të cilën po punojmë si ministri është vlerësimi i një takse për ndotjen e që lidhet me nivelin e masën e ndotjes që prodhon çdo mjet me gazrat që lëshon. Sot, taksimi kryesor për ndotjen bëhet tek karburanti.

Po punojmë për një skemë taksimi sipas standardeve evropiane, që do të thotë; sa më e vjetër makina, sa më e madhe fuqia motorike e saj, aq më e lartë do të jetë edhe taksa. Nga ana tjetër, mjetet ekologjike Euro 5 dhe 6, që nuk ndotin ambientin, duhet të përfitojnë taksa më të ulëta, duke u bërë edhe financiarisht më atraktive. Nuk do rri pa përmendur edhe një risi në Shqipëri, që lidhet me makinat elektrike e për të cilat do të përpunojmë një strategji të veçantë nxitjeje të përdorimit, veçanërisht në qytet.

Numrat janë ende të ulët, por e ardhmja është aty e ne nuk duhet të humbasim kohë, por duhet të paraprijmë me përgatitjen e legjislacionit, e rregullave për lehtësimin e hyrjes së tyre në treg.

Kur pritet të kalojë për miratim strategjia e re?

Për sa i përket strategjisë sonë “Të pastrojmë Shqipërinë që duam” e gjitha ndërtohet mbi bazën e analizës që ne duhet të bëjmë se cilat janë problematikat ligjore, që kanë krijuar hapësirën për krijimin e një situate të tillë mjedisore, çfarë nuk ka funksionuar si duhet dhe si duhet ndë- rhyrë për të forcuar rregullat dhe për ta vendosur çështjen mjedisore në shinat e duhura të stabilitetit.

Ne do të vazhdojmë për të kuptuar aksionet që duhet të ndërmarrim dhe hapat që nevojiten për këtë reformë që sapo kemi nisur. Për të gjitha këto, kemi kërkuar bashkëpunimin e ekspertëve të fushës. Për çdonjërën nga fishat e strategjisë sonë “Të pastrojmë Shqipërinë që duam” kemi grupe ekspertësh që po punojnë. Ajo që jemi përpjekur të bëjmë si institucion qendror politikëbërës, është që të hapim bisedën me sa më shumë faktorë dhe aktorë për të pasur rezultatet që duam.

Çfarë duam të bëjmë ndryshe kësaj radhe, është ti japim rëndësinë e duhur çdo fishe të projektit tonë madhor. Një ndër analizat që ne aktualisht kemi ndërmarrë është ajo për të evidentuar situatën e gurorëve në vendin tonë.

Janë rreth 1100 leje minerare, pika grumbullimi inertesh, miniera, pika grumbullimi gëlqeresh, të cilat në shumicën dërrmuese janë evidentuar problematika sa i takon efektet apo impaktit të tyre në mjedis. Kështu guroret në malin e Tomorit janë pezulluar, guroret në malin e Krujës janë duke u studiuar dhe për të 319 guroret që ka vendi ynë jemi duke bërë një analizë të hollësishme, për të kuptuar se cilat janë problematikat që ka ky lloj biznesi për të krijuar kaq shumë ndotje. Kjo nuk do të thotë se ne jemi kundër biznesit të guroreve, por ama jemi kundër që ky biznes të zhvillohet kundër shoqërisë.

KOMENTONI

Loading...
Loading...
Name

Aktualitet,7914,Camëri,108,Editorial,1693,Ekonomi,415,Emra për djem,38,Emra për vajza,36,Enciklopedi,81,Histori,1277,Iliridë,250,Kosovë,2357,Kulture,623,Luginë,48,Moti,2,Politik,1770,Reportazh,153,Rezultatet Live,2,Shtypi,79,Sondazhe,8,Sport,493,Video,493,
ltr
item
Zgjohu Shqiptar: Flet ministri Klosi: Makinat e para 2009, skema për daljen nga qarkullimi dhe si do bëhet zëvendësimi
Flet ministri Klosi: Makinat e para 2009, skema për daljen nga qarkullimi dhe si do bëhet zëvendësimi
Flet ministri Klosi: Makinat e para 2009, skema për daljen nga qarkullimi dhe si do bëhet zëvendësimi
https://2.bp.blogspot.com/-hBxOHIukVAQ/WjkguFBIFuI/AAAAAAAAMtg/RjWxk0W4ZcYpS9xywdywQ7QMJlALlTt1QCLcBGAs/s640/klosi1.jpg
https://2.bp.blogspot.com/-hBxOHIukVAQ/WjkguFBIFuI/AAAAAAAAMtg/RjWxk0W4ZcYpS9xywdywQ7QMJlALlTt1QCLcBGAs/s72-c/klosi1.jpg
Zgjohu Shqiptar
https://www.zgjohushqiptar.info/2017/12/flet-ministri-klosi-makinat-e-para-2009.html
https://www.zgjohushqiptar.info/
https://www.zgjohushqiptar.info/
https://www.zgjohushqiptar.info/2017/12/flet-ministri-klosi-makinat-e-para-2009.html
true
269073700948665522
UTF-8
Ngarkuar te gjitha postimet Nuk gjendet ndonje postim SHIKO TE GJITHA Lexo me Shume Repliko Hiq Repliken Fshi Nga Kreu FAQET POSTIMET Shiko te Gjitha REKOMANDUAR PER JU LABEL ARKIVA KERKO TE GJITHA POSTIMET Nuk u gjet asnje material sipas kerkeses tuaj Kthehu te Kreu E Diel E Hene E Marte E Merkure E Enjte E Premte E Shtune Hen Mart Merk Enj Pre sht Die Janar Shkurt Mars Prill Maj Qershor Korrik Gusht Shtator Tetor Nentor Dhjetor Jan Shk Mar Pri Maj Maj Qer Gush Sht Tet Nen Dhj menjehere 1 minute me pare $$1$$ minutes ago 1 ore me pare $$1$$ hours ago Dje $$1$$ days ago $$1$$ weeks ago me shume se 5 jave me pare Followers Follow THIS CONTENT IS PREMIUM Please share to unlock Kopjo te Gjithe Kodin Selekto te Gjithe Kodin All codes were copied to your clipboard Can not copy the codes / texts, please press [CTRL]+[C] (or CMD+C with Mac) to copy