Medalja e Skënderbeut, si u përdor simboli në pullën e postës

Tej reve të zeza dhe mjegullës së dendur që mbuloi historitë e kombit pas pushtimit osman e në rrethanat kur nuk na lejohej shkrimi i gjuhës, vështirë të shihje se do mbeteshin në kujtesë rrugët  dhe vendet ku e kishin hedhur fatet. Humbën dhe ato pak gjëra që dinim për veten, ndërsa botët tona të largëta nga shekulli i XV mbeten si dëshmi vetëm në ato çka të tjerët shkruan për ne. Dhe shkruan pak, pamjaftueshëm për të na kursyer nga trillimet, hamendësimet e legjendat.

Ngjarje të tëra janë humbur në terrin e errësirës, mes tyre dhe ato që lidhen me figurën e pamjen e njeriut që ndikoi aq shumë në ngjizjen e kombit, Gjergj Kastriot Skënderbeut. Në këtë vit, që është shpallur “I Tij”, shumëkush, por veçmas historianët, orvaten të hulumtojnë ndonjë gjë e të nxjerrin nga terri të dhëna që i shërbejnë historisë.

Një të tillë shërbim të çmuar i ka bërë historisë edhe kërkuesi i apasionuar, Aurenc Bebja. Fatlumi, të cilit përmes këtij shkrimi i shpreh përgëzimet, zbuloi para do kohe se në vitin 1912, në Romë, Shtëpia Botuese “Bontempelli e Invernizzi” ka botuar një libër të Vico Martegazza të titulluar “L’ Albania”. Në faqen 17 të librit botohet foto e një medaljeje të krijuar nga skulptori dhe medalisti Heinrich Kautsch. Shkarazi ky zbulim, nëse do ta quajmë të tillë, në pak rreshta gjeti publikim te disa të përditëshme informative, të cilat ishin kopje të njëra-tjetrës.

Njoftimi shpejt u harrua, askush nga historianët nuk denjoi të bëjë ndonjë koment për medaljen, përpos studiuesve të filatelisë e numizmatikës. I jemi mirënjohës z. Aurenc, sepse me publikimin e fotos së medaljes plotësoi detaje historike që na mungonin. Është pamja e kësaj medaljeje, me pak ndryshime, që u bë  pulla e parë e vërtetë e shtetit të pavarur shqiptar. “E para”, nëse vulat, mbishtypjet dhe improvizimet e gjashtë emisioneve të mëparshme të Qeverisë së Përkohëshme të Vlorës do t’i vlerësonim, me të drejtë, me elementët bazë të munguar ose të pjesshëm.

Shtoj, se ishte menduar të ishte e para, çka nuk ndodhi për shkak të rrethanave që nuk vareshin nga qeverija.

Në rrethet e disa breza koleksionistësh-filatelistë të Shqipërisë, ishte e njohur se kjo pullë, me gjashtë vlera nominale, e emëtuar dhe e hedhur në përdorim si tarifë shërbimi në 1 dhjetor 1913, ishte marrë si model nga një medalje. Fillimisht kjo ishte bërë e njohur nga koleksionisti gjerman Helmut Shapash, në studimin e tij, “Geheimnisvolles Briefmarkenland Albanien”, por askush as e kish prekur dhe as e kish parë medaljen apo foton origjinale të medaljes. Studiuesi John S.

skenderbeu

Phipps sjell në botimin e tij, “The stamps and posts of Albania and Epirus from 1878 to 1945”, të dhënën e nxjerrë nga revista e ilustruar, “L’Echo”- de Paris-1914, se Heinz Kautch ishte skulptor parizien dhe një filatelist i shquar e se “...kish marrë porosinë të modelonte një medalje që do përkujtonte revolucionin shqiptar”. Mesa duket,shkruan Phipps, porositësi, që me gjasa ishte përfaqesues i qeverisë shqiptare, ndryshoi mendim dhe e pa më të leverdisshme që modelin ta përdorte për prodhimin e pullave postare.

 Portreti i heroit në pullën postare, kopje e medaljes, ishte e para që i paraqitej masivisht popullit. Përmes saj do njiheshin me pamjen e heroit kombëtar. Skënderbeu i medaljes (për rrjedhojë edhe i pullës postare) është paraqitur nga gravuristi në profil, me kokën kthyer djathtas, me mjekër të gjatë, hundë të dukshme shqiponjë dhe mban në kokë përkrenaren, mbulesa luftarake e krenit, që e simbolizon atë. Kjo pamje, që siç do shpjegojmë më poshtë s’ishte përpos se pjellë e imagjinatës, u përdor më pas gjerësisht, jo vetëm në pullat postare, por në simbole të tjera të shtetit shqiptar, monedha e kartmonedha, medalje, urdhëra e dekorata.

Nuk ekziston asnjë dokument që të provojë se porositi i medaljes ishte shteti shqiptar, siç nuk dimë se kush shqiptar e njihte këtë artist me emër të madh në modelimin e medaljeve dhe që atë kohë jetonte në Paris. Po nga J. Phipps dimë se H.Kautch na paska ngelur i pakënaqur prej ndryshimit të destinacionit të modelit dhe këtu mbyllet çdo mundësi për të gërmuar më tej.

Pra, si përfundim, medalja, veç ndonjë mostre, ndoshta, të përgatitur si model, nuk është prodhuar! Ajo që dimë e që është e njohur, lidhet me personalitetin e artistit krijues, Heinrich Kautsch, për të cilin, për shkak të të bërit pjesë në historinë e gravurave të Skënderbeut, do të gjeni të shkruar diçka shkurtimisht:

Kush ishte Heinrich Kautsch?
Autori i medaljes, i lindur në vitin 1859, kreu studimet e para në qytetin ku lindi, në Pragë, dhe më pas u bë një student në Shkollën e Artit në Vjenë. U trajnua nga babai i tij, i cili ishte një argjendar dhe u specializua si skulptor e medalist, duke fituar çmime në ekspozita e konkurime në vitet 1876, 1878, 1897 dhe një medalje argjendi në vitin 1900. Emëri i tij u bë shumë i njohur, ju besuan deri medalje për perandorin Franc Jozef. Ai u largua nga Viena për të shkuar në qendrat kryesore të artit në Itali, Francë dhe Gjermani.

Në vitin 1882 u kthye në Pragë si profesor në Shkollën Perandorake të Arteve të Aplikuara. Si një medalist dhe skulptor i mirënjohur, Kautsch shërbeu si anëtar i jurisë i Arteve të Bukura në Panairin Botëror të Çikagos të vitit 1893 dhe ishte Zëvendës President i Jurisë në ekspozitën e Parisit në vitin 1900.

Puna e tij u nderua me medalje të arta në Ekspozitat Botërore në St. Louis në vitin 1904 dhe Liège në vitin 1905. Në vitin 1904 përfaqesoi departamentin franko-amerikan në ekspozitën ndërkombëtare në Kunstpalast-Dusseldorf. Kur shpërtheu Lufta e Parë Botërore në vitin 1914, Kautsch u kthye në Vjenë. Përveç medaljeve, Heinrich Kautsch gjithashtu krijoi një numër monumentesh të mëdha, të cilat ndodhen në Amsterdam, Pragë dhe Salzburg. Heinrich Kautsch vdiq në Vienë në vitin 1943. Herë pas here, medalje të modeluara prej tij dalin për shitje në ankandin online, Ebay.com.

 Në dukjen e figurës që na sjell z. Aurenc Bebja prej librit “L’Albania”, të formohet përshtypja se bëhet fjalë për një mostër metal argjendi, me pamje të dukëshme e të “prekshme” të gërmave që duken se ngrihen mbi sipërfaqen bazë, duke shfaqur hijezime që krijohen nga shtrirja e relievit. Nuk ka asnjë të dhënë për diametrin e peshën.

Mbase edhe faqja e pasme mund të ketë patur ndonjë shkrim, siç ishte tradita e dedikimit, çka mbetet e pa njohur. Në medaljen e H.Kauntsh, në gjithë perimetrin që rrethon imazhin, shtrihet me gërma kapitale shkrimi: GHERG.KASTRIOTI.A.SKANDERBEGU.MBRET.I.SHCIPERISE. Në mes, horizontalisht, majtas imazhit -1404- dhe djathtas imazhit -1467.

Në pullën postare teksti dhe vendosja pëson disa ndryshime: Në perimetrin rrethor, majtas, SKANDËRBERGU dhe sipër e djathtas, MBRETI I SHQIPËTARËVET. Poshtë është shtuar GJERGJI KASTRIOTI dhe është pastruar sipërfaqja horizontale e mesit nga vitet e gabuara të lindjes dhe vdekjes. Pullat dhe kartat postare me pamjen e Skënderbeut do ishin dhuratë e qeverisë italiane.

Grafisti i shtypshkronjës në Torino, krahas gërmëzimit gabim të emrit, duke qenë se pulla është katërkëndëshe, 24x30 mm, rrethin me pamjen e heroit ai e ka dekoruar në të katër këndet me kurorë dafine, si simbol i lavdisë, paqes e sigurisë.

Tashmë është e provuar se pamja e Gjergj Kastriotit në këtë medalje nuk i përgjigjet të vërtetës. Kritikët e artit, shqiptarë e të huaj, janë të mendimit se pamja e vërtetë e Skënderbeut vjen nga trashëgimia muzeale e koleksionistit dhe humanistit të famshëm, Paolo Giova, kopje të të cilave ka Galeria Uffizi dhe kopje të tjera të shpërndara në galeri arti shtetërore dhe private. Prej kohësh një pjesë e mendimit kritik këmbënguli se një portret i tij, që merret si pamja e vërtetë, ishte vepër e Belinit.

Të tjerë sjellin kundërargumentin se kjo ska ndodhur. A i ka bërë portret Xhentile Belini Gjergj Kastriot Skënderbeut? Është kjo një pyetje të cilës i kanë ardhur rrotull dhjetra studiues shqiptarë, italianë, austriakë e gjermanë, kanë kundërshtuar njëri-tjetrin, kanë pohuar e mohuar, por gjithçka  mbulohet nga tisi i misterit. Argumenti më kryesor që anon nga Jo-ja.

vjen ngase historianët janë të një mendjeje se Skënderbeu nuk ka qenë kurrë në Venedik, për të pozuar për Belinin dhe shkuarja e tij në Itali njeh vetëm vizitat në Romë e Napoli. Kristo Frashëri dhe Ferid Hudhri sjellin të tjera mundësi kontakti të artistit me luftëtarin e krishterimit.

Të kthehemi te medalja! S’dihet asgjë se kush e kontaktoi për të porositur medaljen, ashtu siç nuk dihet as edhe destinacioni i shpërndarjes së medaljes. Nga u nis H. Kautsch për krijimin e miniportretit? Mendimi i parë vjen ngase atij, si austriak, ndoshta i ishte dhënë mundësia të kish parë koleksionin e mrekullueshëm në Kështjellën e Ambras-Tirol, armët dhe përkrenaren e Skënderbeut dhe kopje të portretit, por jo! E vërteta del të jetë ndryshe.

Heinrich Kautcht, si miniaturist duhet të ketë kopjuar e marrë si model një tjetër Skënderbe. Bëhet fjalë për Skënderbeun-gravurë, botuar si ilustrim, në veprën e Amand Schëeiger- Lerchtenfel-Oriente, në vitin 1878, në Milano. Skënderbeu i H.Kautsh përdorur në medaljen e publikuar në vitin 1912 është pothuaj identik me Skënderbeun-gravurë të publikuar në vitin 1896, pra 36 vjet më parë. Ndryshimet janë të vogla.

Ato nuk prekin tiparet, por vrehen paksa te përkrenarja, e cila i shmanget me ndonjë detaj formës së gravurës, që për mendimin tim i afrohet më mirë përkrenares në Ambras. Autori i gravurës mbetet i panjohur. Historiani ynë i shquar, i ndjeri Kristo Frashëri, na kujton se prej kësaj gravure u ndikuan të tjerë piktorë e shkrimtarë, si J.Panarit, Th.Gjini, N.Martini, S.Rrota, M. Toptani.

Madje dhe Skënderbeu i O.Paskalit duket që ka ndikime nga kjo pamje e gravurës së “Anonimit”. Portreti i këtij “anonimi”, i mbartur në medalje nga Heinrich Kautsch, duke qenë se shfaq jo plakun e “Belinit”, por një figurë karizmatike që përcjell luftëtarin, u përdor dhe vazhdon edhe sot e kësaj dite të përdoret si model e shëmbëlltyrë frymëzimi kombëtar.

Nga Ëiedi, Republika e Parë dhe Mbretëria, nuk pati përdorim të figurës së Skënderbeut në Urdhërat shtetërorë, përpos përkrenares që u përdor e stilizuar në disa urdhëra e shënja. Në medaljet, modeli i Heinrich Kautsch, i kopjuar nga botimi i gravurës së Amand Schëeiger- Lerchtenfel-Oriente, është përdorur për herë të parë në vitin 1939, për Milicinë Shqiptare. Më pas, me Urdhërin Hero Kombëtar të vitit 1945. [shih: A.Lame, Medaljet Shqiptare, 081, metali Ar 22 kt, 50 mm] Ndryshimi me modelin Kautch janë stilizimi i flokëve të rritur që bien mbi supe dhe profili majtas, por jo tiparet.

Ky model Skënderbeu u prodhua edhe pullë poste me tre vlera, 2.5, 5 e 8 lekë, në mars të vitit 1951. I njëjti imazh, por më i zvogluar dhe profil djathtas, përsëritet te Urdhëri i Skënderbeut [shih: A.Lame, Medaljet Shqiptare, 091 metali Ar; 092 metali Argjend; 093 Argjend i numëruar].

 Në monedhat e kartëmonedhat e para kombëtare do ishte në nderin e shtetit shqiptar (siç u veprua vite më pas) që të vendosej në kartëmonedhë jo portreti i Ahmet Zogut, por Skënderbeu. S’dihet pse  portreti i Skënderbeut u përdor “i pa dukshëm” në filigranën e kartëmonedhës 20 Franga të vitit 1926, (e dukshme vetëm në efektin e ndriçimit). Governatori italian dhe dizenjuesi për herë të parë nxjerrin dhe përdorin në këtë filigranë Skënderbeun e Galerisë Uffizi.

Portreti qendron në anën e djathtë të anës rectum, futur në rrethin eliptik të përmasave 40x44 mm. Miniatura e Skënderbeut të Heinrich Kautsch u shfaq në anën rekto të monedhës së arit, 20 Franga (6.45 gr. me pasterti 900/1000) të vitit 1926 dhe 1927, e prodhuar në dy versione: në Romë për qarkullim në masë dhe në Vienë si monedhë prove.

Emëtimi i 1 majit të vitit 1945, e ngjashme me ndryshimet në Urdhrin Hero Kombëtar dhe Urdhrin e Skënderbeut, e kishte modelin e portretit te të katër vlerat. Në vitin 1949 dhe 1957 modeli H.Kauntch u vendos në vlerat 50, 500 e 1000 lekë. Në vitet 1964 dhe 1976 një model me disa stilizime të heroit ishte në vlerat kartmonedhë 50 lekë. I ngjashëm me sa sipër pothuaj se ishte dhe Skënderbeu i kartëmonedhës 1000 lekë i viteve 1992, 1994 dhe 1996./Shqiptarja.com/ZgjohuShqiptar.info

KOMENTONI

Loading...
Loading...
Name

Aktualitet,7914,Camëri,108,Editorial,1693,Ekonomi,415,Emra për djem,38,Emra për vajza,36,Enciklopedi,81,Histori,1277,Iliridë,250,Kosovë,2357,Kulture,623,Luginë,48,Moti,2,Politik,1770,Reportazh,153,Rezultatet Live,2,Shtypi,79,Sondazhe,8,Sport,493,Video,493,
ltr
item
Zgjohu Shqiptar: Medalja e Skënderbeut, si u përdor simboli në pullën e postës
Medalja e Skënderbeut, si u përdor simboli në pullën e postës
https://1.bp.blogspot.com/-qYW_j1qQdPM/WmWqlaOOvCI/AAAAAAAAPxQ/T-mbbtuzKHUSENecz7gfCPUG-6YlKdHtwCLcBGAs/s640/321135_m.jpg
https://1.bp.blogspot.com/-qYW_j1qQdPM/WmWqlaOOvCI/AAAAAAAAPxQ/T-mbbtuzKHUSENecz7gfCPUG-6YlKdHtwCLcBGAs/s72-c/321135_m.jpg
Zgjohu Shqiptar
https://www.zgjohushqiptar.info/2018/01/medalja-e-skenderbeut-si-u-perdor.html
https://www.zgjohushqiptar.info/
https://www.zgjohushqiptar.info/
https://www.zgjohushqiptar.info/2018/01/medalja-e-skenderbeut-si-u-perdor.html
true
269073700948665522
UTF-8
Ngarkuar te gjitha postimet Nuk gjendet ndonje postim SHIKO TE GJITHA Lexo me Shume Repliko Hiq Repliken Fshi Nga Kreu FAQET POSTIMET Shiko te Gjitha REKOMANDUAR PER JU LABEL ARKIVA KERKO TE GJITHA POSTIMET Nuk u gjet asnje material sipas kerkeses tuaj Kthehu te Kreu E Diel E Hene E Marte E Merkure E Enjte E Premte E Shtune Hen Mart Merk Enj Pre sht Die Janar Shkurt Mars Prill Maj Qershor Korrik Gusht Shtator Tetor Nentor Dhjetor Jan Shk Mar Pri Maj Maj Qer Gush Sht Tet Nen Dhj menjehere 1 minute me pare $$1$$ minutes ago 1 ore me pare $$1$$ hours ago Dje $$1$$ days ago $$1$$ weeks ago me shume se 5 jave me pare Followers Follow THIS CONTENT IS PREMIUM Please share to unlock Kopjo te Gjithe Kodin Selekto te Gjithe Kodin All codes were copied to your clipboard Can not copy the codes / texts, please press [CTRL]+[C] (or CMD+C with Mac) to copy