Sami Frashëri dhe Abetaret Shqipe

Sami Frashëri dhe Abetaret Shqipe

nga Prof. dr. Njazi KAZAZI

UNIVERSITETI I SHKODRËS

“Luigj Gurakuqi”

Abstrakt

Samiu qe njëkohësisht autor i idesë dhe zbatues i veprës. Tek abetarja ai shihte librin bazë për shqiptarët e asaj kohe, atmosfera përreth të cilëve mbizotërohej nga shkollat e huaja. Tek abetarja ai nuk shikonte vetëm tekstin mësimor që do t’u jepte shqiptarëve shprehitë e lexim-shkrimit në gjuhën amtare, por shikonte edhe konsolidimin e mësonjëtoreve shqipe të asaj kohe, shikonte gurin e themelit në formimin e brezave që do të ngrinin shtetin shqiptar.

Sami Frashëri ka hyrë në historinë e kulturës shqiptare jo vetëm si ideolog, enciklopedist, përkthyes, erudit, filozof e sociolog, por edhe si pedagog, didakt dhe autor tekstesh shkollore.[1] Tashmë janë të njohura idetë e tij për zhvillimin e arsimit kombëtar, hapjen e shkollave dhe deri te universitetet shqiptare që u shpalosën në veprën-program të Rilindjes Kombëtare “Shqipëria ç’ka qenë, ç’është dhe çdo tëbëhetë” (Bukuresht, më 1899).

Rëndësinë e shkollës, rolin dhe funksionin e saj Samiu e shprehu edhe në “Emsalet” (Fjalët e urta) e tij që i botoi më 1879. Të tilla si: “Nuk ka jetë njerëzore pa arsim,Fëmija duhet të marrë mësim para se të bëhet 7 vjeç dhe edukimi i tij duhet të fillojë ditën që lind”, tregojnë domosdoshmërinë që ndjente Samiu për ngritjen e arsimit të organizuar si dhe moshën shkollore kur duhet të fillojë ky arsimim. Në tërësi, ato shpallin synimet e përparuara të Samiut në fushën e arsimimit dhe të edukimit të fëmijëve të moshës shkollore.

Është fakt i njohur dhe tepër domethënës që në mësonjëtoret shqipe, që nga viti 1879 e deri më 1909, pra për tridhjetë vjet me radhë, u përdorën, veç të tjerave, edhe abetaret e Sami Frashërit, gjithsej pesë. Ai ndoqi kështu rrugën e hapur nga Naum Veqilharxhi, Konstandin Kristoforidhi dhe Daut Boriçi dhe çoi me tej traditën e krijuar prej tyre.

Në “Historinë e abetareve shqipe…”, në radhën e rreth 225 botimeve, që janë bërë për abetaret, S. Frashëri zë vendin e nderit për numrin e botimeve të tij.

E para prej tyre“Alfabetare e gluhësë shqip” (Ndë Konstandinopojë, mbë1879, ndë shkronjështypjet të A. Zeliçit, 136 fq.), është fryt i një pune kolektive. Samiu aty përfaqësohet, veç të tjerave, edhe me pjesën: “Gjuha Shqip”vlera atdhetare, mësimore dhe edukative e së cilës është se transmeton ide programatike, ushqen bindje me vlera kombëtare, jep nocione të reja të cilat kanë të bëjnë me formimin e botëkuptimit të ri për kombin, për gjuhën, për fenë. Në kushtet e pushtimit turk, ai shtron çështjen e mësimit të gjuhës amtare, si shenjë dalluese e kombit, dhe shkrimit të saj me një alfabet të ri etj., sepse, “Sot është dita, -shkruante Samiu,- q’edhe Shqipëtarëtë të zënë të shkruajën’ e të këndojënë gjuhën’ e tyre, që të mundinë të ruajënë kombinë”.[2]

Në veprën që përmendëm “Alfebetare e gluhësë shqip”, Samiu ka hartuar edhe tekstin e abetares, ku paraqet idetë e tij për mësimin e gjuhës shqipe.

Në mbulojën e “Alfabetres…” Samiu nuk harron të vendosë citatin e Naum Veqiharxhit : Kurrkush me mend të vet / mos mburret se diç gjet / pa dashtun i Madhi Zot / fletë pema s’lëshon dot. /

Për rilindësit, ngritja e mësonjëtoreve kombëtare, krahas krijimit të një sistemi arsimor në të gjithë vendin, ishte një kusht i domosdoshëm për realizimin e programit të ngjeshur në fushën e kulturës.

Në këtë kuadër hartimi dhe botimi i abetareve shqipe ishte një ndër rrugët më të sigurta për përvetësimin e gjuhës së shkruar shqipe nga masat e popullit. Rruga për çlirimin kombëtar për atdhetarët – rilindës, kalonte nëpërmjet mësimit të gjuhës amtare, sepse: “Kombetë mbahen nga gjuhëtë; një komb që humbet gjuhën’ e vet ësht’ i humbur dhe i harruar edhe ay vetë…Kështu janë humbur shumë kombe të vjetëra që shohim nëpër istorirat e s’i gjejmë sot mbi dhe”.[3]

Përveç vlerave atdhetare e qytetare që përmban kjo abetare, veçohet për disa parametra që e bëjnë të dallueshme, ndër të cilat theksojmë:

Tirazhi: prej 20 mijë kopjesh (kujtojmë se ajo u botua 135 vite më parë) që përbën një shifër rekord për çdo lloj botimi, deri në vitet ’40 të shek. të kaluar.

Sasia e faqeve, 136: Është tregues tjetër sasior dhe cilësor i saj. Një vëllim i tillë është ndeshur rrallë në historinë e abetareve shqipe.

Përhapja e saj e gjerë: Teksti u shpërnda të mënyrë të rrufeshme në të gjitha trojet etnike shqiptare, 10 mijë kopje u shpërndanë vetëm në Kosovë. Teksti u botua për shkollat shqipe që do të hapeshin në vazhdim në Shqipëri, por u dërgua dhe në kolonitë shqiptare si në Sofje, Bukuresht, Egjipt etj. Qenia e këtij teksti edhe në shumë biblioteka shtetërore dhe vetjake, është një treguar i përhapjes së gjerë, është tregues i shërbimeve që i solli gjuhës dhe shkollës shqipe.

Përdorimi: Disa shkrime të “Alfabeteres…” u drejtoheshin edhe shqiptarëve të çdo moshe, pa dallim krahine, ideje e feje, për të arritur synimet e mëdha në fushën atdhetare e arsimore- kulturore.

Ndikimi në tekstet e mëvonshme dhe tradita që krijoi: Ajo ndikoi fuqishëm në hartimin e abetareve të mëvonshme, hodhi themelet e teksteve shkollore [4]

1886, ai botoi në Bukuresht tekstin mësimor për klasën e parë “Abetare e gjuhësë shqip” (82 faqe). Nga ana didaktike, teksti i përmbahet metodës fono-silabike. Një sistem i tërë ushtrimesh dhe përsëritjesh i hartuar nga didakti Sami Frashëri, prej 40 njësish mësimore i kushtohen kësaj faze të parë të përvetësimit të mekanizmit të të lexuarit. Nga ana e përmbajtjes abetarja përfshin pjesë të përpunuara didaskalike. Ato janë nga prozat e para artistike të letërsisë për fëmijë. Shumë prej tyre i kanë qëndruar kohës dhe kanë hyrë në fondin klasik të kësaj letërsie, sepse kanë strukturë të thjeshtë, fjalor të zgjedhur e ngarkesë emocionale në përshtatje me moshën. Të tilla, si: “Dheu është flori”, “Mbollën të tjerët, hëngre ti, mbill ti, të hanë të tjerët”, “S’ka gogol”, “Mos e fshih fajin” etj., i kemi ndeshur në shumë abetare të mëvonshme.

Po në vitin 1886, Samiu përgatiti dhe botoi edhe tekstin tjetër mësimor “Shkronjëtore e gjuhësë shqip”.Gramatika dhe abetarja përfaqësonin në atë kohë dy tekste bazë për mbajtjen në këmbë të një mësonjëtoreje të parë (fillore) kombëtare: njëra për mësimin e lexim-shkrimit, tjetra për mësimin e gjuhës së shkruar dhe të folur shqipe.

Si pedagog, ai na jep rrugët dhe mjetet e punës për konkretizimin e ideve të tij, forca e të cilave do të çonte në përgatitjen dhe formimin e breznive me idealet e çlirimit kombëtar dhe shoqëror. Ndaj në këto tekste mësimore ndeshemi me përkufizime të nocioneve të tilla si: komb, gjuhë shqipe, shqiptar etj. Një numër i madh termash gjuhësore që praktikohen në gjuhën e shkollës, janë rreshtuar në këtë vepër.

1888, vetëm dy vjet pas botimit të parë, u bë ribotimi i saj po në Bukuresht, nga Shtypshkronja e Shoqërisë “Dituri” (81 faqe).

1900, u bë ribotimi i tretë i kësaj abetareje, përsëri nga e njëjta shoqëri, po në Bukuresht, por vetëm me një ndryshim të vogël faqesh (79 faqe).

Pas vdekjes së Samiut, abetarja e tij u botua për të katërtën herë. Kësaj radhe jo me nistoret S. H. F., por me emrin e tij të plotë /ABETARE e gjuhësë shqip/ Prej SAMI BEJ FRASHËRIT/ dhe jo më në Bukuresht, ku ishte shtypur tri herë, por në /Konstandinopojë/ Në shtypëshkronjët “Rrufeja”/, 1909 (63 faqe).

Nuk kemi rënë në gjurmë se kush e ndoqi ribotimin e saj. Në këtë botim bie në sy heqja e pjesëve të leximit “Kristofor Kolombi” dhe “Jakobi e Josifi” e në vend të tyre janë zëvendësuar me dy të reja. Në këtë botim është shtuar gjithashtu “Abeceja shqip”, shoqëruar me shpjegime të shkronjave në përqasje me frëngjishten dhe turqishten. Tirazhi i abetareve të Samiut mendojmë të ketë qenë i madh dhe përdormi i gjerë, mbasi kopje të tyre kemi ndeshur në të gjitha trevat e Shqipërisë. Teksti nuk ka as parathënie, as pasthënie. Me siguri që botimin e saj e ka shtyrë nevoja që u ndje për abetare pas vitit 1908, kur lëvizja për hapjen e mësonjëtoreve mori një shtrirje të gjerë.

Në korpusin e plotë[5] të veprave të Sami Frashërit ka këtë shënim bibiografik: “Sa ishte gjallë autori vepra “Abetare e gjuhësë shqipe është botuar tri herë (1886, 1888,1900 në Bukuresht). Pas vdekjes është ribotuar përsëri më 1909 (në Kostandinopojë).”[6]

Nga krahasimi i variantit të fundit me tri botimet e mëparshme, vëmë re disa ndryshime në përmbajtje që enti botues, duke dashur ta bëjë të përdorshme edhe në zonat veriore, ka zëvendësuar disa pjesë me të reja, si: një prozë “Mësim gegnisht” dhe një poezi “Djali dhe bilbili”. E para është me fjalë të urta, të përshtatura nga fondi i “Emsalet” të Samiut. Ato përshkohen nga morali klasik dhe edukata teiste.

Abetaret e Samiut u shkruan të gjitha me alfabetin e Stambollit dhe ndikuan shumë në përhapjen dhe afirmimin e tij në masat e gjera të popullit dhe veçanërisht të rinisë shqiptare të kohës. Ato ushtruan gjithashtu një ndikim të fuqishëm në edukimin e ndjenjave atdhetare të autodidaktëve dhe masës së nxënësve. Përmbajtja e tyre dëshmon për kulturën pedagogjike, për qëndrimin konsekuent e pa luhatje të tij.

Këto si dhe veprat e tjera që përmendëm, bashkë me të gjitha shkrimet e tjera të tij me subjekt arsimin dhe edukatën, përbëjnë një trashëgimi të vyer në fondin e zgjedhur të historisë së arsimit tonë kombëtar.

Po çfarë e shtyu Samiun, këtë shkencëtar të madh, këtë enciklopedik filozof, historian, sociolog, autor të “Enciklopedisë historiko-gjeografike” në 6 vëllime, të shpenzonte kohën e tij të çmuar dhe, krahas veprave madhore, të merrej edhe me hartimin e një teksti të arsimit fillor, siç ishte abetarja ?

Së pari, duhet pasur parasysh se Samiu ishte ndër mendimtarët-filozofë të rrallë shqiptarë, që ideoi të ardhmen e Shqipërisë, që përcaktoi rrugët dhe mjetet e realizimit të objektivave të kësaj ideje, duke vlerësuar në radhë të parë arsimin.

Së dyti, Samiu qe njëkohësisht autor i idesë dhe zbatues i veprës. Tek abetarja ai shihte librin bazë për shqiptarët e asaj kohe, atmosfera përreth të cilëve mbizotërohej nga shkollat e huaja. Tek abetarja ai nuk shikonte vetëm tekstin mësimor që do t’u jepte shqiptarëve shprehitë e lexim-shkrimit në gjuhën amtare, por shikonte edhe konsolidimin e mësonjëtoreve shqipe të asaj kohe, shikonte gurin e themelit në formimin e brezave që do të ngrinin shtetin shqiptar.

[1]. Shefik Osmani, Njazi Kazazi: “Abetaret shqipe dhe trajektorja e tyre historiko-pedagogjike”, botim i MASH dhe shtëpisë botuese “Idromeno”, Tiranë, 2000, f. 93.

[2]. Sami Frashëri, “Gjuha Shqip” në “Alfabetare…”, f. 29.

[3]. Po aty, f. 27-28.

[4]. Shefik Osmani, Njazi Kazazi: “Abetaret shqipe…”, f. 98-99.

[5]. Për Sami Frashërin janë botuar, veç të tjerave, edhe: -Rilindja, Prishtinë në 4 vëllime që përfshin edhe monografinë e Zija Xholit, 1978; -Esad Reso, Pikëpamjet filozofike, politike dhe shoqërore të Sami Frashërit. Tiranë, 1980; -Zyber Hasan Bakiu (Kruja), Bibiografi e zgjeruar e veprave të Sami Frashërit. Tiranë 1982; -ASH, I. Historisë, Shaban Çollaku, Mendimi iluminist i Sami Frashërit. Tiranë, 1986; ASH, I. Historisë, Trashëgimia kulturore e popullit shqiptar (S. Frashëri). Tiranë, 1988; -Gazmend Shpuza, Bota iraniane në veprën e Sami Frashërit. “Onufri”, 2004 dhe -Shtëpia botuese LOGUS-A, korpusin e plotë të veprave të Sami Frashërit në 20 vëllime: nga “Shqipëria ç’ka qënë, ç’është e ç’do të bëhet” e deri tek “Mitologjitë”, 2004.

[6]. Shënime bibliografike në fund të “Abetare e gjuhës shqipe” (1886) Logus-A, f. 96.

/ZgjohuShqiptar.info

KOMENTONI

Loading...
Loading...
Name

Aktualitet,8009,Camëri,109,Editorial,1724,Ekonomi,424,Emra për djem,38,Emra për vajza,36,Enciklopedi,81,Histori,1295,Iliridë,251,Kosovë,2382,Kulture,632,Luginë,49,Moti,2,Politik,1780,Reportazh,157,Rezultatet Live,2,Shtypi,79,Sondazhe,8,Sport,494,Video,499,
ltr
item
Zgjohu Shqiptar: Sami Frashëri dhe Abetaret Shqipe
Sami Frashëri dhe Abetaret Shqipe
Sami Frashëri dhe Abetaret Shqipe
https://3.bp.blogspot.com/-anCAfVNJHMc/Wk5n6p4i-NI/AAAAAAAAOBI/GCoxDXm46nwl-S1PkWH1X9VCOnu8SvScgCLcBGAs/s640/gjuha-shqipe1.jpg
https://3.bp.blogspot.com/-anCAfVNJHMc/Wk5n6p4i-NI/AAAAAAAAOBI/GCoxDXm46nwl-S1PkWH1X9VCOnu8SvScgCLcBGAs/s72-c/gjuha-shqipe1.jpg
Zgjohu Shqiptar
https://www.zgjohushqiptar.info/2018/01/sami-frasheri-dhe-abetaret-shqipe.html
https://www.zgjohushqiptar.info/
https://www.zgjohushqiptar.info/
https://www.zgjohushqiptar.info/2018/01/sami-frasheri-dhe-abetaret-shqipe.html
true
269073700948665522
UTF-8
Ngarkuar te gjitha postimet Nuk gjendet ndonje postim SHIKO TE GJITHA Lexo me Shume Repliko Hiq Repliken Fshi Nga Kreu FAQET POSTIMET Shiko te Gjitha REKOMANDUAR PER JU LABEL ARKIVA KERKO TE GJITHA POSTIMET Nuk u gjet asnje material sipas kerkeses tuaj Kthehu te Kreu E Diel E Hene E Marte E Merkure E Enjte E Premte E Shtune Hen Mart Merk Enj Pre sht Die Janar Shkurt Mars Prill Maj Qershor Korrik Gusht Shtator Tetor Nentor Dhjetor Jan Shk Mar Pri Maj Maj Qer Gush Sht Tet Nen Dhj menjehere 1 minute me pare $$1$$ minutes ago 1 ore me pare $$1$$ hours ago Dje $$1$$ days ago $$1$$ weeks ago me shume se 5 jave me pare Followers Follow THIS CONTENT IS PREMIUM Please share to unlock Kopjo te Gjithe Kodin Selekto te Gjithe Kodin All codes were copied to your clipboard Can not copy the codes / texts, please press [CTRL]+[C] (or CMD+C with Mac) to copy