Vendimi për varrezat greke, legalizon, por dhe premton diçka ende të pasigurt

, Vendimi për varrezat greke, legalizon, por dhe premton diçka ende të pasigurt

Çështja e varrezave të ushtarëve grekë të Luftës së Dytë Botërore u rikthye në debatin publik, në morinë e informacioneve në këtë periudhë si ajo e fundvitit 2017, dikur me vemendjen e duhur, dikur pa vemendje, për shkak të intensitetit të ngjarjeve politike. Por kjo ngjarje me të vërtetë meriton vëmendjen publike për shumë arsye dhe duhet vendosur në kontekstin kohor, në kontekstin e domosdoshëm për të kuptuar.Vendimi qeveritar, kuptimi i tijTema u rikthye për shkak të një vendimi qeverie në lidhje me këto varreza. Normalisht Qeveria nuk ka kompetenca territoriale lokale, çka do të thotë se me gjasë nuk po shpallet krijimi i varrezave të reja, veçanërisht nëse nuk nevojiten. Ndaj analiza do duhet nisur pikërisht nga vendimi.

  • A krijohen varreza të reja?

Në vendim nuk flitet se për çfarë varrezash bëhet fjalë. Në këtë kuptim, kush e di se cila është historia e ngritjes së varrezave të ushtarëve grekë në Shqipëri që zë fill me ministrin plotësues Papulias në vitet ’80, do duhet të kuptojë me gjasë çfarë ka ndodhur. Ky vendim nuk ngjan se është një vendim që lidhet me varreza të reja. Varrezat greke të ngritura deri më sot duhen konsideruar (me përjashtim të asaj të Bularatit) si ndërtime pa leje, që priteshin të legalizoheshin, veçanërisht ajo e zonës së Këlcyrës. Pra me këtë vendim, ato legalizohen. Dhe duke u ndërlidhur me ngjarje të pasigurta (a do gjenden eshtra ushtarësh grekë në 129 pika të tjera të supozuara/ ofruara nga ushtria greke), ai nuk përmend emra varrezash të reja. Thjesht duhet supozuar se nëse në 129 pika, do ketë shumë eshtra sa nuk mund t’i mbajnë varrezat ekzistuese, atëherë do të krijohen të reja. Po kush e di këtë? Dhe me cilat ritme do të ecin kërkimet?Ku mbështetet vendimi?Momenti i dytë që duhet nënvizuar, me gjasë në këtë vendim që legalizon, zgjeron, krijon një status për varrezat ekzistuese greke, të cilat nuk ishin legalizuar është baza ligjore e vendimit. Çfarë ka ndodhur dhe pritet të ndodhë është mbështetur mbi një marrëveshje ndërkombëtare midis dy vendeve, marrëveshje e cila nuk kishte akte zbatuese të plota. Një marrëveshje ndërkombëtare si rregull nuk zbatohet automatikisht. Janë vendime qeverie që merren me detaje te zbatueshmërisë.Në themel të këtij zhvillimi të ri është fakti se qeveria Rama, praktikisht është duke respektuar një marrëveshje ndërkombëtare, zakoni i shteteve normale, sepse qeveritë që pasojnë njëra-tjetrën janë të detyruara që të zbatojnë angazhime që kanë marrë paraardhësit. Pra nuk kemi ndryshim në politikë. Nuk kemi një marrëveshje të re, por kemi zbatim të një marrëveshjeje të vjetër.Momenti i tretë është fakti se kjo marrëveshje i jep fund me siguri një periudhe pavendosmërie të autoriteteve shqiptare, kryesisht për shkak të mungesës së akteve nënligjore. E majta kishte lënë pezull zbatimin e plotë të marrëveshjes së nënshkruar nga qeveria Berisha. Këto kërkim-zhvarrime, apo varrime, kishin nevojë për procedura ligjore të komplikuara që lidheshin me vërtetimin e identitetit të ushtarëve të cilat mernin kohë, kërkonin analiza ADN-je etj. Vetëm identifikimi i një ushtari të vetëm i merr kohë të pafundme, jo më i 9 mijë apo 12 mijëve sa pretendonte pala greke, se prehen në territorin shqiptar.Elemente historike të zhvendosjes së ushtrisë greke në ShqipëriKëto ishin disa konsiderata në planin e ngushtë që i referohet fatit të eshtrave të ushtarëve grekë, të vdekur apo të vrarë gjatë Luftës së Dytë Botërore. Kush e njeh historinë e kësaj Lufte e di se pjesa e madhe janë të vdekur për shkak të dimrit të ashpër të maleve shqiptare të Jugut. Pra ata gjetën vdekjen në malet shqiptare me veshje vere-thotë im atë, që është i mbijetuar i Luftës së Dytë Botërore. Ai mban mend ushtarët grekë që shkuan në fshatin e tij, që zbatuan rregullat e luftës edhe duke i marrë fshatarëve ushqim, madje duke i firmosur fatura që me gjasë nuk janë paguar kurrë. Ata u kanë marrë fshatarëve kafshët e tyre të punës për të bërë transport pajisjesh ushtarake, të sëmurësh, etj. Këta trupa u zbythën nga fronti shqiptaro-italian si pasojë e hyrjes së ushtrisë gjermane në zonën e Selanikut nga Bullgaria. Me një farë vonese me hyrjen e trupave gjermane, ndonëse detyra ua donte të mbronin kufirin nga Bullgaria dhe jo të mbanin të pushtuar territore shqiptare në emër të rikthimit të “Vorio Epirit”, të mbijetuarit u tërhoqën.Ky është konteksti historik i kësaj që ka ndodhur. Sigurisht në një kuptim ushtarët grekë që ishin në territorin shqiptar, ishin ushtarë pushtues-siç thonë me të drejtë një pjesë e kritikëve të kësaj marrëveshje firmosur nga qeveria paraardhëse. Ata ishin ushtarë të vendosur në territorin shqiptar pa ftesë të popullit shqiptar dhe në zonën e Jugut, Korçës, Gjirokastrës, Përmetit, kanë dëmtuar shumë xhami, objekte të kultit të fesë myslimane edhe për shkak të paragjykimit ndaj simboleve shqiptare, ndonëse qenë të ushqyer me bindjen se do gjenin një klimë miqësore progreke, ndërsa barazonin ortodoksët pa dallim me grekët etnikë. Patën dhe momente konfliktimi, por dhe momente mëshire të popullit shqiptar, të banorëve të asaj zone.Këtë që po ndodh, mund ta shohim qoftë si legalizim i varrezave tashmë ekzistuese, por dhe si rifillim i procesit të identifikimit të ushtarëve në pika të reja të varreve natyrale në 129 pika të territorit shqiptar, për të cilat autoritetet greke kanë ofruar harta që me siguri janë të sakta. Ushtria greke e kohës ka qenë një ushtri relativisht funksionale, ndonëse siç thotë Çërçilli, për të përkufizuar luftën italo-greke, u përplas ushtria e parafundit e Evropës me ushtrinë e fundit të Evropës dhe fitoi ushtria e fundit.Parapërgatitje e takimit të Korçës me karamele për opinionin publik grekNuk është vetëm ky element që duhet nënvizuar. Ka një plan më të gjerë të analizës që kapërcen çështjen e varrezave. Ky vendim zbatues i një marrëveshje të hershme ngjan se është diçka për të cilët dy palët, Shqipëria dhe Greqia, janë marrë vesh në takimin e Kretës mes dy ministrave, Bushati dhe Kotzias. Ngjan si një përpjekje e sinkronizuar e palës shqiptare me atë greke, për të dhënë idenë se më në fund Greqia po përparon diçka në agjendën historike të vetën në Shqipëri. Po bën diçka, po përparon, por arrin t’i imponojë Shqipërisë një veprim i cili realisht kënaq një pjesë të elektoratit të vet, kryesisht brezi i mesëm e lart, por edhe familjarë, të cilët kanë humbur të afërmit e tyre në territorin shqiptar. Me gjasë edhe për të ushqyer deri diku atë ndjenjën e krenarisë së rrejshme, me të cilën ushqehet një pjesë e shoqërisë greke. Edhe më gjerë akoma: po tentohet të jepet ideja e relaksimit të marrëdhënieve dypalëshe. Shqipëria është marrë vesh me Greqinë që kjo çështje në sytë e opinionit publik grek të shitet sikur Greqia ka marrë një koncesion të madh historik. Kjo ide po përftohet nga fakti se ministri i Jashtëm grek, në një sërë intervistash për mediat greke, me panele të gjera gazetarësh, vazhdon të shpjegojë se çfarë drejtimi pozitiv janë duke marrë marrëdhëniet shqiptaro-greke pas takimit të Kretës. Këto intervista ngjajnë se po përgatisin opinionin në lidhje me atë që pritet të jetë takimi i dytë.Karamelet për grekëtRaundi i dytë i takimeve që do të zhvillohet në Korçë, në janar të këtij viti, do të trajtojë tema relativisht komplekse, me një bagazh historik, që janë paraprirë me diskutime të ashpra gjatë këtyre 78 viteve, apo më shumë. Brenda frymës së relaksimit të opinionit grek, Ministri i Jashtëm Kotzias e vlerësoi hapin e autoriteteve shqiptare që po e çon përpara çështjen e varrezave. Po ashtu, ai vlerësoi faktin që në Himarë u rindërtua kisha e vjetër, ndonëse e vërteta është pak më ndryshe. Autoritetet shqiptare prishën një ndërtim pa leje, që kishte marrë atribute shenjtërimi si kishë duke ngritur në vend të saj një kishë të vogël sipas gjurmës së vjetër historike, të ndërlidhur me kujtimet e arbëreshëve, që e kishin ndërtuar atë kishë në shek e 15-të.Për opinionin publik grek, dy momentet, rindërtimi i kishës së Himarës dhe çështja e varrezave po shiten si përparime, që me siguri ndërlidhet me bisedimet dypalëshe. Brenda intervistës së plotë të Kotzias në fund të dhjetorit 2017, shitet si element pozitiv edhe fakti që Greqia po detyrohet të rishikojë marrëveshjen e detit. Shtrirja e detit territorial grek deri në 12 milje fabul e bërë publike prej Kotzias, megjithatë nuk bind ata që janë ekspertë, njohës të së Drejtës së Detit. Eksperti e di fare mirë se jo çdo përfundim që vlen për Egjeun, vlen dhe për Shqipërinë. Me Shqipërinë lidhet me gjasë ajo pjesë ku hapësira detare që ndan Shqipërinë me Greqinë ka shtrirje të tillë që t’i lejojë nga 12 milje det territorial seicilës-Shqipërisë dhe Greqisë. E kumtuar kështu prej Kotziasit, lajmi ngjan i shitur me gjasë si përpjekje rishikuese e marrëveshjes së vjetër të detit të firmosur nga qeveria Berisha në avantazh të Greqisë. Po se cila është e vërteta, ende nuk është marrë vesh dhe vetëm ekspertët mund ta vlerësojnë realisht.Karamelja për ShqipërinëAjo që ngjan lajm tjetër interesant është që Greqia pranon ekzistencën e ligjit të luftës mes dy vendeve si një bagazh historik, ligjor, i cili meriton të trajtohet me vemendje. Kjo është një pjesë e dashur për mua, që i kam kushtuar kërkime, lexime, një libër, librin tim “Lufta e fundit”, çështja e luftës mes Shqipërisë dhe Greqisë dhe këtu meriton vemendje riprodhimi ose elemente të rëndësishme të deklaratave të ministrit grek Kotzias. Vijon…/ZgjohuShqiptar.info

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button