10 mite, klishe dhe të vërteta zvicerane për Kosovën

A ngasin të gjithë kosovarët e Zvicrës BMW? A ishte Zvicra shteti i parë që e pranoi pavarësinë e Kosovës? A erdhën kosovarët në Zvicër në vitet ‘90? Cilën kulturë politike e sollën në Kosovë ata politikanë që kaluan një kohë në Zvicër? Dhe shumë keqkuptime e mosmarrëveshje të tjera. Një përpjekje për të krijuar pak rregull në përvjetorin e ’10 të pavarësisë së Kosovës.

Nga Enver Robelli

Zvicra ishte vendi i parë që e pranoi Kosovën

Ky argument në Zvicër shpesh përdoret sidomos nga kundërshtarët e pranimit të pavarësisë. Shumica janë politikanë të djathtë, por ka mes tyre edhe gazetarë. Konstatimi se Zvicra ishte vendi i parë që pranoi Kosovën shoqërohet zakonisht me akuza ndaj ministres së atëhershme të Jashtme, Micheline Calmy-Rey, e cila gjoja paskësh shkelur neutralitetin zviceran dhe përkrahur pavarësinë e Kosovës. E vërtetë është se ambasadori i Zvicrës në OKB në një mbledhje të Këshillit të Sigurimit në vitin 2006 e përmendi pavarësinë si zgjidhje. Por pas shpalljes së pavarësisë më 17 shkurt 2008, Zvicra ishte vendi i ’19 që e pranoi Kosovën – pas Kostarikës, SHBA-së, Francës, Afganistanit, Shqipërisë, Turqisë, Britanisë së Madhe, Australisë, Senegalit, Gjermanisë, Letonisë, Danimarkës, Estonisë, Italisë, Luksemburgut, Perusë, Belgjikës, Polonisë.

Nuk ka pasur negociata për zgjidhjen e statusit

Këtë e tha para disa ditësh një gazetar zviceran për një gazetë të Zürichut. Natyrisht që kjo është e pavërtetë. Negociatat e zhvilluara në Vjenë janë ndërmjetësuar nga një i dërguar i OKB-së (Martti Ahtisaari) dhe nga diplomatë e BE-së dhe të Federatës Ruse. Të gjitha këto palë (përfshirë edhe rusët) kanë theksuar në një deklaratë se nuk ka kthim të Kosovës në situatën para vitit 1999. Serbia ka marrë pjesë në negociata, duke arritur që serbëve në Kosovë t’u sigurojë një status të privilegjuar. Nuk ka qenë fare sekret se epilogu i negociatave do të jetë pavarësia. Kur është përmendur pavarësia, delegacioni serb ka zbritur nga treni dhe i është kthyer taktikës së sabotimit.

Kosovarët erdhën në Zvicër gjatë viteve ’90

Ky është një mit i popullarizuar sidomos te gazetarët lokalë. Shqiptarët e parë në Zvicër kanë filluar të vijnë në vitet ’60, kur Italia nuk kishte më punëtorë për të eksportuar sa kishte nevojë ekonomia zvicerane, sidomos në sektorët e punëve të rënda fizike – ndërtimtari dhe bujqësi. Kështu shoqatat e punëdhënësve zviceranë të përkrahura nga qeveria nisën të «importojnë» punëtorë nga Jugosllavia e atëhershme. Ishte një përfitim i dyanshëm: punët e rënda fizike në Zvicër i kryenin shqiptarët, ndërsa autoritetet në Beograd kësisoj arrinin të zbusnin pak situatën e rëndë sociale në Kosovë, një strehë e varfër dhe e lënë pas dore. Me rritjen e presionit politik dhe policor në Kosovë u shtua numri i emigrantëve politikë në Zvicër. Pastaj erdhën mijëra refugjatë pasi Serbia instaloi në Kosovë një regjim aparteidi. Në vitet 1998 dhe 1999 erdhi edhe një valë tjetër e refugjatëve si pasojë e luftës. Pas stacionimit të trupave të NATO-s në Kosovë mbi 30 mijë shqiptarë të Kosovës u kthyen në Kosovë, shumica vullnetarisht.

Kosova u bë e pavarur sepse ashtu deshi NATO

Këtë konstatim absurd e hasa këto ditë në një tekst të portalit zviceran Republik. Sipas kësaj logjike shqiptarët e Kosovës na qenkan një turmë jopolitike, të cilët papritmas takohen diku me gjeneralët e NATO-s dhe ata ju thonë: «Hej, duhet të bëheni të pavarur». Jo, kishte një lëvizje për pavarësi e çlirim kombëtar, e cila kaloi nëpër faza të ndryshme – deri te konflikti i armatosur. NATO ndërhyri pasi Serbia nuk nënshkroi Marrëveshjen e Rambouillet. Kosova pastaj u administrua nga OKB me një rezolutë që territorin e definonte si pjesë të Republikës Federale të Jugosllavisë – një nga iluzionet e mëdha, sepse sidomos pas dekadës së territ e terrorit (1990-1999) për çdo vëzhgues serioz ka qenë e qartë se shqiptarët që do të pranonin sundimin serb mund t’i numërosh në gishtat e dorës.

Të gjithë kosovarët e Zvicrës ngasin vetura BMW

Ka shumë që ngasin BMW, por jo aq sa mendohet. Vetura nga shumë shqiptarë të diasporës ende shikohet si simbol i statusit shoqëror. Sa më shumë kuaj fuqi, aq më i madh nami në nahije – posaçërisht gjatë pushimeve verore. Është një nam artificial, që në Kosovë ka gjithnjë e më pak efekt. E dinë edhe ata atje në shtëpi se shpesh veturat e shtrenjta ecnin me paratë e marra kredi. Dhe fundja kujt mund t’i bësh përshtypje në Prishtinë me një veturë të shtrenjtë me targa të Zvicrës?

Të gjithë kosovarët i ngasin shpejt veturat

Natyrisht që as kjo nuk është e saktë, por, për fat të keq, ka mjaft hajvanë që vërtet janë të papërgjegjshëm në trafik. Dhe rrezikojnë të tjerët dhe veten – jo rrallë nën tingujt e asaj bullshit-këngës «Me jarana nëpër autobana». Para disa vitesh madje dy shqiptarë u kacafytën në periferi të Zürichut për një vend-parkim të veturës. Rezultati: një i vdekur. Raporti i shqiptarit ndaj veturës është si i qengjit ndaj deles: nuk i pëlqen të ndahet prej teneqes mbi katër rrota. Ka qejf të madh që kur del në qytet të pi kafe, para vetes ta ketë veturën, dëshiron ta shohë dhe ledhatojë me sy. Një raport pothuaj erotik. Ky nuk është fenomen vetëm i heronjve të diasporës. Edhe në Kosovë, në Maqedoninë shqiptare e në Luginë të Preshevës mund të hasen plot këso talentesh të rrezikshëm dhe qesharakë.

Kosovarët i keqpërdorin ndihmat sociale dhe sigurimet në Zvicër

Këtu ka diçka të vërtetë. Ka kosovarë që e shohin si mision jetësor t’ua hedhin autoriteteve duke simuluar një sëmundje dhe duke shpresuar se do të marrin një pension invalidor. Pastaj jeta e tyre do të vazhdojë mes shtëpisë «me dy hymje» në Kosovë dhe banesës në Zvicër. Sepse nga Zvicra megjithatë nuk dëshiron të largohet askush, sidomos për shkak të sistemit funksional shëndetësor, pastaj këtu rryma s’ndalet kurrë, as uji dhe në dyqanin e afërt përherë ka diçka «n’lirim». Sa i përket keqpërdorimit të sigurimeve dhe ndihmave sociale: duke qenë se shumica e shqiptarëve që kanë ardhur në Zvicër para tri apo katër dekadave kanë kryer punë të rënda fizike, ata janë më shumë të prekur nga invaliditeti. Kush punon 30 vjet në ndërtimtari, nuk pensionohet me kondicion të Usain Boltit, por shpeshherë me gjendje të mundimshme shëndetësore.

Krejt udhëheqja politike e Kosovës ka jetuar në Zvicër

Kjo është e vërtetë për shumicën e udhëheqësve të tanishëm politikë të Kosovës. Dhe po aq e vërtetë është se shumica prej tyre këtu pothuaj nuk kanë qenë të integruar. Gati asnjëri prej tyre as para, as gjatë, as pas luftës nuk ka qenë në gjendje të flasë relativisht kuptueshëm, ta zëmë, me media. Kushdo që sot i shikon intervistat e Hashim Thaçit dhënë në gjermanisht televizionit zviceran në vitin 1999, duhet ta citoj Rifat Kukajn: «Fol ai, e skuqi unë». Në gjermanisht ekziston një folje për të përshkruar këto situata: «fremdschämen». Duken tejet naive edhe tekstet e disa gazetarëve zviceranë, të cilët pas luftës shkruanin se «themeluesit e UÇK-së» do të sjellin në Kosovë kulturën politike të Zvicrës. Ky qe një ndër konstatimet më absurde dhe më qesharake prej se kanë nisur të shtypen gazeta, madje edhe prej se është kurdisur dynjaja. Të kundërtën e kulturës zvicerane e ka sjellë në Kosovë, për shembull, Azem Syla, duke marrë kundërligjshëm rreth gjysmë milioni franga nga sigurimet e Zvicrës. Dhe krejt këtë komandant Syla në një paraqitje televizive në Kosovë ishte përpjekur ta reduktojë si konspiracion të madh. Tha se në sportelin e komunës së tij në kantonin e Solothurnit po punuaka një grua me mbiemrin «Millosheviq». Vërtet Serbia ka kryer shumë krime ndaj shqiptarëve, por ende nuk ka dëshmi se e ka infiltruar edhe administratën e Solothurnit.

Kosovarët shikojnë vetëm televizione të Kosovës

Në çdo teprim ka diçka të vërtetë. Numri i atyre që janë të informuar mbi zhvillimet në Zvicër mbetet ende modest, ndonëse gati çdo zhvillim prek jetën e tyre të përditshme – ulja apo ngritja e kontributeve për sigurime shëndetësore, parapagimi për radiotelevizionin publik apo heqja e këtij obligimi, siç po kërkojnë qarqet neoliberale. Nga ana tjetër: gati secili kosovar mes St. Gallenit dhe Gjenevës është ekspert (ose shtiret si i tillë) kur bëhet fjalë për Kosovën dhe krejt kompetenca e tyre rrudhet në fjalitë bajate si kjo: «Ata atje poshtë nuk po dinë». Kjo është lehtë të thuhet nga Zvicra, i cili është ndër shtetet më të pasura në botë.

Në fund: presidenti në gazetën e bulevardit

Në përvjetorin e ’10 në mediat zvicerane këto ditë janë botuar disa tekste mjaft informative dhe solide sa i përket cilësisë publicistike. Këtu nuk hyjnë intervistat me figurat udhëheqëse politike të Kosovës. Gazeta e bulevardit «Blick» e kishte pyetur presidentin e Kosovës, mes tjerash, se çka është gjëja më e vështirë kur themelon një shtet të ri? Përgjigjja: «Krijimi i vendeve të punës dhe mirëqenia». Pyetja e radhës: «Papunësia ende është e lartë. Çfarë bëni ju?» Pason përgjigjja epokale e presidentit: «Nëse vizat lëshohen më lehtë dhe nëse hapet tregu europian, atëherë do të ketë një zhvillim të vrullshëm. Në Kosovë jetojnë shumë të rinj inteligjentë, të cilët flasin anglisht dhe gjuhë të tjera. Ata kanë shumë potencial». Presidenti i shtetit shpresën e vetme e ka se si t’ua hapë udhën të rinjve të lëshojnë vendin. Këso deklaratash vetëm ngurtësojnë klishetë për Kosovën jo vetëm në Zvicër./ZgjohuShqiptar.info

KOMENTONI

Loading...
Loading...
Name

Aktualitet,7975,Camëri,108,Editorial,1712,Ekonomi,418,Emra për djem,38,Emra për vajza,36,Enciklopedi,81,Histori,1289,Iliridë,251,Kosovë,2377,Kulture,629,Luginë,49,Moti,2,Politik,1779,Reportazh,156,Rezultatet Live,2,Shtypi,79,Sondazhe,8,Sport,493,Video,498,
ltr
item
Zgjohu Shqiptar: 10 mite, klishe dhe të vërteta zvicerane për Kosovën
10 mite, klishe dhe të vërteta zvicerane për Kosovën
https://3.bp.blogspot.com/-_3ASXGxxLlg/WojL7lUY_4I/AAAAAAAACA8/7J3Gpa-1GE8YfTirao8CFRqPaitYJ3aXACLcBGAs/s640/kosova-.jpg
https://3.bp.blogspot.com/-_3ASXGxxLlg/WojL7lUY_4I/AAAAAAAACA8/7J3Gpa-1GE8YfTirao8CFRqPaitYJ3aXACLcBGAs/s72-c/kosova-.jpg
Zgjohu Shqiptar
https://www.zgjohushqiptar.info/2018/02/10-mite-klishe-dhe-te-verteta-zvicerane.html
https://www.zgjohushqiptar.info/
https://www.zgjohushqiptar.info/
https://www.zgjohushqiptar.info/2018/02/10-mite-klishe-dhe-te-verteta-zvicerane.html
true
269073700948665522
UTF-8
Ngarkuar te gjitha postimet Nuk gjendet ndonje postim SHIKO TE GJITHA Lexo me Shume Repliko Hiq Repliken Fshi Nga Kreu FAQET POSTIMET Shiko te Gjitha REKOMANDUAR PER JU LABEL ARKIVA KERKO TE GJITHA POSTIMET Nuk u gjet asnje material sipas kerkeses tuaj Kthehu te Kreu E Diel E Hene E Marte E Merkure E Enjte E Premte E Shtune Hen Mart Merk Enj Pre sht Die Janar Shkurt Mars Prill Maj Qershor Korrik Gusht Shtator Tetor Nentor Dhjetor Jan Shk Mar Pri Maj Maj Qer Gush Sht Tet Nen Dhj menjehere 1 minute me pare $$1$$ minutes ago 1 ore me pare $$1$$ hours ago Dje $$1$$ days ago $$1$$ weeks ago me shume se 5 jave me pare Followers Follow THIS CONTENT IS PREMIUM Please share to unlock Kopjo te Gjithe Kodin Selekto te Gjithe Kodin All codes were copied to your clipboard Can not copy the codes / texts, please press [CTRL]+[C] (or CMD+C with Mac) to copy