Vajza nga Tirana që po rikonstrukton Londrën

Nga Entela Resuli

Shpesh në Dita kemi gjurmuar shqiptarët e suksesshëm në botë. Ata të cilët punojnë duke lënë një emër të mirë në vendin ku jetojnë dhe angazhohen në profesionet e tyre.

Këtë herë kemi folur me një arkitekte, Dona Hasanaj.

Emri i saj, vitin e kaluar është përmendur në media pasi ishte përzgjedhur si arkitektja që rikonstruktoi “Old Sessions House”, godinë e ndërtuar në shekullin e XVIII dhe që për rreth 100 vite ka shërbyer si Gjykata e Anglisë.

E zhvendosur në Londër që prej vitit 2010, por që vetëm 4 vite pas mbërritjes në ishullin britanik i besohet një projekt ambicioz siç ishte rikonstruksioni i njërës prej godinave më të rëndësishme dhe historike në Londër.

“Në maj të këtij vitit të kaluar, “Burberry” shprehu interesin për ta shfaqur sfilatën në “Old Sessions House” gjatë javës së modës në Londër. Ishte një mundësi shumë e madhe, për vet faktin që godina do t’i hapej publikut për të parë e prekur nga afër koleksionet e “Burberry” ndër vite”, thotë Dona Hasanaj.

Kjo ishte puna që e bëri të njohur shqiptaren Hasanaj dhe sot ajo ka në dorë një tjetër projekt, po kaq të rëndësishëm, rikonstruktimin e London County Hall, një godinë tjetër me vlera historike e cila ka shërbyer si Këshilli i Qarkut të Londrës.

Në këtë intervistë për Dita-n Hasanaj, e cila ka përfunduar studimet me nota të shkëlqyera në Bullgari, na tregon për rrugëtimin e saj, pasionin për arkitekturën, por edhe për fëmijërinë e kaluar në Tiranë.

-Dona, prej 8 vitesh gjendesh në Londër, si ka ndryshuar jeta jote në këtë vend?

Aq shumë saqë më duket sikur i kam jetuar 100 vjet. Unë kam pas një jetë të larmishme sepse që në moshë të vogël kam jetuar në shumë vende dhe çdo eksperienca që kam kaluar në këto vende ka mundësuar zhvillimin tim në aspekte të ndryshme sepse nga çdo vend e kam fituar një kulturë. Për 25 vjetorin i bleva vetes time një biletë avioni për në Londër dhe kur kam ardhur këtu kam ndjerë për herë të parë çdo të thotë të ndjesh Mall. Mall për vendin tënd dhe njerëzit e tu. Kam kaluar shumë sfida, shumë vështirësi dhe gjithashtu momente pafund të bukura dhe të gjitha këto kanë kontribuar në pjekurinë time psikologjike sepse në shpirt jam akoma një vajzë shumë e vogël.

-Thonë, që kur jeton jashtë, në emigrim, të vijnë në mendje shumë kujtime nga e kaluara, fëmijëria, ndodh kjo me ty?

Po, shpesh. Unë kam lindur në Tiranë dhe fatmirësisht kam pasur një fëmijëri shumë të bukur. Në lagjen tonë kishte shumë fëmijë të familjeve të ardhura nga Golloborda e Dibrës si dhe rretheve të tjera të Shqipërisë plus familje Rome dhe ishim të tërë si një familje e madhe pa dallim dhe shumë të hapur dhe të dashur ndaj njëri-tjetrit. Ditët tona ishin të mbushura me lojëra të ndryshme nga njëra shtëpi tek tjetra, aktivitete si sportive ashtu dhe bukurie dhe lagjja gumëzhinte gjithë kohës nga prezenca jonë. Diçka që prej shumë kohësh me keqardhje nuk e shoh më të ndodh.

-Cila është familja jote dhe sa kanë ndikuar ajo në formimin tënd?

Unë jam rritur nga gjyshërit e mi dhe daja në Tiranë sepse prindërit (të dy arsimtar) ishin në pozicione drejtuese në Gollobordë gjatë komunizmit në Shqipëri. Kam pas një lidhje jashtëzakonisht të fortë me nënën dhe dajën tim, i dashuroja pa masë, i adhuroja dhe ishim si tre musketierët. Daja im ka qenë profesor fizike, shumë i aftë dhe talentuar dhe unë ngjaj nga ai sepse kam pas shumë prirje në shkencat ekzakte. Nga gjyshi kam mësuar përpikmërinë, nga gjyshja dashurinë e pafund e të përjetshme, nga daja guximin, nga prindërit e mi taktin, edukatën dhe mos paragjykimin, nga motra ime – ajo është forca ime dhe nga mbesa ime e vogël – dobësinë time.

Dona Hasanaj me gjyshen dhe dajën e saj

-Dona, arkitektura ka qenë zgjedhja jote e parë?

Kur isha e vogël i kisha premtuar dajës që do të bëhesha arkitekte. Në moshën 16-vjeçare fatkeqësisht u njoha me një dhimbje shumë të madhe sepse daja im humbi jetën në një aksident. E kisha harruar fare premtimin e dhënë shumë vite më parë dhe po përgatitesha për Informatikë. Mirëpo, kur unë duhet të aplikoja për bursë për shkollë të lartë në Sofje të Bullgarisë më vjen lajmi që për herë të parë atë vit kishte ardhur bursë për Arkitekturë dhe befasisht m’u kujtua ai moment me dajën tim dhe thashë: – Kjo është – Ky është Fati im. Dhe çdo arritje ja dedikoj atij.

-A duhet të kesh dorë për pikturë që të jesh një arkitekte e mirë, apo nuk ka shumë lidhje?

Heh. Është shumë e çuditshme po këdo arkitekt të pyesësh ose student arkitekture do të të thotë të njëjtën gjë që – Kanë pas dorë për pikturë dhe kanë qenë të mirë në matematikë. Unë e vogël kam pas shumë dorë për pikturë dhe e kisha pasion. Mirëpo edhe pse kisha shumë dëshirë të ndiqja pikturën që në fëmijëri nuk pata inkurajim nga familja me frikën që do përfundoj piktorë dhe s’do kem mundësi të mbaj veten…

-Në media është shkruar për ty, në lidhje me restaurimin e “Old Sessions House”. Na trego pak më shumë për këtë projekt?

Unë në jetën time besoj shumë në shenja, në ndodhira që janë të thëna për t’u bërë dhe ky projekt ka qenë i tillë. Në momentin kur projekti erdhi në zyrën tonë unë isha asistente arkitekture (sipas vlerësimit në UK) dhe as vetë s’e mbaj mend sesi erdhën punët që unë të përfshihem sepse nuk ishte projekt për ekipin tonë. Klientët ishin dy vëllezër nga Suedia në moshë 26 dhe 29 vjeç që kishin blerë gjithë godinën dhe ndryshe nga shumë sipërmarrës të tjerë ata kishin një dëshirë dhe pasion për ta rikonstruktuar godinën në gjendjen origjinale duke qenë se në shekullin e 18 kishte funksionuar si Gjykata e Anglisë për 100 vjet.

Unë isha 28 vjeç dhe ndodhi që arkitekti që e mori përsipër projektin ashtu dhe shefi ynë patën mosmarrëveshje me klientët, më saktë me karakterin e tyre të vështirë dhe maninë për të kontrolluar çdo gjë. Kështu që unë isha i vetmi person me të cilën klientët vendosën të komunikojnë dhe shumë shpejt përfundova ta marr përsipër gjithë projektin. Ne shqiptarët jemi të mësuar me karaktere të vështira dhe komplekse sepse të tillë jemi dhe vetë dhe kjo më ndihmoi të mbaj punën e të fitoj besimin e tyre ndër vite.

-Sa e rëndësishme ishte kjo punë për ty?

Në fillim isha e shokuar sepse nuk isha e përgatitur të merrja përsipër një projekt të tillë por që në momentin e parë e kam dashuruar dhe ajo ndjenje dhe pasioni më ndihmuan ta çoj deri në fund edhe pse kam kaluar momente shumë stresuese, gati të heq dorë nga çdo gjë. Por e gjithë kjo punë për mua ishte shumë e rëndësishme sepse më mësoi t’i jap prioritet dhe rëndësi kohës time dhe të kërkoj llogari e të shpreh autoritet edhe pse e re edhe pse femër. Dua thjesht të përcjell mesazhin që mos ndalohen asnjëherë edhe pse mund të duket shumë e vështirë. Për mua në këtë rast kënaqësia ishte akoma dhe më e madhe për arsyen që hapja ishte pjese e një organizimi madhështor – sfilata e Burberry për javën e modës në Londër.

-Si është një ditë e jotja në Londër?

Dita ime në Londër është punë gjithë ditën. Përpara disa kohësh, sërish më kontaktuan dhe ofruan të punoj e të ndjek projektin tim te ri i cili është London County Hall – një godinë tjetër me vlera historike e cila ka shërbyer si Këshilli i Qarkut të Londrës, një ndërtesë e madhe që ndodhet ngjitur me London Eye. Nga ana tjetër kam shumë dëshirë të filloj të kem projektet e mia, por për momentin e shoh pak të vështirë duke qenë se këto vitet e fundit kam qenë e angazhuar me projekte shumë interesante të cilat nuk i lë dot.

Dona Hasanaj me Richard Rogers në shtëpinë e tij. “Baron Rogers of Riverside është një nga arkitektët që më aspiron”, thotë Dona.

-A vjen shpesh në Shqipëri, si të duket Tirana nga ana arkitekturore?

Në Tiranë kthehem shumë shpesh sepse aty kam familjen time. Tirana më pëlqen shumë këto vitet e fundit sepse serish mund të marrësh fryme lehtë. Nga ana e arkitekturës janë bërë godina shumë moderne dhe të dashura për syrin siç do përmendja kullën TID dhe qendra Toptani, i cili ka qenë projekti im i parë që kam punuar si arkitekte në Shqipëri përpara se të shpërngulem në Londër.

-Sa ndikon arkitektura në gjendjen psiko-emocionale të banorëve? A kanë lidhje me njëra-tjetrën?

Arkitektura ka ndikim shumë të drejtpërdrejtë dhe të fortë si në gjendjen emocionale ashtu dhe psiqike të njeriut sepse pjesën më të madhe të jetës tonë e kalojmë brenda godinave. Estetika është shumë e rëndësishme, por më shumë rëndësi duhet t’i krijohet funksionalitetit dhe komfortit të një ambienti. Në botën perëndimore bëhen shumë kërkime rreth kësaj teme sepse firma të njohura si Google, Lego etj investojnë shumë në cilësinë e zyrave të tyre për të krijuar ambiente më se perfekte për stafin e tyre dhe kjo është si trend momentalisht.

-Sa i rëndësishëm është ambienti ku jeton, lagjja, ndërtimet rreth e rrotull….

Sipas mendimit tim ndërtesat asnjëherë s’duhet të mbikalojnë shkallën e njeriut dmth duhet të ruhet një raport i shëndetshëm si në lartësinë e një godine ashtu në shtrirje e largësi njëra nga tjetra që njeriu gjithmonë të ndihet epiqendra e atij kompoziteti e jo të ndihet i pushtuar ose nënshtruar nga kapitali përqark.

-Dona, nuk e di a e ke venë re, por në Shqipëri, i duam shtëpitë e mëdha, ndërtojmë vila disa katërshe. Pse ndodh kjo?

Sepse ne shqiptarët vuajmë pak nga OCD thonë këtu – jemi pak të fiksuar dhe maniak në sensin që i duam gjërat siç i duam ne dhe pikë. Vetë njeriu në qenien e tij natyrale ka nevojë për hapësirë rreth vetes, të ndihet i lirë, për ajër, për shumë dritë, kontakt të drejtpërdrejtë me natyrën. Banesat e mëdha janë në kulturën tonë për vetë faktin që ne i japim rëndësi shtëpisë dhe kemi dëshirë të kalojmë kohë në shtëpi. Jetojmë në vend mesdhetar ku temperaturat janë të larta, jeta është më e avashtë dhe cilësia, kualiteti i të jetuarit është më i lartë. Unë personalisht në punën time të përditshme nxehem kur shikoj parametrat e shpikura dhe zbatuara në rregulloret e sistemit të dizenjimit duke filluar nga fundi i shekullit 18, por sidomos në vitet moderne ku një dhomë gjumi mund të jetë 6.5m2- aq sa ne kemi banjën! Si mund të qëndrosh në një dhomë të tillë?! Por kjo është më se normale në vendet e perëndimit sepse e para ndërtohet për masën që pjesën më të madhe të kohës e kalon në punë dhe banesa është thjesht hotel dhe e dyta për përfitim.

-Ti je për një shtëpi me shumë apo pak hapësirë?

Unë personalisht hapësire po, por kompakte – e menaxhueshme, shumë xhama sepse e kam të nevojshme kontaktin me të jashtmen dhe shumë dritë.

-Sipas jush, për çfarë ka nevojë Tirana nga ana arkitekturore?

Tirana është një qytet kozmopolit, gjithmonë në transformim dhe zhvillim. Për mua e rëndësishme është të mos harrohen asnjëherë vlerat tona historike dhe kulturore, por gjithmonë të ruhen e të ndërtohet mbi to. E rëndësishme është gjithmonë arsyeja pse ndërtohet diçka, për kë ndërtohet dhe jeta përse i jepet? Njeriu dhe mirëqenia duhet gjithmonë të jenë në piedestal (në këtë rast përdoruesit) dhe përfitimi të jetë si individual ashtu dhe urban. Tirana më së shumti ka nevoje për buzëqeshje, ka nevojë të dëgjohet, t’i shërbehet dhe ka shumë nevojë për brezin e ri të jetë më i pranishëm dhe me i vendosur.

-Ku dhe si jeton një arkitekte?

Një arkitekte jeton shumë thjesht, fatmirësisht arrin të paguaj faturat në fund të muajit sepse Arkitektura, edhe pse shumë e bukur, sfiduese dhe domethënëse, është një profesion humanitar do të thoja dhe jo shumë i paguar. Ne projektojmë hapësira por nuk mund ta përballojmë dot një :).

-Do jetosh në Londër, apo e ke menduar edhe kthimin në Shqipëri një ditë…?

Me duket se po mësohem këtu më në fund sepse gjithmonë kam pas dëshirë të kthehem duke qenë se më ka munguar vendi im dhe familja ime. Me kalimin e viteve kuptoj që për mua ka rëndësi të jem e përfshirë në projekte që më ngjallin interes e më japin sadisfaksion paçka vendndodhjes./ZgjohuShqiptar.info

NA NDIQNI EDHE NE FACEBOOK JU LUTEMI!

KOMENTONI

Loading...
Loading...
Name

Aktualitet,7914,Camëri,108,Editorial,1693,Ekonomi,415,Emra për djem,38,Emra për vajza,36,Enciklopedi,81,Histori,1277,Iliridë,250,Kosovë,2357,Kulture,623,Luginë,48,Moti,2,Politik,1770,Reportazh,153,Rezultatet Live,2,Shtypi,79,Sondazhe,8,Sport,493,Video,493,
ltr
item
Zgjohu Shqiptar: Vajza nga Tirana që po rikonstrukton Londrën
Vajza nga Tirana që po rikonstrukton Londrën
https://4.bp.blogspot.com/-RnBnw36jiQc/WpMYj8WXUdI/AAAAAAAATfQ/Li_by0zU8MkZdN1CySe02zeROFo-c_XcwCLcBGAs/s640/Dona-Hasanaj-905x395.jpg
https://4.bp.blogspot.com/-RnBnw36jiQc/WpMYj8WXUdI/AAAAAAAATfQ/Li_by0zU8MkZdN1CySe02zeROFo-c_XcwCLcBGAs/s72-c/Dona-Hasanaj-905x395.jpg
Zgjohu Shqiptar
https://www.zgjohushqiptar.info/2018/02/vajza-nga-tirana-qe-po-rikonstrukton.html
https://www.zgjohushqiptar.info/
https://www.zgjohushqiptar.info/
https://www.zgjohushqiptar.info/2018/02/vajza-nga-tirana-qe-po-rikonstrukton.html
true
269073700948665522
UTF-8
Ngarkuar te gjitha postimet Nuk gjendet ndonje postim SHIKO TE GJITHA Lexo me Shume Repliko Hiq Repliken Fshi Nga Kreu FAQET POSTIMET Shiko te Gjitha REKOMANDUAR PER JU LABEL ARKIVA KERKO TE GJITHA POSTIMET Nuk u gjet asnje material sipas kerkeses tuaj Kthehu te Kreu E Diel E Hene E Marte E Merkure E Enjte E Premte E Shtune Hen Mart Merk Enj Pre sht Die Janar Shkurt Mars Prill Maj Qershor Korrik Gusht Shtator Tetor Nentor Dhjetor Jan Shk Mar Pri Maj Maj Qer Gush Sht Tet Nen Dhj menjehere 1 minute me pare $$1$$ minutes ago 1 ore me pare $$1$$ hours ago Dje $$1$$ days ago $$1$$ weeks ago me shume se 5 jave me pare Followers Follow THIS CONTENT IS PREMIUM Please share to unlock Kopjo te Gjithe Kodin Selekto te Gjithe Kodin All codes were copied to your clipboard Can not copy the codes / texts, please press [CTRL]+[C] (or CMD+C with Mac) to copy