Ambasadori rus: Qëndrimet e zyrtarëve shqiptarë kundër Rusisë na kanë habitur

Ambasadori rus në Tiranë, Aleksandër Karpushin, flet për emisionin “Java” në RTSH.

Z. ambasador, të dielën mbahen zgjedhjet presidenciale në Rusi. Si priten këto zgjedhje në vendin tuaj? Çfarë do të projektojnë këto zgjedhje në të ardhmen e Rusisë dhe në politikën e jashtme të Rusisë në raport me SHBA dhe vendet e BE-së?

Së pari, dua të falënderoj televizionin tuaj që interesohet për këtë temë. Po, është e vërtetë që më datë 18 mars në Rusi do të mbahen zgjedhjet e radhës presidenciale. Votimi do të organizohet si në gjithë territorin e Rusisë, ashtu edhe jashtë shtetit. Në Rusi do të hapen rreth 97 mijë qendra votimi, ndërsa numri i votuesve është gati 109 milionë njerëz. Ndërkohë që jashtë kufijve të Rusisë do të funksionojnë 400 qendra votimi në 145 vende me disamilionë votues. Edhe këtu në Shqipëri, në Ambasadën tonë do të hapet një qendër votimi për shtetasit tanë, qoftë për ata që ndodhen në vendin tuaj me banim të përhershëm, qoftë për turistët, biznesmenët apo vizitorë të tjerë. Pranë sektorit konsullor të Ambasadës janë të regjistruar gjithsej 430 shtetas rusë që jetojnë në Tiranë dhe në qytete të tjera të Shqipërisë.

Ambasada ka krijuar të gjitha kushtet e nevojshme për votim. Qendra e votimit do të jetë e hapur në selinë tonë më 18 mars që nga ora 8 të mëngjesit deri në orën 8 pasdite. Duke përfituar nga kjo mundësi, dëshiroj të ftoj bashkatdhetarët tanë që të ushtrojnë të drejtën e tyre të votës dhe të marrin pjesë në këtë ngjarje tepër të rëndësishme për vendin tonë.

Në kuadër të zgjedhjeve ruse ka pasur shumë interes të lartë nga ana e vëzhguesve ndërkombëtarë. Numri i tyre do të jetë më shumë se 1 mijë njerëz, të cilët janë anëtarë të parlamenteve, diplomatë dhe jo vetëm. Në mesin e tyre janë edhe 5 deputetë shqiptarë: katër deputetë në kuadër të OSBE-së dhe një deputet do të përfaqësojë Asamblenë Parlamentare të Bashkëpunimit Ekonomik të Detit të Zi.

Duke iu përgjigjur pjesës së dytë të pyetjes, pavarësisht se kush do të fitojë në këto zgjedhje, jam i bindur që prioritetet strategjike kombëtare të Rusisë do të mbeten të qëndrueshme. Dhe për sa u përket marrëdhënieve tona me BE-në dhe SHBA-të, duhet të them që për ne ato janë partnerë të rëndësishëm ekonomikë dhe tregtarë, si edhe në fushën e politikës së jashtme. Siç u shprehën shumë herë drejtuesit e shtetit rus, edhe Presidenti Putin, edhe Ministri i Jashtëm Lavrov, Moska është e interesuar për të ndërtuar një bashkëpunim konstruktiv, stabël dhe të parashikueshëm me Uashingtonin dhe Brukselin, natyrisht në bazë të parimeve të barazisë dhe të respektit reciprok. Dhe suksesi ynë i përbashkët në këtë drejtim do të varet jo vetëm nga presidenti i ardhshëm i Rusisë, por edhe nga partnerët tanë perëndimorë.

Si i shikoni marrëdhëniet aktuale Shqipëri-Rusi?

Për sa i përket gjendjes aktuale dhe perspektivave të zhvillimit të marrëdhënieve Rusi-Shqipëri, duhet theksuar që ato kanë tradita të pasura të lidhjeve shumë të ngushta, madje vëllazërore. Sigurisht që pas prishjes së marrëdhënieve diplomatike në 1961 jemi përballur me një reduktim të bashkëpunimit tonë. Ndërsa në 28 vite të fundit marrëdhëniet tona, nëse i shikojmë në tërësi, kanë qenë normale dhe miqësore. Nuk kemi asnjë problem të pazgjidhur bilateral, të mos flasim për konflikte. Dhe kjo na jep shpresë që raportet tona do të përmirësohen edhe më tej dhe ne do t’ia dalim t’i çojmë në atë nivel të lartë që kemi pasur në periudhën e pasluftës.

Në këtë kuadër do të doja ta mbështesja me kënaqësi vullnetin e shprehur nga Kryeministri Edi Rama dhe Ministri i Jashtëm Ditmir Bushati në intervistat e tyre të fundit për të zhvilluar lidhjet ekonomike, tregtare dhe kulturore me Rusinë. Aq më tepër se lidhjet tona në fushën e arsimit dhe kulturës po zhvillohen mjaft mirë. Unë dua të ndaj me ju një lajm të gëzueshëm: këtë vit u kemi akorduar maturantëve shqiptarë 50 bursa studimi falas për në universitetet e Rusisë. Ky është një rekord i ri! Dhe ne jemi të lumtur që arsimi rus me cilësi shumë të lartë vazhdon të jetë i kërkuar nga të rinjtë shqiptarë.

Po të flasim për planet tona të afërta, çështjet më aktuale të axhendës dypalëshe janë organizimi i një raundi të radhës te konsultimeve diplomatike midis ministrive të jashtme dhe mbledhja e Komisionit Ndërqeveritar për Tregtinë, Bashkëpunimin Ekonomik dhe Tekniko-Shkencor, i cili u zhvillua për herë të fundit në vitin e largët 2009. Janë aktivizuar gjithashtu lidhjet turistike. Vazhdon faza finale e bisedimeve për vendosjen e një linje direkte charter midis Moskës dhe Tiranës për periudhën qershor-shtator të këtij viti. Veç kësaj, do të vazhdojmë të nxisim kontakte të mëtejshme midis dhomave të tregtisë së dy vendeve, si edhe do të realizojmë me kolegët shqiptarë projekte të përbashkëta kulturore. Shpresoj që të gjitha këto nisma do të vihen në jetë dhe të na ndihmojnë në rigjallërimin e dialogut tonë, i cili, për fat të keq, ende nuk ka dinamizëm dhe pragmatizëm të mjaftueshëm. Pra, për momentin nuk mund t’i quajmë marrëdhëniet tona si të mirëfillta dhe të gjithanshme për shkak të politizimit të tyre të tepërt.

Kohët e fundit na kanë habitur jashtë mase përpjekjet e disa mediave shqiptare, po edhe të disa përfaqësuesve të organeve shtetërore, për demonizimin e Rusisë. Të krijohet përshtypja që qëllimi i tyre është për të bindur qytetarët shqiptarë se vendi ynë është një “perandori e së keqes”, ndërsa rus do të thotë armik. Deklaratat e fundit që kemi dëgjuar për “tentakulat e Moskës”, të cilat gjoja janë shtrirë në të gjithë rajonin e Ballkanit, ngajnë më së shumti me retorikën e kohës së Enver Hoxhës, por aspak me deklaratat e politikanëve të një vendi modern dhe demokratik. Po të vazhdojmë të ecim me këto ritme, mund të arrijmë në një pikë kur edhe adhuruesit e Dostojevskit dhe Tolstoit do të stigmatizohen si “agjentët e Kremlinit”. Në mendimin tim, kjo është një tendencë shumë e rrezikshme.

Në prag të zgjedhjeve presidenciale në Rusi Presidenti aktual Vladimir Putin lëshoi disa deklarata të forta në mesazhin e tij të përvitshëm në Asamblenë Federale, përfshirë edhe prezantimin e armatimeve të reja ruse. Këto deklarata janë pritur me një shqetësim të madh nga disa vende perëndimore. Si mund t’i komentoni ju këto deklarata?

Po, siç dihet, më datë 1 mars në pjesën e dytë të fjalës së tij në Asamblenë Federale të Rusisë, Presidenti Putin deklaroi se Rusia ka armatime ose, le të themi, superarmatime, të cilat “në mënyrë të garantuar mund t’i shmangin çdo sistemi ekzistues apo të projektuar të mbrojtjes kundërajrore dhe antiraketore”.

Duhet nënvizuar se kjo deklaratë nuk ishte një akt agresioni nga ana jonë, siç e kanë cilësuar ekspertët dhe mediat perëndimore. Ishte në fakt një kundërpërgjigje ndaj agresionit amerikan kundër Rusisë. Jemi duke mbrojtur veten, dhe na kanë detyruar që të rrisim kapacitetet tona mbrojtëse.

Nuk është sekret që në vitin 2001, në kohën e presidentit George W. Bush, SHBA-të deklaruan për planet e tyre për t’u tërhequr nga Traktati themelor ruso-amerikan mbi shkurtimin e sistemeve antiraketore. Dhe si përfundim në 2002 Amerika me të vërtetë u tërhoq në mënyrë të njëanshme nga ky dokument dhe filloi ndërtimin e sistemeve të saj antiraketore në afërsi të kufijve rusë, në Poloni dhe Rumani, duke e justifikuar këtë veprim si një domosdoshmëri për t’u mbrojtur nga raketat e Iranit dhe Koresë së Veriut. Ndërkohë që realisht kjo ka qenë një përpjekje për të arritur një dominim të njëanshëm. Dhe kjo përpjekje nuk u ndërpre as me nënshkrimin e marrëveshjes mbi programin bërthamor të Iranit.

Propozimet e njëpasnjëshme të Rusisë për të krijuar bashkarisht një sistem të tillë antiraketor dhe për të biseduar të paktën për këtë çështje, ose mbeteshin pa përgjigje ose refuzoheshin në mënyrë arrogante. Në ato kushte Rusia s’kishte çfarë të bënte tjetër veç se të rivendoste barazinë strategjike dhe balancën e fuqive. U vendos për krijimin e armatimeve krejtësisht të reja, të cilat do ta neutralizonin mbrojtjen antiraketore të SHBA-ve. Dhe ky objektiv u përmbush falë angazhimit të jashtëzakonshëm të shkencëtarëve rusë dhe specialistëve të industrisë ushtarake.

Pra, mesazhi i Presidentit Putin lidhur me karakteristikat e armatimeve të reja nuk ka pasur asnjë qëllim agresiv apo kërcënues. Ishte një ftesë e dërguar partnerëve tanë amerikanë që të kemi bisedime, të cilat SHBA-të nuk i kanë pranuar asnjëherë gjatë viteve të fundit. Dhe synimi i këtyre bisedimeve është rimëkëmbja e balancës strategjike të fuqive dhe të barazisë bërthamore.

Zgjedhjet në Rusi mbahen në një periudhe kur po zhvillohen mjaft debate për ndikimin rus në zgjedhjet e zhvilluara në SHBA dhe në disa vende të tjera europiane për të mbështetur, sipas zërave, kandidatë dhe parti të preferuara nga Moska. Cili është reagimi juaj?

Po, keni të drejtë që kohët e fundit kanë pasur shumë debate dhe akuza, sidomos për gjoja “ndërhyrjen” e Rusisë në zgjedhjet presidenciale në SHBA.

Por ku ka përfunduar e gjithë kjo histori?

Pak ditë më parë komisioni i Dhomës së Përfaqësuesve në Kongresin amerikan e ka mbaruar hetimin e lidhjeve të supozuara të shtabit elektoral të Donald Trump-it me Rusinë dhe nuk ka gjetur asnjë provë të ndërhyrjes ruse në fushatën zgjedhore. Gjatë hetimit janë marrë në pyetje 73 dëshmitarë dhe janë studiuar 300 mijë dokumente. Siç e theksoi kryetari i komisionit Mike Conaway, ka shumë gjasa që edhe hetimi kryesor, i cili po kryhet tani në SHBA nga prokurori i posaçëm Robert Mueller, nuk do të zbulojë asnjë ndikim të fshehtë të Rusisë në zgjedhjet amerikane.

Po të njëjtën gjë mund themi edhe për spekulimet rreth “ndërhyrjes” së Rusisë në zgjedhjet e vendeve evropiane: në Francë, Gjermani, Danimarkë dhe madje në Shqipëri. Tani në të njëjtin kontekst të akuzave të pabaza është futur edhe skandali i fundit lidhur me atentatin e kryer në Britaninë e Madhe ndaj ish-shtetasit rus Sergej Skripal dhe vajzës së tij.

Vini re, ju lutem: tani që historia e “ndërhyrjes” ruse në zgjedhjet amerikane vazhdon të shuhet, është Britania e Madhe ajo që përpiqet të krijojë një tjetër “skandal spiunësh”. Londra vepron me agresivitet të jashtëzakonshëm, duke i bërë Rusisë ultimatume dhe kërcënime. Situata ka degraduar në vendim për dëbimin e 23 diplomatëve rusë, pavarësisht se ende s’kemi parë asnjë provë dhe asnjë rezultat të hetimeve.

Sipas informacioneve që disponon ambasada jonë në Londër, është tejet e qartë që pala britanike nuk dëshiron të kryejë një hetim të përbashkët të këtij incidenti, nga i cili është prekur edhe një shtetase ruse, vajza e z. Skripal Julia. Ambasada nuk ka marrë asnjë përgjigje ndaj kërkesave të saj lidhur me gjendjen shëndetësore të z. Skripal dhe vajzës së tij. Nuk ka marrë asnjë material hetimor, as mostrat e substancës helmuese, e cila gjoja është prodhuar në Rusi. Ndërkohë që në hapësirën mediatike kjo situatë shoqërohet nga një fushatë e jashtëzakonshme e orkestruar për njollosjen e vendit tonë.

Pala britanike ndjek një politikë të injorimit të formateve dhe instrumenteve ndërkombëtare të aprovuara sipas Konventës për Ndalimin e Armëve Kimike që përcakton një procedurë, të cilën Londra s’e di pse nuk dëshiron ta zbatojë. Dhe kur para pak ditësh kryetari i Partisë Laburiste në parlamentin britanik ia drejtoi kryeministres May një pyetje se për cilën arsye Londra nuk e ka aktivizuar procedurën e duhur sipas Konventës dhe për cilën arsye nuk ia ka dhënë Rusisë mostrat e substancës helmuese të përdorur gjatë atentatit, znj. May refuzoi të jepte përgjigje dhe deklaroi vetëm që Rusia kishte mundësi për të dhënë shpjegime, “por kjo mundësi nuk u shfrytëzua nga Moska”. Kjo është një qasje e paqytetëruar dhe arrogante, e cila tregon shpërfilljen e së drejtës ndërkombëtare nga ana e Britanisë së Madhe dhe dëshirën e Londrës për të provokuar një konfrontim me Rusinë me një pretekst të shpikur.

Përveç kësaj, sipas shkencëtarëve tanë, Rusia nuk ka bërë asnjëherë kërkime shkencore për ndonjë substancë helmuese me emërtimin “Noviçok” që u përmend nga pala britanike. Edhe Bashkimi Sovjetik, edhe SHBA-të kanë kryer kërkime për disa substanca të tjera. Por kërkimet sovjetike janë ndërprerë që në vitin 1992, ndërsa në 2017-n të gjitha arsenalet e armëve kimike në Rusi janë shkatërruar përfundimisht, fakt ky që është vërtetuar edhe nga Organizata për Ndalimin e Armëve Kimike./ZgjohuShqiptar.info

NA NDIQNI EDHE NE FACEBOOK JU LUTEMI!

KOMENTONI

Loading...
Loading...
Name

Aktualitet,7902,Camëri,108,Editorial,1686,Ekonomi,414,Emra për djem,38,Emra për vajza,36,Enciklopedi,81,Histori,1274,Iliridë,250,Kosovë,2353,Kulture,623,Luginë,48,Moti,2,Politik,1767,Reportazh,153,Rezultatet Live,2,Shtypi,79,Sondazhe,8,Sport,492,Video,493,
ltr
item
Zgjohu Shqiptar: Ambasadori rus: Qëndrimet e zyrtarëve shqiptarë kundër Rusisë na kanë habitur
Ambasadori rus: Qëndrimet e zyrtarëve shqiptarë kundër Rusisë na kanë habitur
https://3.bp.blogspot.com/-tdPZijr20oM/WqxtxK2DsOI/AAAAAAAAEN8/0s5IZIBAfKMF6lF-3DuJIEh2l-fQJYsawCLcBGAs/s640/ambasadori-rus-karpushin-607x360-905x395.jpg
https://3.bp.blogspot.com/-tdPZijr20oM/WqxtxK2DsOI/AAAAAAAAEN8/0s5IZIBAfKMF6lF-3DuJIEh2l-fQJYsawCLcBGAs/s72-c/ambasadori-rus-karpushin-607x360-905x395.jpg
Zgjohu Shqiptar
https://www.zgjohushqiptar.info/2018/03/ambasadori-rus-qendrimet-e-zyrtareve.html
https://www.zgjohushqiptar.info/
https://www.zgjohushqiptar.info/
https://www.zgjohushqiptar.info/2018/03/ambasadori-rus-qendrimet-e-zyrtareve.html
true
269073700948665522
UTF-8
Ngarkuar te gjitha postimet Nuk gjendet ndonje postim SHIKO TE GJITHA Lexo me Shume Repliko Hiq Repliken Fshi Nga Kreu FAQET POSTIMET Shiko te Gjitha REKOMANDUAR PER JU LABEL ARKIVA KERKO TE GJITHA POSTIMET Nuk u gjet asnje material sipas kerkeses tuaj Kthehu te Kreu E Diel E Hene E Marte E Merkure E Enjte E Premte E Shtune Hen Mart Merk Enj Pre sht Die Janar Shkurt Mars Prill Maj Qershor Korrik Gusht Shtator Tetor Nentor Dhjetor Jan Shk Mar Pri Maj Maj Qer Gush Sht Tet Nen Dhj menjehere 1 minute me pare $$1$$ minutes ago 1 ore me pare $$1$$ hours ago Dje $$1$$ days ago $$1$$ weeks ago me shume se 5 jave me pare Followers Follow THIS CONTENT IS PREMIUM Please share to unlock Kopjo te Gjithe Kodin Selekto te Gjithe Kodin All codes were copied to your clipboard Can not copy the codes / texts, please press [CTRL]+[C] (or CMD+C with Mac) to copy