Mjeku i Kombëtares Shqiptare, Lluka Heqimi: Sportistët tanë janë viktima

, Mjeku i Kombëtares Shqiptare, Lluka Heqimi: Sportistët tanë janë viktima

Anëtari i Organizatës Botërore kundër Antidopingut, si dhe mjeku ikonë i Kombëtares shqiptare, Lluka Heqimi ka folur për rastet e fundit, ku krahas peshëngritëses Romela Begaj, edhe futbollisti i Skënderbeut, Bajram Jashanica doli pozitiv në testin antidoping.
Heqimi i kontaktuar dje nga “Panorama Sport” ka thënë se ekspozimi i sportistëve si konsumues të dopingut vjen si rrjedhojë e përjashtimit nga testet për kontrollin antidoping.
“Në përgjithësi futbolli shqiptar nuk kontrollohet për antidoping. Jemi të përjashtuar nga testet, duke mos ndjekur shembullin e botës. Në kampionatin kombëtar nuk ka fare kontrolle dhe kjo ka disa arsye, për më tepër që janë edhe të kushtueshme. E kundërta ndodh në kampionatet e tjera europiane, ku kontrolli është i lartë,” ka thënë ai.
Ai është pyetur si për rastin e Romela Begajt ashtu dhe atë të Jashenicës, dhe ai tha se ” kjo është një situatë që vjen prej mungesës së seriozitetit. Sa herë që ndodhin, sportistët mbrohen me të gjitha format dhe kujtojnë se janë të pastër pas atyre gjërave që bëjnë.”
I pyetur konkretisht për rastin e mbrojtësit të Skënderbeut, Bajram Jashanica, i cili ka përdorur substancën prednisolut, ai shprehet kështu:
“U njoha me rastin dhe më vjen keq, pasi bëhet fjalë për një mbrojtës shumë të mirë, që ka marrë një preparat për t’u mjekuar. Nuk e besoj që ky rast ta bëjë fajtor futbollistin, më shumë ai është një viktimë. Substanca që ka marrë, nuk është për të ndryshuar gjendjen e tij sportive, por një mjekim që në këtë histori i ka munguar dokumenti për ta sqaruar nëse është i ndaluar ose jo. Nëse do të deklarohej para kryerjes së testit, atëherë lojtari do të ishte i pafajshëm.”
Në intervistë ai thekson faktin se futbollistët nuk njihen mjaftueshëm me medikamentet që duhet të përdorin ose jo, dhe kultura e njohjes mund të kultivohet vetëm nëpërmjet grantit që shteti duhet të japë për sportin, dhe veçanërisht një pjesë për kontrollin antidoping./ZgjohuShqiptar.info

NA NDIQNI EDHE NE FACEBOOK JU LUTEMI!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button