Negociatat me Greqinë, Bushati: Jemi një skuadër me Metën

, Negociatat me Greqinë, Bushati: Jemi një skuadër me Metën

Pas dy letrave nga Ministria e Jashtme për Presidencën dhe pas po aq kërkesave shtesë për informacion nga ky institucion, ministri i Jashtëm Ditmir Bushati shpreh gatishmërinë për t’i vënë në dispozicion çdo informacion kreut të shtetit.
“Çdo kërkesë për informacion që do të vijë nga Presidenti i Republikës, jo për këtë çështje, por për çdo lloj çështje që është në fushën e veprimit të Ministrisë së Punëve të Jashtme, natyrisht do të marrë një përgjigje shteruese nga ana e Ministrisë së Jashtme. Kjo nuk është një gjë opsionale. Kjo është një çështje që na ngarkon ligji dhe ne do të zbatojmë ligjin”, thotë Bushati në një intervistë për Vizion Plus.
Duke parë të gjitha këto kërkesa nga Presidenti i Republikës, në rastin më optimist, sa kohë mund t’i duhet Ministrisë së Jashtme që të plotësojë të gjitha këto kërkesa?
“Nuk është një çështje afatesh, por është një çështje bashkëpunimi ndërinstitucional. Është një çështje komunikimi mes ekspertëve. Në analizë të fundit, më duhet ta them për opinionin publik, ne jemi një skuadër. Nuk është se po negocion Qeveria me Presidentin e Republikës, sepse në këtë proces do të negociohet pala shqiptare me palën greke dhe përsa i përket shtetit shqiptar, duke filluar që nga Presidenti i Republikës e deri tek zyrtari më i ulët në këtë rang, jemi të gjithë në një skuadër”.
Këtë “qëndresë” të Presidentit Meta, e shihni si betejë personale politike apo është e bazuar në Kushtetutë?
“E kam thënë edhe në të shkuarën, Presidenti është në të drejtën e tij që të kërkojë informacione, të ngre pikpyetje për çështje nga më të ndryshmet që lidhen me këtë proces, por jo vetëm dhe është përgjegjësia jonë për t’iu përgjigjur me informacion dhe ekspertizë. Nga të gjitha kontaktet, nga të gjitha bisedat, ndjesia ime është që Presidenti i Republikës është po aq i interesuar sa dhe ne, për të vijuar më tej këtë temë”.
I pyetur lidhur me emrin e Artur Mecollarit, ministri Bushati nënvizon se çdo anëtari të grupit negociator i është bërë një vetting paraprak. Kreu i diplomacisë është ndalur dhe tek vendimi i Gjykatës Kushtetuese i vitit 2010.
“Gjykata Kushtetuese ka ofruar një “blue print” se çfarë duhet të kesh parasysh që mos të bësh më të njëjtat gabime siç janë bërë në 2009, por nuk ka skicuar një rrugëzgjidhje se si do duhet të ndodhë delimitimi i zonave detare, qoftë përsa i përket Detit Territorial, Zonës Ekskluzive Ekonomike, apo Shelfit Kontinental. Më të drejtë, sepse e Drejta Ndërkombëtare ka një fuqi më të madhe detyruese për të gjitha palët”, tha Bushati.
Ditmir Bushati kishte edhe një mesazh për opozitën: “Partia Demokratike është në një pozicion krejtësisht kontradiktor. Nga njëra anë thotë që vendimi i Gjykatës Kushtetuese ka qenë i padrejtë, sepse marrëveshja e 2009 ka qenë marrëveshja më e mirë e mundshme për Shqipërinë, paradoksalisht edhe kur vet pala greke thotë që marrëveshja e 2009 është e vdekur dhe nga ana tjetër tregon me gisht vendimin e Gjykatës Kushtetuese”.
Në prill, do thyeni vezët e Pashkëve me kolegun tuaj Kotzias dhe kryeministrin Tsipras apo do thyeni akullin duke nënshkruar “Traktatin e Miqësisë” dhe marrëveshjet e tjera, përfshirë dhe atë të detit?
“Në prill ne do të takohemi sërish me palën greke në disa vende. Shpresoj dhe uroj që të kemi lajme sa më pozitive në drejtim të marrëdhënieve tona dypalëshe dhe shpresoj gjithashtu që të gjithë besimtarët ortodoks të kenë mundësi që të kalojnë Pashkë sa më të gëzuara”.
Po marrëveshje, “Traktat Miqësie” të firmosur?
“Ne po punojmë dita ditës më palën greke. Nuk kemi një afat të fiksuar por nga ana tjetër, shpesh në marrëdhëniet ndërshtetërore elementi kohë është vendimtar për arritjen e marrëveshjeve”./ZgjohuShqiptar.info

NA NDIQNI EDHE NE FACEBOOK JU LUTEMI!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button