Spartak Braho: Vetting gjithë aparatit shtetëror, shumë politikanë të korruptuar

Spartak Braho, ish-kryetari i Komisionit të Sigurisë, aktualisht këshilltar i kryeministrit Edi Rama, ka hedhur dritë mbi zbatimin e procesit të vetingut në drejtësinë shqiptare. Në një intervistë për gazetën “Sot”, Braho ka treguar se ku bazohet procesi i vetingut dhe pasojat që ai do të sjellë. Ish-deputeti tha se vetingu do të pastrojë drejtësinë shqiptare nga “mollët e kalbura”. Sipas zotit Braho, momentalisht po vijohet me verifikimet brenda dhe jashtë vendit për të zbuluar aferat korruptive të gjyqtarëve dhe të prokurorëve.

Por ai ka deklaruar se vetingu në sistemin e drejtësisë është i pamjaftueshëm për të eliminuar korrupsionin në vend. Sipas Brahos, në veting duhet të futet politika dhe institucionet kryesore të shtetit. Ai tha se ka shumë politikanë që janë bërë palë me korrupsionin, ndërsa deklaroi se institucione si SHISH, KLSH, burgjet, Tatimet, etj, duhet patjetër të verifikohen dhe të pastrohen nga abuzuesit. Sipas Brahos, vetëm në këtë mënyrë korrupsioni do luftohet dhe qeveria do ketë sukses në misionin e saj.

-Z. Braho, ka gati dy vjet që në terminologjinë dhe fjalorin politik e juridik ka filluar të përdoret gjerësisht fjala veting. Çfarë përfaqëson për ju ky term?

Në fakt nuk është thjesht term. Fjala veting ka një kuptim të gjerë. Ai është nocion, është koncept, është pjesë e rëndësishme e filozofisë së drejtimit dhe organizimit të shtetit, të shtetit të së drejtës. Duket se, ora historike që shteti dhe institucionet e tij të marrin frymë lehtësisht e të painfektuara nga spazmat e korrupsionit po afron, ndonëse me ritëm të ngadaltë. Pas 27 vitesh tranzicion të lodhshëm, me një demokraci dhe pluralizëm të deformuar, të cilat kanë bërë që vendi të ngelet në një staniacion të dhimbshëm ekonomik dhe institucional me deformime të llahtarshme morale me moton të zhvatim kudo e këdo në emër të postit, në emër të zyrës së shtetit, në emër të ligjit, po troket ora për vendosjen e shtetit të së drejtës. Tik-taku i reformës në drejtësi po ecën, ndonëse ngadalë, por me siguri dhe të gjithë po i ndjejnë efektet e para. Zembereku i kësaj reforme historike është padiskutim, “vetingu”. Tashmë shqiptarët po familjarizohen me këtë term, i cili në fakt është bërë kryefjalë e diskursit jo vetëm politik, por edhe jashtë ambienteve politike si në opinionin e gjerë, të mediave të shkruara dhe audio. Për shumicën e opinionit shqiptar, ai nënkupton dhe ndjell shpresë, se më në fund punët në këtë vend do të shkojnë në drejtimin e duhur, se po lind një rreze drite e cila do të udhëheqë rrugën për një zhvillim normal demokratik dhe të konsolidimit të plotë të shtetit të së drejtës. Për të tjerët, pra për një pakicë, për ata që kundërshtojnë dhe nuk e mirëpresin, këtë proces, “veting”, do të thotë dezinfektim i plehut të korrupsionit moral, financiar e institucional, drithërim të pushtetit të pamerituar të atyre që po u rrëshqet ai nga duart. Janë këta kundërshtuesit e këtij procesi, që po e ndjejnë se po u vjen fundi fushës së lirë për të abuzuar me punët, me paratë dhe me pasuritë e shtetit, nëpërmjet uzurpimit dhe shfrytëzimit të funksioneve publike.

-Cili është kuptimi dhe nga rrjedh etimologjikisht fjala veting?

Ky term, u përdor fillimisht në vendin tonë gjatë vitit 2016, kur edhe nisi projekti i madh i reformës në drejtësi, i iniciuar me ngulm dhe në partneritet me SHBA dhe BE. Thënë në mënyrë figurative, zembereku i reformës në drejtësi, e cilësuar si reformë historike e reformimit të shtetit është padiskutim vetingu. Për kulturë dhe hollësisht, po shpjegoj se: sipas Diksionierit të fjalorit anglez, fjala “vet” është shkurtimi i fjalës veteriner”, ndërsa “veting” ka qenë një proces për “kontrollin e imtësishëm shëndetësor të kafshëve!”. Fjala “veting” është përdorur për herë të parë në shekullin e 18-të në Britani, në kohën kur lindi edhe sporti i garave me kuaj. Një kalë, para se të hynte në garë, i nënshtrohej një kontrolli të rreptë prej një veterineri me integritet të lartë profesional, lidhur me gjendjen e tij shëndetësore dhe të rezistencës. Më pas jo vetëm në Angli, por edhe në SHBA dhe vende të tjera të perëndimit, ky nocion u aplikua si sistem i organizuar verifikimi e kontrolli shtetëror, që nënkuptonte verifikimin e investigimin e hollësishëm të atyre individëve, që do të ngarkoheshin për të kryer funksione publike dhe shtetërore. Në Shqipëri, vetëm me rastin nisjes se procesit të reformës në organet e drejtësisë, edhe nën ndikimin e specialistëve të huaj, euro-amerikanë, nisi përdorimi dhe aplikimi i kësaj fjale si pjesë e fjalorit juridik dhe politik. Vetingu sipas ligjit të miratuar nga Kuvendi i Shqipërisë, ndryshimeve kushtetuese për aplikimin e reformës në sistemin e drejtësisë, aktualisht është i kufizuar vetëm në kontrollin e pastërtisë së figurës, pasurisë dhe aftësive profesionale të gjyqtarëve dhe prokurorëve. Pas fillimit të aplikimit të procesit të vetingut dhe miratimit të ligjit përkatës, i cili po zbatohet gjerësisht në organet e drejtësisë ishte drejtuesi i Ministrisë së Punëve të Brendshme, i cili edhe me mbështetjen e faktorit ndërkombëtar ka iniciuar aplikimin me ligj të posaçëm të vetingut edhe në strukturat e Policisë së Shtetit. Padyshim që kjo ishte një iniciativë e nevojshme dhe e domosdoshme, pas “plagëve” që mori Policia e Shtetit nga disa elementë të veçantë në radhët e saj që rezultuan të implikuar si bashkëpunëtorë, me elemente të kriminalizuar pjesë të procesit të kultivimit dhe shitjes së kanabisit.

-Sipas jush, procesi i reformimit nëpërmjet zbatimit të ligjit të vetingut ku mbështetet dhe çfarë përfaqëson ai konkretisht?

Ky proces reformimi, siç kuptohet dhe parashikon ligji përkatës mbështetet mbi tri kolona dhe synime kryesore. Së pari, synohet evidentimi real dhe individual i nivelit profesional të gjyqtarëve dhe prokurorëve dhe marrjen e masave përkatëse për rritjen e nivelit profesional të atyre që kanë mangësi dhe largimin nga sistemi i drejtësisë të atyre personave që janë tërësisht të paaftë, të korruptuar, që dëmtojnë procesin e punës së organeve të drejtësisë dhe sjellin pasoja katastrofale e të pariparueshme, në dhënien e drejtësisë ndaj të drejtave dhe lirive themelore të shtetasve. Së dyti, synohet evidentimi real dhe individual i origjinës së pasurive të vendosura në mënyrë të paligjshme nga gjyqtarët dhe prokurorët, duke e shtrirë procesin e verifikimit, edhe jashtë kufijve të Shqipërisë. Së treti, synohet evidentimi i elementëve dhe personave konkretë të lidhur me personazhe të krimit të organizuar brenda apo jashtë vendit, duke përdorur instrumente ligjore verifikimi në bashkëpunim, edhe me agjencitë e specializuara për këtë qëllim. Pra ky ekzaminim dhe verifikim i bazuar në drejtimet e mësipërme, ka për qëllim “pastrimin” e strukturave të sistemit të drejtësisë dhe policisë nga elementë të lidhur me krimin, si dhe jo vetëm të atyre që janë të korruptuar, por dhe të paaftë profesionalisht, dhe që i kanë përfituar vendet e punës (dhe i shfrytëzojnë ato) mbi bazat e lidhjeve, nën ndikimin e politikës si dhe ndikimit financiar. Është evidente, se vetëm pas fillimit të procesit të vetingut në sistemin e drejtësisë dhe të policisë, shoqëria shqiptare po merr e do marrë frymë lirisht se po rritet shpresa e besimi, për instalimin e shtetit të së drejtës, më në fund edhe në vendin tonë. Duhet pranuar se sistemi i deritanishëm i strukturave të vlerësimit dhe rekrutimit, në organet e larta emëruese të organeve të drejtësisë, si KLD-ja, konferencat gjyqësore e deri Presidenca kanë dështuar plotësisht. Rregullimet dhe ndryshimet e reja kushtetuese kanë normuar në mënyrë më eficente, promovimin e punonjësve të sistemit të drejtësisë, larg ndikimeve politike, garantojnë pavarësinë e këtyre organeve, efektivitetin dhe nivelin e duhur profesional të tyre.

-Ju theksuat se vetingu është dhe duhet të jetë filozofi e re e drejtimit dhe organizimit të shtetit dhe strukturave te tij. Por a është i mjaftueshëm procesi i vetingut vetëm ndaj gjyqtarëve, prokurorëve dhe punonjësve të policisë?

-Gjatë këtij tranzicioni të stërzgjatur gati 27-vjeçar, shoqëria shqiptare, por dhe strukturat përbërëse të pushtetit, për shumë shkaqe që nuk është vendi të ndalemi hollësisht këtu, pësuan deformime dhe sollën anarki, prodhuan korrupsion të madh të shoqëruar me kriminalizimin e strukturave, të cilat u gllabëruan dhe në mjaft raste ranë në ndikimin e segmenteve mafioze të ushqyera nga parti apo politikanë drejtues e shtetarë të veçantë, të cilat në vend që t’i godisnin këto fenomene, u bënë palë me to. Lufta kundër fenomeneve të paligjshmërisë, ekografia e tyre në këtë luftë ka qenë “tërhiq e mos këput”, duke goditur në raste të rralla disa elemente të kriminalizuar, por jo sistemin e korrupsionit në administratën shtetërore. Ndaj mendoj se procesi “kirurgjikal” i vetingut i filluar tani me vetëm në organet e sistemit të drejtësisë e policisë nuk është i mjaftueshëm. Kemi nisur të pastrojmë qelbin e një kolone të strukturës së shtetit, por shteti ka edhe kolona të tjera të rëndësishme dhe jetike, të cilat domosdoshmërish duhen pastruar. Kur them “pastrim”, kam parasysh procesin e verifikimit dhe zbatimit të ligjit sipas atyre elementëve dhe kritereve që parashikon ligji i vetingut. Në këtë kuptim, shoqëria dhe strukturat e shtetit duhet të pastrohen nga elementet e zhytur në llumin e korrupsionit dhe të paaftësisë së qëllimshme, rrjedhojë e rekrutimit te tyre mbi baza jo ligjore. Këta elementë, procesi i zbatimit të ligjit të vetingut duhet t’i detyrojë të lënë vendet e punës, por edhe të përgjigjen për aktivitetin dhe veprimtarinë e kryer prej tyre, shpeshherë e dëmshme e me pasoja. Të aftët profesionalisht, të ndershmit dhe ata me integritet moral e profesional, duhet të promovohen duke i përgatitur gradualisht për t’iu zënë vendin e nxjerrë nga strukturat e organeve te pushtetit shtetëror. Ky është e duhet të jetë synimi madhor i mazhorancës socialiste. Pra nëpërmjet këtij reformimi total të kolonave të shtetit, me këtë synim dhe mision historik kjo mazhorancë duhet të jetë e vendosur t’i çojë deri në fund ato, pa mëdyshje, pa u ndalur dhe pa u tërhequr nga sulmet dhe shkopinjtë që opozita e sotme e djathtë tenton tu fusë nën rrota.

-Konkretisht për cilat struktura të shtetit dhe organeve të tij e keni fjalën ku duhet të shtrihet ligji i vetingut?

Të gjitha strukturat kryesore të shtetit duhet të vrapojnë drejt katarsisit të vetingut. Mazhorancës aktuale qeverisëse i del për detyrë që ta shtrijë procesin e vetingut, kudo. Me këtë ide kam parasysh që ai të shtrihet, edhe në strukturat politikëbërëse dhe në radhë të parë legjislative. Edhe ndaj deputetëve e politikanëve, pavarësisht se ndaj tyre funksionon, edhe ligji i dekriminalizimit. Procesi i “vetingut”, duhet të shtrihet e të përfshijë sa më shpejt, edhe institucione të tjera të rëndësishme të piramidës shtetërore, si sistemin e Tatim-Taksave dhe Doganave, Kontrollin e Lartë të Shtetit, sistemi penitenciar (të burgjeve), sistemin diplomatik, të mbrojtjes si dhe të SHISH-it, etj. Le t’i marrim shkurtimisht me radhë: Kontrolli i Lartë i Shtetit është një institucion i një rëndësie të veçantë të cilin Kushtetuta e ka përcaktuar si institucioni më i lartë i kontrollit ekonomik e financiar të shtetit. Ai varet nga Parlamenti dhe raporton përpara tij një herë në vit, por punonjësit e tij duhet urgjentisht t’i nënshtrohen vetingut. KLSH e mbuluar gjithmonë nën aureolën e “pavarësisë”, dhe e argumentuar e ndërtuar si element i kontrollit të opozitës ndaj strukturave shtetërore, ka në përbërjen e vet aktualisht, afro 200 punonjës. Pra një armatë të tërë kontrollorësh, që kanë për detyrë mirëmbajtjen e punëve të administratës shtetërore, por dhe mirë-administrimin në përdorimin e mjeteve monetare dhe vlerave financiare. Është në detyrën e këtij institucioni të kontrollojë, por edhe të denoncojë shkeljet ligjore dhe veprimet korruptive në përdorimin e fondeve publike nga administrata shtetërore. Por si i ka kryer ky institucion, funksionet e tij? Mendoj, se jo në nivelin që duhet e cilësisht .Kjo për faktin se dështimet në luftën kundër korrupsionit, në përdorimin e fondeve publike, si dhe dënimi dhe eliminimi është edhe KLSH-ja që ka një pjesë të përgjegjësive. Është fakt, se një pjesë e denoncimeve të KLSH pranë organeve të drejtësisë, në prokurori më konkretisht, kanë mbetur “stok” edhe si rezultat i investigimit të dobët të shkeljeve korruptive, pa përjashtuar natyrisht, edhe nivelin e dobët të punës zbuluese dhe hetimore të organit të akuzës në mjaft raste. Po ashtu edhe punonjësit e sistemit të Tatim-Taksave e Doganave, që konsiderohen si rojet e financave të shtetit duhet të përfshihen në procesin e vetingut. Organet e Tatim-Taksave e Doganave në varësi të Ministrisë së Financave, një pjesë e punonjësve të tyre janë nga më të përfolurat si djep i korrupsionit dhe abuzimit me ligjin. Dhe ky nuk është një opinion dhe perceptim në hava, por shpesh edhe një realitet. Ndaj punonjësit e këtij sistemi, doganierët e inspektorët tatimorë, si roje të financave të shtetit nuk mund të lihen, “të qetë”, jashtë procesit të vetingut. Ndërkohë që procesi i reformimit dhe aplikimi i vetingut ka filluar, është për tu habitur që drejtuesit e Ministrisë së Financave, Ministrisë së Drejtësisë, të Punëve të Jashtme, të Mbrojtjes, të SHISHI, të KLSH qëndrojnë indiferent, heshtin në vend që të mendojnë për t’u organizuar e iniciuar edhe ata në dikasteret që drejtojnë procesin e vetingut ashtu si kolegu i tyre Ministrisë së Punëve të Brendshme Z. Fatmir Xhafaj. Por nëqoftëse këta drejtues kryesorë të institucioneve të mësipërme nuk ndihen apo heshtin, duhet të ndërhyjë e tu imponohet për shkak të misionit historik që ka marrë përsipër, kryetari i mazhorancës, kryeministri Edi Rama. Padyshim, mund të ketë edhe struktura të tjera të administratës shtetërore që duhet të vetohen. Por kjo kërkon studim të hollësishëm, në radhë të parë nga ligjvënësit si dhe vullnetin politik të mazhorancës, që e ka nisur dhe po udhëheq procesin e reformimit të strukturave të shtetit.

-Si duhet realizuar e zbatuar ky proces për të gjitha kolonat e shtetit?

Ka vetëm një përgjigje dhe një mënyrë, e cila është: jo me arbitraritet, përsiptas e voluntarizëm. Ky proces duhet realizuar vetëm sipas kritereve të ligjit, e me konsensus të gjerë të politikës e shoqërisë. Përvoja, tashmë po fitohet, ingranazhi ka nisur të punojë! Realizimi i këtij misioni të madh historik i reformimit të strukturave kryesore të shtetit që tashmë ka filluar, duhet të vazhdojë pa u ndalur dhe vetëm pas përfundimit të tij me sukses mund të themi, se Shqipëria është futur në rrugën e instalimit përfundimtar të shtetit të së drejtës dhe demokracisë se vërtetë, si shansi i vetëm që mundëson zhvillimin ekonomik, barazinë përpara ligjit dhe mirëqenie, për të gjithë.

Intervistoi: Mimoza Ibra/ZgjohuShqiptar.info

NA NDIQNI EDHE NE FACEBOOK JU LUTEMI!

KOMENTONI

Loading...
Loading...
Name

Aktualitet,9222,Camëri,117,Editorial,2023,Ekonomi,506,Emra për djem,38,Emra për vajza,36,Enciklopedi,81,Histori,1466,Iliridë,286,Kosovë,2668,Kulture,719,Luginë,61,Moti,2,Politik,1896,Reportazh,180,Rezultatet Live,2,Shtypi,79,Sondazhe,8,Sport,520,Video,567,
ltr
item
Zgjohu Shqiptar: Spartak Braho: Vetting gjithë aparatit shtetëror, shumë politikanë të korruptuar
Spartak Braho: Vetting gjithë aparatit shtetëror, shumë politikanë të korruptuar
https://3.bp.blogspot.com/-BmGT2dZ0lp8/Wpn-Epmf_oI/AAAAAAAAC7U/dANUot369-wL5P0PoBI3_hXrCdhzxSsRgCLcBGAs/s640/spartak-braho.jpg
https://3.bp.blogspot.com/-BmGT2dZ0lp8/Wpn-Epmf_oI/AAAAAAAAC7U/dANUot369-wL5P0PoBI3_hXrCdhzxSsRgCLcBGAs/s72-c/spartak-braho.jpg
Zgjohu Shqiptar
https://www.zgjohushqiptar.info/2018/03/spartak-braho-vetting-gjithe-aparatit.html
https://www.zgjohushqiptar.info/
https://www.zgjohushqiptar.info/
https://www.zgjohushqiptar.info/2018/03/spartak-braho-vetting-gjithe-aparatit.html
true
269073700948665522
UTF-8
Ngarkuar te gjitha postimet Nuk gjendet ndonje postim SHIKO TE GJITHA Lexo me Shume Repliko Hiq Repliken Fshi Nga Kreu FAQET POSTIMET Shiko te Gjitha REKOMANDUAR PER JU LABEL ARKIVA KERKO TE GJITHA POSTIMET Nuk u gjet asnje material sipas kerkeses tuaj Kthehu te Kreu E Diel E Hene E Marte E Merkure E Enjte E Premte E Shtune Hen Mart Merk Enj Pre sht Die Janar Shkurt Mars Prill Maj Qershor Korrik Gusht Shtator Tetor Nentor Dhjetor Jan Shk Mar Pri Maj Maj Qer Gush Sht Tet Nen Dhj menjehere 1 minute me pare $$1$$ minutes ago 1 ore me pare $$1$$ hours ago Dje $$1$$ days ago $$1$$ weeks ago me shume se 5 jave me pare Followers Follow THIS CONTENT IS PREMIUM Please share to unlock Kopjo te Gjithe Kodin Selekto te Gjithe Kodin All codes were copied to your clipboard Can not copy the codes / texts, please press [CTRL]+[C] (or CMD+C with Mac) to copy