Mbret apo horr? Një përballje mes një zogisti dhe një historianeje

Gjithnjë kam menduar se si Mbreti Zog, aq injorant dhe i pakulturuar, të ishte në gjendje të sundonte me drejtësi, ndaj dhe ishte kjo arsyeja që italianët e lanë atë të bëhej Mbret, në vend që të vazhdonte si President…

Dje u ndodha papritmas në një situatë të vështirë. Unë që i ndjek me vëmendje ngjarjet dhe datat e historisë sonë, më kishte dalë nga mendja se sot, pra më 1 shtator 2018, mbushen plot 90 vjet nga shpallja e Ahmet Zogut si mbret i shqiptarëve. Ma kujtoi z. Ekrem Spahiu me shkrimin e tij, i cili si një legalist i thekur, e kujton me adhurim ish-mbretin. Mirëpo nuk janë të gjithë në një mendje me zotin Spahiu. Ne, si gazetë që tentojmë të themi të vërtetën, vendosëm ta botojmë shkrimin e zotit Spahiu. Por, deshëm të japim edhe anën tjetër të medaljes së regjimit të Zogut, pra ato që nuk i thotë Spahiu në shkrimin e tij.

Për më shumë se gjysmë shekulli, Ahmet Zogu është anatemuar skajshmërisht nga regjimi komunist si satrap, despot, si tradhtar dhe hajdut. Si njeriu që shkeli betimin ndaj popullit të tij dhe ia mbathi në 7 prill 1939.

Mirëpo si ishte dhe është e vërteta? Sepse erdhën ca kohë të tjera, domethënë pas vitit 1990 dhe figura e matjanit Ahmet Zogu është parë dhe me ngjyrime të tjera, madje shumë pozitive. Iu ngrit dhe një monument në Tiranë, pavarësisht kontestimit nga shumica e qytetarëve të kryeqytetit. Edhe gazetari i njohur Blendi Fevziu ka bërë një libër, krahas shumë botimeve të tjera. Kanë shkruar edhe të huajt për Ahmetin.

Për të shmangur anshmëritë, unë iu drejtova dje historianes angleze, Miranda Vickers. Si angleze, ajo është gjakftohte në gjykimin e historisë sonë. Nuk është as komuniste, as balliste, as zogiste. Ajo e thotë të vërtetën historike pamëshirshëm, si historiane. Para nja dhjetë vjetësh i kam përkthyer librin “Shqiptarët – një histori moderne”. Kur i shkrova dje se doja të botoj diçka në DITA për 90-vjetorin e shpalljes së mbretërisë, pa preu shkurt:

I nderuar Xhevdet, unë e kam thënë mendimin tim për mbretërinë shqiptare dhe për Ahmet Zogun në librin që ma kini përkthyer ju dhe që është botuar disa herë në Angli. Nuk kam ç’t’u shtoj atyre fakteve dhe analizës që i kam bërë atij regjimi. Merrni dhe ribotojeni atë fragment, sikur e kam shkruar sot… Sepse edhe mua më kishte dalë nga mendja 90-vjetori i Mbretërisë suaj…

Kjo ishte përgjigja e Mirandës. Në vijim lexoni fragmentin e saj për mbretërinë zogiste./ Përgatiti për botim Xhevdet Shehu

 

Vitet e regjimit të Zogut

Oh, po, është e vërtetë! Tashmë nuk ka banditë në Shqipëri, sepse ata të gjithë kanë shkuar në Tiranë, kanë zënë nga një karrige dhe vjedhin zyrtarisht. –Thënie popullore në Shqipërinë e viteve ’30

Miranda Vickers

Më 31 janar 1925 u shfuqizua Regjenca prej katër anëtarësh dhe Ahmet Zogu u zgjodh president i republikës së sapo shpallur shqiptare, ndërsa Tirana u njoh si kryeqytet i përhershëm i vendit. Kushtetuta që u miratua u ndërtua në mënyrë të tillë që të rriste pushtetin e Zogut, i cili kishte të drejtë të caktonte dhe të shkarkonte ministrat sipas dëshirës së tij. Zogu menjëherë iu përvesh punës për konsolidimin e pushtetit të tij, duke likuiduar apo detyruar të arratiseshin ish-kundërshtarët e tij më të rrezikshëm. Luigj Gurakuqi u vra një kafene në Bari; vrasësi i tij shumë shpejt u shpall i pafajshëm. Bajram Curri u ndoq këmba këmbës dhe kufoma e tij u gjet në një shpellë pranë Dragobisë. Pavarësisht se në Tiranë e morën vesh të gjithë se Curri vdiq në duart e agjentëve të Zogut, vendasit këmbëngulnin se ai vrau veten. Shumë udhëheqës të tjerë kosovarë, si fjala vjen Zija Dibra, i cili u qëllua për vdekje ndërsa po përpiqej t’i shpëtonte arrestimit nga policia, pësuan të njëjtin fund të parakohshëm. Mandej Zogu kurdisi lëvizje për të ndërprerë aktivitetet e Komitetit të Kosovës, i cili përbënte një rrezik për marrëdhëniet e tij të mira me Jugosllavinë. Trupat që kishin qenë besnike të Nolit u çarmatosën dhe u shpërbënë. Kjo i hapi rrugën Zogut për të vendosur diktaturën e tij, që mund të thuhet se ishte më e pranueshme për realitetin politik të Shqipërisë se sa koncepti i panjohur për demokracinë. Vendi vazhdoi të ishte në një gjendje shtetrrethimi deri në rivendosjen e një qeverie kushtetuese. Paskëtaj, për të qenë në gjendje t’i bënte ballë politikës së ngatërruar shqiptare, Zogu i dha vetes së tij pushtet të pakufizuar për të vënë veton për ligjet që kalonin në qeverinë e re.

Ishte ky një regjim autoritarist dhe konservator, qëllimi kryesor i të cilit ishte ruajtja e stabilitetit dhe rendit. Prandaj dhe ai u mbështet nga bajraktarët dhe çifligarët, pasi të gjithë atyre u garantohej ruajtja e gjendjes ekzistuese. Megjithatë, qeveria e re të paktën bëri të pushonin rebelimet e vazhdueshme krahinore që e kishin pllakosur këtë vend gjatë gjysmës së parë të viteve ’20. Nën administratën e re, për të parën herë fiset veriore u vunë nën kontrollin e qeverisë qendrore, ndonëse u lejuan të ruanin si edhe në të kaluarën organizimet e tyre tradicionale. Pavarësisht se kodi i ri civil dhe penal i miratuar nga Zogu teorikisht zbatohej gjithandej, Kanuni i pashkruar i Lekës bënte ligjin në shumë zona të vendit. Ndonëse zonat veriore ishin lënë krejtësisht pas dore gjatë pushtetit të Zogut, ai e rifitoi besueshmërinë e fiseve të veriut – pjesërisht nga qëndrimi i tij si bajraktar, si dhe nga caktimi në poste ushtarake i bajraktarëve të tjerë. Sidoqoftë, fiset katolike mbetën më pak të prirura se sa ishin myslimanët ndaj tij. Besnikëria ndaj regjimit ushqehej nga një sistem ‘pensionesh’ dhe ‘rrogash’ që lidhej me dhënien e gradave ushtarake. Procedura e zakonshme ishte që përfituesit e pensioneve apo rrogave duhej të paraqiteshin dy ose tri herë në vit në Tiranë për të dhënë besën. Ata priteshin nga Zogu dhe mandej ktheheshin në shtëpitë e tyre pasi kishin marrë grada dhe pará.

Megjithëse jugosllavët kishin mbështetur kthimin e tij në Shqipëri, ata nuk ishin në gjendje t’i jepnin Zogut ndihmë financiare, për të cilën ai kishte shpresuar dhe kishte aq nevojë për të mbajtur në këmbë regjimin e tij. Prandaj dhe ai u detyrua të miratonte një politikë bashkëpunimi me Italinë. Midis Italisë dhe Shqipërisë u nënshkrua një pakt më 20 janar 1925, me anë të të cilit Italia fitoi monopolin mbi koncesionet e transportit të mallrave dhe tregtisë. Në të vërtetë ky pakt i pengonte vendet e tjera nga konkurrenca kundër interesave italiane. Në të njëjtin muaj nga financierë italianë u krijua një Bankë Kombëtare e Shqipërisë, e cila prodhoi një kartëmonedhë për Shqipërinë. Deri atëherë nuk kishte patur as monedhë shqiptare dhe as ndonjë organizatë të kreditit. Shqipëria hodhi në qarkullim monedhat prej floriri dhjetë dhe njëzet frangëshe, vlera e të cilave mund të barazohej me katër dollarë amerikanë të asaj kohe, si dhe koronën e argjendtë, vlefta e të cilës varionte sipas çmimit të argjendit në tregun shtetëror.

***

Ndërkohë, një territor që kishte mbetur i diskutueshëm, parandalonte përcaktimin përfundimtar të Shqipërisë. Zona e njohur tashmë si Shën Naum në brigjet e liqenit të Ohrit, vazhdonte të ishte e pushtuar nga trupat jugosllave. Jugosllavët pretendonin se Zogu ua kishte premtuar këtë territor si shpërblim për mbështetjen që ata i kishin atij për rikthimin në Shqipëri në dhjetorin e kaluar. Gjithsesi, Zogu e mohoi këtë dhe çështja iu përcoll Konferencës së Ambasadorëve. Problemi u zgjidh përfundimisht duke i dhënë Jugosllavisë Shën Naumin dhe zonat përreth malit të Vermoshit, ndërkohë që Shqipëria mori qytetin fqinj të Peshkopisë dhe disa fshatra të tjerë të vegjël. Ky akt më së paku bëri të mundur që Shqipëria të pushonte së ekzistuari si ‘një shprehje gjeografike’, 14 vjet pasi ajo ishte bërë e pavarur.

…Megjithatë, në vitet midis luftërave, Shqipëria mbeti vendi më pak i zhvilluar dhe më i varfër i Europës. Regjimi bëri shumë pak përpjekje për të lehtësuar sadopak analfabetizmin masiv të popullsisë. Edhe pse u shënuan disa arritje me hapjen e disa shkollave fillore dhe të mesme, si dhe të një kolegji bujqësor në Kavajë, mungesa e ekipit mësimdhënës dhe e fondeve, donin të thoshnin se standardet e mësimdhënies ishin tejet të ulëta. Fshatarët, sidomos ata të veriut, të cilët kishin mënyrën e tyre tradicionale të jetesës, u mbyllën edhe më shumë në vetvete. Ata mbetën të izoluar në qoshkat e tyre fisnore, dyshues dhe mosbesues ndaj ndërhyrjeve jashtë qerthullit të tyre, duke respektuar vetëm krerët vendas. Tirana mbeti një qytet i përgjumur provincial. Trafiku i kryeqytetit përbëhej nga karroca që tërhiqeshin nga kuaj ose buaj; disa pak makina u përkisnin diplomatëve të huaj ose zyrtarëve qeveritarë. Për ata pak të huaj si Stirlingu dhe të tjerë nga trupi diplomatik apo legata të ndryshme të huaja, Tirana ofronte shumë pak nga kultura perëndimore. Në një përpjekje për t’i dhënë kryeqytetit të tij një pamje perëndimore, Zogu krijoi një ansambël të dramës dhe të korit, shfaqjet e të cilit u provuan se ishin një bezdisje për të huajt e pafat që nuk gjenin dot arsye të shmangeshin nga pjesëmarrja në to.

Gjatë viteve të presidencës së tij, nga viti 1924 deri më 1928, Zogu e mbajti tërësisht nën kontroll qeverinë. Ndërkohë u krijua një sistem i njëjtësuar i qeverisjes vendore, duke ndihmuar për krijimin e një klase të gjerë punonjësish civilë, shumica e të cilëve mund të bliheshin me një rryshfet. Kushtetuta e re e vitit 1928 i dha Zogut fuqi legjislative, juridike dhe ekzekutive të pakufizuara të cilat rritën shumë diktaturën personale të tij. Forcimi i ligjit dhe i rendit ishin parë si një kusht thelbësor për përparimin e vendit. Zogu në këtë mënyrë dekretoi faljen e gjakmarrjes dhe ndaloi mbajtjen e armëve nga të gjithë shtetasit me përjashtim të fisit të tij matjan dhe të fqinjëve të tyre veriorë, mirditorëve. Veriorët e tjerë u zemëruan së tepërmi nga çarmatosja, e cila solli uljen në mënyrë të dukshme të akteve banditeske (në një kohë që shumica e tyre ishin të patokë, vjedhja ishte shndërruar në një mënyrë të tyre të jetesës). Planet e tjera për të rritur begatinë e vendit përfshinin zhdukjen e malarjes me anë të tharjes së kënetave, si dhe shtimin e sipërfaqeve të tokave bujqësore. Megjithatë, gjendja primitive e bujqësisë shqiptare nuk mund të ndiqte të njëjtin ritëm me shtimin e popullsisë, e cila kishte prirjen të emigronte, kryesisht drejt Amerikës dhe Turqisë. Sidoqoftë, në disa zona të Shqipërisë jugore, kryesisht përreth Korçës, standardi i jetesës ishte përmirësuar nga fakti që shumë fshatarë të tyre merrnin tashmë pará prej të afërmve të tyre që kishin emigruar më përpara në Amerikë.

Vendosja e monarkisë

I pasigurt për shkallën e mbështetjes nga ana e popullit, Zogu vendosi që ndoshta një monarki do t’i jepte regjimit të tij më shumë siguri dhe vazhdimësi se sa forma republikane e qeverisjes. Shqipëria ishte i vetmi vend ballkanik që nuk ishte monarki. Prandaj dhe më 1 shtator 1928, Zogu braktisi emrin e tij turk Ahmet, bashkë me ‘u’-në nga Zogu dhe e kurorëzoi veten ‘Zog I, Mbret i Shqiptarëve’. Ky titull shkaktoi shtangie në Beograd. Ndërsa jugosllavët nuk kishin ndonjë kundërshtim ndaj një ‘Mbreti të Shqipërisë’, ata e akuzuan Zogun për nxitje të prirjeve irredentiste midis shqiptarëve kosovarë duke e quajtur veten Mbret të të gjithë shqiptarëve. Sidoqoftë, ata e njohën atë, në mënyrë që ai të mos shtyhej më tej drejt Italisë. Për t’i dhënë një peshë solemniteti këtij momenti midis nënshtetasve të tij tejet apatikë, Zogu shpalli tri ditë festime me hedhje fishekzjarresh dhe manifestime ‘spontane’ në qytetet kryesore. Një dekret zyrtar përcaktonte se: ‘E gjithë popullata duhet të marrë pjesë… asnjë burrë apo grua nuk duhet të qëndrojë i ulur nëpër kafene apo restorante gjatë manifestimeve; të gjithë duhet t’i bashkohen manifestimeve popullore’. Katolikët në veri nuk ishin fort pëlqyes me idenë e një mbreti mysliman. Për të fituar mbështetjen për monarkinë, Zogu i dha çdo oficeri të ri të ushtrisë një gradë më të lartë, një rritje rroge si dhe një uniformë të re plot shkëlqim. Megjithatë kalimi nga republika në monarki pati pak ndikim në kufijtë e ekzistencës së shumicës së shqiptarëve. Edit Durhami ka mendimin si edhe shumë të tjerë të huaj se monarkia u vendos kryesisht për të garantuar interesat italiane. Ajo më vonë i shkruante një miku:

Gjithnjë kam menduar se si Mbreti Zog, aq injorant dhe i pakulturuar, të ishte në gjendje të sundonte me drejtësi, ndaj dhe ishte kjo arsyeja që italianët e lanë atë të bëhej Mbret, në vend që të vazhdonte si President. Me qëllim që ata ta kishin atë vegël të tyre. Si president ai mund të binte dhe në vend të tij të zgjidhej një burrë më i mirë. Por si mbret, ata do ta kishin atë përherë në duart e tyre.

Princi i pafat Vid u përmendte atyre që kishte mundësi të takonte dhe ta dëgjonin se kurrë nuk kishte abdikuar nga froni i tij. Por ai priste më kot për ndonjë përgjigje, deri sa përfundimisht hoqi dorë nga pretendimet e tij.

Kushtetuta e re që u shpall në dhjetor 1928 i dha Mbretit pushtet të pakufizuar legjislativ, juridik dhe ekzekutiv, duke i garantuar Zogut mbizotërimin. Një dokument i përbërë nga 234 artikuj, kushtetuta shpallte që Mbretëria e Shqipërisë ishte një monarki demokratike, kushtetuese dhe e trashëgueshme. Ajo nuk ishte një shtet fetar; të gjitha besimet janë të barabarta përpara ligjit. I gjithë pushteti buronte nga kombi dhe trupëzohej te Mbreti dhe parlamenti njëdhomësh. Si mbreti dhe parlamenti kishin të drejtën e formulimit të ligjeve. Interpretimi i mirëfilltë të ligjeve i përkiste pushtetit legjislativ (artikulli 10); zbatimi në praktikë i ishte rezervuar Mbretit.

***

Nga fillimi i viteve 1930 Zogu ishte i pushtuar nga ndjenja e pasigurisë së tij personale, ndaj u besonte vetëm të afërmve të fisit të tij të Matit. Ai jetonte me një frikë të përhershme të vrasjes, duke guxuar të shfaqej në publik tepër rrallë. Dyshimet e tij në të vërtetë ishin me bazë. Më 1931 atij iu bë një atentat për ta vrarë në shkallët e Operas Shtetërore në Vjenë. Në janar të atij viti Zogu kishte vendosur të udhëtonte për në Vjenë për t’u vizituar nga specialistët për gjendjen e tij shëndetësore. Duke marrë masat paraprake të sigurisë, njerëzit që e rrethonin vendosën të sistemoheshin në Hotel Imperial. Në mbrëmjen e 20 shkurtit, Zogu dhe grupi i tij morën pjesë në një shfaqje të Operas së Vjenës; ndërsa Mbreti ishte duke dalë nga shfaqja, dy shqiptarë qëlluan mbi të. Zogu me shpejtësi nxori një armë nga poshtë xhaketës së tij dhe iu përgjigj zjarrit me zjarr, por pa qëlluar asnjë. Në këtë atentat u vra adjutanti i Mbretit, kolonel Topallaj dhe u plagos ministri i tij i oborrit, Eqerem Libohova, por vetë Mbreti nuk pësoi gjë. Është thënë se ky ishte i pari nga 55 rastet e atentateve të bëra kundër Mbretit Zog.31 Kur Zogu u kthye në Shqipëri u organizuan manifestime të mëdha ngazëllyese nëpër rrugë. Por dukej që turma e harbuar më së shumti përbëhej nga nxënës të shkollave që ishin urdhëruar të viheshin në rresht anës së rrugëve për të brohoritur për kthimin e Mbretit të tyre. Shumë nga kundërshtarët e arratisur të Zogut ishin përfshirë në një organizatë të quajtur Bashkimi Kombëtar. Anëtarë të këtij grupimi ishin edhe ata që u dyshuan si atentatorë, Ndok Gjeloshi dhe Azis Çami. Megjithëse të dy mbanin pasaporta diplomatike jugosllave, duket e pabesueshme që Jugosllavia të dëshironte vdekjen e Zogut, pasi një ngjarje e tillë do të bënte që italianët të zbatonin Traktatin e Tiranës dhe të dërgonin trupat e tyre.

***

Me qëllim që të ruante stabilitetin dhe vazhdimësinë e mbretërimit të tij, më 27 prill 1938 Zogu u martua me Geraldinë Apponyi, e lindur më 1915 nga një amerikane, Gledis Stjuart (Gladys Steëart) dhe një kont austro-hungarez, Julius Apponyi. Në dëshpërimin e tij për të gjetur një lidhje të përshtatshme, Mbreti kishte dërguar motrat e tij në Vjenë dhe mandej në Budapest, nga ku ato erdhën me Konteshën Geraldinë Apponyi. Mbreti i kishte lënë një përshtypje konteshës së re kur e kishte parë në një foto që ia kishin dërguar motrat e tij, të cilat e ftuan Geraldinën të vizitonte Tiranën, pas së cilës ai i propozoi asaj. Dasma ishte mjaft luksoze dhe, midis shumë dhuratave të martesës që mori çifti ishte një Mercedes i gjatë, ngjyrë alle, tepër i fuqishëm dërguar nga Adolf Hitleri. Martesa u prit mirë si në Shqipëri ashtu dhe jashtë vendit. Pas muajit të mjaltit në Durrës, çifti u vendos në pallatin luksoz mbretëror ekzistues në qendër të Tiranës, i cili shumë shpejt do të bëhej i njohur në Angli si ‘oborri i lodrave’. Edit Durhami komentoi një udhëtim ekstravagant të pesë motrave të Zogut në Shtetet e Bashkuara: ‘Se pse shkuan Princeshat në Amerikë nuk është e sigurt. Ajo që është e sigurt është se shpenzimet qenë aq të mëdha dhe që fshatarët gjysmë të uritur ndien se ato shpenzime do të kishte qenë më e udhës të bëheshin në Shqipëri’.

Pushtimi italian

Më 1 prill 1939 në Tiranë pati një demonstrim masiv anti-italian, ndërsa turmat e irrituara kërkonin armë për të luftuar italianët. Në një kohë që Mbretëresha priste të lindte, Zogu për të fituar kohë pranoi disa kërkesa të italianëve. Më 4 prill Geraldina lindi një djalë që u quajt Leka. Ditën tjetër luftanijet italiane u dukën në brigjet shqiptare, ndërsa avionë italianë hodhën fletushka mbi Tiranë duke i këshilluar shqiptarët të mos rezistonin. Të gjithë italianët që ndodheshin në Shqipëri ishin grumbulluar në portet e Vlorës dhe të Durrësit gati për të hipur në anije.

Pasi nuk pati asnjë përgjigje nga Zogu për ultimatumin e Musolinit, në mëngjesin e 7 prillit Shqipëria u bombardua befasisht. Mbi 40 mijë trupa italiane zbarkuan në Vlorë.

…Meraku kryesor i Mbretit në ditën fatale ishte si të shpëtonte familjen e tij. Mbretëresha dhe djali i saj dy ditësh një orë e gjysmë para pushtimit u nisën me një karvan makinash përmes malesh drejt kufirit grek. Zogu mandej transmetoi një mesazh për popullin e tij duke i kërkuar të vazhdonte të luftonte, por të paktë ishin ata që kishin radio ndaj dhe të paktë ishin ata që e dëgjuan thirrjen e tij. Përpjekja e tij përfundimtare për të biseduar me italianët qe krejt e kotë, ndaj dhe ai mandej mori vendimin fatal të ndjekë gruan e tij në arrati. Duket se pamundësia për të bërë luftë guerrile në male bëri që Mbreti të zgjidhte largimin nga Shqipëria sa më shpejt të ishte e mundur. Para se të linte pallatin ai shkoi krejt i vetëm drejt kasafortës gjigante në zyrën e tij dhe mbushi një mori arkash me napoleona floriri. Sipas raporteve të asaj kohe të Forin Ofisit britanik, kjo shumë llogaritej në rreth 50 mijë lira stërlina, gjithçka që kishte mbetur nga pasuria personale e tij, e krijuar nga shitja e pronave të familjes në disa vite. Me një shpurë të anëtarëve të qeverisë, më shumë se pesëqind oficerë të komandës së lartë, bashkiakë dhe këshilltarë – gjithsej rreth dymijë vetë, Mbreti kaloi kufirin dhe hyri në Greqi. Ai nuk do të shkelte kurrë më në tokën shqiptare.

Fitorja italiane ishte e shpejtë dhe tërësore. Në mbrëmjen e 7 prillit Italia kishte fituar atë që Hitleri e kishte përshkruar si ‘një kështjellë të paepur për dominimin e Ballkanit’. Pavarësisht se kishte pasur luftime të ashpra në rrugët e Durrësit, të cilat u thyen shumë shpejt, gjithëkund tjetër thuajse nuk pati asnjë kundërshtim. Nuk ishin bërë as parapërgatitje serioze për rezistencë dhe as nuk kishte ndonjë komandë. Shumë nga fiset veriore nuk bënë asnjë lëvizje kundër italianëve, madje Mirdita në të vërtetë çarmatosi trupat zogiste që tërhiqeshin. Në ditaret e tij Konti Çiano kujton: ‘Me lajmin se Zogu ia mbathi për në Greqi u zhduk edhe frika jonë për rezistencë në male. Në të vërtetë, ushtarët janë tashmë duke u kthyer në kazermat e tyre pasi dorëzuan armët në oborrin e Legatës [Legatës italiane në Tiranë]’.

***

Shpallja e Monarkisë domosdoshmëri kombëtare dhe e ligjshme

1 shtator 1928-1 shtator 2018: 90-vjetori i Mbretërisë Shqiptare

Ekrem Spahiu

Ekrem Spahiu

Këtu e 90 vjet më pare, pikërisht me 1 shtator 1928, ora 09.12, Asamblea Kushtetuese në mbledhjen e saj të katërt me vota unanime miratoi ndryshimet e Statutit, ku dy më kryesoret ishin: “Shqipëria është Mbretëri demokratike, parlamentare dhe e trashëgueshme” dhe “Mbret i Shqiptarëve është Nalt Madhëria e Tij – Zog I”.

Kalimi i Shqipërisë në sistemin monarkik të formës së regjimit, ishte në fakt kalim në një sistem më afër tradicionales dhe më të pranueshëm për shqiptarët, se sa sistemi republikan. Mbretërinë e instaloi i njëjti personalitet, i cili tre-katër vite më parë kishte instaluar Republikën dhe ishte shpallur President i kësaj Republike. Ky akt është pritur dhe vlerësuar me kundërthënie nga më të ndryshmet. Vlerësimi më radikal ka qenë se monarkia e instaluar nga Ahmet Zogu nuk ka qenë e ligjshme dhe ishte thjesht shprehje e ambicieve personale të Ahmet Zogut.

Një vlerësim tjetër është se instalimi i mbretërisë nuk ka qenë i ligjshëm, por një akt politik i domosdoshëm për stabilitetin dhe sigurinë kombëtare të Shqipërisë. Një vlerësim i tretë është se instalimi i mbretërisë ka qenë domosdoshmëri kombëtare dhe është bërë në mënyrë krejtësisht të ligjshme.

Nga pikëpamja juridike, të treja vlerësimet meritojnë vëmendje, për më tepër që mbretëria, si sistem politik e ka në rrënjë mbretërinë e ligjit si sistem juridik. Atëherë, le të ndalemi tek disa aspekte të instalimit të mbretërisë në Shqipëri.

Sikurse e thamë, i njëjti personalitet që drejtoi vendin për rreth katër vjet në cilësinë e Presidentit dhe Kryeministrit, po ai u shpall edhe Mbret i Shqiptarëve. Nëse kjo do të ishte çështje vullneti apo ambiciesh politike, atëherë çfarë apo kush mund ta ndalte Ahmet Zogun që ta instalonte Mbretërinë qysh më 1924, ku u rikthye në pushtet? Autoritetin e kishte. Vlerat drejtuese i kishte shprehur edhe më parë, madje në një post mjaft delikat si ai i Ministrit të Brendshëm. Kundërshtarët politikë të udhëhequr nga Fan Noli, që erdhen në pushtet në rrugë jolegjitime nuk gëzuan asnjë njohje ndërkombëtare dhe u larguan pas gjashtë muajve nga pushteti (24 dhjetor 1924). Shqipëria nuk kishte një traditë politike dhe në këto kushte mund të bëje si të doje. Atëherë përse nuk e bëri Ahmet Zogu qysh në fillim këtë akt të shpalljes së Mbretërisë? Për hipokrizi?

E vërteta është krejt ndryshe. Ahmet Zogu u tregua shumë i kujdesshëm në hapat e tij për ta ndryshuar formën e regjimit në Shqipëri nga Republikë në Monarki, duke punuar në disa drejtime dhe për të qenë në harmoni me proçesin politik, opinionin publik shqiptar, bindjen dhe mbështetjen e marrë nga faktori ndërkombëtar e në veçanti nga Fuqitë e Mëdha, dhe mbi të gjitha me nismat dhe respektimin e proçedurave kushtetuese e ligjore.

Ahmet Zogu nuk mund të bënte një hap politik që do të ishte në kundërshtim me të drejtat e trashëgimisë. Sikurse është e njohur, në Konferencën e Ambasadorëve 29 korrik 1913, midis të tjerash, ishte vendosur qysh në pikën 1 të Deklaratës se: “Shqipëria konstituohet si një principatë autonome, sovrane dhe e trashëgueshme sipas rrjedhës së paraardhësve të një gjaku, nën garancitë e gjashtë Fuqive të Mëdha. Princi do të caktohet nga gjashtë Fuqitë e Mëdha”. Po ashtu, dimë se menjëherë pas Konferencës së Ambasadorëve, u caktua edhe trashëgimtari që do të ushtronte këtë funksion, princi me origjinë gjermane Vilhelm Vid, i cili nuk mundi të qëndrojë më shumë se sa rreth 6 muaj (7 mars-3 shtator 1914) për të ushtruar pushtetin princëror të tij.

Princi Vilhelm Vid, edhe pse i larguar, asnjëherë nuk pati shpallur abdikimin për të liruar rrugën, qoftë për mbret apo princ pasardhës, qoftë edhe për të hapur rrugën ndryshimit të regjimit. Në këto kushte, më 1924, Ahmet Zogu nuk mund të shpallte vijimin e rrjedhës mbretërore/princërore, sepse kjo i takonte vetëm Princit Vilhelm Vid. Atëherë, Ahmet Zogu zgjodhi rrugën e dytë: shpalljen e Shqipërisë Republikë dhe të vetes së tij President dhe Kryeministër.

Por e pashpjeguar mirë në historiografinë e Shqipërisë deri tani, është se përse Ahmet Zogu nuk u shpreh ekskluzivisht dhe paralelisht se “Nuk njeh mbretërinë”, kur ai e shpalli Shqipërinë “Republikë” dhe veten “President dhe Kryeministër”? Mendoj se pikërisht këtu qëndron çelësi i shpjegimit dhe jo sikurse e shpjegojnë një kategori historianësh, të cilët shprehen se me shpalljen e Shqipërisë Republikë dhe të Ahmet Zogut si President të saj, u suprimua plotësisht forma monarkike e qeverisjes në Shqipëri.

Ahmet Zogu, në vitin 1925, kur erdhi në krye të Republikës si President, shpalli një lloj regjimi që të ishte i pranueshëm dhe në dobi të popullit e shtetit shqiptar, një regjim të tillë që do të vendoste në rrugë institucionale, funksionimin e gjithë shoqërisë dhe të politikës shqiptare, të cilat prej 13 vjetësh nga shpallja e pavarësisë, kishin qenë në kaos të plotë. Ndërkohë, me këtë akt, Ahmet Zogu nuk shpalli mosnjohjen e mbretërisë. Përkundrazi, ai la hapur mundësinë e vijimësisë mbretërore.

Sapo Zogu e forcoi shtetin në masën e mjaftueshme për të qenë i aftë të marrë dhe të administrojë pushtetet e veta, atëherë ai shkoi përsëri në origjinën politike të njohur apo të deklaruar edhe nga Fuqitë e Mëdha: mbretërinë e trashëgueshme. Për të kaluar këtë “prag politik”, mbetej vetëm një pengesë: Princi Vilhelm Vid ishte gjallë dhe ai ende nuk qe shprehur nëse vijonte të pretendonte fronin mbretëror apo abdikonte prej këtij froni, duke ia lënë dikujt tjetër mundësinë ta trashëgojë. Në këtë kuadër, shumë historiografë e kanë deformuar apo nuk e kanë lexuar si duhet referimin për deklaratën e Princ Vidit të datës 24 gusht 1928, të cilën po e citojmë me korrektesë siç është sjellë nga autori i paanshëm Ouen Pearson, në librin e tij “Shqiperia dhe Mbreti Zog” (faqe 292-293), “Ish Mbreti Vilhelm, Princi Vidi, i cili kurrë nuk kishte abdikuar, lëshoi një deklaratë me të cilën shpallte se ai i pretendonte për veten dhe për trashëgimtarët e tij të gjitha të drejtat për fronin e Shqipërisë, megjithë aspiratat e Ahmet Zogut për të qenë mbret. Ai i qëndronte mendimit, besimit, se shumica e shqiptarëve e mbështesnin akoma atë, por ai ndjente se kthimi i tij i menjëhershëm nuk mund të diskutohej, përderisa nuk ishte e mundur të zhvillohej një referendum i lirë dhe i pandikuar në atë kohë. Ai deklaroi se ai ishte i lirë nga ambiciet e tij personale dhe se kurrë nuk kishte ndërmend të provokonte mospajtime midis shqiptarëve, pasi bashkimi, përparimi dhe prosperiteti i të cilëve kishte qenë dhe ishte akoma synimi i vetëm i tij. Kështu ai do të shmangte vështirësitë politike të brendshme dhe të jashtme, duke pritur momentin e përshtatshëm për t’u kthyer në Shqipëri, e cila do të parakuptonte domosdoshmërisht një dëshirë unanime të popullit”.

Deklarata është bërë, sikurse e thamë më lart, në datën 24 gusht 1928. Ndërkohë, dihet që Asambleja Kushtetuese e shpalli Shqipërinë – Mbretëri në datën 1 shtator 1928. Atëherë, cili është leximi që duhet konsideruar si themeli i proçesit të ligjshëm?

Shpallja e Shqipërisë – Mbretëri u bë pasi u deklarua Princi i ligjshëm i saj, Vilhelm Vid. Por tashmë ish Princi, në deklaratën e vet, u shpreh se ai kurrë nuk kishte abdikuar, gjë që do të thotë se, në një farë mënyre, ai e pranonte se ekzistonte edhe mundësia e abdikimit. Ish Princi, pranon gjithashtu se ky abdikim do të mund të ishte i arsyetuar pas mbështetjes ose jo të popullit shqiptar, të cilën ai mendonte se e kishte. Ndërkohë, ai ndjente se mbështetja duhej “lexuar” përmes një referendumi, ku populli të shprehte vullnetin e tij. Këto labirinte arsyetimesh, nxjerrin në pah se, për shumë arsye, Princ Vidi e kishte humbur besimin dhe ndoshta të drejtën për të vijuar mbretërimin. Të mos harrojmë se ai ishte larguar prej 14 vjetësh nga Shqipëria, duke mos ushtruar asnjë atribut.

Tani vijmë tek momenti vendimtar që përcakton llojin dhe përfaqësuesin e një regjimi legjitim: mbështetja popullore. Cili ishte vullneti i popullit që kërkonte Vidi? A nuk e përfaqësonte Asambleja Kushtetuese vullnetin e popullit? A premtonin ato kohë të trazuara që të organizohej e të zhvillohej një referendum klasik sikurse e kërkonte Princi që kishte “humbur”?

Atëherë, në thelb, e gjithë deklarata e ish Princit mund të interpretohet pak a shumë kështu: “Mbretëria duhet të vazhdojë. Unë (ish Princi) jam njeri prej atyre që mund ta pretendojnë këtë fron, por për këtë duhet pyetur populli”. Sikurse është e njohur, populli, me fuqinë e Asamblesë Kushtetuese u shpreh, se Mbretëria duhet të vazhdojë. Gjithashtu, po në emër të vullnetit të popullit shqiptar, Asambleja përcaktoi edhe Mbretin – një Shqiptar të Madh, i cili e ka treguar veten se di të realizojë atë dëshirë e synim fisnik të vetëm që kishte edhe ish Mbreti Vilhelm Vid – bashkimin, përparimin dhe prosperitetin e shqiptarëve.

Pavarësisht nga deklarata e Princ Vidit më 24 gusht 1928, Zogu në këtë çeshtje tregoi kujdes të veçantë, se i trembej gjetjes së ndonjë hapësire tjetër ligjore nga Fuqitë e Mëdha për rikthimin e Vidit në fronin e Shqipërisë. Si rrjedhim, lëvizjet e tijë për të fituar kurorën mbretërore shqipëtare gjatë periudhës së parë të aktivitetit politik në krye të shetit shqiptar ishin kryesisht të ngadalta dhe shumë të matura. Zogu dhe ndihmësit e tij mendonin se ishte e domosdoshme fillimisht të bënin përpjekjet maksimale për të bindur Fuqitë e Mëdha si dhe për të siguruar mbështetjen e tyre në arritjen e këtij synimi madhor për të ardhmen e Shqipërisë dhe të tij. Pikërisht për këtë çeshtje historiania Valentina Duka, në librin “Monarkia Shqiptare 1928-1939” shkruan: “Më në fund, diplomacia britanike dhe ajo europiane në përgjithësi, të bindura edhe nga diplomacia italiane, tejet aktive në këtë mes, si dhe të etura për të parë një Ballkan të qëndrueshëm, u pajtuan për t’i hapur dritën e gjelbër ndryshimit të formës së qeverisjes në Shqipëri”.

Edhe pse arriti ta bindë faktorin ndërkombëtar, Zogu e kuptonte se një ndryshim i tillë kushtetues kërkonte domosdoshmërisht përgatitje të shumta edhe në planin e brendshëm. Duke qenë kurdoherë mjaft i kujdesshëm për ruajtjen e formës legale, ai u përpoq që ky ndryshim të bëhej brenda një kuadri kushtetues të rregullt.

Meqenëse, juridikisht, Asamblesë nuk i njihej e drejta që të ndryshonte Kushtetutën, u vëndos rishikimi i përgjithshëm i Statutit (Kushtetutes) dhe për ketë, ishte e domosdoshme që deputetët të votonin një ligj organik. Në atë kohë, në vendin tonë ishin dy Dhoma, njëra e Deputetëve dhe tjetra e Senatorëve. Më 7 qershor 1928, u mblodhën dy Dhomat në një mbledhje të përbashkët dhe për të qenë në përputhje me shkronjën dhe frymën e Statutit, vëndosën një shtojcë të nenit 141 me këte përmbajtje: “Rishikimi i përgjithshëm i Statutit i përket vetëm Asambles Konstituente”.

Kur vëndoset nevoja e rishikimit të përgjithshëm të Statutit, dy Dhomat quhen vetvetiu të shpërndame dhe dekretohen zgjedhje për Asamblen Konstituente.

Më 17 gusht 1928, u zhvilluan zgjedhjet për Asamblenë Kushtetuese dhe asamblistat e dalë nga populli në këto votime, filluan mbledhjet më 25 gusht. Më 1 shtator 1928, ora 09.12, Asamblea Kushtetuese në mbledhjen e saj të katërt me vota unanime miratoi ndryshimet e Statutit, ku dy më kryesoret ishin: “Shqipëria është Mbretëri demokratike, parlamentare dhe e trashëgueshme” dhe “Mbret i Shqiptarëve është Nalt Madhëria e Tij – Zog I”.

Në një mënyrë shumë domethënëse për një vend me disa besime, Zogu bëri betimin mbi Bibël dhe Kuran: “Unë, Zogu, mbret i shqiptarëve, me rastin e marrjes në duart e mia të fuqisë mbretërore, betohem para Zotit të plotfuqishëm se do të ruaj unitetin kombëtar dhe integritetin territorial të shtetit. Unë do t’i përmbahem me besnikëri Kushtetutës dhe do të veproj në bazë të akteve të saj dhe ligjeve në fuqi, duke mbajtur gjithnjë parasysh vullnetin e popullit”. Në bazë të statutit të ri të Mbretërisë, Asambleja Kushtetuese u transformua në Parlament dhe e filloi mbledhjen e vet të parë me këtë cilësi të re, më datë 10 dhjetor 1928.

Përgatitja e opinionit publik shqiptar për kalimin nga republikë në monarki dhe zgjedhjen e Ahmet Zogut – Mbret të shqiptarëve, ishte shumë i domosdoshëm përpara se ky veprim të ekzekutohej. Stafi pran Zogut i kushtoi një rëndësi të madhe sensibilizimit të opinionit publik për këtë ngjarje historike kombëtare, ku u bë me të gjitha mjetet e duhura, por kryesisht nëpërmjet organeve të shtypit shqiptar dhe të huaj. U organizuan manifestime dhe mitingje, ku populli kërkonte ndryshimin e formës së regjimit dhe shpalljen e Zogut – Mbret. I pari telegram që mbërrin në Tiranë ishte ai i zgjedhësve të Skraparit, dërguar më 17 gusht, ku kërkohej zgjedhja e Ahmet Zogut si Mbret. Si Skrapari vepruan edhe prefektura dhe nënprefektura të tjera. Ky organizim dhe kjo atmosferë festive kulmuan me një miting të madh më 30 gusht në Tiranë.

Sigurisht që faktori ndërkombëtar ishte i informuar dhe i kishte dhënë Zogut mbështetje të plotë për këtë proçes. Njohja zyrtare e Mbretërisë u bë në fillim nga Italia dhe në vijim, nga Hungaria, SHBA, Greqia, Jugosllavia, Uruguaji, Austria, Bullgaria, Franca, Holanda, Belgjika, Zvicra, Spanja, Polonia, Lituania, Letonia, Suedia, Finlanda, San Marino, Ekuadori, Egjipti, etj.

Këto ishin pra kushtet dhe rrethanat, por edhe fazat e kalimit të proçesit ku u vendos dhe u legjitimizua monarkia në Shqipëri. Çështja e legjitimitetit është një çështje madhore që lidhet drejtpërdrejt me stabilitetin politik dhe sigurinë kombëtare. Kjo formë qeverisje, erdhi edhe si vlerësim i përgjithshëm i situatave reale që kishte dhe po kalonte vendi, por edhe si domosdoshmëri, për të dalë mbi forcat e ndryshme politike dhe mbi krerët lokale, pasi rreziku i grindjeve partiake dhe individuale për të ardhur në pushtet me çdo mënyrë, shihej si një problem i madh kombëtar.

Periudha nga viti 1912 deri në ardhjen në fuqi të Monarkisë, ka qenë periudha më e destabilizuar e vendit dhe, rrjedhimisht, më e prekshmja për sigurinë kombëtare të Shqipërisë. Në këto kushte, për Shqipërinë dhe shqiptarët kudo ku jetonin, nuk kishte zgjidhje tjetër shpëtimi, mbijetese e sigurie kombëtare, përveçse të kalohej në një përqendrim edhe më të madh të energjive, përpjekjeve dhe forcave të të gjithë kombit, gjë që u mishërua në zgjidhjen politike të instalimit të Monarkisë.

Me shpalljen e Shqipërisë Mbretëri, u krijuan kushte të favorshme për tu ushtruar plotësisht pushteti dhe qeverisja në të gjithë teritorin e vendit dhe dhënien fund të intrigave dhe prapaskenave, në dëm të interesave të vendit. Gjithsesi, kjo mund të vlerësohet edhe si një mundësi për të ndikuar personalisht në zgjidhjen e problemeve kombëtare, në kushtet e klanizimit të politikave të brendshme shqiptare.

Formula dhe betimi mbi Kuran dhe mbi Bibël, u konsiderua faktor i rëndësishëm për stabilitetin, sigurinë dhe mbarëvajtjen e punëve shtetërore. Ai materializoi idenë e bashkëpunimit me të gjitha institucionet fetare, duke bërë hapa konkretë për të siguruar faktorë të rëndësishëm mbështetës e gjithëpërfshirës në çështjet e sigurisë kombëtare, ndër të cilët bashkëjetesa e feve të ndryshme, konsiderohej themelore.

Shpallja e Ahmet Zogut, Mbret i Shqiptarëve shënoi fillimin e fazës më të rëndësishme të realizimit të vizionit të tij për konsolidimin e shtetit dhe të gjithë instrumenteve që i japin kuptim qeverisjes moderne të tij.

Si përfundim, duhet thënë se gjendja e Shqipërisë përpara vendosjes së monarkisë, ka arsye të ndahet në dy periudha: në periudhën 1912-1925 dhe në atë të viteve 1925-1928. Të dy periudhat i ndan fakti se, në të parën, Shqipëria, edhe pse bëri “kapërcimin e ylberit”, d.m.th., kaloi nga gjendja e pushtimit 500 vjeçar në gjendjen e të jetuarit si komb më vete, nuk arriti, prapëseprapë, të formonte një shtet për të qenë, një shtet serioz që të kishte forcën e vet brenda vendit dhe fjalën e vet jashtë vendit. Sistemi politik qe i mjegullt dhe shumë i paqëndrueshëm.

Në kushtet e ndarjeve krahinore e fisnore, si dhe për shkak të ndikimeve të interesave të ndryshme të brendshme e të jashtme, në një periudhë prej vetëm 7 vjetësh pas përfundimit të Luftës së Parë Botërore, do të vinin e do të largoheshin plot 14 qeveri me kryeministrat: Myfid Bej Libohova, Fejzi Bej Alizoti, Turhan Pashë Përmeti, Esat Pashë Toptani, Sulejman Delvina, Iljas Bej Vrioni, Pandeli Evangjeli, Qazim Koculi, Hasan Prishtina, Omer Pashë Vrioni, Xhaferr Ypi, Ahmet Zogu, Shefqet Vërlaci dhe Fan Noli. Madje në dhjetor të vitit 1921 për shkak të ambicieve personale dhe konflikteve të vazhdueshme ndërmjet grupimeve politike, në vetëm 18 ditë, si pasojë e kësaj situate u ndërruan tre kryeministra, qëndrimi i të cilëve në qeverisje u mat me ditë: Qazim Koculi për një ditë, Hasan Prishtina për 5 ditë dhe Idhomeno Kosturi për 12 ditë.

Sikurse duket qartazi, Shqipëria, në këto vite, ka qenë në vakum pushteti, me mungesë stabiliteti dhe rrjedhimisht, e prekur edhe në sigurinë e vet kombëtare. Kjo paqëndrueshmëri politike në vend u pasqyrua edhe në takimet kryesore zyrtare evropiane ku vendoseshin fatet e vendit tonë. Elementi zyrtar shqiptar, në më të shumtën e rasteve, nuk ka qenë i pranishëm. Por edhe në rastet kur ka qenë i pranishëm, ai ka qenë i përçarë, sikurse ishte Konferenca e Paqes së Parisit në 1919 – shembulli më kuptimplotë.

Në këto kushte, Shqipëria nuk ishte thjeshtë e përçarë dhe e izoluar, por thuajse e lënë pas dore nga bota dhe, në rastin më ekstrem, e rrezikuar për të humbur edhe sigurinë kombëtare. Vendi ishte zhytur në varfëri. E vetmja zgjidhje ishte emigracioni, i cili, në ato vite, jo vetëm filloi, por edhe u masivizua si kurrë ndonjëherë.

Përkundrazi, në periudhën e dytë (1925-1928), që jo rastësisht lidhet me emrin e Ahmet Zogut, edhe pse brenda një kohe fare të shkurtër, Shqipëria u fut në rrjedhën e individualitetit të shtetit, të forcës dhe të fjalës së tij. Shqipëria filloi të pyetej në arenën ndërkombëtare, madje t’i dëgjohej edhe fjala sikurse ishte rasti për Çamërinë. Shteti, pothuajse u plotësua në infrastrukturën e vet politike. Gjithsesi, ajo që i bashkon të dyja periudhat është varfëria përgjithësisht e skajshme e vendit, infrastruktura e dobët, sistemi arsimor jo i zhvilluar, sistemi ligjor jofunksional dhe përfaqësimi diplomatik në botë jo i plotë.

Duke marrë parasysh sa më sipër, si dhe faktin tepër të rëndësishëm se, pikërisht në ato vite, situata e sigurisë në Ballkan dhe në Evropë po shkonte drejt përkeqësimit, atëherë për Shqipërinë dhe shqiptarët kudo ku jetonin, nuk kishte zgjidhje tjetër shpëtimi, mbijetese e sigurie kombëtare, përveçse të kalohej në një përqendrim edhe më të madh energjish, përpjekjesh dhe forcash të të gjithë kombit, gjë që u mishërua në zgjidhjen politike të instalimit të Monarkisë.

Një përvojë të tillë të përqendrimit të pushtetit politik në kohë rreziqesh të mëdha për sigurinë kombëtare e kanë përjetuar shumë kombe, pavarësisht se në çfarë forme është bërë ky përqendrim. Kështu pat vepruar dikur Gjermania nën “Monarkun” Bismark. Kështu patën vepruar edhe fqinjët tanë më të afërt, Serbia, Greqia, etj. Shqipëria nuk kish pse bënte përjashtim nga ky rregull. Përndryshe ajo do të vijonte të bëhej objekt lakmish të egra. Kalimi nga regjimi i Republikës në regjimin e Mbretërisë ishte, jo vetëm i domosdoshëm, por edhe i ligjshëm. Kjo është shumë e rëndësishme, sepse një qeverisje legjitime është guri i themelit të stabilitetit politik dhe sigurisë kombëtare. Këtë legjitimitet, Ahmet Zogu e fitoi me mjete të ligjshme dhe me kontribute të spikatura të udhëheqësit të pranuar dhe të mbështetur në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar.

Se çfar arritën shqiptarët dhe Shqipëria nën drejtimin e Mbretit Zog I gjatë 11 viteve të Mbretërisë, është temë në vehte dhe duhet trajtuar në një shkrim të veçantë./ZgjohuShqiptar.info

KOMENTONI

Loading...
Loading...
Name

Aktualitet,7968,Camëri,108,Editorial,1711,Ekonomi,418,Emra për djem,38,Emra për vajza,36,Enciklopedi,81,Histori,1284,Iliridë,251,Kosovë,2376,Kulture,628,Luginë,49,Moti,2,Politik,1779,Reportazh,155,Rezultatet Live,2,Shtypi,79,Sondazhe,8,Sport,493,Video,497,
ltr
item
Zgjohu Shqiptar: Mbret apo horr? Një përballje mes një zogisti dhe një historianeje
Mbret apo horr? Një përballje mes një zogisti dhe një historianeje
https://3.bp.blogspot.com/-L2E14tNgZHg/W4rr6Sy_SLI/AAAAAAAAX9w/5aPovVwQ6GoQLWbHSXIghwrjXoRj0MHtgCLcBGAs/s640/21389082_1615822408470527_1888637117_o-1-905x395-905x395.png
https://3.bp.blogspot.com/-L2E14tNgZHg/W4rr6Sy_SLI/AAAAAAAAX9w/5aPovVwQ6GoQLWbHSXIghwrjXoRj0MHtgCLcBGAs/s72-c/21389082_1615822408470527_1888637117_o-1-905x395-905x395.png
Zgjohu Shqiptar
https://www.zgjohushqiptar.info/2018/09/mbret-apo-horr-nje-perballje-mes-nje.html
https://www.zgjohushqiptar.info/
https://www.zgjohushqiptar.info/
https://www.zgjohushqiptar.info/2018/09/mbret-apo-horr-nje-perballje-mes-nje.html
true
269073700948665522
UTF-8
Ngarkuar te gjitha postimet Nuk gjendet ndonje postim SHIKO TE GJITHA Lexo me Shume Repliko Hiq Repliken Fshi Nga Kreu FAQET POSTIMET Shiko te Gjitha REKOMANDUAR PER JU LABEL ARKIVA KERKO TE GJITHA POSTIMET Nuk u gjet asnje material sipas kerkeses tuaj Kthehu te Kreu E Diel E Hene E Marte E Merkure E Enjte E Premte E Shtune Hen Mart Merk Enj Pre sht Die Janar Shkurt Mars Prill Maj Qershor Korrik Gusht Shtator Tetor Nentor Dhjetor Jan Shk Mar Pri Maj Maj Qer Gush Sht Tet Nen Dhj menjehere 1 minute me pare $$1$$ minutes ago 1 ore me pare $$1$$ hours ago Dje $$1$$ days ago $$1$$ weeks ago me shume se 5 jave me pare Followers Follow THIS CONTENT IS PREMIUM Please share to unlock Kopjo te Gjithe Kodin Selekto te Gjithe Kodin All codes were copied to your clipboard Can not copy the codes / texts, please press [CTRL]+[C] (or CMD+C with Mac) to copy