Shqipëria, tokë ku shkelën perandorë

Luan Rama – Kur arkeologu francez Léon Rey, zbulonte në fillimin e viteve ’30 në qytezën antike të Apolonisë një nga skulpturat me fytyrën e perandorit August, i pari perandor i Romës, ai e kuptoi se kjo skulpturë e ngritur diku në mes të qytetit ishte jo vetëm një vepër arti e Akademisë së Artit të Apolonisë, por edhe një dëshmi e lidhjes së fuqishme që kishte pasur ky qytet me këtë perandor, i cili në rininë e tij kishte jetuar në shtëpitë e këtij qyteti.

Përshkrimi i Rey-it gjatë një prej ekspeditave të përvitshme në Apoloni në ditarin e tij është interesant: “Dora zbulon mermerin dhe duke u dridhur, – shkruante ai, – ajo ndjek shtegun që ka lënë dalta mbi të. Ja tashmë tek qëndron, ashtu siç e ka krijuar vetë artisti.

Burri i veshur me togën e madhe, duket sikur po zbret drejt qytetit që tashmë nuk ekziston më. Ai është i ri dhe i bukur. Vallë është Oktaviani, “Augusti” i ardhshëm, i cili bëri studimet në këtë qytet? Hipoteza duket tërheqëse…”. Dhe disa ditë më pas, Rey gjeti një kokë tjetër mermeri në të cilën vërtetoi se ishte pikërisht e Oktavianit, pasi një e tillë, e ngjashme, me të njëjtën shprehje, ai e kishte parë në muzeun e Firences.


Augustus von Prima Porta (20-17 v. Chr.), aus der Villa Livia in Prima Porta, 1863

Ky personazh historik, është një nga figurat më të shquara të dymbëdhjetë çezarëve që flet historian romak Sueton në librin e tij Jeta e dymbëdhjetë çezarëve. Historianët e Republikës së Romës dhe më pas ata të Luftës Civile dhe të kohës imperiale, shkruajnë pak për kohën e qëndrimit të Augustit në Apoloni, i cili në atë kohë kishte emrin Oktavian. Oktaviani kishte lindur më 23 shtator të vitit 63, para erës sonë, në Romë, dhe prindërit e quajtën Caius Octavius Thurinus. Ai ishte biri i Atia-s, mbesës së Cezarit dhe i Gaius Octavius, i cili ishte guvernator i Maqedonisë së pushtuar në atë kohë nga ushtritë romake. Pas luftës në Maqedoni, bashkë me disa legjione, Çezari e dërgoi Oktavianin në Apoloni që të ndiqte Akademinë Ushtarake. Bashkë me të ishte dhe Agrippa, i cili do të bëhej më vonë një nga gjeneralët më të shquar të perandorisë augustiane.

Por atëherë, Roma ishte ende Republikë. Ishte viti 45 para erës sonë dhe Apolonia bashkë me Dyrrachium-in, ishin dy nga qëndrat më të fuqishme të bregut të Ilirisë. Në rrethinat e Apolonisë, pak vite më parë, Çezari kishte ngritur kampin e vet dhe kur kishte hyrë në qytet, ushtarët e legjioneve romake, por dhe banorët e kishin brohoritur ardhjen e tij. Luftërat kundër legjioneve të Pompeut njihen, si ato në afërsi të Apolonisë ashtu dhe në rrethinat dhe kështjellën e Durrës, për të përfunduar pastaj në Farsale të Maqedonisë, ku Pompeu u mund plotësisht.

Oktaviani ishte veçse 19-vjeçar kur erdhi në Apoloni, në një kohë kur sapo kishte sprovuar lufëtrat e Maqedonisë. Por meqë nuk kishte fëmijë, Çezari mendonte gjithnjë që ta bënte trashëgimtarin e tij, prandaj dhe e dërgoi nipin e vet të përgatitej nga ana ushtarake, të ushtronte artin e kalorësisë dhe të mësonte strategjinë e luftës. Apolonia atëherë ishte një qytet i lulëzuar, të cilën e kishte vizituar dhe kishte qëndruar pak vite më parë Ciceroni, i cili e cilësonte atë “Magna urbis et gravis”, (“Një qytet të madh e hijerëndë”). Krahas banorëve, apoloniatëve, në qytet ishin dhe krerët ushtarakë, guvernatori, magjistratët, etj., ndërkohë që forcat ushtarake ishin në kampet e ngritura në fushat që rrethonin qytetin. Imagjinoni një çast 80 mijë ushtarët e Çezarit, që kishin rrethuar qytetin prej pak kohësh, pamje që ndoshta sot e tejkalojnë imagjinatën tonë. Qyteti i Apolonisë kishte atëherë një Agonothet, siç e shohim një pjesë të tij, të zbuluar nga Rey dhe të ringritur nga arkeologët shqiptarë, (një pjesë e fasadës), disa dekada më parë. Po ashtu, ishte Odeoni, Buleterioni, banjat, Nimfeu, tempujt e ndryshëm, siç ishte dhe ai i Apolonit, Dianës, Demetras, etj. Monumentet e statujat e shumta të Erosit, Heras, Hermesit apo Meneadat, gjallonin rrugët me kalldrëm. Pllakat e mermerit ishin të mbushura me dedikime e mbishkrime të ndryshme.

Në qytetin e ngrohtë e plot diell pranë detit, ishin sallat e hapura të muzikës, vendet e kultit, altarët në abside, kamaret dhe muret e trashë rrethues, akuaduktët që sillnin ujë, etj. Rrugët e Apolonisë gumëzhinin nga njerëzit, tregjet, prostitutat, (më të shumtat gjendeshin atëherë në Dyrrachium, i cili kishte një nam të madh për pasurinë e shumëllojshmërinë e tyre), pasi pranë Apolonisë ishte porti ku zbarkonin anijet që vinin shpesh nga Brindizi dhe qytetet e tjera të Mesdheut. Oktaviani, (apo Oktavi, siç e thërrisnin jo pak në atë kohë), ishte një djalosh shumë i bukur. Në librin për jetën e tij, historiani Sueton shkruan se “Ai kishte një bukuri të rrallë, bukuri të cilën e ruajti gjatë gjithë jetës… Sytë e tij ishin gjithnjë të gjallë e të shndritshëm, madje ai të bënte të besoje se shikimi i tij kishte diçka hyjnore.






Augustus von Prima Porta (20-17 v. Chr.), aus der Villa Livia in Prima Porta, 1863

Kur u bë August dhe e fiksonte shikimin e tij tek dikush, ai kishte dëshirë që tjetri ta ulte kokën, si i verbuar nga dielli”. Arkeologu francez Eric Follain, i cili kohët e fundit botoi në revistën franceze “Archeologia”, një studim mjaft interesant për Apoloninë, ka krijuar dhe sjellë në faqet e kësaj reviste, pamje sintezë (disa prej të cilave po ribotohen këtu), se si kishin qenë në të vërtetë shumë prej ndërtesave kryesore të Apolonisë së asaj kohe, nga të cilat kanë mbetur veçse rrënoja, pasi gurët e tyre, siç na dëshmon në kujtimet e tij arkeologu Rey por dhe arkeologët e tjerë francezë si, Léon Heuzey apo Alfred Gilliéron, janë marrë me qerre nga pashallarët e Beratit për t’i përdorur për themelet e sarajeve të tyre.

Po në këtë mënyrë u morën dhe gurët e tempullit të Dianës, një tempull tepër i veçantë në historinë e arkitekturës së asaj kohe, me gjashtë shtylla të mëdha dhe të larta, nga e cila në shekullin e XIX kishte mbetur vetëm një shtyllë, që me sa duket nuk kishin arritur ta shembnin, (ja pse dhe ai fshat që do të krijohej aty, më pas do të quhej Shtyllas). Sidoqoftë, në mes të qytetit ishte dhe obelisku i Apolonit, tempull të cilin Oktaviani e gjeti në Apoloni dhe kur ai u bë perandori i parë e Romës, një kopje e këtij tempulli u vendos në pallatin e tij, në Palatin.

Siç kishte legjionarët dhe magjistratët e tij, ky qytet kishte dhe skllevërit që mbanin me vete legjionarët, të cilët i ndiqnin nëpër ekspeditat e tyre. Siç shkruan historiani francez Pierre Cosme rreth Apolonisë së Ilirisë në librin Auguste, “Apolonia nuk ishte vetëm një qytet garnizoni ushtarak për trupat ku Cezari mendonte të niste ekspeditat e mëdha kundër dakëve dhe partëve. Edhe pse nuk kishte shkëlqimet e Athinës, Aleksandrisë dhe Pergamos, Apolonia ishte një qendër e kulturës, ku Oktaviani u shoqërua nga Apollodori i Pergamos…”.

Pikërisht në Apoloni, pohon ky studiues dhe biograf i Oktavianit, (August), “nipi i Çezarit njohu astrologun e famshëm Theogjen, i cili i parathotë Oktavianit një të ardhme të shkëlqyer dhe të jashtëzakonshme”. Këtë informacion e kemi dhe nga historiani romak Sueton, i cili e shkruan këtë dhe në librin e famshëm të tij, ashtu si dhe nga shumë historianë të tjerë të kësaj epoke. Në librin e tij Hyjnori Auguste, Sueton shkruan se “Gjatë kohës së tij në Apolloni, bashkë me Agrippa-n, ai shkoi në observatorin e Théogène. Pasi dëgjoi dhe pa horoskopin e Agrippa-s, ai i tha se kishte përpara një të ardhme të shkëlqyer. Oktaviani nuk kishte folur për horoskopin e tij, nga frika, apo nga turpi se mos parashikimi i Théogène nuk do të ishte si ai i mikut të tij. Por pas nxitjesh të shumta dhe hezitimesh, Oktaviani i tregoi Théogène-it dhe ai u habit menjëherë për fatin që e priste atë. Më vonë, Auguste kishte një besim të jashtëzakonshëm në të ardhmen e tij, madje ai prodhoi monedha që kishin konstelacionin e lindjes së tij, atë të konstelacionit të dhisë”.

Në Apoloni, Oktaviani njohu dhe Mecenën, një figure tjetër e kësaj kohe, i cili do të bëhej këshilltari më i ngushtë i Oktavianit gjatë gjithë jetës së tij si konsull dhe pastaj si perandor. Ishte pikërisht ky Mecena, (nga vjen dhe termi i mecenatit, mecenëve të artit, etj.,), i cili e shtyu Augustin që ta shndërronte Romën në një qytet plot shkëlqime, duke i dhënë një impuls të jashtëzakonshme ndërtimeve të mëdha, ngritjes së tempujve, monumenteve, banjave publike, etj., aq sa në historinë romake, ku flitet për kohën e Augustit thuhet “shekulli i Augustit të shenjtë”. Që nga ajo kohë ka mbetur shprehja: “Augusti e gjeti Romën me tulla dhe kur vdiq e la me mermerë të bukur”.

Apiani, nga ana e tij, në librin e tij “Histori romane-Luftërat civile” duke treguar për jetën e Oktavianit, shkruan se “Oktaviani, biri i vajzës së motrës së Cezarit, ishte bërë një ‘hipparque’ i Cezarit përgjatë një viti, sepse Cezari e kishte kthyer këtë funksion vjetor që të ushtrohej nga miqtë e afërt të tij. Oktaviani ishte ende djalosh kur u dërgua nga Cezari në Apolloni, në gjirin e detit Jon. Atij iu dërguan trupa e kuaj me qëllim që të stërvitej dhe shpesh oficerë të shumtë shkonin ta takonin meqë ishte i afërt i Cezarit. Ai i priste të gjithë me mirësjellje, çka forcoi miqësinë e tij me ata dhe me ushtrinë. Por gjashtë muaj më vonë, një mbrëmje, atë e lajmëruan se Çezari ishte vrarë në Senat nga ata që ishin miqtë më të shtrenjtë të tij dhe që ishin më të fuqishmit, pas tij”.

Nga porti vinin dhe të rejat e Republikës. Pikërisht në ditët e marsit të vitit 44, një anije mbërriti në portin e Apolonisë dhe menjëherë në qytet u përhap lajmi se Çezari ishte vrarë nga Bruti, njeriu të cilin ai e mbante si një ndër më besnikët, aq sa, siç shkruajnë historianët, kur pa që Brutus i nguli thikën, Çezari i kishte thënë “Edhe ti biri im?” Padyshim që për Oktavianin ishte një lajm i tmerrshëm vrasja e Çezarit, i cili sapo e kishte proklamuar si trashëgimtarin e tij pas vdekjes, duke i lënë trashëgim gjithçka, me shpresë se pikërisht Oktaviani do të merrte në duar drejtimin e Romës dhe do të vazhdonte stafetën e lavdishme të tij. Por njëkohësisht me lajmin dhe konfuzionin që krijoi ky lajm në Apoloni, në datën 20-27 mars, Oktavianit i erdhi dhe një letër nga nëna e tij, Atia, e cila e porosiste që të mos nxitohej dhe të mos nisej për t’i bërë luftë vrasësve të Cezarit, por të qëndronte ca kohë në heshtje sa të qetësohej situata.

Por nga ana tjetër, të gjithë oficerët e komandantët e legjioneve romake që ishin në Apoloni, vinin pranë Oktavianit dhe i kërkonin veçse shpagim, duke i premtuar besnikëri deri në vdekje. Por a do të mundte ai që të fitonte ndaj ushtrive të shumta që kishin Mark Antoni dhe Bruti në Romë dhe në vendet e pushtuara si në Maqedoni e gjetkë? Agripa dhe miku tjetër Salvidienus Rufusi, një tjetër figurë e kohës imperiale, i kërkonin me këmbëngulje Oktavianit që ta linin Apoloninë menjëherë dhe të niseshin bashkë me legjionet drejt Brindizit, nëpër “Via Appia” e pastaj drejt Romës, me bindjen se dhe legjionet e tjera romake që do të ndeshnin rrugës, do të bashkoheshin me ta, meqë vrasja e Çezarit i kishte prekur të gjithë. Por këshilla e nënës ishte më e fortë sesa revolta e momentit. Ato net, kampet rreth qytetit ushtonin nga thirrjet për t’u nisur drejt luftës.

Këtë moment të vështirë në jetën e Oktavianit e kujton dhe historiani Velleius Paterculus në librin e tij Historia romane : “Pas përfundimit të luftërave civile, Çezari e kishte dërguar në Apolonia që të mësonte disiplinat liberale dhe të zhvillonte talentet natyrore që kishte ky djalosh i ri i jashtëzakonshëm, në mënyrë që më pas, Çezari ta kishte si shok armësh në fushatën e mëvonshme kundër Gètes e më pas kundër Parthes. Kur mori vesh lajmin e vrasjes së dajës së tij, edhe pse “centurione”-t e legjioneve që ishin vendosur aty i premtuan ta mbështesin në luftën e tij; edhe pse Salvidienus dhe Agrippa i thanë që të pranonte kërkesat e tyre, ai nxitoi të shkonte në Qytet, (Rome), ku më së fundi mori vesh të gjitha detajet e vrasjes dhe e testamentit që i kishte lënë Cezari”.

Më së fundi Oktaviani u nis, i shoqëruar nga miqtë e tij më të ngushtë, Agripa, Mecena, Rufusi si dhe disa legjione romake, të cilat e kishin shoqëruar dhe nga Maqedonia në Apoloni. Me vete kishte marrë dhe mësuesin e tij Apollodore, i cili ishte nëm oshë të thyer. Në ditët e para të prillit të vitit 44, ai mori anijet në portin e Apolonisë dhe u nis drejt Brindizit. Para vdekjes, i ati i kishte treguar Oktavianit se ditën që festonin fitoret e Çezarit, (Ludi Victoriae Caesaris), ai kishte parë një kometë. “Ajo kometë je ti biri im, që do të shkosh në botën e të shenjtëve”, i kishte thënë i ati. Oktaviani po i drejtohej Romës, i vendosur për të mos bërë luftë. Vallë a do të realizohej parandjenja e të atit me atë kometë të shndritshme që kishte parë në qiell? A nuk i kishte thënë dhe astrologu Theogène-n në Apoloni se ai do të bënte një karrierë të shkëlqyer dhe se e ardhmja e tij do të ishte e ndritur?
Kushedi… E megjithatë, parandjenja e atit të vdekur do të realizohej. Po si? Ç’ndodhi me Oktavianin më pas?… Seneka, në librin e tij “Historia natyrore”, duke iu referuar kthimit të Oktavianit në Rome shkruan se “thuhet se ditën kur hyjnori Auguste u kthye nga Apolonia dhe hyri në qytet, (Romë), rrotull diellit u shqua një rreth shumëngjyrësh. Këtë grekët e quajnë “halo”, çka ne mund ta quajmë “kurorë të shndritshme”.

Me të mbërritur në Romë, gjëja e parë që kërkoi Oktaviani ishte që të merrte trashëgiminë që i kishte lënë Çezari me testament. Pas kësaj, ai u afrua me Mark Antonin, me të cilin kishte luftuar në Maqedoni, por shumë shpejt ai u nda nga ai. I mbështetur nga Ciceroni, rreth vetes ai formoi një ushtri me të cilën luftoi kundër Mark Antonit në Modena, betejë ku vdiqën dy konsuj të Republikës. Ciceroni i propozoi Senatit që bashkë me të, të ishte konsull dhe Oktaviani dhe së bashku të drejtonin Republikën. Por për shkak të moshës së re, Senati nuk pranoi, edhe pse në luftën e Modenas, ushtarët, në ditën e fitores e kishin brohoritur si “Imperator”. Meqë Senati nuk pranoi, i zemëruar, Oktaviani u bashkua sërish me Mark Antonin dhe pas pak kohësh pushtoi Romën, i dha fund Republikës dhe krijoi “Triumviratin” që do të ishte fuqia supreme.

 Pikërisht në atë kohë, njerëzit e Mark Antonit do të vrisnin Ciceronin që largohej i tmerruar nga Roma, por dhe Mark Antoni do të mundej disa vite më pas nga Oktaviani, në vitin 30 para erës sonë, në luftën detare të Aktumit në brigjet joniane. I kthyer fitimtar në Romë, për të shpërblyer kujtimin dhe ndihmën që i kishin dhënë apoloniatët në kohën e qëndrimit të tij atje, ai e shpalli Apoloninë “Qytet i lirë”, pra pa taksa dhe i pavarur në njëfarë forme nga Roma, por gjithnjë aleate e saj. Dy vjet më vonë, në vitin 28, Senati e shpalli Oktavianin “Princeps senatu”, (Senator i parë), dhe një vit më vonë e shpalli “August”, (të Shenjtë), pra perandor.

Kur arkeologu franko-zviceran Alfred Gilliéron, (ashtu si më parë reverendi anglez Huges apo koloneli britanik Martin Leake më 1806), vizitonte Apoloninë në vitin 1869, nuk harron të flasë për kohën e lavdishme kur Augusti kishte studiuar artin ushtarak në Apoloni: “Përballë heshtjes mistike harroj që këtu ka qenë streha e studimeve të djaloshit Oktav, i cili ndoshta do ta kishte transformuar këtë kodrinë në një Akademi të Muzave”… Por mjerisht shekuj më vonë Apolonia do ta humbiste shkëlqimin e saj: lufëtrat, tërmetet, braktisja e qytetit, bënë që Apolonia të mbetej thjesht një vend kulti, por që në epokën otomane do të binte në një errësirë të plotë dhe do të rrënohej e përmbytej nga balta. Ata të huaj, konsuj, arkeologë, historianë e gjeografë që e vizituan në shekullin e XIX, mezi arritën të shohin veçse disa gjurmë që kishin mbetur nga koha e lavdishme e Oktavianit…

 Sekretet që fsheh Apolonia në vetvete janë ende të mëdha. Arkeologët e sotëm dhe ata të nesërm ndoshta do të na zbulojnë gjurmë të reja jo vetëm të Oktavian-Augustit, por edhe të bashkëluftëtarëve të tij të lavdishëm që jetuan në Apoloni, nga Ciceroni e më pas Bruti, Agripa, Mecena, Rufusi, prijësit e legjioneve të tmerrshme, etj., çka e bëjnë këtë tokë të Ilirisë së lashtë, këtë qytet të themeluar nga kolonitë greke të Korintit dhe Korkyrës që në shekullin e V-të para erës së re, një vend me “bëma të pagoja”, pasi pjesa më e madhe e këtij qyteti shtrihet ende nën dhé…/ZgjohuShqiptar.info

KOMENTONI

Loading...
Loading...
Name

Aktualitet,8278,Camëri,113,Editorial,1798,Ekonomi,442,Emra për djem,38,Emra për vajza,36,Enciklopedi,81,Histori,1351,Iliridë,258,Kosovë,2444,Kulture,654,Luginë,49,Moti,2,Politik,1805,Reportazh,160,Rezultatet Live,2,Shtypi,79,Sondazhe,8,Sport,498,Video,513,
ltr
item
Zgjohu Shqiptar: Shqipëria, tokë ku shkelën perandorë
Shqipëria, tokë ku shkelën perandorë
https://1.bp.blogspot.com/-W8PTRCVAV-w/W7e4AcHD_TI/AAAAAAAAZSc/LP__ROHEtg8YJE1LN_VvtN5ynvV9W4viwCLcBGAs/s640/Ciceroni-1024x576.jpg
https://1.bp.blogspot.com/-W8PTRCVAV-w/W7e4AcHD_TI/AAAAAAAAZSc/LP__ROHEtg8YJE1LN_VvtN5ynvV9W4viwCLcBGAs/s72-c/Ciceroni-1024x576.jpg
Zgjohu Shqiptar
https://www.zgjohushqiptar.info/2018/10/shqiperia-toke-ku-shkelen-perandore.html
https://www.zgjohushqiptar.info/
https://www.zgjohushqiptar.info/
https://www.zgjohushqiptar.info/2018/10/shqiperia-toke-ku-shkelen-perandore.html
true
269073700948665522
UTF-8
Ngarkuar te gjitha postimet Nuk gjendet ndonje postim SHIKO TE GJITHA Lexo me Shume Repliko Hiq Repliken Fshi Nga Kreu FAQET POSTIMET Shiko te Gjitha REKOMANDUAR PER JU LABEL ARKIVA KERKO TE GJITHA POSTIMET Nuk u gjet asnje material sipas kerkeses tuaj Kthehu te Kreu E Diel E Hene E Marte E Merkure E Enjte E Premte E Shtune Hen Mart Merk Enj Pre sht Die Janar Shkurt Mars Prill Maj Qershor Korrik Gusht Shtator Tetor Nentor Dhjetor Jan Shk Mar Pri Maj Maj Qer Gush Sht Tet Nen Dhj menjehere 1 minute me pare $$1$$ minutes ago 1 ore me pare $$1$$ hours ago Dje $$1$$ days ago $$1$$ weeks ago me shume se 5 jave me pare Followers Follow THIS CONTENT IS PREMIUM Please share to unlock Kopjo te Gjithe Kodin Selekto te Gjithe Kodin All codes were copied to your clipboard Can not copy the codes / texts, please press [CTRL]+[C] (or CMD+C with Mac) to copy