Komshinj dhe mercenarë

Nga Gjon Bruçi

Prej ditësh, politikanët, qeveritarët, media dhe mbarë publiku i dy vendeve fqinj, Shqipëri – Greqi, është mbërthyer tek incidenti jo i zakonshëm i Bularatit në Gjirokastër, incident që përmbylli ceremoninë e “festimeve” greke kushtuar Dëshmorëve të Luftës së Dytë Botërore.

Incidenti në fjalë, i cili u përcoll me një viktimë, nuk ishte as i rastësishëm e as i papritur. Një gazetar i njohur, por jo vetëm ai, rastin në fjalë e konkretizoi me shprehjen: “Ne po korrim, atë që kemi mbjellë”!

Po ç’kemi mbjellë dhe kush është “mbjellësi”?

Thënë me fjalë artistike, bash në tokën tonë, ne kemi mbjellë “Gozhdën” e Nastradinit. Historinë e “gozhdës” së famshme, ne shqiptarët e kemi ditur vite e shekuj më parë, por në vend që të kuptonim alegorinë e historisë së saj, u bëmë vetë viktimë e gozhdës “çudibërëse”. Ne kemi mbjellë në vatrat tona, varrezat e fqinjit, të cilat, siç u vërtetua e do të vërtetohet akoma më shumë në të ardhmen, janë “gozhdë” e kaluar gozhdës së persianit të lashtë.

Vendi ynë, i lashtë dhe i ri, e ka përcjellë historinë e tij jo me jetesë, por me mbijetesë. Në të gjitha rastet mbijetesa iu imponua nga pushtimet dhe kërcënimet e të huajve, që nisnin nga largësi të konsiderueshme e gjer tek komshinjtë ardhacakë, të cilët, në asnjë kohë nuk u sollën si komshinj, megjithëse nuk u mungoi mikpritja. Për fat të keq, krahas këtyre “komshijve djallëzorë”, nuk munguan edhe mercenarët vendas në shërbim të tyre. Në radhët e këtyre mercenarëve të kohëve të ndryshme, janë rreshtuar edhe këta më të fundit, që rastësia apo ”demokracia”, i ka nxjerrë në krye të vatrave tona, më detyrën e “Zotit të konakut”, por që janë kthyer në matrapazë të konakut.

Gjon Bruçi

Nuk është vendi të rreshtoj në një shkrim gazete “plejadën e famshme” të mercenarëve tanë në shërbim të të huajve, e as “veprat” e tyre, të cilat i vuajmë edhe sot. Harta jonë etnike, përgjysmuar nga “kohërat”, ka brenda edhe “meritën” e mercenarëve tanë. Duke e kapërcyer këtë kapitull të zi, po mjaftohem të them se pranimi i vendosjes së varrezave greke në tokën tonë, është tradhti e gjithë “plejadës mercenare” në kurriz të Shqipërisë dhe popullit shqiptar.

Në këtë rast, nuk mund të gjendet qoftë dhe një arsyetim formal. Nuk bëhet fjalë për koncesion të ndonjë copë toke, rruge, ishulli, porti apo resorti, me kontratë afatshkurtër, apo me të drejtën e anulimit të saj. Është fjala për një “copë tokë”, madje për “disa copa tokash”, të dhuruara përjetësisht. Sepse brenda tyre janë vendosur eshtrat e të vdekurve, të cilat nuk mund të lëvizen kurrsesi me anulime apo mbarim kontratash. Për më tepër, këto copa tokash nuk gjenden në një zonë, por në tre të tilla (ndoshta nesër edhe më shumë), vendosur si “karakolla” përvijuese të vijës kufitare të të ashtuquajturit “Vorio-Epir”, lakmia shekullore e “Megalidhesë”.

Jam i bindur se mjaft lexues të “kualifikuar”, politikanë, shtetarë, apo analistë të medias, nëse e lexojnë këtë shkrim timin, do të qeshin me ironi, duke thënë se artikullshkruesin koha e paska lënë prapa. Ky nuk e kuptoka se ne po hyjmë në Europë, ku kufijtë do të jenë formal dhe “paqja e begatia” gjithëpërfshirëse. Madje jo vetëm këta intelektualë, që janë bërë zotëruesit aktual të së vërtetës absolute, por edhe ndonjë nga sera ime këtu poshtë tek populli, trullosur nga “propaganda europiane”, kur ta lexojë shkrimin, do të shtrembërojë buzët. Një mik, kur i fola për konceptet e mia për këtë çështje, më tha as më pak e as më shumë se: “varrezat e huaja nuk kanë asnjë rrezik, përkundrazi nëpërmjet tyre do të thithim edhe turistë nga vendet e botës . . . “!!!

Nuk mundem të flas si jurist për këtë çështje, por di të them disa të vërteta të thjeshta, trashëguar nga popujt, të cilat besoj se janë shfrytëzuar edhe nga konstitucionalistët që hartojë kushtetuta e ligje për vendet përkatëse. Kush ka lexuar librat e romanet që flasin për Myzeqenë, duhet të kenë hasur në këtë episod: Myzeqari i thjeshtë e pa tokë, për të mbajtur familjen, i lutej beut t’i jepte në përdorim dy apo tre dynym tokë, të cilën e punonte krahas punës prej argati tek beu. Beu ia jepte tokën, por nuk e lejonte që brenda saj të ndërtonte shtëpi me oxhak. Pos kësaj, pa u mbushur tri vjet, gjente shkak dhe e largonte nga toka. Arsyeja: Në të dy rastet, si kur bënte shtëpi me oxhak, dhe kur kalonin tri vjet, fshatari myzeqar, “me kanun”, bëhej zot i tokës. Akoma më e precizuar ka qenë e mbetet çështja e tokës së varrezave. Asnjë njeri sot, të paktën në vendin tonë, nuk mund ta vendosë varrin e të afërmit në tokën e komshiut. Sepse po e vendosi, pjesa që zë varri dhe rruga për të shkuar gjer aty, bëhet e pronarit të varrit. Dhe më vonë kjo “gozhdë-varr” arrin të marrë gjithë tokën.

“Gozhda e Nastradinit” vërtet është e lashtë, por filozofia e saj nuk vjetërohet.

Sigurisht shembujt që solla, duken gjëra të vogla e të thjeshta. Mund të jetë kështu për disa, por jo për ata që rrezikojnë tokën apo pronën e tyre. Aq më pak kjo çështje nuk është e vogël por tepër e rëndësishme, kur është fjala për marrëdhëniet me komshiun jugor, marrëdhënie të cilat asnjëherë nuk kanë qenë të sinqerta, dhe as që mendohen të jenë të tilla. Të paktën nga ana e politikanëve grekë dhe legjionit të prelatëve fetarë, që i shoqërojnë e madje u prijnë në rrugën e tyre. Ndonjë lexues, mund të thotë se në vendin tonë kemi edhe varre të tjera të të huajve, si për shembull ato franceze në Korçë. Në gjykimin tim modest trojet tona, edhe pse janë të vogla aktualisht, mund të pranojnë pa asnjë rrezik varreza nga vende të tjera, por kurrsesi nga Greqia. Sepse kjo e fundit, jo vetëm është në kufi, por ka dhe pretendime territoriale tashmë të njohura botërisht. A ka evoluar politika greke në marrëdhëniet me fqinjët dhe kryesisht me ne? Unë them asnjë gram. Mbi dy dekada ka Greqia në BE, dhe ajo e ka mendjen përsëri tek kufijt e mundshëm të Megalidhesë. Për këtë mban në fuqi ligjin e Luftës me Shqipërinë, nuk njeh çështjen çame, etj. etj. Dhe me gjithë këtë pozicion të dukshëm shoven të fqinjit, të zotët aktualë të shtëpisë sonë ëndërrojnë Europën, ku kufijtë do të jenë formalë e madje në zhdukje. Si nuk ëndërruakan politikanët grekë, të cilët kanë mbi tri dekada që kanë hyrë në “kullën europiane të ëndrrave”?

Ngjarja e këtyre ditëve në Bularat, nuk është një incident i shkëputur, por një provokacion i investuar për të matur pulsin e situatës në vendin tonë, dhe për ta përdorur si pararendës të provakacioneve të ardhshme, intensiteti i të cilave do të vijë në rritje. Përgjigja profesionale, që i dha policia jonë këtij provokacioni, ia ndali turrin “kalit të drunjtë” të Odiseut të ri. Kryeministri Cipras po tregohet i moderuar. Por moderimi i tij nuk vjen nga pozicioni politik që përfaqëson, por thjeshtë për koniunkturë të çastit. Në Greqi nuk është vetëm “Agimi i Artë” i linjës së ashpër. Për interesat e Greqisë, ku inkuadrohet edhe “Megalidheja” njëqind e sa vjeçare, të gjitha partitë politike vendase, janë në një zë. Ndryshe qëndron puna tek ne, kur e famshmja opozitë, për hir të karriges qeveritare, që po e ëndërron pa shpresë akaparimi, bashkohet edhe me hasmin kundër vendit të saj.

Shpjeguam gjer tani se ç’kemi mbjellë dhe ç’po korrim, por nuk kemi cilësuar si duhet mbjellësin e farës që po korrim. Thamë më sipër “Zotërit e Konakut” që janë kthyer në matrapazë të Konakut, por nuk i emërtuam ata me emër e mbiemër. Në vija të trasha, janë dy partitë kryesore, PD e PS që kanë kullandrisur këto tri dekada punët e vatanit tonë. Më konkretisht: E nisi Saliu kur, krahas marrëveshjeve të hapura e të fshehta më fqinjin, na solli peshqesh Janullatosin, njëherësh krahu i djathtë i politikës së Megalidhesë. Pas tij, Nano, i sapo dalë nga burgu, në krye të ekzekutivit hapi dritën jeshile për varrezat greke, i cili, ndryshe nga italiani, dëshironte dhe arriti t’i vendoste në tokën tonë “luftëtarët”. Në mandatin e dytë, Saliu i parë e thelloi kontratën e kolegut dhe kundërshtarit Nano. Falë kësaj, grekët në inkursionin e zhvarrim-varrimeve, që e fituan pa “tender”, futën dhe eshtrat e shqiptarëve të Kosinës së Përmetit, të vdekur një shekull më parë. Ardhja në pushtet e Ramës, ua sëkëlldisi fillimisht mendjen politikano-pushtetarëve grekë dhe prelatëve të tyre të besimit, por kjo veç për një moment. Rilindën më pas kontratat e Saliut e të Nanos për varrezat në fjalë, duke i plotësuar edhe me ceremoni shtetërore në ditën e 28 Tetorit për “Dëshmorët e Eladhës” në Bularatin tonë. Kaq mjafton për të kuptuar se prej kujt e kemi këtë “dhuratë”, të cilën, profesor Xhufi këtu në Dita me të drejtë e quajti “një çiban në tokën tonë”.

Po, a do të mundemi ta heqim këtë çiban, i cili prodhon e do të prodhojë “fruta”, si ato të 28 tetorit 2018 në Bularat? Tepër e vështirë, në mos e pamundur.

Nuk jam “nostradamus” të parashikoj të ardhmen, por për marrëdhëniet e politikanëve grekë me vendin tonë, jam gati t’ia kaloi edhe parashikuesit me emër. Greqia politike, jo në BE e në NATO të jetë, por edhe në Hënë të stacionohet, “Megaliidhenë” njëqind vjeçare nuk do të heqë nga kalendari i saj politik. Ngjarja e këtyre ditëve në Bularat, siç thashë më sipër, u përcoll me profesionalizëm shembullor nga organet tona të ruajtjes së rendit. Por ato do të jenë të detyruara të qëndrojnë gjithnjë më sy hapët, pa u gënjyer nga buzëqeshjet e politikanëve e shtetarëve të të dy vendeve, të cilët, për momentin do ta sfumojnë shamatën, sepse kanë pezull në mes një marrëveshje të rëndësishme, siç është ajo e Detit. Por pas saj, fqinji ynë jugor do të ngrehë përsëri krifën.

Këtë rrezik permanent duhet ta dijë gjithë populli ynë dhe të përgatitet për ta përballuar, pa e varur shpresën tek politikanët./ZgjohuShqiptar.info

KOMENTONI

Loading...
Loading...
Name

Aktualitet,8839,Camëri,116,Editorial,1936,Ekonomi,476,Emra për djem,38,Emra për vajza,36,Enciklopedi,81,Histori,1425,Iliridë,273,Kosovë,2544,Kulture,697,Luginë,58,Moti,2,Politik,1853,Reportazh,176,Rezultatet Live,2,Shtypi,79,Sondazhe,8,Sport,511,Video,549,
ltr
item
Zgjohu Shqiptar: Komshinj dhe mercenarë
Komshinj dhe mercenarë
https://2.bp.blogspot.com/-oIwuaA79zkM/W99N1XZy7nI/AAAAAAAAag0/xPXOOKbvPAcoftzgxHw7G-_MAsiBpHnqgCLcBGAs/s320/ramaa-770x433-905x395.jpg
https://2.bp.blogspot.com/-oIwuaA79zkM/W99N1XZy7nI/AAAAAAAAag0/xPXOOKbvPAcoftzgxHw7G-_MAsiBpHnqgCLcBGAs/s72-c/ramaa-770x433-905x395.jpg
Zgjohu Shqiptar
https://www.zgjohushqiptar.info/2018/11/komshinj-dhe-mercenare.html
https://www.zgjohushqiptar.info/
https://www.zgjohushqiptar.info/
https://www.zgjohushqiptar.info/2018/11/komshinj-dhe-mercenare.html
true
269073700948665522
UTF-8
Ngarkuar te gjitha postimet Nuk gjendet ndonje postim SHIKO TE GJITHA Lexo me Shume Repliko Hiq Repliken Fshi Nga Kreu FAQET POSTIMET Shiko te Gjitha REKOMANDUAR PER JU LABEL ARKIVA KERKO TE GJITHA POSTIMET Nuk u gjet asnje material sipas kerkeses tuaj Kthehu te Kreu E Diel E Hene E Marte E Merkure E Enjte E Premte E Shtune Hen Mart Merk Enj Pre sht Die Janar Shkurt Mars Prill Maj Qershor Korrik Gusht Shtator Tetor Nentor Dhjetor Jan Shk Mar Pri Maj Maj Qer Gush Sht Tet Nen Dhj menjehere 1 minute me pare $$1$$ minutes ago 1 ore me pare $$1$$ hours ago Dje $$1$$ days ago $$1$$ weeks ago me shume se 5 jave me pare Followers Follow THIS CONTENT IS PREMIUM Please share to unlock Kopjo te Gjithe Kodin Selekto te Gjithe Kodin All codes were copied to your clipboard Can not copy the codes / texts, please press [CTRL]+[C] (or CMD+C with Mac) to copy