Më 26 nëntor ‘bashkohen’ Kosova dhe Shqipëria

, Më 26 nëntor ‘bashkohen’ Kosova dhe Shqipëria

Marrëveshja për unifikimin doganor në mes të Kosovës dhe Shqipërisë pritet të nënshkruhet më 26 nëntor, në mbledhjen e përbashkët të këtyre dy qeverive që do të mbahet në Pejë, kurse do të fillojë së zbatuari nga janari i vitit të ardhshëm, thonë zyrtarë të Qeverisë së Kosovës.

Lulzim Rafuna, këshilltar i ministrit të Financave në Qeverinë e Kosovës, njëherësh këshilltar i kryeministrit të Shqipërisë për dogana dhe tatime, tha për Radion Evropa e Lirë se për këtë çështje, të dy qeveritë janë në fazat e fundit të harmonizimit të dokumentacioneve të nevojshme për mallrat që qarkullojnë mes Kosovës dhe Shqipërisë.

Ai tregon se më këtë marrëveshje planifikohet që të mos kërkohen dokumente të panevojshme, por të njihen në mënyrë reciproke dokumentet e të dyja shteteve.

“Qëllimi është që të harmonizohen të gjitha këto procedura, të eliminohet kontrolli i dyfishtë që kemi pasur dhe e kemi ende deri në hyrjen në fuqi të këtij protokolli. Paralelisht, jemi duke punuar që Zyrën Doganore në Durrës, ta avancojmë dhe të harmonizohet komplet me këtë protokoll dhe të harmonizohet me procedurat e reja që do të aplikohen në vendkalimin doganor, Morinë- Vermicë”, tha Rafuna.

Për të lehtësuar transportin e mallrave në mes dy shteteve, në muajin korrik është përuruar pika e përbashkët kufitare Morinë – Vërmicë që lidh Kosovën me Shqipërinë. Me këtë projekt që është financuar nga Bashkimi Evropian me më shumë se një milion euro, është bërë modernizimi i pajisjeve.

Edhe njohës të kësaj çështjeje, konsiderojnë se bizneset e të dyja shteteve do të përfitojnë nga zbatimi i kësaj marrëveshjeje.

Ish-drejtori i doganave, Naim Huruglica, njëherësh ligjërues për çështjet doganore dhe transportin ndërkombëtar, tha për Radion Evropa e Lirë se çdo shkurtim i procedurave të pritjes në kufi, ulë koston e të bërit biznes.

“Në mes të Kosovës dhe Shqipërisë është unifikim i procedurave në kuptimin e orareve, formave, punës në një objekt të përbashkët, për të mos pasur nevojë të ushtrohen dy kontrolle, pasi mund të bëhet një kontrollë e vetme me ekipe të përbashkëta. Kjo është një fazë më e avancuar sesa të kesh kontroll plotësisht të veçantë doganor”, thekson Huriglica.

“Kjo lehtëson sepse shkurtimi i kohës dhe procedurave ulë koston e transportit, ulë koston e të bërit biznes dhe automatikisht kjo e bën fuqinë tonë konkurruese pasi jemi në gjendje të dalim më lirë në treg me ato produkte që i kemi”, thotë tutje ai.

Për përfaqësues të komunitetit të biznesit, një vendim i tillë do të lehtësonte qarkullimin e mallrave të dy shteteve dhe do rriste mundësinë e investimeve të përbashkëta./ZgjohuShqiptar.info

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button