Të lësh kockat në Shqipëri…

Nga Dr. Marenglen KASMI
Përkujtimi i ushtarëve grekë të rënë gjatë luftës italo-greke 1940-1941 u shoqërua këtë vit me një incident të rëndë. Në fshatin Bularat, forcat Renea qëlluan për vdekje një të ri shqiptaro-grek, pasi ai hapi zjarr me një armë automatike mbi policinë. Qëllimi i këtij shkrimi nuk është trajtimi i shkakut të këtij incidenti, por do të synohet që nëpërmjet një analize historike të jepen përvojat që shteti shqiptar i pas Luftës së Dytë Botërore ka pasur dhe vazhdon të ketë me trajtimin e ushtarëve të huaj që kanë rënë gjatë kësaj lufte në tokën shqiptare.

Shqipëria u shkel gjatë Luftës së Dytë nga tre ushtri të huaja, ajo italiane, greke dhe gjermane. Që të gjitha këto ushtri lanë të vdekur mbrapa. Nëse shteti italian u kujdes ne fillim vitet 1960 të riatdhesonte eshtrat e ushtarëve italianë, shteti gjerman ndjek një politikë të organizimit të varrezave të ushtarëve gjermanë në vendin ku ata kanë rënë. Në këtë kuadër, fusha të tëra në Europën Lindore janë të “mbjella” me varreza ushtarësh gjermanë. Të njëjtën politikë ndjek edhe Greqia. Por me një ndryshim të madh. Nëse Gjermania nuk i riatdheson të rënët e saj si pasojë edhe e ndjeshmërisë që politika gjermane reflekton ndaj krimeve të Nacional-socializmit, segmente të caktuara nacionaliste në shtetin fqinj, kërkojnë t’i instrumentalizojnë këta të rënë.

***

Riatdhesimi i eshtrave të ushtarëve italianë

Pas nënshkrimit të marrëveshjes së arritur më 22 qershor 1957 midis qeverisë shqiptare dhe qeverisë italiane për transferimin e eshtrave të ushtarakëve italianë të rënë në Shqipëri gjatë Luftës së Dytë Botërore, më 30 dhjetor 1958, ndërmjet Drejtorisë së Ekonomisë Komunale dhe delegacionit të qeverisë italiane u nënshkrua protokolli për fillimin e punës për tërheqjen e eshtrave të ushtarëve italianë.

Sipas protokollit, palët ranë dakord që puna për nxjerrjen e eshtrave të fillonte në fillim të muajit prill 1959. Punimet u kryen në Elbasan, Tiranë, Shkodër, Durrës dhe në Sinanaj. Ato u kryen në mënyrë suksesive pra, pasi të kishin mbaruar punimet në një qendër pune dhe eshtrat të ishin vendosur në arkivole, atëherë mund të fillohej me punimet në qendrën tjetër të punës. Përsa i përket kërkimeve në vende të tjera, të cilat nuk ishin parashikuar në marrëveshje, pala shqiptare këmbënguli që në to mund të vazhdonte kërkimi dhe zhvarrimi i ushtarëve italianë, vetëm nëse qeveria shqiptare e konsideronte të arsyeshme dhe i lejonte punimet në këto vende. Po ashtu, pala italiane duhej të dorëzonte më parë dokumentacionin që dispononte për vend varrosjet në këto zona.

Të gjitha punimet që i përkisnin zbulimit të varreve, piketimit, gërmimit, nxjerrjes së eshtrave në sipërfaqe të tokës, pastrimit të tyre nga dheu, vendosjes në thasë dhe mbushjes së gropave me dhe u kryen nga Drejtoria e Ekonomisë Komunale. Po ashtu, kjo drejtori organizoi edhe transportimin e eshtrave nga vendi i nxjerrjes së tyre në Portin e Durrësit. Për këtë qëllim, në Durrës u hap edhe një depo e përshtatshme. Në këtë depo, drejtoria e Komunales organizoi larjen e eshtrave me ujë, pastrimin e tyre me alkool dhe vendosjen në arkivole.

Shteti italian pagoi të gjitha shpenzimet që rrodhën nga punimet e sipërpërmendura, si edhe po të shpenzimeve shtesë për materiale dhe shërbime të nevojshme, që kërkoheshin gjatë punës. Për eshtrat e një ushtari, qysh nga evidentimi e deri në vendosjen e tyre nëpër thasët përkatës, tarifa që pagoi qeveria italiane ishte 585 lekë. Kostot e transportit llogariteshin veçmas. Po ashtu edhe proceset e punës që do të kryheshin në Durrës dhe qiraja e depove kishin një kosto shtesë.

Palës italiane ju lejua që, duke u përjashtuar nga taksat doganore dhe pa të drejtë tjetërsimi, të sillte në Shqipëri materialet e nevojshme si, arkivole, thasë për eshtra, qese speciale, një makinë shkrimi portative, etiketa metalike, spango, dalta për plumbosje, plumb, vulë të thatë për dyllosje, dyllë dhe doreza pastrimin e eshtrave dhe materiale speciale për saldimin e arkivoleve. Po ashtu, palës italiane i lejohej të sillte nga Italia edhe dokumentacionin e nevojshëm për identifikimin dhe regjistrat, skedarët dhe formularët e ndryshëm që nevojiteshin. Sipas marrëveshjes, gjatë gjithë kohës së punimeve, gjatë gjithë kohës së punimeve, qysh prej nxjerrjes së eshtrave nga varri për identifikim, gjatë pastrimit të tyre në Durrës, vendosjes në arkivole dhe deri në ngarkimin e tyre në vaporë, asistoi një përfaqësues i qeverisë italiane.

Dr. Marenglen KASMI
Arritja e marrëveshjes nuk ishte e lehtë. U desh të sheshoheshin shumë mosmarrëveshje politike. Pala shqiptare arriti më shumë në këtë marrëveshje, duke i ruajtur më shumë të drejta vetës gjatë këtij procesi. Puna për gjetjen, zhvarrimin dhe dërgimin e eshtrave të ushtarëve italianë në Itali zgjati tre vjet. Sipas të dhënave zyrtare italiane, gjatë kësaj periudhe u zhvarrosën dhe u dërguan në Itali eshtrat e 27.248 ushtarëve italianë të rënë në Shqipëri. Këtu janë të përfshirë edhe të rënët në luftën italo-greke. Prej tyre, eshtrat e 4.754 ushtarëve italianë u tërhoqën nga familjarët dhe u rivarrosën në varrezat familjare, ndërsa pjesa tjetër u vendosën në varrezën ushtarake (mausoleum) të qytetit të Barit.

Varrezat e ushtarëve gjermanë

Në ndryshim nga politikat e shtetit italian për të rënët e luftërave botërore, Gjermania nuk synon rikthimin e eshtrave të ushtarëve gjermanë të rënë në gjithë frontet e Luftës së Parë dhe të Dytë Botërore, por kujdeset që të ngrejë varreza të denja për këta të rënë në vendet ku ata ranë. Përpos shumë arsyeve, ka edhe një juridike. Në momentin që eshtrat e ushtarëve gjermanë zhvarrosen nga vendi ku ata humbën jetën dhe kthehen në Gjermani, atëherë ata e humbasin statusin e të rënit të luftës dhe kësisoj edhe të drejtën e një vendvarrimi të përjetshëm, të paprekshëm si edhe përkujdesjen ndaj varrezave. Ky rregull nuk vlen vetëm për ushtarët gjermanë të rënë gjatë dy luftërave botërore por edhe për shumë vende të tjera, çka është e rregulluar në konventa dhe marrëveshje ndërkombëtare në respekt të të rënëve të luftës.

Pavarësisht se qeveria e ish-Republikës Federale Gjermane kishte tentuar disa herë gjatë periudhës së komunizmit për të arritur në një marrëveshje për varrezat e ushtarëve gjermanë të rënë në Shqipëri, Tirana komuniste nuk i ishte përgjigjur kësaj thirrje. Madje, edhe një letër e kryeministrit bavarez Franz Joseph Strauß, dërguar kryeministrit shqiptar Adil Çarçani më 28 shkurt 1988, ku ai i kërkon qeverisë shqiptare të lejojnë përfaqësuesit e Lidhjes Popullore për të Rënët e Luftës të hyjnë në Shqipëri, mbeti pa përgjigje. Gjithsesi, vendosja e marrëdhënieve diplomatike mes Shqipërisë dhe Republikës Federale Gjermane në vitin 1987 hapi të paktën kanalet e komunikimit ndërmjet dy shteteve.

Në këtë kuadër, së pari në nëntor të viti 1991, një delegacion i Lidhjes Popullore gjermane u ftua nga Ministria e Jashtme të vizitonte Shqipërinë. Duke përfituar nga ftesa, delegacioni gjerman propozoi menjëherë ndërtimin e një varreze të ushtarëve gjermanë në Tiranë. Propozimi u mirëprit nga qeveria shqiptare. Po ashtu, qeveria shqiptare u shpreh e gatshme të nënshkruante edhe një marrëveshje me Gjermaninë për këtë çështje. Si pasojë e ndryshimeve demokratikë në Shqipëri, qeveria shqiptare nënshkroi në qershor 1993 protokollet shtesë të marrëveshjes së Gjenevës, të viti 1949 për mbrojtjen e viktimave ndërkombëtare (protokolli 1) dhe jo ndërkombëtare (protokolli 2) gjatë konflikteve të armatosura. Menjëherë pas këtyre zhvillimeve, në prill 1994 u nënshkrua edhe marrëveshja ndërmjet Shqipërisë dhe Gjermanisë për varret gjermane të luftës në Republikën e Shqipërisë.

Marrëveshja përmban 14 nene. Në të është përcaktuar qartë se për zhvendosjen e të vdekurve gjermanë të luftës nga territori shqiptar për në Gjermani është i nevojshëm miratimi i mëparshëm i qeverisë gjermane. Po ashtu, qeveria shqiptare është e detyruar të sigurojë në mënyrë të përhershme vend varrosjet e ushtarëve gjermane. Me tej, në marrëveshje janë përcaktuar qartë edhe aspektet teknike të zhvarrosjeve, rivarrosjeve etj.

Sipas dokumenteve të Lidhjes Popullore me qendër në Kassel, të rënët gjermane në Shqipëri janë varrosur në 87 vende të ndryshme. Varreza më e madhe ka qenë në Tiranë, me rreth 453 varre, në Shkodër me 180 varre, në Elbasan me 165 varre. Në Korçë me 84 varre, në Lushnje me 73 varre, Gjirokastër me 64 varre etj. zakonisht, ushtria gjermane i merrte të vrarët dhe i varroste në varreza të rregullta, madje me ceremoni ushtarake. Sigurisht që ka edhe shumë raste qëtë vrarët mbeteshin, nuk mund të tërhiqeshin dhe varroseshin nga fshatarët e zonës. Gjithmonë sipas këtyre burimeve, numri i ushtarëve gjermane të rënë në Shqipëri është 2400, prej të cilëve rreth 1800 njihen me emra. Në këtë statistikë nuk janë përfshirë robërit gjermanë të luftës që vdiqën në Shqipëri pas luftës. Numri i robërve gjermanë të mbetur në Shqipëri ka qenë rreth 1000. Nga këta, arritën të riatdhesohen në vitet 1945-1952 jo më shumë se 217-298 robër gjermanë. Ky fakt e rrit numrin e humbjeve të gjermanëve në Shqipëri, me të paktën 700 burra.

Siç edhe lexohet në Tiranë ishte ndërtuar varreza më e madhe e ushtarëve gjermanë. Madje, sipas dokumentacionit duhet të kenë qenë tre të tilla. E para quhej “Varreza e Heronjve”, ku u varros edhe komandanti i divizionit 297, gjeneral lejtnanti Friedrich Deutsch, i cili pësoi një aksident automobilistik në Vlorë. Kjo varrezë ka qenë pranë varrezave civile te “Varri i Bamit”. Sot nuk ka asnjë shenjë të saj! Në fillimvitet 1970, kur Tirana filloi të zgjerohej, mbi të u ngritën pallate. Ndërkohë që për varrezat civile shteti mori masa t’i zhvendoste eshtrat në varrezën e Tufinës, nuk u tregua asnjë kujdes për këtë varrezë.

Varreza e dytë, e cila quhej “Varreza e ushtarëve gjermanë”, duhet të ketë qenë të rruga e Elbasanit, në afërsi të Pallatit të Brigadave. Gjithsesi, deri më sot nuk ka asnjë shenjë të saj dhe është e pamundur të lokalizohet vendndodhja e saj.

Varreza e tretë, por me përmasa më të vogla, duhet të jetë në oborrin e pasëm të godinës së sotme të Kryeministrisë, në sipërfaqen e gjelbëruar. Kjo godinë shërbeu gjate pushtimit gjerman si spital ushtarak dhe, të plagosurit që ndërronin jetë në spital, varroseshin në fushën pas godinës. Ndoshta kjo është edhe varreza e vetme gjermane, ku sot mund të bëhen gërmime, për të zhvendosur eshtrat e të rënëve në varrezën e ushtarëve gjermane të liqeni artificial.

Ndonëse marrëveshja për ngritjen e varrezës u nënshkrua në vitin 1994, së pari në vitin 2006 u bë e mundur ngritja e një varreze të ushtarëve gjermane në kodrat e liqenit Pas shumë diskutimesh dhe debatesh, qeveria shqiptare mori vendimin që varreza e ushtarëve gjermanë të ndërtohej pranë varrezës së të rënëve britanike, te kodrat e Liqenit. Për ironi të fatit, varreza është ngritur në truallin, ku ishin varrosur partizanët e rënë gjatë luftës, para se kjo varreze të zhvendosej në Varrezat e Dëshmorëve, në Sauk. Eshtrat e 56 ushtarëve gjermanë të zhvarrosur në Lushnjë në vitin 1992, u varrosën në varrezën e re te kodrat e Liqenit. Qysh prej ndërtimit të kësaj varreze, në të janë varrosur më vonë edhe 3 ushtarë të tjerë, duke e çuar kësisoj numrin e ushtarëve gjermanë në këtë varrezë në 59. Duhet theksuar që, nga varrezat e tjera masive gjermanë në qytetet e tjera, po ashtu nuk ka mbetur asnjë gjurmë.


Lufta italo-greke 1940-1941 dhe pretendimet për varrezat e të rënëve të luftës

Lufta italo-greke u zhvillua pothuajse në tokë shqiptare. Luftimet u kryen kryesisht në zonën e Vlorës, Sarandës, Delvinës, Gjirokastrës, Tepelenës, Përmetit, Skraparit, Ersekës, Korçës, Bilishtit, Gramshit dhe Pogradecit. Ajo çka rezulton nga studimet e bëra deri tani, është se gjatë gjithë periudhës së luftimeve (tetor 1940 – prill 1941) dhe në të gjithë frontet, ushtria greke pati rreth 13.408 të vrarë. Afërsisht të njëjtat humbje kishte edhe ushtria italiane, konkretisht rreth 12.755 të vrarë dhe 25.067 të humbur.

Qeveria greke është interesuar qysh në mes vitet 1970 për të rënët e saj gjatë kësaj lufte. Shteti shqiptar i kohës u shpreh i gatshëm për të ndihmuar. Madje në vitin 1985, qeveria shqiptare i komunikoi homologes së saj greke se, ajo ishte e gatshme të merrte masa për riatdhesimin e eshtrave të 2250 ushtarëve greke që ndodheshin të varrosur në tokën shqiptare. Pra, ajo jo vetëm që ishte kategorikisht e prerë ndaj ngritjes së varrezave në tokë shqiptare por po ashtu, paraqiti edhe një listë të qartë me vendet ku ishin varrosur këta ushtarë, duke e hedhur poshtë ekzistencën e 12.000 varreve ushtarësh grekë në Shqipëri. Madje, Ministria e Ekonomisë së asaj kohe, njoftoi se ishin hartuar edhe planshetet për çdo varr, me qëllim që të lehtësohej procedura e grumbullimit dhe transportit të eshtrave për në Greqi. Gjithsesi Athina zyrtare nuk reagoi ndaj këtij lajmi dhe i ri kërkoi Tiranës që varreza të ngrihej në Shqipëri. Qeveria shqiptare e vlerësoi këtë kërkesë si të pamundur duke arritur në përfundimi se, kërkesa bazohej në dëshirën e palës greke për të përjetësuar dhe glorifikuar çlirimin e vëllezërve të tyre në të ashtuquajturin Vorio-Epir si dhe përkujtimin e kësaj ngjarje në formën e pelegrinazheve në varreza – gjë që për hir të së vërtetës tashmë ndodh rëndom çdo vit, siç ndodhi edhe këtë 28 tetor, madje duke u shoqëruar me një ngjarje të rëndë. Pavarësisht se zbatimi i marrëveshjes së 2009, teorikisht filloi në vitin 2017, praktikisht, pala greke qysh në vitin 2009 e ndërtoi një varrezë të ushtarëve greke në Këlcyrë! Qeveria e asaj kohe e kaloi në heshtje këtë zhvillim!

Në Bularat ekziston një varrezë me 59 varre ushtarësh grekë. Në dhjetor 2017, qeveria shqiptare kësaj varreze i dha statusin “varrezë historike”.Ndërkohë, pala greke pretendon se aty gjenden edhe 300 varre të tjera ushtarësh.

Në Korçë, gjithmonë sipas palës greke, janë rreth 600 varre dhe pretendohet se aty janë edhe rreth 5000-6000 të tjerë. Ndërkohë, numri më i madh i pretenduar i varreve është në Këlcyrë, me rreth 7000 varre ushtarësh. Gjithsej rreth 12.000.

Nisur nga numri i përgjithshëm i humbjeve në të gjitha frontet, prej 13.408 ushtarësh, pretendimi i palës greke se ata janë në dijeni të vendndodhjes së 12.000 varreve në Shqipëri ngre dyshime të forta, sidomos nëse marrim në konsideratë se aso kohe ishte teknikisht thuajse e pamundur të mbaheshin evidenca kaq të sakta dhe për më tepër kur, luftimet janë kryer kryesisht në male, terrene të vështira dhe mot të keq.

Ndër dhjetëra syresh, pesë pikat më prioritare të paraqitura nga pala greke për fillimin e gërmimeve janë në Peshkëpinë e Poshtme, Gjirokastër, Korçë qytet (qendër), Hormovë, Peshtan dhe Kalivaç, Pogradec. Nëse shikojmë veprimet luftarake, thuajse në gjithë këto vende është luftuar, me përjashtim të qytetit të Korçës. Luftimet u kryen në krahun verilindor dhe në juglindor të qytetit të Korçës dhe u përqendruan kryesisht në vijat mbrojtëse italiane të ngritura në anën jugore dhe lindore të Kurrizit të Moravës. Në datën 22.11.1940, pasi mbrojtja italiane kishte rënë dhe ushtria italiane u tërhoq në drejtimin e Gramshit për të riorganizuar mbrojtjen, dy batalione greke, hyri në qytetin e Korçës pa luftë dhe nuk rezulton të jenë kryer luftime brenda qytetit të Korçës.

Siç u theksua më sipër, lufta italo-greke u zhvillua në pjesën më të madhe të saj në tokën shqiptare. Popullit shqiptar ju desh të mbajë një barrë njerëzore dhe ekonomike të kësaj lufte, ndonëse nuk ishte palë e konfliktit. Në këtë luftë fillimisht morën pjesë edhe dy batalione shqiptare, por gjithmonë si efektiv i ushtrisë italiane. Madje, është e dokumentuar nga burimet italiane që shqiptarët dezertuan në masë dhe pati prej tyre që ju bashkuan edhe ushtrisë greke. Kësisoj, mbajtja në fuqi e Ligjit të Luftës nga Greqia, me pretendimin se Shqipëria ka sulmuar Greqinë më 28 tetor 1940 nuk qëndron.
Sigurisht që sulmi u krye nga toka shqiptare, por Shqipëria tashmë e kishte humbur sovranitetin e saj dhe ishte e pushtuar. Arsyet duhen kërkuar gjetkë dhe janë të njohura, si këndej edhe andej kufirit.

Në fakt, numri i 12.000 ushtarëve grekë të vrarë nuk ka ndonjë rëndësi në aspektin e së vërtetës historike. Lufta ka ndodhur. Po kaq e vërtetë është edhe që në Shqipëri nuk gjendeshin dhe nuk mund të gjenden më shumë se 2250 varre ushtarësh grekë. Sistemin e kaluar mund ta akuzosh për plot gjëra, të bëra e të pabëra, por në këtë pikë kishte seriozitet. Pretendimi nga pala greke i ekzistencës së 12.000 varreve ka të bëjë me numrin e varrezave që do të ngrihen në Shqipëri. Përveç vendprehjes prej 10.000 m² në Këlcyrë dhe varrezës me 59 varre në fshatin Bularat të Gjirokastrës, synohet të ndërtohet edhe një varreze madhështore në qytetin e Korçës. Koha do ta tregojë.

***

Është e vetëkuptueshme që, në një konflikt ndërshtetëror ushtarakët janë viktima të politikës dhe eshtrat dhe vendprehjet e tyre meritojnë të trajtohen me respekt. Ky është akti më human që një qeveri dhe një popull duhet të kryejë ndaj tyre. Në këtë frymë janë ngritur në kodrat e liqenit artificial në Tiranë edhe vendprehjet e ushtarëve britanike dhe gjermanë, të rënë në Shqipëri gjatë Luftës së Dytë Botërore. Eshtrat e tyre u mblodhën nga të gjithë anët e Shqipërisë, atje ku ata kishin rënë. Kësisoj, do të kishte qenë e udhës që edhe të rënët e Luftës italo-greke të rivarroseshin përkrah tyre, pse jo edhe përkrah ushtarëve austro-hungarezë të varrosur në Shkodër, por kurrsesi në Gjirokastër, Përmet dhe aq më keq në Korçë. Në këtë mënyrë nuk do të ishte shuar në Bularat edhe jeta e një njeriu. Por ndoshta edhe e shumë njerëzve më vonë. Koha ka treguar që aleancat janë të përkohshme, ndërsa interesat janë të përhershme. Kush ka mësuar pak nga historia, e kupton këtë gjë!

Sigurisht që vendprehjet e ushtarëve të huaj nuk përcaktojnë domosdoshmërisht territore apo kufij, sepse sipas kësaj logjike, largqoftë, çfarë mund të mendonte Gjermania për miliona varre të ushtarëve gjermanë të Luftës së Parë e të Dytë Botërore të mbjellë në gjithë Europën? Megjithatë, mesa duket, kaq mjafton që për mendje të prapta apo koka të nxehta nacionaliste në shtetin fqinj, të ushqehet zjarri i urrejtjes ndërmjet dy popujve, të mprihet gjuha shoviniste dhe pse jo, të dërgohen edhe viktima për t’u martirizuar në Shqipëri në kuadër të këtyre synimeve./ZgjohuShqiptar.info

KOMENTONI

Loading...
Loading...
Name

Aktualitet,8839,Camëri,116,Editorial,1936,Ekonomi,476,Emra për djem,38,Emra për vajza,36,Enciklopedi,81,Histori,1425,Iliridë,273,Kosovë,2544,Kulture,697,Luginë,58,Moti,2,Politik,1853,Reportazh,176,Rezultatet Live,2,Shtypi,79,Sondazhe,8,Sport,511,Video,549,
ltr
item
Zgjohu Shqiptar: Të lësh kockat në Shqipëri…
Të lësh kockat në Shqipëri…
https://1.bp.blogspot.com/-CFpSvXMu3j0/W93vOlVDg2I/AAAAAAAAagU/jsFVKDwGuhYoyOGRxQ5Psf_PmwOxNPlHwCLcBGAs/s640/Untitled2-905x395.jpg
https://1.bp.blogspot.com/-CFpSvXMu3j0/W93vOlVDg2I/AAAAAAAAagU/jsFVKDwGuhYoyOGRxQ5Psf_PmwOxNPlHwCLcBGAs/s72-c/Untitled2-905x395.jpg
Zgjohu Shqiptar
https://www.zgjohushqiptar.info/2018/11/te-lesh-kockat-ne-shqiperi.html
https://www.zgjohushqiptar.info/
https://www.zgjohushqiptar.info/
https://www.zgjohushqiptar.info/2018/11/te-lesh-kockat-ne-shqiperi.html
true
269073700948665522
UTF-8
Ngarkuar te gjitha postimet Nuk gjendet ndonje postim SHIKO TE GJITHA Lexo me Shume Repliko Hiq Repliken Fshi Nga Kreu FAQET POSTIMET Shiko te Gjitha REKOMANDUAR PER JU LABEL ARKIVA KERKO TE GJITHA POSTIMET Nuk u gjet asnje material sipas kerkeses tuaj Kthehu te Kreu E Diel E Hene E Marte E Merkure E Enjte E Premte E Shtune Hen Mart Merk Enj Pre sht Die Janar Shkurt Mars Prill Maj Qershor Korrik Gusht Shtator Tetor Nentor Dhjetor Jan Shk Mar Pri Maj Maj Qer Gush Sht Tet Nen Dhj menjehere 1 minute me pare $$1$$ minutes ago 1 ore me pare $$1$$ hours ago Dje $$1$$ days ago $$1$$ weeks ago me shume se 5 jave me pare Followers Follow THIS CONTENT IS PREMIUM Please share to unlock Kopjo te Gjithe Kodin Selekto te Gjithe Kodin All codes were copied to your clipboard Can not copy the codes / texts, please press [CTRL]+[C] (or CMD+C with Mac) to copy