75 vjet më parë / Projekti nazist për spastrimin e jugut shqiptar

, 75 vjet më parë / Projekti nazist për spastrimin e jugut shqiptar

Nga Nuri DragojFundviti 1943 i gjeti komunistët më të organizuar dhe më të fortë ushtarakisht, krahësuar me ballistët. Në atë kohë, Bedri Spahiu, Shemsi Totozani, Siri Shapllo e Zihni Sako ndodheshin në zonën Poliçan – Topovë të Zagorisë. Në atë rajon numëroheshin rreth 1 000 partizanë dhe po kaq të tjerë qenë në Delvinë. Ndërkohë, Komanda e Divizionit I Malor Ic, kishte marrë informcion se shtabi i Divizionit “Perugia” qe zhvendosur nga Gjirokastra për në Delvinë, ndërsa gjenerali Chiminello, së bashku me shefin e shtabit Bernandelli, bënin marrëveshje me partizanët për dorëzimin e armëve në duart e tyre. Ndërkohë Regjimenti 130 i Gjuetarëve, pjesë e Divizionit italian “Perugia”, vazhdonte të qëndronte në Tepelenë, por nuk dihej se çfarë do të bëhej më tej. Të gjitha këto informacione jepeshin nga disa oficerë italianë, pjesë e Armatës së 9-të, të cilët, së bashku me 8 ushtarë gjermanë, mundën t’i shpëtonin tradhëtisë së komandantit të Divizionit “Perugia” dhe çarmatimit nga ana e çetave partizane. Sipas komandës, në zonën e Lekdushit, Golemit e deri në Borsh, sulmi gjerman pati dështuar. Edhe Gjirokastra ishte rimarrë nga forcat partizane. Për pasojë, rruga e kalimit për lëvizjen e trupave gjermane ishte ndërprerë. Operacioni për spastrimin e territorit vazhdonte dhe në afërsi të Radanit, pranë Leskovikut, trupat gjermane përzunë një çetë partizane me 10-15 vetë.Në mbrëmjen e po asaj dite njoftohej që divizioni malor, gjatë lëvizjes së tij në rrugën Tepelenë – Përmet – Aidonohori, pas luftimesh të forta mundi të pushtonte Përmetin. Por ende nuk jepeshin të dhëna për dëme dhe plaçkën e zënë. Trupa të tjera kërcënonin Beratin. Për mbrojtjen e qytetit nga ushtria gjermane, në fillim të muajit nëntor u caktuan dy batalione, njëri që drejtohej nga Xhelal Staravecka, dhe batalioni “Gramshi”. Përgjegjës për mbrojtjen ishte batalioni i Gjin Markut. Sulmi i trupave gjermane nisi më 15 nëntor dhe mbrojtja u shpartallua. Coltrinari bën fjalë për braktisje të frontit nga partizanët në lagjen “Çelepias”, duke i lenë të lirë gjermanët t’u merrnin krahët forcave që rezistonin në Kala. Në këto rrethana Gjin Marku e braktisi postin komandues, ndërsa Xhelal Staravecka u shkëput nga radhët e partizanëve dhe u bashkua me nacionalistët. Oficerët italianë të batalionit “Gramshi”, që u kapën nga trupat gjermane, u pushkatuan. Të tjerët mundën të kalonin Osumin, i cili qe plot me ujë dhe udhëtuan për gjithë natën në drejtim të jugut.Më 8 nëntor njoftohej se trupat gjermane u larguan nga qyteti i Përmetit, i cili u mor nën zotërimin e 70 partizanëve të armatosur me MG dhe GrW. Repartet partizane mbajtën qytetin e Gjirokastrës për tri javë nën kontrollin e tyre, por më 27 nëntor, qyteti u rimor sërish nga trupat gjermane, pas një rezistence jo të dobët të çetave partizane me 100 vet, të cilët u larguan në perëndim duke lënë tre të vrarë. Luftime qenë kryer edhe ndërmjet nacionalistëve e komunistëve.Komanda e Divizionit 100 gjerman, lidhur me operacionin “Roter Mann”, raportonte se forcat shqiptare gjendeshin përreth Beratit dhe midis tyre kishte ushtarakë italianë. Çeta e Mestan Ujanikut pati zënë kalanë, por e kishin të vështirë të përballeshin frontalisht me trupat ushtarake, pasi siç shkruante dhe Massimo Coltrinari, në mes të muajit nëntor, në ndihmë të forcave gjermane shkuan 400 luftëtarë nacionalistë.Pavarësisht nga rrethanat e krijuara, partizanët besonin se do t’i bënin ballë sulmit gjerman që rinisi më 17 nëntor, por nuk qe e mundur. Të mbështetur me artileri e tanke, trupat gjermane i detyruan partizanët të tërhiqeshin. Sipas raportit të komandës ushtarake, në luftimet e zhvilluara u vranë 117 vet të numëruar një e nga një, shqiptarë dhe italianë, midis të cilëve një kolonel, një major, tre kapitenë, dy togerë, 65 ushtarë italianë dhe 45 shqiptarë. Po ashtu u kapën robër 103 shqiptarë, 182 italianë, 202 pushkë, tre kamionë dhe 4 mortaja. Më 4 dhjetor 1943, Korparmata IV njoftonte se Gjirokastra ishte marrë përsëri nga luftëtarët shqiptarë, të cilët hynë në qytet me forca të shumta nga krahu perëndimor, të pajisur me armatime italiane.Herridoh 1Operacioni i trupave gjermane i emërtuar “Herridoh 1”, synonte spastrimin e forcave partizane në jug të Shqipërisë. Ndërkohë përgatitej operacioni “Herridoh 2”. Batalioni i 3-të i Regjimentit Gjuajtës 54 të Tepelenës dhe batalioni i 2-të i Regjimentit Gjuajtës 227, më 24 janar 1944 mbërritën në Këlcyrë. Dy ditë më pas nisi operacioni gjerman i emërtuar “Horridoh 2”, duke sulmuar forcat partizane në Suhë, me drejtim Stegopul – Këlcyrë. Komanda informohej se nuk pati ndeshje me shqiptarë, veç ndonjë rezistence para grupit të majtë të sulmit.Në të njëjtën kohë bëhej e ditur që grupi luftues verior, me batalionin e 2-të dhe të 3-të të Regjimentit 227, kishte zënë vend në rrugën Këlcyrë – Tepelenë. Më 26 janar, në Përmet u bë inagurimi i Brigadës VI, komandant i së cilës u caktua Tahir Kadereja, zëvendës Jaho Gjoliku, komisar Mustafa Matohiti dhe zëvendëskomisar Haki Toska. Në atë kohë u njoftua se trupa të tjera naziste ishin duke ardhur në drejtim të Përmetit nga Perati, si dhe një tjetër autokolonë vinte nga Vlora në drejtim të Tepelenës.Trupat gjermane të zbritura nga Tënda e Qypit po i afroheshin Këlcyrës. U morën masa të shpejta dhe më 27 janar 1944, në sektorin e Këlcyrës dhe Përmetit, trupat armike u frenuan nga rezistenca e batalionit të parë dhe të katërt të Brigadës së 6-të. Pritën e parë këto forca e kishin organizuar te Rripa e Kuqarit.Vonesa e kalimit të forcave gjermane drejt Përmetit e ndihmuan popullsinë të linte qytetin dhe të strehohej në guvat e Dhëmbelit. Trupat gjermane, që vinin nga Petrani, ndeshën në pritat partizane, të cilët i qëlluan pas krahëve, duke lënë dhe të vrarë. Batalioni i 4-t i Brigadës së 6-të pati zënë pritë në Malibardhë dhe qëllonte mbi trupat gjermane. Megjithëtë, ata mundën të hynin në Petran dhe nga zemërimi i vunë zjarrin fshatit. Forcat armike, duke vëzhguar terrenin me një aeroplan zbulimi, goditën me artileri gjithë territorin dhe tentuan edhe një herë të çanin në drejtim të Përmetit, por “deri në muzg, forcat partizane që ndodheshin në të dy anët e rrugës, qëndruan të patundura”.Në mbrëmje u njoftuan për afrimin e ushtrisë gjermane ndaj morën masa për të larguar të plagosurit dhe spitalin partizan e zhvendosën në vend më të sigurt, në drejtimin Odriçan – Hotovë. Forcat armike që vinin nga Këlcyra mbërritën në Buhal, ku gjetën një partizan të plagosur, të cilin e masakruan. Pastaj u vunë zjarrin fshatrave Kosinë, Kutal e Buhal dhe hynë në Përmet. Një pjesë e forcave gjermane kaloi Vjosën dhe u hodh në drejtim të Kaludhit për të bllokuar Qafën e Dhëmbelit. Sipas një dokumenti të komandës gjermane, thuhej se trupat e tyre “kishin përballë një armik të pafuqishëm”. Por ky pohim nuk është bindës, pasi trupat gjermane, të nervozuara nga dëmet që u shkaktonin partizanët, i vunë zjarrin fshatit Kaludh dhe u drejtuan për në Badlonjë.Komanda e përgjithshme e Korparmatës 22 bisedoi me majorin Schreiber, komandant i Grupit 104 të Tankeve, për formimin e një reparti të motorizuar shoqëruar me kundërajrorë, për të organizuar sulm të befasishëm në drejtim të Përmetit, me qëllim që t’u pritej rruga oficerëve anglezë. Divizioni Steyrer raportonte se 3 oficerë anglezë, me pretekst se kishin lënë ambalazhet e tyre, qenë larguar nga Sheperi për në Përmet bashkë me 500 veta, duke marrë nga magazinat municionet dhe lëndët eksplozive.Organizohet sulmi mbi ZagoriTrupat gjermane kishin objektiv të kapnin krahinën e Zagorisë. Për të shmangur përballjen e forcave partizane me ushtarët gjermanë, qe dhënë urdhër të largoheshin nga krahina. Spitali i Poliçanit duhej të evakuohej në drejtim të Përmetit. Urdhri për këtë qe dhënë në datën 25 janar. Massimo Coltrinari kujtonte që, më 27 janar morën urdhër të shkonin në Përmet, në një kohë që vazhdonte bombardimi nga ana e aviacionit gjerman. Një kolonë që erdhi nga Greqia mundi të zotëronte krahinën e Zagorisë, ndërsa kolona ushtarake e ardhur nga Berati dhe ajo që vinte nga Ura e Peratit ishin duke rrethuar Përmetin. Forcat partizane morën urdhër të tërhiqeshin në drejtim të fshatit Kosovë. Siç kujton kapiteni italian Vito Menegazzi, nëse nuk do të qenë tërhequr gjatë natës, rreth 2 000 partizanë do të ishin kapur dhe asgjësuar nga gjermanët. Kur ata dolën në lartësinë 1 300 m, shihnin se si “gjithë fshatrat përreth Përmetit digjeshin në flakë”.Të plagosurit rëndë, që nuk ishin në gjendje të qëndronin mbi kafshë, u vendosën në barela, të tjerët vazhduan lëvizjen të ndihmuar nga personeli mjekësor. Pranë Shpellës së Dyfekut, në Qafën e Malit, era ulërinte dhe të priste të ftohtit. Bashkë me partizanët lëviznin gra e fëmijë, pasi ishte njoftuar që trupat gjermane vinin nga Tepelena, Gryka e Selckës dhe Greqia. Sipas oficerit anglez Tilman, qe e vështirë të përcaktoje, “kush meritonte më shumë simpati, partizanët me gjymtyrë të thyera apo ata që mbanin mbi supe vigët me të plagosurit gjatë errësirës, të mbytur në djersë, që me zor mbaheshin në këmbë për shkak të akullit dhe dëborës rrëshqitëse”.Zagoria ishte baza e shtabit të luftës për Zonën e Parë Operative Vlorë – Gjirokastër. Por, pas lajmit të operacionit nazist, u kalua në ilegalitet. Një pjesë ndoqën rrugën midis malit të Dhëmbelit dhe atij të Nemërçkës, duke kaluar nga Gryka e Biseit, sepse ajo qe rrugë më e shkurtër. Kur arritën te Stanet e Nderajt, koha ishte qetësuar dhe dielli ndriçonte mjaftueshëm. Pellgu i Vjosës u shfaq para tyre me luginën e bukur, sikur ta kishin në pëllëmbë të dorës. Në rrugën auomobilistike Këlcyrë – Përmet shihej kolona e trupave operuese gjermane që vazhdonte zbritjen. Spitali partizan qe vendosur në Leshicë, pranë shkollës dykatëshe, ku shërbenin doktor Emil Qirko, mjeku italian Italo Viti, si dhe katër infermierë. Aty vdiq komisari Refik Kasimati. I qenë gangrenizuar këmbët, por vuante edhe nga zemra.Nazistët u informuan që spitali partizan, bashkë me të plagosurit dhe shumë qytetarë të Përmetit, ishte drejtuar për në krahinën e Dangëllisë. Për këtë arsye u shmang lëvizja drejt Qafës së Dhëmbelit e Zagorisë, dhe u nisën për në Dangëlli. Popullsia mori masa për t’u fshehur në pyjet e Kokojkës, Golikut, Ogrenit dhe Radomit. Më 30 janar trupat naziste tentuan lëviznin në drejtim të katundeve Tremisht, Lupckë, Gostnisht, për të hyrë në lartësitë e krahinës së Ceries e Dangëllisë, por hasën në rezistencën e forcave të Brigadës I dhe VI, dhe u ndoqën deri në xhade.Me përjashtim të masakrës së Borovës dhe asaj të Draçovës në Përmet, gjermanët bënin kujdes për të shmangur përpjekjet me shqiptarët dhe u premtonin atyre pavarësinë, me qëllim që të ishin të lirë në rrugën e tërheqjes, por kur panë që po sulmoheshin shpesh “u habitën nga qëndrimi i tyre, si nga ana e nacionalistëve, po ashtu dhe nga ajo e partizanëve”. Pas kësaj ata filluan të bënin intriga për t’i futur shqiptarët në luftë me njëri – tjetrin, duke quajtur më të rrezikshëm partizanët, të cilët i cilësonin “banda të të rinjve terroristë, që s’kishin rrënjë të thella në vend”. Komanda gjermane shfrytëzoi mirë qëndrimin anglez lidhur me çështjen e të ardhmes së Shqipërisë, duke u kujtuar nacionalistëve se Uinston Çurçill (Ëinston Chuchill), në fjalimin që mbajti në Kuebek (Quebec) , nuk e përmendi fare pavarësinë e Shqipërisë.Lufta Nacionalçlirimtare në të vërtetë kishte marrë përmasa të mëdha. Madje, vet gjermanët, më 28 janar 1944 shkruanin se “luftimet ishin zhvilluar kundër një armiku që luftonte me ngulm”. Në trevën e Përmetit vazhdonin të dominonin forcat partizane, ndonëse komanda gjermane raportonte herë pas here që, pas sulmit të ushtrisë së Ëehrmacht – it, luftëtarët shqiptarë shpërndaheshin, por përsëri njoftohej se territori qe nën zotërimin e tyre. Po ashtu bëhej e ditur se pas një sulmi të ashpër, ishin larguar nga Sheperi 9 anglezë të veshur me uniformë italiane dhe 500 partizanë, të cilët qenë nisur për në Përmet, duke lënë në bazën e tyre edhe sende personale.Më 28 janar 1944 tanket gjermane sulmuan Këlcyrën, në një kohë që partizanët sapo i kishin përzënë ballistët. Të tjera lajme thoshin se në afërsi të Urës së Peratit kishte përqëndrime të reja të trupave gjermane. E njëjta gjë thuhej edhe për në Gjirokastër e Berat. Bedri Spahiu këshillonte të iknin sa më parë nga Sheperi, pasi Përmeti nuk garantohej më shumë se një ditë. Mes furtunës së borës, shumë partizanë të plagosur u nisën drejt Përmetit të dëshpëruar, në një kohë që forcat e Nacionalçlirimtares e braktisën qytetin dhe qenë hedhur në kodrat përballë. Gjermanët vonuan në lëvizjen e tyre nga Këlcyra për në Përmet dhe rënia e plotë e qytetit u mor vesh më 28 janar “nga tymi i fshatrave që digjeshin në të dy anët e lumit”.Situata e krijuar nga djegiet e fshatrave të njëpasnjëshme vinin në pikëpyetje jetën e banorëve të qytetit të Përmetit. Për të shmangur një rrezik të tillë, zëvendëskomandanti i batalionit “Naim Frashëri”, Meleq Gosnishti bashkë me 23 partizanë mori përsipër të kalonin Vjosën për t’i goditur pas shpine trupat gjermane. Ato vinin në rrezik popullsinë e qytetit, strehuar në guvat e Dhëmbelit, ndaj Gosnishti vendosi t’ju gjendej pranë në ato momente të vështira banorëve të qytetit të zhuritur. Të tjera trupa armike vijuan rrugën drejt Përmetit, por në Bënjë hasën në rezistencën partizane. Më 28 janar ata kaluan në fshatrat Bënjë, Trebozisht e Novoselë dhe dogjën disa shtëpi, plaçkitën e torturuan njerëz të pafajshëm.Luftime u zhvilluan edhe në Tremisht, ku partizanët patën përparësi, pasi mundën të kapin lartësitë e kodrave dominuese, por gjermanët duke parë që nuk mund t’i mposhtnin, i vunë zjarrin fshatit. Dy kompani partizane, një e Brigadës I dhe një e Brigadës VI, i ndoqën forcat gjermane deri në Bodar e Kutal. Ndërsa njësitet e batalionit “Naim Frashëri” e sulmuan armikun pas shpine, midis fshatrave Lipë e Buhal, dhe një ditë më vonë, në Rapckë. Pas kësaj gjermanët u vunë zjarrin fshatrave Badlonjë, Leusë dhe Rapckë. Në tentativë për të zotëruar Cerien e Dangëllinë, trupat gjermane u goditën nga forca të Brigadës I dhe VI, të cilat mundën ta thyenin armikun, duke e rrëzuar poshtë në rrugën automobilistike.Herridoh 2Lidhur me operacionin gjerman “Herridoh 2”, raportohej se përballja e tre grupimeve luftarake me çetat partizane kishte qenë e vështirë, por pas shumë luftimesh ushtria gjermane mundi të kapte Petranin dhe gjithë pozicionet fushore, duke shkuar deri në fshatin Delvinë, ndërsa batalioni i 2-të dhe ai gjuajtës 227 e përqëndruan sulmin luftarak në lindje. Po atë ditë thuhej se partizanët kishin organizuar sulm kundër trupave gjermane, 8 km në juglindje të Përmetit. Sulmi i papritur e tronditi komandën gjermane, e cila nuk kishte asnjë informacion për numrin e luftëtarëve, ndonëse mendohej të ishin 150 vet të pajisur me 6 mitraloza dhe një top, të cilët më pas ishin tërhequr në veriperëndim të Përmetit.Në mesditën e datës 28 janar, njësia e batalionit të dytë gjuajtës 227, në ora 13 hyri në Përmet. Një kompani e grupit luftarak të lindjes avancoi nga fshati Delvinë për në verilindje, ku u përball me sulmin partizan, ndërsa grupi i qendrës mbërriti në Sheper, Konckë e Topovë, pa u ndeshur me luftëtarët shqiptarë. Ata mësuan nga banorët se çetat vendase qenë tërhequr në drejtim të Malëshovës më 26 janar. Po atë ditë njoftohej se kompania e 2-të gjermane ishte përplasur me 200 forca partizane, 1 km në veri të fshatit Bodar, ku mbetën të plagosur dy ushtarë gjermanë dhe 20 partizanë të vrarë. Batalioni i 2-të i Regjimentit Gjuajtës 227, mbërriti në fshatin Kosinë, dhe ndiqte forcat partizane që ishin tërhequr në të djathtë të luginës së Vjosës.Më 29 janar 1944, komanda gjermane i raportonte qendrës, se çetat partizane përfituan nga përparimi i dobët i forcave të tyre, për shkak të terrenit të vështirë dhe u larguan nga zona Këlcyrë – Përmet – Poliçan – Tepelenë në drejtim të Frashërit, duke i shpëtuar në këtë mënyrë spastrimit. Divizioni Steyrer donte të dinte nga komanda qendrore, nëse ishte e mundur t’u bllokohej partizanëve rruga për në Frashër. Por komanda eprore dha përgjigje negative, pasi mundësitë ishin për të dërguar vetëm dy toga të dobëta, sepse batalioni fushor i zëvendësimit merrte pjesë në një operacion që zhvillohej në Selanik.Në informacionin e mbrëmjes së datës 29 janar 1944, Korparmata 22 Malore, bazuar në informacionet e marra nga banorët e Sheperit dhe fshatrave përreth, raportonte se 3 000 partizanë kishin kaluar mbi Përmet, për në veri dhe verilindje. Në fund të forcave të larguara ishte një batalion me rreth 500 – 600 vetë të shoqëruar nga 15 oficerë. Rreth 200 të tjerë qenë vendosur pranë fshatit Bodar. Mendohej se ishin po ato forca që sulmuan trupat naziste në Bodar, të cilët për çdo 100 vetë kishin dy mitraloza dhe dy topa malorë të tërhequr me kafshë, kryesisht armatim italian, anglez dhe amerikan.Grupi luftarak që vepronte në veri të Përmetit hasi në shumë vështirësi, pasi rruga Këlcyrë-Përmet qe e minuar. Për pasojë u shkatërrua një automjet i blinduar i ushtrisë gjermane që luante rolin e zbulimit. Grupi luftarak i lindjes vazhdonte të merrej me spastrimin e zonës midis Përmetit dhe Këlcyrës. Trupat që vepronin mes tyre, me gjithë vështirësitë e hasura, mundën të arrinin në Malëshovë dhe Peshtan, ndërsa grupi luftarak i perëndimit pushtoi Labovën, ku hasi në rezistencë të ashpër të partizanëve.Komanda gjermane raportonte se në Sheper kishin kapur sasi të madhe materiali propagandistik anglez dhe komunist, 3 mitraloza italianë, 2 aparate për sinjal drite, një radiostacion të shkatërruar, një motoçikletë e lehtë dhe 6 parashuta desantësh. Po ashtu, një depo municioni që administrohej nga ushtria nacionalçlirimtare, u hodh në erë nga vet partizanët. Material luftarak u kap edhe në perëndim të Cepunit, 40 karabina, 10 mitraloza të papërdorshëm, 200 granata dhe municion luftarak për pushkë.Në këtë mënyrë, Lëvizja Nacionalçlirimtare kishte marrë goditje të madhe, pasi u dogjën ngado fshatra dhe organizatën e Ballit e shihnin si trumfuese. Madje qe krijuar mendimi se “brigadat partizane nuk mund të mbaheshin pasi qenë të kushtueshme, me vlera të dyshimta politike dhe jo të dobishme ushtarakisht”.Anglezët qenë të mendimit se në luftë kundër gjermanëve kishte pak aktivitet, si nga LNÇ ashtu dhe nga Balli Kombëtar. Por nëse partizanët bënin sulme të shkëpututura kundër trupave gjermane, nuk mungonin rastet kur ballistët kërkonin ndihmën e tyre kundër partizanëve. Në emisionet e zhvilluara në gjuhën shqipe të BBC, lidhur me mosmarrëveshjet midis palëve, këshillohej t’i jepej rëndësi luftës me ushtrinë gjermane, pasi aty ishte interesi bazë dhe për këtë ishte e nevojshme të vlerësohej lufta që bënin shqiptarët.Operacioni “Herridoh 3”Brigada I Sulmuese qe vendosur në një gjatësi fronti prej 20 km, duke filluar nga Odriçani kufi me Skraparin dhe vijonte në Hotovë, mbi luginën e Lumnicës, pastaj në Gostnisht, krahinën e Ceries e deri Lupckë, në hyrje të Dangëllisë. Largimi i gjermanëve nga Përmeti nisi më 1 shkurt 1944 dhe në datën 2 shkurt ata qenë tërhequr tërësisht, duke u vënë zjarrin edhe disa shtëpive të mbetura pa u djegur. Territori që përfshinte luginën e Vjosës, deri 8 km në veri të Këlcyrës, pikërisht në fshatin Podgoran, zotërohej nga forcat partizane.Komanda gjermane pranonte se, më 2 shkurt të vitit 1944, Divizioni Steyrer shtrihej 20 km në lindje të Gjirokastrës dhe ishte ndeshur me rreth 5 mijë forca partizane, që i sulmuan për të rimarrë nën kontroll territorin nga Poliçani në Zagori. Dy ditë më pas ata informonin se zona e Frashërit dhe ajo në verilindje të Ersekës qe marrë nga forcat partizane, të cilët kishin pushtuar dhe Qafëzezin, ndërsa nacionalistët ishin shmangur në drejtim të Boshanit. Po atë ditë filloi operacioni “Herridoh 3”. Batalioni i 2-të i Regjimentit 227, gjatë marshimit në rrugën Përmet – Këlcyrë, u gjend në një sulm të befasishëm të forcave shqiptare. Vet komanda e ushtrisë armike raportonte se qenë përballur me rreth 300 forca partizane. Sipas burimeve zyrtare të divizionit gjerman, mbetën 29 ushtarë të vrarë.Operacioni “Herridoh 2” kreu shumë vrasje në njerëz të pafajshëm. Pas thyerjes së rezistencës së ashpër të partizanëve në Labovë, ushtarët gjermanë vranë 35 veta. Në Hormovë u vranë 30 të tjerë. Nëpërmjet këtij terrori trupat gjermane mundën të siguronin lidhjen midis grupit luftarak që vepronte në perëndim me atë në veri të Tepelenës. Sipas njoftimeve të komandës së Korparmatës 22 Malore, rajoni ndërmjet Vjosës dhe Zagorisë si dhe gjithë lugina e Drinosi deri në Këlcyrë e Tepelenë, qe spastruar nga “bandat komuniste, ndonëse në kushte jashtëzakonisht të vështira, pjesërisht në rajone me terren alpin”.Njoftohej se bilanci i operacionit “Herridoh 2” solli humbje të ushtrisë gjermane me 3 të vdekur, 2 të zhdukur, 12 të plagosur, ndërsa në grupin luftarak që vepronte në veri qenë 3 të vdekur, 2 të zhdukur dhe 5 të plagosur. Nga ana e partizanëve ata jepnin 187 të vrarë të numëruar, rreth 250 të plagosur dhe 15 italianë të zënë robër.Forcat hileriane qenë larguar nga Këlcyra dhe në datën 3 shkurt gjendeshin pranë fshatarve Limar e Malëshovë, ku masakruan dy pleq dhe u vunë zjarrin të dy fshatrave. Në datën 6 shkurt ata qenë larguar plotësisht nga Këlcyra dhe në këtë mënyrë Përmeti mbeti sërish i lirë. Natyrisht, bilanci ishte tragjik, pasi vetëm Brigada e 6-të pati 45 të vrarë dhe të plagosur. U dogjën fshatrat Stegopull, Hoshtevë, Konckë, Tremisht, Badlonjë, Leusë, Buhal, Lupckë, Mbrezhdan, Kosinë, Kutal, Malëshovë, Limar dhe qyteti i Përmetit, i cili u përballë me flakët për të tretën herë. Trupat armike kishin marrë dhe rezervën e barnave mjekësore, për të cilën komiteti i rajonit kritikonte Mufit Dushanin, përgjegjës i spitalit të Poliçanit, si dhe atë të Nivanit, pasi nuk kishin menduar për fshehjen e barnave mjekësore, të cilat ranë në duart e armikut.Letër e Mustafa Matohitit për Brigadën e Parë, mbi një sulm të ri gjermanMustafa Matohiti paralajmeroi se po përgatitej një tjetër sulm i ushtrisë gjermane. Familjet fshatare ishin skeptike për format që përdoreshin në luftën kundër trupave gjermane duke u rënë pas shpine, sepse kjo praktikë bëhej shkak për djegie e shkatërrim. Por kur panë që gjermanët po i ndiqnin nga fshatrat e tyre, u detyruan të viheshin tërësisht në shërbim të luftës. Ushqimi për partizanët shkonte i ngrohtë dhe mbulesat për ta nuk kurseheshin. Çdo familje ushqente të paktën 10 partizanë. Fshatrat e zonës së Dangëllisë, që nuk u pushtuan nga ushtria gjermane, ndihmuan partizanët me ushqim. Miçani i furnizoi me 150 kg bukë, Qinami me 80 kg, Ogreni 150 kg misër etj.Për të larguar fshatarët nga Lëvizja Nacionalçlirimtare, qeveria propagandonte se brenda muajit shkurt ishin bërë pronarë tokash në çifligjet e shtetit 2 500 familje të varfëra. Shteti kishte hequr dorë nga e drejta e pronësisë së vet. Shtëpitë dhe hauret ku strehoheshin bujqit u bënë pronë e tyre. Toka do t’i shitej me çmim simbolik.Nga data 2 deri në 6 shkurt 1944, trupat gjermane u përqendruan në rrethinat e Tepelenës. Komanda e operacionit “Herridoh 3” ishte informuar në fillim të veprimtarisë së vet luftarake, se forcat e Brigadës I të komanduara nga Mehmet Shehu gjendeshin në rajonin Poliçan – Malëshovë. Ato ishin duke u tërhequr për në verilindje, në një kohë që Brigada V, e drejtuar nga Shefqet Peçi, ndodhej në rajonin Lekdush – Nivicë. Më 9 shkurt trupat gjermane u goditën nga forcat partizane në luginën e Drinos, për pasojë lanë një oficer dhe 2 ushtarë të vrarë, 9 të plagosur lehtë dhe 7 të plagosur rëndë. Ndërsa nga radhët e partizanëve, sipas burimeve të ushtrisë së Ëehrmacht – it, jepen 40 të vrarë dhe 50 të plagosur.Trupat gjermane bënë të pamundurën të mposhtnin Gjirokastrën dhe Përmetin, por nuk ia arritën qëllimit. Më 13 shkurt, komanda e Divizionit 22 pranonte se Gjirokastra ishte e vështirë të mbahej prej tyre. Madje edhe komandanti i milicisë nacionale shqiptare, Nuri Dino, ishte i bindur që me largimin e batalionit të 3-të të Divizionit të Gjuajtësve Malorë, milicia nuk mund të qëndronte më në Gjirokastër, ndaj propozonte që atje të dërgohej një njësi tjetër gjermane.Gjeneral Azzi me 3 500 ushtarë dhe oficerë italianë gjendej i bllokuar nga forcat partizane në jug të Çorovodës. I ndodhur në këto rrethana ai shprehej i gatshëm të dorëzohej te gjermanët. Komanda e Korparmatës 21 Malore ngarkoi divizionin 100 Jager për të shkuar në ndihmë të tyre, dhe më 26 shkurt të kryhej sulmi kundër partizanëve. Por shtabi i Lëvizjes Nacionalçlirimtare nuk pranoi të bënte asnjë lëshim. Si përfundim, partizanët nuk u pajtuan me kërkesën për dorëzimin e italianëve te gjermanët.Bruno Brunetti i përshkruan luftimet e kryera nga batalioni “Gramshi”, në mbështetje të forcave të Brigadës I, në intervalin kohor 20 shkurt – 20 mars 1944, si “periudha më e vështirë e gjithë fushatës së dimrit”. Sipas tij, partizanët i përballuan vështirësitë “me një stoicizëm heroik dhe disiplinë të hekurt”.Komisari i Brigadës VI, Mustafa Matohiti, i shkruante shtabit të Brigadës I se kishte të dhëna që shtatmadhoria armike synonte të sulmonte me shumë forca rajonet Korçë, Skrapar, Berat, Zagori, Lunxhëri, Përmet e Kurvelesh. Për këtë urdhërohej prishja e rrugëve. Ky proces kishte përparuar në krahinën e Dëshnicës, pasi në muajin mars u angazhua një numër i madh fshatarësh që dëmtuan në disa pjesë rrugën për në Kiçok, me qëllim që mjetet lëvizëse të armikut të hasnin në pengesa.Numër i madh trupash naziste vinin nga Greqia dhe kishin për qëllim t’i binin nga prapa Zagorisë dhe Përmetit. Për të ndalur sulmin gjerman, Mustafa Matohiti kërkonte të bëhej lidhje me EAM, për të hedhur në erë urën e Arnistrës. Në listën e rrugëve që duhej të dëmtoheshin ishin dhe Gjirokastër – Tepelenë – Këlcyrë, si dhe Këlcyrë – Kiçok – Berat. Më tej Matohiti bënte të ditur se mbanin nën vëzhgim Sali Beun nga Përmeti, pasi thuhej që kishte këshilluar Sulejman Beun të arratisej dhe të mos i dorëzohej Frontit Nacionalçlirimtar. Prandaj ai propozonte që Sali Beu të largohej prej andej si “dallaverexhi dhe intrigant”.Komanda e shtabit të Zonës së Parë Operative Vlorë – Gjirokatër, në mesin e muajit mars 1944 porosiste repartet në varësi të saj, se gjermanët që ziheshin robër duhej të ruheshin. Me kapjen e tyre, të lajmërohej menjëherë komanda, së cilës t’i raportohej numri i robërve, grada e secilit, reparti ku bënin pjesë dhe vendi në të cilin qenë zënë rob. T’u merreshin të gjitha dokumentet që ata kishin me vete dhe të dorëzoheshin në komandë. Ruajtja e robërve të bëhej në një krahinë të lirë dhe në vend të sigurtë, të strehuar në godinë me dyer dhe dritare të forta, e cila të mbahej nën vëzhgimin e partizanëve që caktoheshin me urdhër të komandës së njësisë përkatëse./ZgjohuShqiptar.info

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button