ARKIVA/ Kur Kosova nuk ishte provincë e humbur: "Rilindja" e vitit të ri 1984

«Dokument për histori», reportazhe nga shumë anë të globit, një simbol si i Twitterit në një karikaturë, 100 banesa për punëtorë, një shënim për Pashk e Alfred Markajn dhe kacafytjen e tyre me arushën, shumë poezi, pak propagandë dhe këshilla kundër impotencës për një burrë nga Prizreni – «Rilindja» festive e 31 dhjetorit 1983, 1 dhe 2 janarit 1984.

Nga Enver Robelli/

Në ballinën e numrit festiv të gazetës «Rilindja» për ditët 31 dhjetor 1983, 1 dhe 2 janar 1984 bie në sy një shifër: redaksia njofton se tirazhi i gazetës është 235’500 ekzemplarë. «Dokument për histori» quhet ky numër.

Në një editorial pothuaj poetik kryeredaktori Maksut Shehu shkruan për zemrën, dëshirat, këngën, dashurinë, kupat e mbushura.

Dhe diku mes rreshtave fjalia: «Dhe ky truall: është Yni». Tri vjet pas demonstratave të vitit 1981, tri vjet represion, dënime arbitrare, fushatë antishqiptare në mediat serbe – dhe tani, në numrin e vitit të ri, një fjali si kjo mund të lexohet edhe si një akt i vogël kryengritës. Për t’i ikur ndëshkimit eventual nga partia, në fund edhe një fjali për «shokun Tito».

Në faqen e dytë botohet një karikaturë e Nexhat Krasniqit (Nekrës): një babadimër i lëshon të fluturojnë të lirë një tufë me zogj. Janë zogj që i ngjajnë logos së Twitterit, atëherë kur s’kishte Twitter, as Internet, por flitej shumë për botën kozmike. Rreth e rrotull mjaft lajme nga aparati propagandistik i partisë: gjendja stabile, unitarizmi dhe separatizmi – rrezik real, 110 banesa të reja për 110 punëtorë me familjet e tyre (90 në Kodrën e Diellit, 20 në Dardani).

Nëpër gazetë janë të shpërndara mjaft poezi nga Esad Mekuli, Ali Podrimja, Maksut Shehu, Abdullah Konushevci, Besim Bokshi, Musa Ramadani, Bedri Hysa, Enver Gjerqeku, Arif Bozaxhi etj. Ndërsa gazetari Xhemail Rexhepi shkruan: «Trepça ishte dhe mbeti eksportuesi më i madh kosovar, deri dje me lëndë të parë, kurse tash me prodhime finale. Për çdo dollar të importuar – 2,62 dollarë eksport.

Me shtimin e vrullshëm të eksportit në tregun konvertibil për 250 për qind dhe në atë kliring për 75 për qind, Trepça për kah efektet pozitive arriti në vendin e tretë në vend». «Dritë edhe nga uji» titullohet një tekst i gazetarit Mehmet Gjata, në të cilin njoftohet se në planin e zhvillimit të elektroekonomisë së Kosovës parashihet që në Zhur deri në vitin 1990 të ndërtohet një hidrocentral me kapacitet 292 megavatë, i cili do të ketë për bazë ujërat e bjeshkëve të Dragashit.

Gazetarja Lindita Aliu portreton Mandushe Berishën, e cila kishte doktoruar në kimi analitike, Stojanka Mihajloviqin, e cila në atë kohë ishte – me gjasë – e para grua në Prishtinë që punonte në një «pompë të benzinit» (pikë karburanti), dhe Binaze Musliun, inxhiniere e makinerisë dhe drejtoreshë e Fabrikës së Tullave në Ferizaj.

Në faqet 9 dhe 10 të «Rilindjes» së vitit të ri 1984 janë rezervuar për reportazhe nga bota. Atëherë s’kishte as Netflix, as Youtube, andaj atraksion ishin udhëpërshkrimet apo reportazhet e gazetarëve nga të gjitha anët e globit.

Ali Aliu shkruan nga Melbourne për shqiptarët e Australisë, Ibrahim Kadriu përshkruan Berlinin e ndarë, Sali Kelmendi raporton nga Izraeli mbi konfliktin e përjetshëm mes izraelitëve dhe palestinezëve, Ramiz Kelmendi përshkruan Bratisllavën («më impresionoi me kësikohëshmërinë e saj») dhe interesohet për gjuhën sllovake, të cilën ia shpjegon botuesja Jarmila Samcova, Avni Spahiu njoftonte nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës se së shpejti kompjuterët do të bëhen të gjithëfuqishëm dhe studentët do të mund t’i ndjekin ligjëratat në ekran nga një largësi prej 2000 kilometra, Ymer Bajra, korrespondent në Bonn të Gjermanisë, tregon se si gjermanët planifikojnë çdo gjë me pedanteri, por një gjë kanë harruar ta planifikojnë: familjen, andaj nataliteti në Gjermani po bie mesatarisht 02, promilë në vit.

Gazetari alarmon se një ditë gjermanët do të jenë komb pa trashëgimtarë, sepse janë shumë të dhënë pas konsumit dhe nënat nuk gëzojnë benificione si në vendet e zhvilluara perëndimore. «Nergut për Rilindjen» nga India shkruan Predrag Stamenkoviqi për punën humanitare të Nënë Terezës.

Ka edhe propagandë të qullët në këtë numër të «Rilindjes». Në pak rreshta citohet Isak Sheqeri nga Nishevci i Prishtinës, punëtor në Gjermani, i cili ankohet se atje, në Gjermani, ka gjithnjë e më pak punë dhe se muajt e fundit i ka kaluar si i papunë dhe i lajmëruar në Entin e Inkuadrimit, në Arbeitsamtin e famshëm. Isak Sheqeri flet për të gjithë punëtorët nga Kosova që janë në Gjermani dhe thotë se do të dëshironin të ktheheshin e të punonin në «fabrikat tona». Ai vërtet mund të ketë mbetur përkohësisht pa punë në Gjermani, por që në Gjermani po mbaronte puna – ky ishte vetëm një alarm për numrin e vitit të ri të gazetës «Rilindja». Kelmend Hapçiu shkruan për vëllezërit Rizvanolli nga Gjakova, të cilët kishin autobusin e parë, të vetmin «në viset tona», dhe njofton mbi zhvillimin e sistemit të transportit në Kosovë – nga ndërmarrjet komunale që quheshin «Kosmeti», «Slloga», «Prevozi», «Poleti». Nga të gjitha këto ndërmarrje u themelua «Kosmet-Prevoz», më vonë ndërmarrja mori emrin «Kosovatrans». Në bazë të emrave shihet edhe progresi i Kosovës: nga një shoqëri ku në jetën publike dominonin emrat serbë të ndërmarrjeve drejt një shoqërie me emra shqiptarë ose më të internacionalizuar, si «Kosovatrans», për shembull. Jusuf Meça shkruan për Pashk e Alfred Markajn, të cilët më 2 nëntor 1983 u sulmuan nga një ari i egërsuar.

Në faqen 15 Rexhep Ismajli jep një lajm të gëzueshëm: «Rilindja», shkruan ai, gjatë vitit 1984 do të botojë «Mesharin» e Buzukut me fototipi me të qartë e më moderne, të pajisur me studimin dhe interpretimin mjeshtëror nga dora e Çabejt. Qamile Blakçori përshkruan çaste me piktorin Daut Berisha në Paris. Mehmet Kraja zhvillon një intervistë me shkrimtarin Rexhep Hoxha («Më thoshin: me një hu nuk lidhet gardhi»). Te sporti një citat nga Fadil Vokrri: «Dëshira ime e flakët është që Prishtina të plasohet në pjesën e sipërme të tabelës së klasifikimit të elitës së futbollit jugosllav, sepse sipas cilësisë këtë e meriton, dhe unë të veshi petkun e reprezentacionit tonë më të mirë në turneun final në Francë». Për të argëtuar pak popullin gazeta sjell edhe një humoreskë popullore për përjetimet e Deli Maculit nga Çabiqi.

Një hallexhi nga Prizreni i shkruante mjekut të njohur Rifat Latifi se vuante nga impotenca dhe kishte dëgjuar se në klinikën vaskulare të Fakultetit të Mjekësisë «me sukses operohen ata që vuajnë nga impotenca». Hallexhiu thotë se është në gjendje të rëndë dhe se vetëm barnat qetësuese e mbajnë në jetë. Rifat Latifi përpiqet ta qetësojë pak burrin nga Prizreni: «Për secilin dështim të energjisë seksuale të njeriut, ne pa një pa dy e fusim në thesin e impotentëve. Nuk ka asnjë njeri i cili të paktën njëherë ose më shumë herë nuk ka pasur ‘dështim’ në këtë sferë. Mirëpo kjo assesi nuk do të thotë se të vetmin dështim duhet shfrytëzuar për të ndërtuar një fortesë të bërë, të pakalueshme, në të cilën fshihet arsyeja e impotencës».

Në fund pacienti i ardhshëm këshillohet t’i lajmërohet dr. Gazmend Shaqirit dhe bashkëpunëtorëve të tij në klinikën vaskulare në Prishtinë

Ky tekst u shkrua falë ndihmës bujare të drejtuesve të projektit «Bibliotekaria», biblioteka digjitale në Internet.

/ZgjohuShqiptar.info

KOMENTONI

Loading...
Loading...
Name

Aktualitet,12492,Camëri,151,Editorial,2768,Ekonomi,795,Emra për djem,38,Emra për vajza,36,Enciklopedi,86,Histori,1948,Iliridë,412,Kosovë,3842,Kulture,1013,Luginë,84,Moti,2,Politik,2496,Reportazh,208,Rezultatet Live,2,Shtypi,79,Sondazhe,8,Sport,596,Video,718,
ltr
item
Zgjohu Shqiptar: ARKIVA/ Kur Kosova nuk ishte provincë e humbur: "Rilindja" e vitit të ri 1984
ARKIVA/ Kur Kosova nuk ishte provincë e humbur: "Rilindja" e vitit të ri 1984
https://3.bp.blogspot.com/-4DZ5LBcrlok/XDpEUCbqa4I/AAAAAAAAerE/tdBed4C3ifAkRY64dYOxUB5y26w5g7GnACLcBGAs/s640/rilindja.jpg
https://3.bp.blogspot.com/-4DZ5LBcrlok/XDpEUCbqa4I/AAAAAAAAerE/tdBed4C3ifAkRY64dYOxUB5y26w5g7GnACLcBGAs/s72-c/rilindja.jpg
Zgjohu Shqiptar
https://www.zgjohushqiptar.info/2019/01/arkiva-kur-kosova-nuk-ishte-province-e.html
https://www.zgjohushqiptar.info/
https://www.zgjohushqiptar.info/
https://www.zgjohushqiptar.info/2019/01/arkiva-kur-kosova-nuk-ishte-province-e.html
true
269073700948665522
UTF-8
Ngarkuar te gjitha postimet Nuk gjendet ndonje postim SHIKO TE GJITHA Lexo me Shume Repliko Hiq Repliken Fshi Nga Kreu FAQET POSTIMET Shiko te Gjitha REKOMANDUAR PER JU LABEL ARKIVA KERKO TE GJITHA POSTIMET Nuk u gjet asnje material sipas kerkeses tuaj Kthehu te Kreu E Diel E Hene E Marte E Merkure E Enjte E Premte E Shtune Hen Mart Merk Enj Pre sht Die Janar Shkurt Mars Prill Maj Qershor Korrik Gusht Shtator Tetor Nentor Dhjetor Jan Shk Mar Pri Maj Maj Qer Gush Sht Tet Nen Dhj menjehere 1 minute me pare $$1$$ minutes ago 1 ore me pare $$1$$ hours ago Dje $$1$$ days ago $$1$$ weeks ago me shume se 5 jave me pare Followers Follow THIS CONTENT IS PREMIUM Please share to unlock Kopjo te Gjithe Kodin Selekto te Gjithe Kodin All codes were copied to your clipboard Can not copy the codes / texts, please press [CTRL]+[C] (or CMD+C with Mac) to copy