‘Janë kaq shumë nxënës të shkëlqyer shqiptarë në Greqi’

Pjesë nga libri “MIQËSI E TRAZUAR: Greqia në kujtimet e ambasadorit”

Nga Bashkim Zeneli
Valdete Mushi, Vali që e thërrisnim të gjithë, ishte me stafin teknik të ambasadës. Do të shpërndante një ditë çokollata për të gjithë punonjësit. Do të vinte edhe tek unë në zyrë; sa nuk fluturonte nga gëzimi: Vajza e saj Sofi, një vajzë shumë e bukur dhe e edukuar, kishte dalë me rezultate të shkëlqyera në mësime dhe ishte bërë mbajtëse e flamurit në shkollë, në qendër të Athinës. Më tregoi edhe fotografinë.

Dhe ky nuk ishte një rast i vetëm. Në Greqi kishte shumë “flamurtarë” shqiptarë. Por ndodhte, sidomos në qendra të vogla, ku mbajtja e flamurit u mohohej nxënësve shqiptarë nga drejtues shkollash të caktuara. Dhe kjo mësohej menjëherë dhe bëhej objekt diskutimi. E vërteta e pamohueshme ishte se shtypi reagonte shumë ashpër ndaj qëndrimeve të këtyre drejtuesve anadollakë të shkollave. Por edhe opinioni grek reagonte hapur.

Në media, shpesh shkruhej se “fëmijët shqiptarë, të ardhur fare të vegjël apo të lindur në Greqi, ishin vërtet të dalluar në mësime… Kishin një vullnet të jashtëzakonshëm për të mësuar dhe kishin një talent të rrallë për të përvetësuar, në radhë të parë, gjuhën greke”. Fëmijët shqiptarë, natyrshëm, kishin miqësi me bashkëmoshatarët e tyre grekë, në shkollë ose aty ku banonin, hynin e dilnin në shtëpitë e njëri-tjetrit, merrnin pjesë në gëzime, ditëlindje, festa të njëri-tjetrit. Dhe fëmijët bashkonin në miqësi me grekët, edhe prindërit. Kjo ishte e mrekullueshme.

Jo në pak raste, flamurmbajtësit shqiptarë në shkolla kalonin si pa u ndier, sepse vërtet ishin të shumtë dhe dukej si një gjë fare normale. Por rastet kur ata, me apo pa të drejtë, përjashtoheshin nga mbajtja e flamurit, bëheshin objekt diskutimi edhe mediatik, por edhe politik. Por bëheshin edhe objekt i reagimit të shoqatave shqiptare. Unë përmenda më lart vajzën e Valit, Sofi. (Sot Sofi është menaxhere e njohur, pasi përfundoi shkëlqyeshëm Universitetin në degën e Turizmit) Por thjesht në ambasadë, kishim punonjës teknikë, që kishin ardhur para shumë vitesh në Greqi, shumë fëmijë flamurtarë. Ishte Eva që, së bashku me të shoqin, Kostën, kishin dy djem të mrekullueshëm, të shkëlqyer në shkolla, flamurtarë, zotërues të disa gjuhëve të huaja. Ishin prindër që me një vullnet dhe përgjegjësi të madhe prindërore, me përkushtim, por edhe me sakrifica, kishin edukuar tek djemtë e tyre dëshirën për mësimin. Dy fëmijë të shkëlqyer, model, njëri sot në Angli.

Kishim në ambasadë nga radhët e punonjësve teknikë, që fëmijët e tyre vazhdonin universitetet me rezultate shumë të mira dhe në degë të vështira… Ndihesha vërtet shumë mirë kur nga presidenti Stefanopolous do të dëgjoja të më thoshte se “fëmijët shqiptarë në shkollat tona janë ndër më të mirët…”; nga presidenti Papoulias se “nxënësit shqiptarë kanë një talent shumë të madh për të mësuar gjuhën greke”; nga kryeministri Simitis se “ndiejmë vërtet respekt për flamurmbajtësit shqiptarë”; nga kryeministri Karamanlis se “fëmijët shqiptarë në shkolla nuk dallojnë aspak nga fëmijët grekë, madje ka shumë që janë edhe më të mirë se ata në mësime… Ky është një proces shumë i bukur integrues”. Por i dëgjoja këto vlerësime edhe nga politikanë, deputetë, gazetarë, miq grekë, njerëz të thjeshtë.

… Do të bënte një bujë të jashtëzakonshme në të gjithë Greqinë, në tetor të vitit 2003, rasti i nxënësit të shkëlqyer shqiptar, Odise Cenaj. Do të shkruanin për disa ditë radhazi gazetat më të mëdha greke, do të flitej në televizion, do të organizoheshin debate në studio. 18-vjeçari Odise Cenaj, ato ditë, më shumë se çdo gjë tjetër, ishte objekt i diskutimeve të medias, por edhe të politikës. Për të shkruan edhe gazetat shqiptare në Greqi: shkroti Robert Goro, Ramadan Bigza, Evis Qaja etj., etj.

Odise Cenaj kishte ardhur nga Shkodra në vitin 1997, me prindërit, motrën dhe me gjyshen. Dhe gjyshja e Odise Cenajt ishte këngëtarja e njohur dhe shumë e dashur për publikun, artistja-zonjë, Fatmira Puka. Jo vetëm Shkodra, por mbarë Shqipëria krenohej me të! Prindërit kishin ardhur për të punuar në Greqi, të punojnë për një të ardhme më të mirë të tyre e sidomos të dy fëmijëve, në atë vit të tmerrshëm të 1997… Ishin vendosur në Nea Mihanionia, jo larg Selanikut. Prindërit do të punonin ndershmërisht dhe me sakrifica të mëdha, do të edukonin mrekullisht të dy fëmijët në shkolla greke, aty ku banonin.

Nuk ishte asgjë e lehtë. Të vije nga Shkodra 12 vjeç, të regjistroheshe në një shkollë greke, pa ditur as edhe një fjalë greqisht, ishte vërtet tepër e vështirë. Një mjedis krejt tjetër, gjithçka ndryshe… Dhe Odisea, me një zgjuarsi dhe vullnet të hekurt, kapërcen çdo vështirësi dhe u vu në radhën e nxënësve më të mirë në shkollë.

Vetëm pas 3 vitesh, në moshën 15-vjeçare, ai duhej të mbante flamurin si nxënësi më i mirë i shkollës. Por nuk u lejua… Nuk u lejua nga mentalitetet e prapambetura dhe paragjykimet e një province. Ndonëse, nxënës të shkollës, shokë të Odisesë, reaguan dhe e donin atë flamurmbajtës. Fëmijët më të pastër se prindërit dhe drejtuesit e shkollës! Dhe Odisea ishte viktimë.

Por tani ishte 18 vjeç dhe kishte përfunduar gjimnazin me rezultate të shkëlqyera. Por përsëri u hezitua për të mbajtur ai flamurin, si nxënësi më i mirë në shkollë. Banorë vendas me mentalitet racist, do të arrinin deri aty sa të ndërhynin edhe te pronari i punës së Zamirit, babait të Odiseas, për ta larguar nga puna. Por pronari jo vetëm i kishte shpërfillur, por i kishte demaskuar keqas ata, edhe publikisht!

Dhe Odisea do të shprehej në një intervistë për gazetaren e njohur Evis Qaja: “Ajo që mua më bën më të fortë është qëllimi që kam unë në jetë dhe mundohem t’i eliminoj këto veprime me logjikën time … Mendoj se çdo shqiptar, të paktën një herë në jetën e tij, ka rënë viktimë e racizmit. Më ra edhe mua ky fat, ndoshta shumë shpejt. Nyja e kësaj çështjeje është se ne jemi të ndryshëm. Erdhëm me një bagazh dhe kulturë tjetër. Ajo që na bashkon është farsa ballkanike. Unë nuk mund të urrej njerëzit, sepse jeta për mua vazhdon. Nuk paragjykoj askënd për veprimet e tyre. Nuk e di se si mund të shpjegohet e gjithë kjo ngjarje, edhe vetë jam ngatërruar. Kjo është e vërteta… U hodhën gjithë ato ‘argumente’, orë të tëra bisedash, kamera, gazeta, emisione pafundësisht… Dhe u bë shumë mirë se u kaluan disa mesazhe për shoqërinë greke, por edhe për shoqërinë shqiptare. Shqiptarët nuk janë kriminelët, nuk janë mafia, nuk janë të pashkolluarit, pa kulturë. Shqiptarët janë njerëz që, këtu në Greqi, përpiqen për të arritur qëllimet e tyre. Nuk flas për veten time, por për të gjithë nxënësit shqiptarë që jetojnë në Greqi. Unë ndihem shqiptar se aty më ka rënë koka, por Greqia më mirëpriti. Mora një kulturë, arsimim. Gjithashtu babanë e kam atdhetar të flaktë. Më jep të lexoj libra në shqip, për historinë, gazeta, madje shohim çdo natë lajme në gjuhën shqipe.

Duhet të zhdukim vjetërsinë prej zemre. Të bazohemi tek e kaluara, por jo të jemi besnikë të kësaj të kaluare. Ta përdorim këtë duke parë nga e ardhmja. Ta përdorim si armë, që të mos përsëriten të njëjtat gabime”. Këto rreshta i shkëputa nga intervista e Odiseas për Evis Qajën, gazetaren e spikatur. Dhe jam i bindur se kushdo që lexon këto radhë, nuk e ka aspak të lehtë të besoj se këto janë vërtet fjalët e një 18-vjeçari nga Shkodra, i ardhur në Greqi më 1997 dhe në disa vite … nxënësi më i mirë i shkollës. A mund të flitet më bukur?

A nuk është gjuha e këtij djaloshi të mrekullueshëm, edhe sot, në vitin 2018, më e mirë se gjuha e ndonjë politikani, e ndonjë zyrtari, e ndonjë qeveritari si në Shqipëri, ashtu edhe në Greqi? Pa dyshim se, edhe sot, Odisea sfidon; sfidon këdo, në të dy anët e kufirit, që në jo pak raste është i mbushur me urrejtje, me racizëm, me mëri, me nacionalizëm.

Padyshim që duhet të shohim nga e ardhmja, edhe sot! Të dimë të jemi bashkë, të punojmë bashkë, edhe sot! Që të mos mbesim, edhe sot, skllevër të së kaluarës, të shohim përpara! Sot më shumë se asnjëherë, sot që duhet të jemi më shumë miq me njëri-tjetrin, më europianist në vlera e në mendësi, sot që Europa është më e trazuar, që nuk është, që nga paslufta, në ditët e saj më të mira. Dhe të gjithë kemi përgjegjësi për të. Atdhe sot, më shumë se asnjëherë, do të thotë përgjegjësi për të ardhmen!

Odisea do të jepte ato ditë shumë intervista. Shtypi dhe televizionet greke shfaqën një vëmendje të madhe për të. Gazetarja e mirënjohur Rudina Xhunga do të përgatiste në Nea Mihanionea një emision të mrekullueshëm për Odisean… Odisea do të shkëlqente në mesazhet e mrekullueshme që jepte. Ai diti t’i “falë” të gjithë ata që e penguan të mbajë flamurin. Ai nuk urreu askënd dhe bëri thirrje për të mos urryer. Ai diti t’i ishte mirënjohës Greqisë që e shkolloi dhe e edukoi, por edhe i kërkonte vendasve, sidomos aty ku banonte, të silleshin ndryshe.

Të gjithë, ato ditë, u bënë me Odisean… Kudo flitej dhe shkruhej për të! “Shqiptari Odisea”! Sa shumë do t’i shërbente ky djalosh i mrekullueshëm, ato ditë të bujshme, jo vetëm vetes, familjes së tij dinjitoze e të ndershme, gjyshes së tij, artiste të madhe, por edhe të gjithë shqiptarëve, jo vetëm në Greqi.

Do të kujtoj se, ato ditë, do të fliste me shumë simpati dhe respekt, me një gjuhë edhe shumë prindërore, presidenti i Greqisë, zoti Stefanopolous; do të fliste kryeministri, z. Simitis; do të fliste ministri i Jashtëm, z. Papandreu. Do të flisnin deputetë, politikanë, artistë, shkrimtarë, poetë, gazetarë. Të gjithë, e them pa rezervë, e gjithë Greqia e dënoi aktin që kishte ndaluar shqiptarin, nxënës të shkëlqyer, të mbante flamurin. Ishte një apel i fortë kundër qëndrimeve raciste.

Një reagim i tillë, kaq masiv, i politikës, shtypit, të grekëve personalitete dhe grekëve të thjeshtë; një apel shumë miqësor, vëllazëror, emancipues, i vërtetë, serioz, me zemër, nuk do ta ndeshja për sa kohë shërbeva në Greqi. Por ishte shumë pozitive, se ky reagim i Greqisë “tronditi” dhe, në një farë mënyre, “turpëroi” edhe komunitetin, edhe qeveritarët lokalë, edhe drejtuesit e shkollës në Nea Mihanionea. Për to mësoi e gjithë Greqia! Në shënimet e mia të atyre ditëve, krahas të tjerave, kam të ruajtura edhe disa deklarata të profesorëve të Universitetit të Selanikut, të marra nga shtypi.

Profesor Jorgo Ciakola, dekan i Fakultetit Pedagogjik: “Rasti i Cenajt duhet të na zgjojë… Duhet të shqetësohemi për faktin se shoqëria jonë është mësuar me veprime të tilla absolutisht të papranueshme. Kjo nuk është kurrsesi një ndjenjë e përbashkët”. Profesor Kristo Calakis: “Ne do të krenoheshim të ngrinte flamurin Odisea Cenaj… Ai ka përvetësuar në mënyrë të shkëlqyer gjuhën dhe kulturën greke. Një shkollë si ajo ku mësoi Odisea, do të duhej të kishte emblemë të saj Prometeun e Eskilit, Antigonën e Sofokliut, një grek, një shqiptar, një turk, një irakian, një amerikan dhe një kinez”.

Do të fliste për rastin e Odiseas edhe një emigrant grek në Suedi, deputet, Niko Papadhopulo: “Si emigrant, shumë kohë para se të merrja nënshtetësinë suedeze, kam mbajtur, në fund të viteve ‘70, edhe flamurin e vendit, edhe flamurin e Partisë Social-Demokrate, në shumë manifestime. Kjo do të thotë jo vetëm nderim kundrejt një emigranti, por edhe nder për Suedinë. Greqia, e cila ishte bërthamë e demokracisë, duhet të ishte kryelartë për një fëmijë shqiptar, i cili erdhi si emigrant dhe qëndroi në Greqi, ashtu si edhe ne 7 milionë grekë të diasporës që u gjendëm dhe u ngulëm në anën tjetër të botës, pa humbur aspak të qenët grek… Është një e drejtë demokratike e Odisea Cenajt, përderisa është më i miri në mësime, të mbajë flamurin dhe helenizmi duhet të jetë krenar për këtë”.

Duke shfletuar shënimet nga shtypi i atyre ditëve, ka rëndësi të nënvizoj dhe një deklaratë të banorëve të Nea Mihanioneas. Pas gjithë atyre reagimeve të bujshme, duket se ata, me shumë të drejtë, nuk mund të rrinin në heshtje. Ishin përfolur shumë dhe qyteza e tyre ishte rënduar së tepërmi nga bashkatdhetarët në të gjithë Greqinë.

Në deklaratë thuhej: “Përveç Nea Mihanionias që u bë e njohur në shtyp, ekziston edhe një tjetër. Kjo është Mihanionea e logjikshme, dinjitoze, njerëzore. Një shoqëri tolerante, që funksionon pa kufizime shoqërore, dallime fetare dhe nacionalizëm të theksuar. Kjo Mihanionea tjetër pranon emigrantët ekonomikë, bashkëpunon me ta dhe i admiron kur duhen admiruar. Nuk ka smirë si në rastin e Odiseas, as nuk mendon se vendi kërcënohet nga flamurmbajtësit e huaj… Do të donim të siguronim se Odisea nuk është vetëm. Tashmë e di se ka mbështetjen e shtetit dhe të njerëzve të inteligjencës. Ta dijë Odisea gjithashtu se ka mbështetjen e pjesës më të madhe të njerëzve, atë të një tjetër Mihanionea, të atyre që ndihen të hidhëruar, të inatosur, të egërsuar dhe të poshtëruar për çdo gjë që ndodh në vendin e tyre”.

Por do të reagonin edhe mësuesit e shkollës së Odiseas: “Ne ndiejmë frikë si mësues, sepse shohim shkollën të jetë degjeneruar në një proces shkresash burokratike, pa asnjë mundësi ndërhyrje në formimin e personalitetit të të rinjve… Turp, sepse në prag të Përvjetorit të Rezistencës së popullit tonë ndaj pushtimit të egër nazist, u mundëm nga një adoleshent shqiptar!”

Odisea Cenaj fitoi shumë. Fitoi emër, respekt, nderim, mirënjohje! Por fituan edhe të gjithë grekët, që në një mënyrë ose tjetër, me përfaqësuesit e tyre, që nga njëshi i shtetit, presidenti i nderuar Stefanopolous e deri tek greku më i thjeshtë, i dolën për zot aq bukur, aq thjeshtë dhe me aq dashamirësi shqiptarit të ri Odisea Cenaj. Dhe nuk ishin vetëm për të: ishin mesazhe miqësie dhe bashkëpunimi midis popujve grekë e shqiptarë; ishin mesazhe kundër racizmit, ksenofobisë dhe urrejtjes; ishin mesazhe paqeje, lirie, demokracie, tolerance dhe mirëkuptimi

Odiseja dëshironte të vazhdonte studimet e larta në Universitetin Aristotelio të Selanikut. Këtë ëndërronte, këtë priste. Ai kishte dhënë shkëlqyeshëm edhe provimet për t’u pranuar në këtë universitet… Por nuk do të përmbante gëzimin kur do të njoftohej nga Athina se, me bursë të akorduar nga shteti grek, do të studionte në SHBA, në Boston College, në degën e fizikës.

Dhe tek flas për të, kam përpara një shkrim të Robert Goros në gazetën “Tribuna”, para se të nisej për në SHBA. Odisea thotë: “Doja të isha pjesëtar i barabartë i kësaj shoqërie, të ecja përpara dhe të mblidhja frytet e përpjekjeve të mia. Mëkat është? Duhet që ta kapërcejmë të kaluarën. Bota ka ndryshuar, edhe njerëzit, kudo, duhet të ndryshojnë. Nuk do ta harroj kurrë mbështetjen që kam gjetur.

Për sa u përket atyre që më plagosën, kam përshtypjen se as ata vetë nuk dinë ta shpjegojnë qëndrimin e tyre… Ne duhet që të mos i braktisim ëndrrat, duhet durim dhe përpjekje e madhe, çdo ditë. Greqia është atdheu i dytë i imi. Dhe kështu duhet ta shohim e t’i ofrojmë çdo gjë të mirë që kemi”. Ndjeheshim shumë mirë, në ambasadë e jashtë saj, me të gjithë komunitetin shqiptar, që shoqëria greke, populli grek, politika greke e vlerësoi aq shumë të riun e talentuar shqiptar Odisea Cenaj!

Dhe si Odisean, nderoi dhe respektoi edhe ata qindra e mijëra djem e vajza shqiptare, bijë dhe bija emigrantësh, nxënës të dalluar në shkolla. Por edhe ne u jemi mirënjohës. Dhe sa mirë kur gjërat ecin pa paragjykime… Në Greqi ishin të panumërt nxënësit e shkëlqyer shqiptarë, në të gjitha nivelet. Në shkollat e larta greke, siç kam theksuar shkarazi më sipër, mësonin mbi 5 mijë studentë shqiptarë, të ardhur nga Shqipëria apo me banim në Greqi. Në Universitetin amerikan “New York College” mësonin 80 studentë.

Kam qenë i pranishëm në disa takime me drejtues të universiteteve në Athinë, Kretë, Selanik, Patra etj. Do të flisnin shumë mirë për studentët shqiptarë. Në Universitetin amerikan “New York College”, në qendër të Athinës, do të shkonim shpesh, edhe për takime me studentët, por edhe në veprimtari të shumta që organizoheshin e ku ftoheshim, të gjithë diplomatët. I njihnim nga afër studentët shqiptarë.

Me zotin Futsis, president i këtij Universiteti, do të rrinim shpesh edhe në ambasadë, edhe në Universitet. Ai shfaqte përherë një admirim të madh për studentët tanë, duke i veçuar si të dalluar në mësime, të zgjuar e që flisnin shumë rrjedhshëm gjuhët e huaja. Me zotin Futsis do të bashkëpunonim shumë ngushtë. Ai ishte një burrë i hapur, shumë korrekt, serioz, me kulturë të gjerë dhe një mik i spikaturi shqiptarëve dhe i Shqipërisë.

Ishte vërtet emocionuese, sidomos në rastet e diplomimit, kur studentët shqiptarë do të vlerësoheshin vazhdimisht. Vinte shpesh edhe profesori i ndjerë Gramoz Pashko, me të shoqen, Mozën. Aty studionte dhe do përfundonte me rezultate të shkëlqyera, në vitin 2005, djali i ndjerë, duke marrë diplomën midis më të mirëve.

Në një ceremoni diplomimi, një vajzë nga Tirana, Ledina Luzi, do të shpallej si studentja më e mirë e Universitetit. Ajo fluturonte nga gëzimi, por edhe shokët e shoqet e saj, edhe ne që ishim të pranishëm në atë ceremoni, ndjeheshim vërtet krenarë. Në mos gaboj, ajo u diplomua në Bachelor, në marrëdhënie ndërkombëtare.

Ledina Luzi ishte një vajzë shumë simpatike, e qeshur, entuziaste, e zgjuar e krenare. Do ta përshëndesnim shumë miqësisht me Engjëllushen dhe diplomatët e tjerë. Ajo ndjehej veçanërisht shumë mirënjohëse për prindërit e saj, për sakrificën e tyre, por edhe për të vëllanë. Fliste, ashtu, plot gjallëri, me respekt për z. Futsis dhe për profesorët e saj. Do të na tregonte se kishte qenë nxënëse në shkollën 11 Janari në Tiranë dhe më pas kishte ndjekur studimet në Kolegjin Turk.

Si Ledina në Greqi kishte shumë. Në fushën e arsimit dhe kulturës, midis të dy vendeve, kishte nisur një bashkëpunim i ngushtë. Marrëveshja që kishin nënshkruar në prill të vitit 2003, po jepte rezultat. Ministri ynë i Arsimit, prof. Luan Memushaj, do të vinte në Athinë dy herë brenda një kohe të shkurtër. Do të takohej me ministrin e Arsimit, z. Petro Eftimiu dhe, më pas, në qeverisjen e Demokracisë së Re, me ministren e Arsimit, zj. Marieta Janaku. Do të bisedohej hapur dhe pa paragjykime. Të dy palët kanë ofruar bursa studimi pasuniversitare dhe universitare, kurse verore të gjuhës, shkëmbime pedagogësh, takime rektorësh universiteti etj.

Midis ministrave do të flitej edhe për çeljen më në masë të klasave të gjuhës shqipe në shkollat greke. Ministrja Janaku, me të nisur detyrën, do të përcillte edhe një urdhër të posaçëm për këtë çështje. Në Greqi mësonin në shkollat greke rreth 75-80 mijë fëmijë shqiptarë. Komuniteti shqiptar, në raport me emigrantët e vendeve të tjera, zinte vendin e parë në ndjekjen e arsimit në të gjitha nivelet. E vërteta ishte se më shumë ishim ne vetë “fajtorë” për të “mbushur” klasat e gjuhës shqipe në shkollat greke.

Kishim klasa shumë të mira në Athinë, në kompleksin e shkollave në Gravas, në Selanik, Vollos, Patra, Larisa, Hanja, Orapo, në Kollovritën e largët etj. Por këto nuk mjaftonin aspak. Lejen nga qeveria greke e kishim, vendimin e ministres Janaki e kishim. Asnjë pengesë nuk kishte. Nuk bëheshin bashkë prindërit për të çelur klasa në gjuhën shqipe; herë dilte “arsye” pagesa 10-15 euro në muaj për një “pagë” fare të thjeshtë për mësuesit, herë se prisnin që tekstet shkollore të vinin nga Shqipëria.

Ishte pozitive për ne që komisioni parlamentar për arsimin në parlamentin grek e mori në shqyrtim çështjen e çeljes së klasave shqipe në shkollat greke. Ministrja Janaki do të theksonte në komision se “vetëm ambasada shqiptare dhe ajo e Polonisë kanë kërkuar që fëmijët e emigrantëve të mësojnë gjuhën e tyre…”. Por shteti grek nuk merrte përsipër mbulimin e shpenzimeve për mësuesit. Të njëjtën gjë shteti grek nuk e bën as për mësuesit e saj jashtë, aty ku mësohet gjuha amtare.

Mësimi plotësues në gjuhën amtare të fëmijëve të emigrantëve do të mbështetej përherë nga Ministria greke e Arsimit, me klasat në shqip. Në këtë takim të ministrit Memushaj me ministren Janaku, do të diskutohej edhe për krijimin e një komisioni të përbashkët për rishikimin e teksteve shkollore të historisë e gjeografisë. Në të do të merrnin pjesë personalitete dhe akademikë të shquar të këtyre fushave nga të dy vendet. Nga pala jonë komisioni do të ndërtohej nën drejtimin e profesorit të shquar Neritan Ceka, profesori e personaliteti i madh Arben Puto, profesori dhe studiuesi tjetër i njohur Shaban Sinani etj. Ato do të pastroheshin nga ngarkesat e mundshme, për shkak të ndonjë interpretimi apo ndonjë fraze e përshkrimi që kishin mbetur nga trajtimi i së shkuarës, jo vetëm në tekstet shqiptare, por edhe në tekstet e shkollave greke. Dhe këto nuk ndihmonin pozitivisht në klimën shumë të mirë të marrëdhënieve që kishim midis dy vendeve. Dhe kjo çështje, pa hyrë në detaje, është zvarritur e ka mbetur pezull, edhe deri tani, pas 13-14 vitesh.

Nisma për të ngritur komisionin e përbashkët për rishikimin e teksteve, nuk ishte thjesht nismë shqiptare apo greke. Ajo ka qenë që në vitet ‘80, një nismë e Këshillit të Europës dhe UNESCO-s. Ajo ka përcaktime të qarta lidhur me etnitë, me minoritetet, lidhur me mësimet shumëgjuhëshe etj. … E nisa këtë pjesë të kujtimeve me Odisea Cenajn. Ai, si edhe të gjithë fëmijët shqiptarë, mësonin në shkolla greke, mësonin greqisht nga klasa e parë deri në universitet. Nuk kishte si të ndodhte ndryshe. Në Greqi, në radhët e disa shoqatave shqiptare, për “patriotizëm” të lartë, flitej e kërkohej hapja e shkollave shqipe, me mësues shqiptarë, me programe në shqip, me tekste shqip. Gjithçka në shqip, me godinë e me tabelë! Dhe për këtë i dërgoheshin letra presidentit, kryeministrit, kuvendit. Edhe vetë në Athinë, kishte vetëm një shkollë private dhe ajo ishte një shkollë italiane.

Dhe për të çelur shkolla shqipe fliste jo vetëm shtypi ynë, por flisnin edhe në kuvend, flisnin me tone të ashpra, ata të pozitës, po edhe të opozitës, se “fëmijët po harrojnë gjuhën amtare”, se “po asimilohen”, po “greqizohen”, pa menduar aspak më gjatë e më hollë. Donin shkolla vetëm në shqip! Me 80 mijë nxënës, të shpërndarë në mbarë Greqinë, deri në ishujt më të largët, do të duheshin… të paktën 300-400 shkolla! Dhe ajo që është më e rëndësishmja, themelorja: A do të kishim të bënim me një projekt absurd të një “ishulli arsimor”, të një total-izolimi të fëmijëve shqiptarë, një geto për fëmijët shqiptarë! Për ku përgatiteshin të punonin e jetonin ata nxënës? Për në Greqi, për në çdo front pune. Odise Cenaj e shumë e shumë Odisea, djem e vajza të zgjuar të familjeve emigrante në Greqi, nuk kishin aspak “frikë” të mësonin, në radhë të parë, greqisht, të merrnin diploma greke dhe të punonin në fronte të ndryshme, aty ku dëshironin dhe për atë që kishin studiuar. Ai që dilte i dalluar në një shkollë greke, në një universitet grek, ai ishte edhe shqiptari më i mirë; ai ishte çdo ditë, çdo orë, kudo, një patriotë i mirë! Se patriotizmi ishte konkret!/ZgjohuShqiptar.info

KOMENTONI

Loading...
Loading...
Name

Aktualitet,12492,Camëri,151,Editorial,2768,Ekonomi,795,Emra për djem,38,Emra për vajza,36,Enciklopedi,86,Histori,1948,Iliridë,412,Kosovë,3842,Kulture,1013,Luginë,84,Moti,2,Politik,2496,Reportazh,208,Rezultatet Live,2,Shtypi,79,Sondazhe,8,Sport,596,Video,718,
ltr
item
Zgjohu Shqiptar: ‘Janë kaq shumë nxënës të shkëlqyer shqiptarë në Greqi’
‘Janë kaq shumë nxënës të shkëlqyer shqiptarë në Greqi’
https://4.bp.blogspot.com/-xH3tS2KbhGc/XDTqi5XTqPI/AAAAAAAAeO4/Vh_KAUlHpG4l6fbt-5t0tMB3m-c_YBs-gCLcBGAs/s640/parade2-640x438.jpg
https://4.bp.blogspot.com/-xH3tS2KbhGc/XDTqi5XTqPI/AAAAAAAAeO4/Vh_KAUlHpG4l6fbt-5t0tMB3m-c_YBs-gCLcBGAs/s72-c/parade2-640x438.jpg
Zgjohu Shqiptar
https://www.zgjohushqiptar.info/2019/01/jane-kaq-shume-nxenes-te-shkelqyer.html
https://www.zgjohushqiptar.info/
https://www.zgjohushqiptar.info/
https://www.zgjohushqiptar.info/2019/01/jane-kaq-shume-nxenes-te-shkelqyer.html
true
269073700948665522
UTF-8
Ngarkuar te gjitha postimet Nuk gjendet ndonje postim SHIKO TE GJITHA Lexo me Shume Repliko Hiq Repliken Fshi Nga Kreu FAQET POSTIMET Shiko te Gjitha REKOMANDUAR PER JU LABEL ARKIVA KERKO TE GJITHA POSTIMET Nuk u gjet asnje material sipas kerkeses tuaj Kthehu te Kreu E Diel E Hene E Marte E Merkure E Enjte E Premte E Shtune Hen Mart Merk Enj Pre sht Die Janar Shkurt Mars Prill Maj Qershor Korrik Gusht Shtator Tetor Nentor Dhjetor Jan Shk Mar Pri Maj Maj Qer Gush Sht Tet Nen Dhj menjehere 1 minute me pare $$1$$ minutes ago 1 ore me pare $$1$$ hours ago Dje $$1$$ days ago $$1$$ weeks ago me shume se 5 jave me pare Followers Follow THIS CONTENT IS PREMIUM Please share to unlock Kopjo te Gjithe Kodin Selekto te Gjithe Kodin All codes were copied to your clipboard Can not copy the codes / texts, please press [CTRL]+[C] (or CMD+C with Mac) to copy