Kryeipeshkvi i Nju Jorkut: Ju admiroj për historinë dhe besimin tuaj

Kryeipeshkvi i Nju Jorkut, kardinali Timothy Dolan inkurajoi komunitetin katolik shqiptar të Amerikës të qëndrojë i bashkuar dhe të ruajë besimin.

Ai foli të dielën pasdite gjatë një vizite në Kishën Zoja e Shkodrës në Hartsdale të Nju Jorkut dhe shprehu simpati për katolikët e Shqipërisë që vuajtën veçanërisht shumë gjatë komunizmit.

Kardinali Timothy Dolan u prit me përzemërsi dhe me një stuhi duartrokitjesh nga komuniteti katolik shqiptar që kishte mbushur kishën Zoja e Shkodrës në periferitë e Nju Jorkut.

Kardinali Dolan, i njohur si konservator dhe si njeri mjaft karizmatik, është kleriku më i lartë dhe kardinali i dytë që vjen për të dhënë meshë në këtë kishë.

Dioqeza që ai përfaqëson përfshin disa qindra kisha dhe komuniteti katolik shqiptar i Nju Jorkut e shikon vizitën e tij si një nder të madh.

“Ju admiroj shumë për arsye të historisë që ju keni, historisë së vuajtjes dhe përndjekjes për besimin tuaj të thellë katolik”, tha kardinali, raporton VOA.

“Ata shkatërruan kishat tuaja, vranë priftërinjtë tuaj, ju shkatërruan katekizmin, ata madje nuk ju linin tu vinit fëmijëve emra të krishterë. E megjithatë, ju, prindërit dhe gjyshërit tuaj nuk u përkulën por u mbajtën fort pas besimit të tyre”.

“Dhe tani, ju e sillni këtë besim të thellë katolik që u sprovua në zjarrin e përndjekjes, këtu në Shtetet e Bashkuara, ku ne kemi nevojë për të. Sepse këtu në Amerikë ne nuk na është dashur të vuajmë aq shumë për këtë besim. Ne e marrim atë si diçka të natyrshme.”

“Prandaj ruajeni këtë besim, ruajeni gëzimin dhe unitetin në familjet tuaja. Ruajeni dashurinë për besimin tuaj dhe bëni që ai të jetë një dritë për botën. Ne kemi nevojë për ju, kemi nevojë për shembullin tuaj,” tha kardinali Dolan.

Kardinalit iu dorëzua një pllakat me fotografitë e 38 klerikëve shqiptarë të vrarë nga komunizmi në Shqipëri, dhe një portret i Nënë Terezës.

Famulltari i Kishës Zoja e Shkodrës, Dom Pjetër Popaj u bëri jehonë fjalëve të kardinalit. Ai kujtoi kohën kur në Shqipërinë komuniste përndiqeshin njerëzit e besimit, rrëzoheshin kishat dhe shkatërroheshin kambanaret:

“Krimet e kryera ndaj priftërinjve ishin përtej përfytyrimit njerëzor, pra që një qenie njerëzore duhej të trajtohej aq mizorisht nga një tjetër qënie njerëzore”.

Kardinali Dolan dhe Dom Pjetri folën përpara një audience ku një pjesë e mirë e njerëzve janë të ardhur nga Shqipëria dhe i kanë përjetuar vetë ato vuajtje.

Tonin Mirakaj është veprimtar i Kishës Zoja e Shkodrës:

“Unë personalisht ndiej një emocion të posaçëm sepse një prej atyre është Fran Mirakaj, xhaxhai im. Kur e pashë atë pikturë në dorën e tij ndieva sigurisht një emocion. Ai u zhduk, nuk dihet as varri i tij e asgjë tjetër. Fran Mirakaj është një ndër 38 martirët e Kishës Katolike. Ishte një akt i mirë që bëri Dom Pjetri që i dhuroi kardinalit atë pikturë bashkë me atë të shenjtores Nënë Tereza. Për ne shqiptarët të gjitha këto janë me shumë rëndësi”.

“Me fjalët e tij, ai respektoi shqiptarët, historinë shqiptare dhe të gjitha ato që kanë ndodhur në trojet shqiptare gjatë komunizmit dhe gjatë shtypjes ndaj besimit të fesë,” thotë Marjan Cubi, veprimtar i qendrës kulturore të Kishës.

Njerëzit e duan këtë kishë, e cila u ndërtua me ndihmën e të gjithëve, edhe të komunitetit mysliman. Ata vijnë me shumë dëshirë, disa udhëtojnë më tepër se një orë me makinë për të ardhur këtu. Nuk është thjesht një kishë por edhe një shtëpi.

Por kjo e diel ishte mjaft e veçantë. Lidia Curanaj, është një personalitet i njohur televiziv i Nju Jorkut.

“Jemi shumë të gëzuar që ka ardhur kardinali. Jemi shumë krenarë që ka ardhur këtu. Ai na do dhe ne e duam,” thotë ajo.

Lidia e ka mësuar shqipen nga prindërit që emigruan në Amerikë dhe thotë se është mjaft e lidhur me këtë kishë:

“Nëna dhe babai kanë ardhur këtu pa shkollë dhe na kanë mësuar shqipen. S’e di krejt por mirë boll e di. Kemi blerë shtëpinë afër këtu për që qenë afër kishës. Aq shumë duam që të jemi shqiptarë. Duam edhe vajzën ta rrisim që të jetë shqiptare. Është me shumë rëndësi që vajzën ta rrisim të jetë amerikane krenare dhe shqiptare krenare.”

Kardinali Dolan ka një mënyrë të hapur komunikimi dhe dëshron t’i takojë të gjithë, një për një. Kur e pyesim se ç’mendon për komunitetin shqiptar, ai përgjigjet thjesht:

“I dua shumë, jam i gëzuar që ndodhem këtu”.

Ai thotë se një ditë Nju Jorku ndoshta do të ketë një arkipeshkv shqiptar.

/ZgjohuShqiptar.info

KOMENTONI

Loading...
Loading...
Name

Aktualitet,12492,Camëri,151,Editorial,2768,Ekonomi,795,Emra për djem,38,Emra për vajza,36,Enciklopedi,86,Histori,1948,Iliridë,412,Kosovë,3842,Kulture,1013,Luginë,84,Moti,2,Politik,2496,Reportazh,208,Rezultatet Live,2,Shtypi,79,Sondazhe,8,Sport,596,Video,718,
ltr
item
Zgjohu Shqiptar: Kryeipeshkvi i Nju Jorkut: Ju admiroj për historinë dhe besimin tuaj
Kryeipeshkvi i Nju Jorkut: Ju admiroj për historinë dhe besimin tuaj
https://3.bp.blogspot.com/-K3aK9gbKKNw/XH6saDvUwzI/AAAAAAAAjGg/uhyCqQcIZggpeN5HT9dnfgsTwRsVE6m7wCLcBGAs/s640/77AB68B6-D670-44BF-984E-B221F203AC70_w1597_n_r1_st-650x358-640x352.jpg
https://3.bp.blogspot.com/-K3aK9gbKKNw/XH6saDvUwzI/AAAAAAAAjGg/uhyCqQcIZggpeN5HT9dnfgsTwRsVE6m7wCLcBGAs/s72-c/77AB68B6-D670-44BF-984E-B221F203AC70_w1597_n_r1_st-650x358-640x352.jpg
Zgjohu Shqiptar
https://www.zgjohushqiptar.info/2019/03/kryeipeshkvi-i-nju-jorkut-ju-admiroj.html
https://www.zgjohushqiptar.info/
https://www.zgjohushqiptar.info/
https://www.zgjohushqiptar.info/2019/03/kryeipeshkvi-i-nju-jorkut-ju-admiroj.html
true
269073700948665522
UTF-8
Ngarkuar te gjitha postimet Nuk gjendet ndonje postim SHIKO TE GJITHA Lexo me Shume Repliko Hiq Repliken Fshi Nga Kreu FAQET POSTIMET Shiko te Gjitha REKOMANDUAR PER JU LABEL ARKIVA KERKO TE GJITHA POSTIMET Nuk u gjet asnje material sipas kerkeses tuaj Kthehu te Kreu E Diel E Hene E Marte E Merkure E Enjte E Premte E Shtune Hen Mart Merk Enj Pre sht Die Janar Shkurt Mars Prill Maj Qershor Korrik Gusht Shtator Tetor Nentor Dhjetor Jan Shk Mar Pri Maj Maj Qer Gush Sht Tet Nen Dhj menjehere 1 minute me pare $$1$$ minutes ago 1 ore me pare $$1$$ hours ago Dje $$1$$ days ago $$1$$ weeks ago me shume se 5 jave me pare Followers Follow THIS CONTENT IS PREMIUM Please share to unlock Kopjo te Gjithe Kodin Selekto te Gjithe Kodin All codes were copied to your clipboard Can not copy the codes / texts, please press [CTRL]+[C] (or CMD+C with Mac) to copy