FOTOT: Liqenet e Rajcës, bukuritë natyrore me vlera shkencore, ekologjike dhe kulturore
Liqenet e Rajcës ndodhen në shpatin lindor të malit të Shebenikut. Të vendosura në një cirk të madh kompleks akullnajor, në afërsi të fshatit Rrajcë, 2200 m mbi nivelin e detit.
Janë katër liqene akullnajore, me gjatësi e gjerësi mesatare 100 – 200 m dhe 80 – 100 m, thellësi deri në disa metra.
Janë të veçuara nga njëri tjetri prej depozitimesh morenike. Kanë ujë të pastër si kristali dhe të ftohtë. Gjatë dimrit ngrijnë në sipërfaqe.
Dallohen për botë të pasur të gjallë dhe formojnë një ekosistem interesant të liqeneve alpinë. Kanë vlera shkencore (gjeologjike, gjeomorfologjike, hidrologjike, biologjike), estetike, didaktike, ekologjike dhe kulturore.
Mund të vizitohen sipas rrugës rurale Prrenjas – Rrajcë Skënderbej. Me pas ndiqet rruga këmbësore përgjatë shpatit lindor të malit të Shebenikut.