Kur gëzohesh që francezët nuk dinë shqip
Nga Dritan Hila
Për fat të huajt nuk dinë shqip. Përndryshe nëse do të lexonin çfarë shkruajmë ne për veten, do të na rrethonin me tel me gjemba.
Besoj shumëkush lexoi dje titujt e portaleve: Masakër në Vlorë me 4 të vdekur.
U tronditëm edhe vetë dhe menduam nëse ia vlente të dilnim në darkë në Lungomare. Pastaj për fat dolën fotot dhe kuptuam që bëhej fjalë për një zonë limitrofe që nuk para shkelet as nga vlonjatet dhe e cila së shpejti do rrafshohet pasi kalon zgjatimi verior i Lungomares.
Për fat nuk e kishin lexuar as 400-500 të rinj francezë të moshës 18-25 vjeçare që bashkë me 200 makinat e tyre Peugeot 205 kishin kaluar natën në kamping në fillimet e Pyllit të Sodës.
Janë pjesë e një iniciative që quhet Raid Europe. Udhëtimi i tyre ka filluar nga veriu i Francës dhe do përshkruajë shumë vende evropiane. Kishin hyrë në Shqipëri nga Shkodra dhe do dilnin në Gjirokastër me drejtim Greqinë.
Kampingu që kanë ngritur disa vlonjatë kishte kushtet që u duheshin dhe ata ishin shumë të kënaqur. Në momentin kur bisedova me ta, po mblidhnin mbeturinat dhe pastronin vendin. Ju kishte pëlqyer pa masë Shqipëria dhe donin të vizitonin edhe qytetin, por ju thashë të prisnin nja dy orë derisa të lirohej trafiku për në jug.
Për fat koha ishte e pamjaftueshme që të mësonin shqip dhe lexonin se në Vlorë si në çdo vend të botës edhe vriten por edhe dashurohen, apo lahen në det, por ndryshe nga të tjerët, shqiptarët duan ta tregojnë zi e më zi veten./dritare.net