Dokumenti: Rreth tërmetit në Durrës (korrik 1273)

Nga Gjergj Pahimeri*

Pas njëfarë kohe, në Durrës ndodhi një gjëmë e rëndë dhe tragjike. Gjatë muajit korrik, ushtima të pazakonta bënë që toka të dridhej vazhdimisht, ushtima, të cilat normalisht do t’i quanim ofshamë. Ato kumtonin se kishte ndodhur diçka e llahtarshme.

Një ditë, zhurma jehoi fare pa ndërprerje dhe më me forcë se më parë. Frika që përfshiu disa njerëz bëri që ata të shkonin dhe të gjenin strehë jashtë qytetit, pasi druheshin se gjërat do të merrnin më përkeq. Nata ra mbi zhurmën gulçuese të ditës që po kalonte dhe bashkë me të, ndodhi një tërmet i fuqishëm, më tepër i dhunshëm se çdo tjetër në historinë e njerëzimit.

Nuk ishte, siç mund ta përshkruajnë, një dridhje e tokës që lëvizte në mënyrë diagonale, por më tepër një goditje dhe lëkundje e përsëritur e tillë saqë menjëherë, gjithë qyteti u kthye kokëposhtë dhe u rrafshua për tokë.

Shtëpitë dhe ndërtesat e larta, që nuk rezistuan asnjë sekondë, u këputën dhe rrëzuan, duke i varrosur banorët e tyre brenda tyre. Njerëzit nuk kishin ku të shkonin për të shpëtuar, sepse ndërtesat ishin ndërtuar pranë njëra-tjetrës. Në të vërtetë, shumë më i madh ishte shansi të mbijetonin ata që qëndruan brenda se sa ata që dolën me vrap nga shtëpitë të cilat kishin shpëtuar pjesërisht.

Asnjë prej ndërtesave nuk mbeti pa u prekur. Ato u shembën mbi njëra-tjetrën dhe ndonjë ndërtesë që ndodhi t’i kishte shpëtuar fatit të shkatërrimit, u shtyp nga rënia e të tjerave. Katastrofa ishte tejet e papritur dhe e papërballueshme saqë askush nuk mund të mbeste gjallë duke ia mbathur. Për shumë njerëz, ishte ëndërr; nuk e mësuan kurrë se në çfarë ngjarjeje u zhdukën.

Fëmijët e vegjël dhe foshnjat, që nuk e kuptonin se çfarë kishte ndodhur, u varrosën në rrënojat. Ushtima dhe rrëmuja ishin të tilla saqë edhe deti që vlonte nga jashtë, [i bënte] të mbijetuarit që shihnin pranë të pandehnin se nuk ishin ato fillimi i dhembjeve, por të ndienin mbarimin e botës.

Meqenëse ai qytet ndodhej buzë detit, dhe të keqen dhe tronditjen e pësoi befas, dhe kaq konfuzion njerëzish u bë dhe kaq goditje pati nga shtëpitë që binin njëra mbi tjetrën, saqë ata që u ndodhën jashtë, u tronditën shumë nga ata që dëgjonin dhe nuk kishin se çfarë tjetër të pandehnin, veçse zhdukjen e të gjithë botës.

Meqenëse ai qytet ndodhje buzë detit, dhe të keqen dhe tronditjen e pësoi befas, dhe kaq konfuzion njerëzish u bë dhe kaq goditje pati nga shtëpitë që binin njëra mbi tjetrën, saqë ata që u ndodhën jashtë, u tronditën shumë nga ata që dëgjonin dhe nuk kishin se çfarë tjetër të pandehnin, veçse zhdukjen e të gjithë botës.

Tërmeti zgjati jo pak, saqë të mos mbetej asgjë në këmbë, por çdo gjë që ishte brenda të rrëzohej dhe njerëzit t’i mbulonte. Vetëm Akropoli (ai qëndroi dhe nuk iu nënshtrua tërmetit). Kur u bë ditë, vrapuan në ndihmë banorët përreth, me shata, dhiqelë e çdo vegël tjetër që gjetën përpara e përdorën për gërmim.

Duke u hedhur [mbi gërmadhat] gërmonin që të mund t’i shpëtonin nga rreziku disa të mjerë, që akoma ishin gjallë. Edhe për më tepër të mos gjenin çdo lloj pasurie, të cilën pasi ta nxirrnin nga gërmadhat ta merrnin e ta mbanin [për vete].

Atëherë me sendet e të vdekurve u përzien edhe trashëgimtarët e tyre dhe nuk pengohej me vendim gjyqi ai që rastiste të merrte. Pasi gërmuan për ditë me radhë, gjithë atë që u bë në tokë dhe pasi bënë korrje të arta, shqiptarët dhe banorët përreth, që përdorën së bashku dhiqelët, më në fund e lanë të shkretë qytetin e dikurshëm, që njihej nga disa shenja të zbehta dhe që quhej kështu jo se ishte [tani qytet], por vetëm nga emri.

Peshkopi i tij Niketa, që u gjet edhe ai atëherë [aty], megjithëse shpëtoi, në shumë vende të trupit të tij kishte shenjat e rrezikut. Duke parë fatkeqësinë e hidhur, që askush ndonjëherë nuk e priste, iku i tmerruar, duke lënë metropolin (kryeqytet) të shkretë, jo vetëm nga vetja, por edhe nga banorët e tij (metropolit), nga bukuria e godinave dhe sendeve të tyre.

*Historian bizantin

[Marrë nga: Georgii Pachymeris, “Relationes historicae”, Bonn (1835), Vëllimi I, libri V, 7, f. 355-358. Përkthimi i plotë i fragmentit nga Koço Bozhori, Filip Liço (në “Burime tregimtare bizantine për historinë e Shqipërisë, shek. X-XV, Tiranë 1975), si dhe nga unë]

Poshtë: portret i Pahimerit (lindur në vitin 1242- vdekur rreth vitit 1310) i nxjerrë nga një dorëshkrim i tij për historinë e Bizantit. Ndodhet në bibliotekën e Munihut.h

Back to top button