INTERVISTA/ Rrëfimi i Abrashit: Shqipëria meritoi më shumë, për të ardhmen vendosin shumë faktorë

Është njëri nga lojtarët më të mirë që ka pasur Kombëtarja e Shqipërisë në këto 10 vitet e fundit.

Organizon mirë aksionet por edhe shkatërron pa mëshirë ato të kundërshtarëve, është i pakalueshëm në mesfushë.

Fjala është për mesfushorin shkatërrues të Kombëtares së Shqipërisë, Amir Abrashin i cili në takim me Turqinë me tu inkuadrua në lojë tregoi se sa është i nevojshëm për Kuqezinjtë duke shfaqur grintën e tij.

Në anën tjetër, në ndeshjen ndaj Moldavisë gjakovari e udhëhoqi Shqipërinë si kapiten i saj duke zhvilluar njërën nga ndeshjet më të mira në karrierën e tij me fanellën e Kombëtares.

E me Abrashin si kapiten, Shqipëria ka marrë fitoren më të thellë në histori të Kombëtares me rezultat 0-4.

29-vjeçari ka luajtur në të gjitha takimet e deritanishme për Shqipërinë për kualifikimet e kampionatit evropian Euro 2020, duke shënuar edhe një gol.

Gjakovari ka qenë pikë referuese e ish-trajnerit të Kombëtares, Gianni De Biasi dhe ishte njëri nga më meritorët që Shqipëria arriti suksesin historik duke u kualifikuar në Kampionatin Evropian, Euro 2016.

Në një intervistë ekskluzive për Telegrafin, Abrashi flet për këtë kampanjë kualifikuese të Shqipërisë, jetëgjatësinë te Freiburgu si dhe për planet e të ardhmes.

Amir, një humbje e hidhur ajo me Turqinë?

Abrashi: Ishte një ndeshje e jashtëzakonshme nga ana jonë, nuk e merituam të humbim atë ndeshje. Krijuam shumë raste dhe po t’i shfrytëzonim rastet do të ishte ndryshe. Një tre pikësh në Stamboll do të bënte që t’i shtonim gjasat shumë për një kualifikim të mundshëm.

U inkuadruat nga banka rezervë dhe i dha zemër Kombëtares me grintën tënde duke shkatërruar aksionet e turqve?

Abrashi: Trajneri është ai që vendos nëse luaj nga minuta e parë apo nga banka rezervë. Unë jam një futbollist që sa të më jepet mundësia jap 100% nga vetja ime në fushë. Jam munduar gjithmonë me shpirt që të jap më të mirën për vendin tim.

Ndërkohë ndaj Moldavisë ishit titullar dhe njëri nga lojtarët që shkëlqyet më së shumti në fushë?

Abrashi: Ne u futem në fushë me respektin më të madh për Moldavinë dhe e morëm seriozisht ndeshjen. Angazhimi ynë në fund u shpagua ku shënuam katër gola dhe bëmë një ndeshje të mirë. Personalisht jam i kënaqur me lojën time pasi edhe në Kombëtare kam ardhur në formë të lartë që tregova me Freiburgun në ndeshjet e fundit.

Për herë të parë mbajtët edhe shiritin e kapitenit, çfarë do të thotë kjo për ty?

Abrashi: Janë bërë gjashtë vite që jam pjesë e Kombëtares dhe jam njëri nga më të vjetrit këtu. Nëse nuk do të kisha pasur lëndime sigurisht që do të kisha rreth 70 paraqitje me Kombëtaren. Gjithsesi për mua është nder dhe krenari ta barti shiritin e kapitenit që tregon edhe rëndësinë që kam unë në Kombëtare.

Nëse do të ishte i njëjti trajner nga fillimi, mendoni se do të kishte bërë më shumë Shqipëria?

Abrashi: Ndoshta. Kemi pasur nevojë vetëm për besim, ndoshta nëse do të ishte Reja nga ndeshja e parë do të grumbullonim më shumë pikë. Por tani ka shkuar kjo dhe synimi ynë është t’i marrim fitore ndeshjet që na kanë mbetur.

Prej gjashtë vitesh luan me fanellën e Shqipërisë ku keni qenë njëri nga lojtarët kryesorë në mesfushë?

Abrashi: Shpejt kanë ikur vitet. Nga ndeshja e parë ndaj Armenisë në vitin 2013 kur kam bërë debutimin më duket shumë shpejtë. Gjithsesi unë kam bërë vetëm detyrën time duke dhënë më të mirën për kombin tim. Kam qenë gjithmonë i gatshëm dhe jam mundur shumë për të dhënë gjithçka nga vetja për sukseset e Kombëtares.

Momenti më i mirë me ekipin kombëtar shqiptar?

Abrashi: Padyshim arritja në evropian në vitin 2016. Ishim një grup i jashtëzakonshëm i lojtarëve dhe ato kualifikuese ishin të zjarrta. Zhvilluam tri ndeshje të mëdha në Evropian dhe merituam më shumë, t’i kalonim edhe grupet. Arritja në Euro 2016 ishte realizim i një ëndrre shekullore për shqiptarët. Luanim në Francë, por në të tria takimet që zhvilluam u ndiem si në Shqipëri, pasi stadiumet ishin të mbushura me tifozë shqiptarë që na përkrahin pa rezerva.

Edhe sa do ta shohim Amirin si pjesë të Kombëtares?

Abrashi: Tani jam 29 vjeç dhe sa të jem në formë do të luaj gjithmonë me Shqipërinë dhe do të jap maksimumin për fanellën e Kombëtares. Shpresoj që të jem në formë të mirë edhe për shumë vite që të jap maksimumin për Shqipërinë time.

Kthehemi tani pak te Freiburgu, që nga viti 2015 jeni pjesë e kësaj skuadre?

Abrashi: Jam në një klub shumë të mirë, ku jam ndjerë gjithmonë i vlerësuar nga të gjithë këtu.

Kur u transferuat te Freiburgu, shkuat në një moment jo të mirë të klubit, pasi sapo kishit rënë nga elita e futbollit gjerman?

Abrashi: Nuk ka qenë periudhë e lehtë, pasi klubi kishte rënë nga Bundesliga, por që bëmë një sezon jashtëzakonisht të mirë në Bundesliga 2, ku arritëm të rikthehemi në elitë vetëm pas një viti. Ishte një edicion tejet i mirë ku lamë mbrapa në tabelë një skuadër të fuqishme si RB Leipzig.

Në mënyrë individuale zhvilluat një sezon të madh, ku përpos punës tënde si shkatërrues shënuat edhe gola e asistuat?

Abrashi: Po, ishte një vit i mbarë, pasi fillimisht nuk kisha lëndime dhe mungova vetëm në një takim për shkak të kartonëve. Shënoja e asistoja, por më e rëndësishme ishte se skuadra fitonte vazhdimisht.

Nuk është aspak e lehtë që te Freiburgu të qëndron dikush për pesë sezone, si e bindët një trajner si Christian Streich për të ju besuar kaq shumë kohë?

Abrashi: Unë jam një tip lojtari që jap gjithmonë maksimumin nga vetja, si në stërvitje ashtu edhe në fushë. Streich është një trajner i jashtëzakonshëm dhe unë e kam bindur atë vetëm me punë dhe përkushtim të madh. Si në miqësore si në lojë zyrtare jap 100% nga vetja dhe kjo mendoj që është arsyeja pse kam qëndruar kaq gjatë te Freiburgu.

Pësuat një lëndim të tmerrshëm ndaj Hertha Berlin që ju mbajti rreth 10 muaj jashtë fushave, por u rikthyet si një luan duke shkëlqyer dhe duke i luajtur tetë ndeshje radhazi duke ndihmuar në fazën vendimtare Freiburgun për ta siguruar qëndrimin në Bundesligë?

Abrashi: Nuk ka qenë aspak periudhë e lehtë sa qëndrova rreth 10 muaj larg fushave, por punoja thuajse rreth 12 orë në ditë vetëm për tu rikthyer sa më parë dhe më i fortë se më herët. Kur kam luajtur ndeshjen e parë pas rikthimit ka qenë speciale, pasi arritëm një pikë të madhe në udhëtim te Schalke për të nisur një seri të rezultateve pozitive që ndihmuan klubin për të qëndruar pjesë e elitës.

Pikërisht në atë takim ndaj Schalkes morët edhe notën më të lartë nga futbollistët që ishin në fushë?

Abrashi: Pas një lëndimi aq të rëndë të rikthehem dhe të luaj në atë mënyrë është një mrekulli, por edhe krenari. Të gjithë më lavdëruan për paraqitjen, por edhe nuk besonin se si mund të kthehesha në atë formë të lartë pas 10 muajve jashtë fushave.

Këtë sezon çuditërisht nuk luajtët shumë në fillim, por me tu rikthyer në fushë treguat se sa vleni duke marrë Freiburgu dy fitore dhe duke ndalë në barazim gjigantin gjerman Borussia Dortmund?

Abrashi: Ka qenë vendim i trajnerit dhe e kam respektuar atë, por kur më është dhënë rasti tregova se sa vlej. Unë jam më i lumtur kur jam në fushë, por kjo nuk po varet nga unë. Banka nuk e bënë të lumtur asnjë lojtar.

Jeni futur në vitin e fundit të kontratës. U është ofruar rinovimi?

Abrashi: Menaxherët e mijë po bisedojnë me klubin. Ndoshta është kontrata ime e fundit në këtë kategori të lartë të futbollit, kështu që gjërat duhet të mendohen dhe të sqarohen shumë mirë.

Pas pesë sezoneve, a do të vazhdoni ende me Freiburgun apo është koha për një aventurë të re?

Abrashi: Freiburgu është një klub special për mua, kam kaluar vite të mrekullueshme këtu. Por nga ana ime janë shumë faktorë që do të vendosin më në fund a do të vazhdoj apo do të jem i gatshëm për një aventurë të re.

Shumë klube në Gjermani dhe më gjerë në të kaluarën kanë shfaqur interesim për ju, a ka oferta tani kur në qershor do të jeni i lirë?

Abrashi: Nuk e di a ka pasur interesime dhe sa konkrete kanë qenë ato, pasi me këtë merren menaxherët dhe unë kam qenë mirë dhe i fokusuar vetëm te klubi. Tani jam në një situatë komplet ndryshe nga e kaluara, jam 29 vjeçar dhe në vitin e fundit të kontratës. Freiburgu ka përparësi, por nuk e përjashtoj mundësinë që karrierën ta vazhdoj edhe diku tjetër në qoftë se flitet për ndonjë klub ambicioz dhe i përshtatshëm për mua.

Për fund, Freiburgu momentalisht është vetëm dy pikë më pak se lideri, ku e shini këtë skuadër në fund të sezonit?

Abrashi: Kemi filluar mirë dhe shpresojmë të vazhdojmë me këtë ritëm. Do të ishte mrekulli. Gjithsesi shohim vetëm ndeshjen e radhës dhe në fund e shikojmë pozicionin tonë.

Back to top button