Turizmi rrit të ardhurat e Tiranës: Nga hotelet u arkëtuan 950 mijë euro, 18% më shumë se viti 2018

Rritja e turizmit gjatë këtij viti, ka dhënë rezultatet e veta sa i takon kryeqytetit, duke bërë që viti 2019 të mbyllet me rreth 115 milionë lekë, apo  950 mijë euro të ardhura në buxhetin e bashkisë së Tiranës, vetëm nga taksa e fjetjes në hotel. Ndërkohë që planifikimi ishte në nivelin e 85 milionë lekëve, apo rreth 700 mijë euro.

Llogaritja e kësaj takse, bazuar në legjislacionin në fuqi, bëhet sipas ndarjes në dy kategori: Subjekte Hoteleri me 4 – 5 yje me nivel takse për 350 lekë/dhoma; Subjekte Hotele, Bujtina, Fjetinë, Motel dhe çdo njësi tjetër akomoduese sipas përcaktimeve të ligjit për turizmin në nivel takse për 140 lekë/dhoma.Sipas Bashkisë së Tiranës, me gjithë problemet për shkak të mosplotësimit të kuadrit ligjor në vlerësimin mbi bazë yjesh për hotelet, gjatë vitit 2019 pritet të ketë një rritje prej 18% në krahasim me arkëtimet e vitit 2018.

Ndërkohë që planifikimi për vitin 2020 është bërë në nivelin e 100 milionë lekëve, apo 15 milionë lekë më shumë se plan i 2019-ës, duke u mbështetur në rritjen e mëtejshme të numrit të turistëve apo edhe në plotësimin e kuadrit ligjor të munguar për sektorin e hotelerisë.

Back to top button