Zonja Kim e kishte me mua!
“Ne duam që Shqipëria të jetë një aleat i fortë dhe i aftë i SHBA-së dhe duam
që ju të jeni pjesë e familjes evropiane. Nuk mund ta kemi këtë pa Reformë
Zgjedhore dhe pa Reformë në Drejtësi. Këto të dyja nuk janë diçka për të bërë
pazar. Janë domosdoshmëri dhe ka ardhur koha të rreshtet së bëri lojëra”
Yuri Kim*
Deklarata e mësipërme e ambasadores amerikane në Tiranë shkaktoi tek shqiptarët habi, kureshtje dhe jo pak trazime. Kur flet Luani apo i dërguari i tij, lepujt dridhen, dhelprat përdridhen dhe çakenjt angullijnë. Në Tiranë dhe gjetkë filluan hamendësimet, bastet dhe parashikimet se me cilët e kishte dhe kush do ta hante. Një i dehur që kishte shkelur rregullat qeveritare të pandemisë u shpreh nëpër dhëmbë se ambasadorja s’e kishte me asnjërin nga drejtuesit politikë të Shqipërisë pasi ajo në Tiranë thjesht përfaqësonte interesat e shtetit të saj dhe nuk i lejohej ndërhyrja në punët e brendëshme të vendit tonë pasi ne e kemi provuar disa herë se këtë gjë as e lejojmë dhe as na nevojitet.
Meqënëse politikanët kryesorë, deri tek Presidenti i vendit, pohuan se zonja Kim jo vetëm s’e kishte me ta por e kishte me “të vetmen të keqe të Shqipërisë dhe të shqiptarëve”, me Kryeministrin Rama dhe meqënëse një analist solli në kujtesë thënien popullore shqiptare se “një i marrë hedh një gur në ujë dhe njëqind të mençur s’e nxjerrin dot”, unë vendosa të bëj publik faktin se zonja Kim e kishte me mua dhe me askënd tjetër. Në këtë mënyrë edhe e vërteta del në shesh, edhe guri nxirret nga uji por, mbi të gjitha, edhe shpirtrat e trazuar qetësohen dhe marrin frymë të lehtësuar.
Po, pse e kishte me mua znj. Kim?
Si çdo ambasador tjetër në botë, edhe zonja Kim, përpara se të vinte në Shqipëri si përfaqsuese e SHBA-së, është njohur me historinë, gjeografinë, etnokulturën dhe politikën shqiptare. Në një raport përmbledhës për politikën dhe politikanët e Shqipërisë ajo duhet të ketë lexuar si vijon:
Ai ka qenë mjek i udhëheqjes së lartë komuniste dhe sekretar i partisë për Fakultetin e Mjekësisë, një komunist i ashpër dhe karrierist i vendosur. Kur e pa se po binte sistemi iu bashkua Lëvizjes Studentore dhe e përvetësoi frymën dhe misionin e saj. Ne e kemi përkrahur fuqimisht dhe, madje, në kundërshtim me parimet e së Drejtës Ndërkombëtare, ngritjen dhe ardhjen e tij në pushtet. Kur e pa se po fuqizohej filloi të bëhej mospërfillës dhe mosmirënjohës. Ndaj popullit dhe vendit të vet mbajti një qëndrim krejt të kundërt me ato që kishte premtuar, si dhe në kundërshtim me predikimet tona për liri e demokraci. Në fushën ekonomike rezultoi një katastrofë, ndërsa në sferën e zbatimit të normave demokratike një kundërvajtës i vazhdueshëm, i papenduar dhe i pandreqshëm. Kur ishte President i vendit ka burgosur dhe dhunuar kundërshtarët politikë, ndërsa kur u bë Kryeministër edhe i vrau ata pa gjyq. Është shpallur “armik i lirisë së shtypit” nga Institucionet Ndërkombëtare të Lirisë së Shtypit. Ka falsifikuar dhe dhunuar procese të pjesëshme apo tërësore zgjedhore. Shtypi perëndimor e pati shpallur “ordiner të rrezikshëm” në 1998 dhe regjimin e tij si “regjim gangsterësh” në mars 1997. Ka një nivel të kënaqshëm dijesh, por i mungon tërësisht kultura e njeriut të qytetëruar në marrëdhënie me shoqërinë dhe, sidomos, me kundërshtarët politikë. Është energjik por brutal, punon fort por mbrapsht, propagandon me zell parimet demokratike por i shkel ato sa herë ia kërkojnë interesat vetjake. E sheh politikën si luftë dhe jo si garë. Është ideatori i shkatërrimit të sistemit juridik shqiptar dhe, njëkohësisht, nxitësi kryesor në prapaskenë i pengimit dhe vonimit të Reformës në Drejtësi. Në vitin 1996 ka refuzuar të presë në takim zyrtarin tonë të lartë të Departamentit të Shtetit dhe ka kundërshtuar propozimet tona për përsëritjen e zgjedhjeve në 40 zona elektorale, megjithëse ato duheshin përsëritur në gjithë vendin. Është shkaktari kryesor që e çoi vendin në katastrofën kombëtare të 1997 dhe ideator i marrjes së pushtetit me dhunë në shtator 1998. Synimin e tij kryesor në jetë dhe papërgjegjshmërinë qytetare, politike dhe kombëtare e ka demonstruar me vepra, si kur ka qenë në pushtet, ashtu edhe në opozitë, ndërsa gojarisht e ka konfirmuar kur i pohoi gazetarit amerikan në 1997 se motoja e tij ishte thënia e Luigjit të 15-të “Pas meje u bëftë kiameti” (Apres moi, le deluge). Hiqet si proamerikan por në thelb na urren dhe, madje, ka tentuar organizimin e një akti terrorist ndaj ambasadës tonë në Tiranë në vitin 1998. Gëzon ende simpatinë e një bërthame fanatikësh partiakë si dhe të atyre që patën përfituar gjatë pushteteve të tij. Mbetet idhulli i pjesës më të pazhvilluar të zonave fshatare. Nuk ka asnjë ideal ose, më saktë, ideali i tij i vetëm mbetet pushteti për të sunduar. Është i gatshëm në çdo moment të bëjë aleanca politike me cilindo për hir të marrjes apo mbajtjes së pushtetit, siç ka bërë në 2008 për Ligjin Zgjedhor dhe në 2009 për zgjedhjet e përgjithëshme. Ka mundur të krijojë tek disa përshtypjen e rreme se është i pakorruptuar, por familja e afërt e tij është nga më të pasurat në vend. Pavarësisht ndikimit brendapartiak, në sferën më të gjerë shoqërore e kombëtare, aktualisht, është katandisur në një “dervish” që hedh fall, një plak i dështuar që nxit urrejtje dhe një postier dixhital pa dinjitet që shpërndan lajme të rreme. Është element i dëmshëm për vendin e vet, ashtu edhe për interesat tona në rajon. Është mishërimi i përsosur i konkluzionit të ish-disidentit dhe Presidentit çek Vaclav Havel se “Nuk ka më të zinj se komunistët antikomunistë”. Duhet mbajtur sa më larg.
Të gjitha këto thuheshin për mua.
Në një dokument tjetër znj. Kim ka pasur rastin të lexojë:
Ai ka prejardhjen nga zonat e thella malore të Jugut. Si student iu bashkua Lëvizjes Studentore në vitin 1990 dhe, më vonë, u bë figurë politike e së majtës shqiptare ku, në moshë fare të re, pa bërë asnjë punë tjetër dhe pa qenë drejtues i ndonjë grupi sado të vogël zyrtarësh, arriti në postet më të lartë deri Kryeministër. Kur e pa se ato poste nuk mund t’i kishte të përjetshëm organizoi një shizm (shkëputje) të një pjese të partisë dhe krijoi një partizë të përbërë, kryesisht, nga individët politikë më karrieristë dhe të cilët ishin shpërblyer me poste dhe privilegje kur ai drejtonte Qeverinë. Duke mos pasur kurrfarë bindjesh dhe as idealesh politike, nëpërmjet premtimeve dhe joshjeve për vende pune dhe privilegje, arriti të tërheqë në partinë e re të kryesuar prej tij edhe elementë të tjerë karrieristë nga partitë e djathta, duke e rritur peshën elektorale deri afër 10% dhe duke u bërë kështu një letër bixhozi me vlerë në lojën politike midis të dy krahëve. Kjo ka qenë arsyeja që u bë disa herë pjesë e koalicioneve të djathta e të majta dhe gjithnjë duke i dhënë administratës shtetërore, qendrore dhe lokale, fytyrën më të errët të korrupsionit politik.
Për hir të pushtetit është i prirur të bëjë çfarëdo aleancash dhe me cilindo siç ka ndodhur në 2009 dhe 2013. E ka shprehur me vepra dhe me fjalë simpatinë dhe afrinë me moralin dhe sjelljen politike të ish-Kryeministrit të djathtë me të cilin pati bërë koalicion, duke thënë se i lidh një “kimi e veçantë”. Është individ politik i korruptuar dhe, megjithëse është kapur me presh në duar duke planifikuar rrëmbimin e fondeve shtetërore, ia ka arritur t’ia hedhë paq duke marrë pafajësinë nga gjykatat e korruptuara dhe të ndodhura nën thundrën e pushtetit politik ku ai bënte pjesë. Është interesante dhe e dhimbshme se si një individ i tillë ia ka dalë të jetë i vetmi shqiptar që ka mundur të mbajë të gjitha postet më të lartë shtetëror. Për të mos mbetur peng të këtij rebusi duhet të sjellim ndërmend faktin se ndodhemi në Ballkan.
Kur ishte Kryetar i Parlamentit bënte një lojë të dyfishtë. Trupin e kishte në pushtet ndërsa kokën tek opozita prandaj edhe bashkëpunoi me të, herë hapur dhe herë fshehur, për ta vonuar, penguar ose shtrembëruar Reformën në Drejtësi sipas interesave të të gjithë eksponentëve kryesorë politikë që i tremben asaj. Partinë e krijuar e ka shndërruar në një biznes politiko-familjar prandaj, kur u zgjodh President i vendit ia kaloi drejtimin e saj përkohësisht njërit nga shumë politikanë shqiptarë që pranojnë të keqpërdoren dhe pastaj e hodhi në duart e bashkëshortes së vet e cila shquhet për mendjelehtësi dhe dashurinë për pasuri.
Në aspektin e brendshëm e konsideron politikën si garë shtangistësh, ndërsa në aspektin e jashtëm betohet se është pro Perëndimit por ka karakteristikat e levantinit. Hiqet si mbrojtës i Kushtetutës vendase, ndërkohë që e shkel atë thuajse në çdo hap. Përpiqet të shfaqet si i dashuruar me Amerikën, madje duke valëvitur flamurin amerikan në ngjarje politike që s’kanë kurrfarë lidhjeje me SHBA-në, por këshillat diplomatike të Departamentit të Shtetit që nuk u përshtaten shijeve dhe ambicieve të tij politike i shpall si mendime të ndonjë diplomati të veçantë. Ka arritur deri atje sa shumicën e Trupit Diplomatik perëndimor ta shpallë si “grup i organizuar diplomatik”, një eufemizëm për grupin e organizuar kriminal. Po të kishte ndonjë hapësirë të vogël kushtetuese a ligjore do t’i shpërndante Parlamentin dhe Qeverinë dhe t’i merrte vetë ose do t’ua dorëzonte veglave të tij të gjitha ato atribute. E ka braktisur rolin e “simbolit të unitetit kombëtar” që ia imponon Kushtetuta dhe demonstron rolin e “gjeneralit politik” të opozitës. Duket qartë se ka frikë nga zbatimi në praktikë i Reformës në Drejtësi prandaj e ka shpallur atë të dështuar dhe të kapur nga kundërshtarët e tij politikë. Ndaj tij duhet mbajtur një qëndrim strikt zyrtar, sjelljet dhe veprimet e tij antidemokratike nuk duhen përkrahur në asnjë rrethanë dhe i duhet lënë të kuptojë se qeveria jonë nuk sheh tek ai as partnerin politik dhe as modelin e udhëheqësit perëndimor.
Edhe ky raport, sigurisht, fliste për mua.
Raporti i tretë që mund të ketë lexuar znj. Kim i shpjegonte asaj se:
Ai vjen nga një familje intelektualësh nga kryeqyteti dhe, përveç prejardhjes prindërore, nuk e lidh asgjë me të majtën shqiptare, mirëpo i nevojitet të ruaj një dukje të tillë pasi shumica e elektoratit që e ka sjellë dhe e mban në pushtet është i majtë. Në dhjetor 1990 ishte ndër të parët që u ngrit me shkrime dhe fjalime kundër regjimit që po merrte rrugën drejt analeve të historisë. U shfaq ekstremist dhe i ashpër, politikisht si një anarkist dhe historinë e shihte si një telajo ku mund të vinte ngjyrat e tij të preferuara si piktor. Është ekscentrik, narcist, mendjemadh, mospërfillës dhe arrogant, por është energjik dhe punëtor.
Kur e pa se nuk mund të arrinte kryesimin e forcave të reja politike që po shkonin drejt pushtetit, iku në Evropë dhe bëri jetë refugjati për pak vjet. Më vonë u thirr nga Kryeministri i kohës dhe u bë pjesë e një kabineti qeveritar të majtë, duke drejtuar Ministrinë e Kulturës. Kur kryeministri dhe kryetari i partisë u tërhoq, ky arriti të shtjerë në dorë drejtimin e partisë më të madhe politike në vend. Këtu e ndihmoi fakti që nën emrin e kësaj partie ai po drejtonte me sukses bashkinë e kryeqytetit për disa vjet dhe dëshmoi se kishte më shumë epërsi se paraardhësit në atë detyrë çka ia rriti besueshmërinë. Thuhet se ka përdorur marifete për t’u ngjitur në atë post, por e vërteta është se vetë socialistët nuk kishin në radhët e tyre një kandidat tjetër më gojëtar, më durues të baltës, shpifjeve poshtëruese dhe të sharjeve që prodhonte pa pushim “Lideri Suprem” sesa ky. Në këto kushte gara brendapartiake u bë e lehtë për të.
Më vonë arriti të fitojë zgjedhjet e përgjithshme dhe të bëhet Kryeministër. Është inteligjent, energjik dhe gojtar i respektuar. Nëse paraardhësi i tij përdorte fjalët e rënda dhe shpatën e mprehtë ndaj kundërshtarëve politikë, ky përdor mprehtësinë e fjalës dhe dinakërinë. Për të politika është “lojë shahu” por edhe kikboks (kick-boxing). Partinë që drejton e ka tjetërsuar thuajse krejt duke larguar shumicën e figurave tradicionale, mjaft prej tyre individë me dinjitet, dhe i ka zëvendësuar me besnikë të vet. Edhe qeveria që drejton përbëhet më së shumti nga individë pa shumë kontribute intelektuale e shkencore dhe thuajse pa kurrfarë kontributesh politike prandaj edhe i ngjan një qeverie teknike. Nuk i pëlqejnë mendimet kundër dhe beson se ka gjithmonë të drejtë. Megjithëse është kokëfortë, di edhe të tërhiqet. Ka informacione dhe akuza që të bëjnë të besosh se është i përfshirë në akte korruptive nëpërmjet koncesioneve dhe të ashtëquajturve PPP. Aleancat politike i sheh si mundësi për pushtet dhe i realizon sa herë ia kërkon nevoja, pavarësisht palës tjetër, siç ka bërë në 2008 për Kodin Zgjedhor dhe në 2013 për zgjedhjet e përgjithëshme.
Është dobiç, por është dobiçi ynë (He is a son of a bitch but he’s our son of a bitch). Aktualisht duket se është figura më e besueshme brenda dhe jashtë vendit dhe ka shumë të ngjarë të fitojë edhe zgjedhjet e ardhshme pasi kundërshtarët e tij politikë janë të njëjtit që kanë dështuar disa herë dhe nuk pranojnë të ndreqen, kurse të rinjt e ardhur në opozitë nuk bëjnë as përpjekjen më të vogël të tregojnë se nuk janë mbartës dhe interpretues të moralit të vjetër politik dhe, rrjedhimisht, nuk ofrojnë kurrfarë besueshmërie dhe shpresash.
Është pro nesh dhe ka luajtur një rol të rëndësishëm në ideimin dhe zbatimin e Reformës në Drejtësi, mirëpo ka nevojë t’i tërhiqet vëmendja sa herë joshet nga dëshira për të ndikuar në rezultatet e kësaj reforme. Derisa të dalë në skenën politike një figurë tjetër më dinjitoze dhe më e besueshme, ky duhet përkrahur, por asnjëherë pa rezerva.
Meqë kjo ishte “shtojca” e parafundit e raportit për Shqipërinë dhe që bënte fjalë sërish për mua, znj. Kim iu desh të lexojë edhe pjesën fundore të atij raporti i cili më përshkruante kështu:
Edhe Ai vjen nga një familje e lidhur me regjimin e kaluar. Ndonëse është më i ri në moshë se disa nga eksponentët kryesorë politikë dhe ndonëse është shkolluar në Evropën Perëndimore, nuk shquhet për nivel të lartë të intelektit dhe as për kurrfarë aftësishë administruese. Së bashku me disa të tjerë është sjellë në politikë në vitet 2000 më shumë për të shërbyer si makiazh i politikës dhe establishmentit të vjetër. U soll atje në rrugë private dhe pa pasur asnjë meritë në drejtimin e ndonjë pune shtetërore. Kur u pa se shfaqte besnikëri të pakushtëzuar ndaj udhëheqësit të vjetër u bë pjesë e dy qeverive dhe në të gjitha postet qeveritare që iu besuan nuk shkëlequ dhe as nuk u skuq për shkeljet e rënda ligjore; burgosjes i shpëtoi me manipulime procedurash gjyqësore falë ndikimit të padiskutueshëm të pushtetit politik ku bënte pjesë.
Nuk ka shfaqur asnjëherë ndonjë mendim ndryshe në partinë ku u adoptua, por thjesht nuk ka harruar të manifestojë besnikërinë dhe dashurinë ndaj “Liderit Suprem”. Kjo ishte edhe arsyeja që kur kryetari i vjetër i partisë u dorëhoq de jure nga drejtimi, ia besoi formalisht atij kryesimin e partisë. Ky, vetë e pohon me krenari se i përket shkollës politike të kryetarit të vjetër, politika e të cilit tashmë është diskredituar disa herë. Nëpërmjet falsifikimit të votimeve arriti të bëhet kryetar i bashkisë së kryeqytetit ku nuk la asnjë gjurmë ndërtimi a ndryshimi. Po nëpërmjet manipulimeve zgjedhore arriti të sigurojë mandatin e dytë si drejtues partie edhe pse i kishte humbur zgjedhjet e përgjithëshme.
Në mendimet dhe sjelljet e tij politike nuk ka thuajse asgjë origjinale por shtyhet dhe frymëzohet kryesisht nga modeli i vjetër politik i partisë së tij dhe drejtpërdrejt nga themeluesi i atij modeli. I ngjan më shumë një makine politike, motori i së cilës vihet në punë nga etja për pushtet e privilegje dhe timonin e së cilës e drejton adhurimi dhe detyrimet ndaj paraardhësit në parti dhe morali i përbashkët me të. Është vërtetë një makinë e pazhurmshme që shpie në të njëjtën vendmbërritje dhe me të njëjtën rehati udhëtimi. Ka qenë gjithmonë i frikësuar nga Reforma në Drejtësi dhe iu është nënshtruar porosive të “Liderit Suprem” lidhur me votimin dhe pengimet e asaj reforme.
Në partinë që drejton formalisht nuk gëzon ndonjë mbështetje të madhe dhe ka shumë kundërshtues, jo për shkak të së kaluarës së tij të palavdishme por sepse nuk shihet si personi i duhur për t’i sjellë në pushtet dhe madje disave iu duket ( jo pa të drejtë ) se iu ka zënë vendin që meritonin ata. Politikën nuk e sheh si garë, fituesin e të cilës e pëcakton vullneti popullor, por e sheh si pazar ku fituesin e përcaktojnë marrëveshjet e 2-3 pretendentëve. Kjo është arësyeja që në kulmin e kontradiktave me kundërshtarin e vet politik në vitin 2017 i propozoi atij ta ndanin pushtetin sipas parimit “një herë ti, një herë unë”. Duhet respektuar për aq sa është.
Pasi tha këto fjalë për mua, raporti fliste në shumës duke u shprehur se: Këta të gjithë vijnë nga familje komuniste ose të lidhur ngushtë me atë regjim. Të gjithë janë antikomunistë por asnjëri nuk është demokrat i plotë, s’janë as të majtë dhe as të djathtë, janë të korruptuar, të korruptueshëm dhe korruptues që kanë vënë pasuri në rrugë dhe me mjete të dyshimta e kriminale. Nuk e kanë për gjë të hedhin pështymë mbi njëri-tjetrin dhe pastaj po aq lehtë ta lëpijnë atë pa brejtje ndërgjegjeje. Publikisht pretendojnë se janë adhurues të Perëndimit, por sillen thuajse njëlloj si Lindja. Partitë e tyre i kanë asfiksuar dhe pranojnë vetëm mendimet e veta. Vendi ka potenciale intelektuale dhe morale por lindja e një klase apo udhëheqësi të ri dhe të denjë duket e vonshme pasi kushdo që mund të synojë sjelljen demokratike dhe priret nga idealizmi do të vihej përballë dilemës nëse duhej sjellë ashtu si i shërbehet më mirë vendit apo si iu pëlqen shumicës së popullit që është edukuar prej tridhjetë vitesh me stereotipin e politikanit “të fortë” por edhe të paskrupullt.
Edhe pse pjesa e fundit flet në numrin shumës, fjalën e ka për mua dhe, gjithandej në raport “Ai” jam unë.
Tani besoj se gjërat u qartësuan dhe as znj. Kim s’do të konsiderohet si një i marrë që hedh një gur në ujë dhe as politikanët tanë “të nderuar” nuk ka arsye pse të cilësohen si njëqind të mençurit që s’e nxjerrin gurin dot nga uji.
Ndërsa mua, që kam mbajtur të gjitha postet e lartpërshkruar, më mbetet të mbledh mendjen dhe të heq dorë, në mos nga çdo gjë, të paktën nga përpjekjet për të gjetur nja njëzet burra trima e guximtarë që marrin përsipër drejtimin e vendit sipas vullnetit tim dhe në shërbimin tim, pavarësisht se Kushtetuta thotë se ata “burrat” duhet t’i zgjedhë populli.
Viktor Malaj
* Yuri Kim – Ambasadore e SHBA-së në Shqipëri.