Jugu po shkëlqen vetëm në Instagram

Jugu në këtë periudhë të paqartë post gjendjeje të fatkeqësisë natyrore, po gugat si pëllumbat, jo si vitet e mëparshme që gumëzhinte si fëmijët çamarrokë.

Në Jug, shpresa e turizmit për këtë vit të errët ekonomik, nuk është aq shpresëdhënës, të paktën deri tani. Por në fakt, deri tani janë dy muaj që janë djegur nga sezoni.

Mes problemeve të regjistrimit në e-albania dhe pritjes gjatë për përgjigjen e vendosjes së çadrave, frikës së pushuesve nga Covid-19 dhe pamundësisë së një pjese tjetër për arsye sa financiare dhe ezaurim pushimesh në periudhën e karantinës, jugu është pothuajse bosh, kryesisht ditëve të javës. Ka një lloj fluksi në fundjavë dhe pak rezervime për pushime të gjata nga 5 ditore në dy javore.

Në Hotel Keisa në Dhërmi teksa vitet e tjera ka qenë piku i sezonit në këtë periudhë, e zonja po shpreson që t’ia dalë të paguajë punonjësit me rezervimet e pakta të gushtit “sepse për ta mbajtur frymën tonë këtë vit qenka shumë e vështirë”.

Ajo shpjegon për gazetën “Si” se përpos frikës së qytetarëve nga Covid-19, ka probleme me e-albania për marrjen e lejeve për çadrat. Ende nuk i është kthyer një përgjigje edhe pse hoteli i saj është në vijën e parë.

“Kjo më penalizon sepse shumicën e klientëve i kam familjarë me fëmijë të vegjël. Nuk mundet që një familje me fëmijë të flejë dhe ushqehet në hotel dhe plazhin ta bëjë dikund tjetër duke rimarrë bagazhet çdo ditë. Kjo ka bërë që klientët të ikin gjetkë.”- shpjegon pronarja e Hotel Keisa.

Hoteli ka 20 dhoma, ndërsa për të shtunën (një ditë më parë) ka patur kapacitet aktiv vetëm 7 dhoma. Një familje pushoi në qershor për 5 ditë. “Kurse ditët e javës tejet dobët. Për në gusht ka shumë pak rezervime, disa prej klientëve besnikë.”- thotë e zonja e hotelit.

Ndërsa çmimet në këtë hotel janë po ato që kanë qenë në të njëjtën periudhë të një viti më parë, 45 euro nata me mëngjes.

Edhe Hotel Fabio në Borsh na paraqet të njëjtën panoramë. Që kur “u çlirua” plazhi pas pandemisë, kapaciteti aktiv është vetëm 1/3 me të njëjtat çmime si një vit më parë.

“Ka rezervime, por tejet dobët krahasuar me një vit më parë. Shumë e vështirë, gati e pamundur të mbajmë më këmbë biznesin.”- thotë i zoti i hotelit.

Ai pohon për gazetën “Si” se ka prurje 90% më pak se sezonin veror të kaluar, kurse klientët aktual janë si familje, ashtu edhe të rinj që kanë të ardhura të sigurta.

Në fakt, jugu në sezonin e plazhit, i cili niste shumë më përpara sesa publikimi formal i sezonit, për disa syresh, prej vitesh është mbajtur nga turistët e huaj dhe personat me të ardhura mbi mesataren, kryesisht. Veçanërisht në rezorte dhe hotele me çmime të larta.

Bllokimi i lëvizjes si nga toka, ajri dhe deti për gati 98% të destinacioneve në të gjithë botën, ka ndalur turizmin. Përpos të huajve që jetojnë dhe punojnë në Shqipëri, nuk ka pasur turistë në vend, as në jug.

Këtë konfirmojnë edhe strukturat akomoduese në jug, të cilët po vuajnë thellësisht pasojat e krizës që shkaktoi pandemia në aktivitetin e tyre.

Hoteli Elysium me 5 yje i vendosur në Dhërmi thotë se gjatë viteve ka punuar me turistë të huaj. Ajo ka qenë klientela kryesore dhe në periudha të caktuara, hoteli prej 63 dhomash ka qenë i okupuar vetëm nga turistë të huaj. “Mendoje vetë tani se sa punë mund të kemi ne. Këtë periudhë ka qenë gati zero. Presim pak rezervime në muajt korrik dhe gusht. Çmimet nuk i kemi lëvizur, as që bëhet fjalë në këtë situatë”- thotë i zoti i lokalit.

Hotel Blue Royal me 5 yje në Dhërmi, i cili ka nisur aktivitetin që në 2012-ën thotë se “nuk mund të flasim për truizëm aktiv derisa situata është e paqartë”.

I zoti i hotelit përgjigjet ne telefon i ngarkuar dhe pasi thotë se rezervimet e këtij viti janë të papërfillshme krahasuar me një vit më parë, mbyll telefonin duke u shprehur se “pak halle kemi tani dhe për shkrime nuk ia kemi ngenë fare”.

E njëjta situatë përshkruhet edhe nga menaxheri i Drimadhes City. E njëjta tablo edhe në Sarandë dhe Llogora.

Përpos hoteleve, edhe dhomat e vilave apo shtëpive, a apartamenteve kanë të njëjtin shqetësim. Pak rezervime dhe rezervime të pasigurta për shkak të frikës, të ardhurave të pasigurta, kanë shpenzuar pushimet dhe papunësia. Gjatë pandemisë të dhënat zyrtare tregojnë për humbje të mbi 100 mijë vende pune në të gjithë vendin, jo vetëm në turizëm.

Por ka dhe nga ata sipërmarrës që janë optimist dhe nuk e humbasin humorin dhe pozitivitetin edhe gjatë situatave të vështira,

Aida nga Alevra rezort në Dhërmi thotë se ka punë, gati sa vjet.

“Këtu tek ne nuk pyet njeri për pandeminë. Gjatë javës ka më pak pushues, më shumë fundjavave. Kanë nisur prej pak kohësh edhe rezervimet për pushime të gjata”- thotë Aida

Ajo shprehet se çmimet nuk kanë ndryshuar, ato si çdo vit janë në varësi të sezonit të ulët dhe sezonit të lartë.

Klientët e saj janë familje me të ardhura të qëndrueshme dhe të sigurta.

Të njëjtën gjë më thotë edhe Fation Plaku teksa e takoj rastësisht në rrugë në një ditë të qetë pa fluks pune për të.

Fation Plaku është guidë e licensuar, nuk punon nën ndonjë markë agjencie.

“Nuk marr dot frymë. Kam shumë grupe. Respektojmë të gjitha rregullat anti covid-19 dhe shëtisim gjithë Shqipërinë”- thotë ai.

Në fakt mënyra e të bërit turizëm që ofron Fation Plaku është ndryshe. Nuk i përket pushimeve të dedikuara thjesht plazhit dhe akomodimit në rezorte apo hotele me 5 yje. Klientët e Fationit janë natyrëdashës, që mendojnë se vetëm natyra shëron dhe qëndrojnë pranë saj. Nëse ndjek Fatjonin në Instagram, dy ditë e gjen në Theth ku akomodohet në Bujtinë, dy në Valbonë, pastaj në Karaburun me çadra.

Por Instagrami të ofron edhe një pamje tjetër, që mesa duket, ata që nuk e ndjejnë krizën dhe nuk e lënë bosh jugun, janë pikërisht “modelët” e Instagramit, të cilët paguajnë shtrenjtë për tu kënaqur, jo vetëm për tu relaksuar.

Pak ditë më parë Sara Karaj, vlogerja e vetme shqiptare që zotëron edhe Scosmetics festoi ditëlindjen e saj në Drymades bungalows sëbashku me familjen dhe me miqtë dhe në videon e saj rreth ditëlindjes premtoi se gjithë verën do ta kalonte atje sepse qëndrimi në fundjavë i pëlqeu shumë. Të njëjtën gjë pohoi edhe për prindërit e saj, të cilët do të shkonin të pushonin tek Drymades bungalows.

Si Sara Karaj ka shumë të rinj dhe jo vetëm që puna ose aktiviteti privat nuk ju ka ndalur as në kohën e pandemisë për specifikën e biznesit dhe mënyrën e zhvillimit të tij on line apo delivery.

Mandej janë Influencers, të cilët ofrojnë imazhin e tyre për të reklamuar struktura të ndryshme akomoduese pushimi ku në këmbim të reklamës, pushojnë falas.

Si kudo edhe Shqipëria në këto kohë pushimesh me një virus të padukshëm nëpër këmbë, shfaq të gjitha dritë-hijet e saj. Si në çdo ditë të jetës, edhe në kohë krize e pushimesh të mundurit janë lart dhe të pamundurit poshtë.

Madje të dhënat nga studimet e fundit në universitetet perëndimore kanë gjëtur se në kohë krizash, edhe në kohën e pandemisë covid-19, të pasurit janë bërë më të pasur dhe të varfrit më të vafër.

Copyright © Gazeta “Si”

Back to top button
error: Content is protected !!
Close