Vila e kunatit në Farkë/ Patozi thirrje SPAK: Ta hetojë, të dalë në shesh e vërteta para 25 Prillit

Drejtuesi i Partisë Bindja Demokratike, Astrit Patozi kërkon që SPAK të hetojë në lidhje me vilën që po ndërtohet në Farkë nga Erion Isufi, që në qarqet politike dhe publikisht njihet si kunati i kryetarit të PD-së, Lulzim Basha.

Me anë të një postimi në rrjetet sociale, Patozi shprehet se “SPAK-u mund të jepte një kontribut të madh për interesin publik, që mund të shërbente sadopak edhe për zgjedhjet e 25 prillit.  Mjafton të hetonte dhe dërgonte shpejt në gjykatë këtë çështjen e vilës së Farkës”.

Më tej ai thekson se “që të paktën të mos kishim njëkohësisht dy gjela, duke kënduar majë të njëjtit pleh dhe për të njëjtën temë. Sepse njëri prej tyre duhet të dënohet dhe çertifikohet si mashtrues me letra, mundësisht përpara se të votohet për parlamentin e ardhshëm”.

“Këtu bëhet fjalë për raportin, që kanë me të vërtetën në kohë fushate dhe, jo për pasuritë apo lekët, se për ato nuk kemi dyshim që të dyja palët nuk e kanë problem. Ngaqë bashkë i kanë bërë dhe bashkë po i shtojnë, pak rëndësi ka statusi politik, nëse janë në qeveri apo në opozitë”, thekson Patozi.

Reagimi i Patozi, ashtu edhe ai i Topallit vjen pas publikimit në Gazeta “Shqip” të lajmit se kunati i Bashës po ndërton një supervilë lukzose në periferi të Tiranës, në zonën e Farkës së Madhe, ku ka blerë mbi 1400 metër katrorë tokë bujqësore.

Statusi i plotë i Patozit

DY GJELA NUK MUND TË KËNDOJNË MAJË TË TË NJËJTIT PLEH

SPAK-u mund të jepte një kontribut të madh për interesin publik, që mund të shërbente sadopak edhe për zgjedhjet e 25 prillit.

Mjafton të hetonte dhe dërgonte shpejt në gjykatë këtë çështjen e vilës së Farkës. Që të paktën të mos kishim njëkohësisht dy gjela, duke kënduar majë të njëjtit pleh dhe për të njëjtën temë.

Sepse njëri prej tyre duhet të dënohet dhe çertifikohet si mashtrues me letra, mundësisht përpara se të votohet për parlamentin e ardhshëm.

Dhe këtu bëhet fjalë për raportin, që kanë me të vërtetën në kohë fushate dhe, jo për pasuritë apo lekët, se për ato nuk kemi dyshim që të dyja palët nuk e kanë problem. Ngaqë bashkë i kanë bërë dhe bashkë po i shtojnë, pak rëndësi ka statusi politik, nëse janë në qeveri apo në opozitë.

Jo për gjë, por e vërteta alternative nuk ekziston. Ajo është thjesht një shpikje e të marrëve dhe sharlatanëve politikë.

Ndërkohë që publiku ka të drejtë ta mësojë përpara 25 prillit se cili prej dy gjelave po gënjen në mes të sheshit, ditën për diell dhe pa iu dridhur fare qerpiku, kur na ndajnë vetëm tre muaj nga dita finale e verdiktit të sovranit.

Back to top button