Kur transmetohej për herë të parë një ndeshje në TV në Shqipëri dhe një incident i pakëndshëm

Këto ditë doli në qarkullim libri ‘Topi nën pushtetin e tyre’, i shkrimtarit dhe komentatorit sportiv, Skifter  Këlliçi.

Pjesa e parë, kujtime, (1943-1999),  dhe pjesa e dytë, artikuj, analiza, recensione librash, histori  dhe tregime per futbollin.

TemA po boton disa fragmente interesante, që lidhen me Shqipërinë e atyre viteve:

Telekamera për herë të parë në stadium, por nxjerr tym(1966)

Që nga ajo pasdite e 30 prillit të vitit 1960, u mësuam që shoqen tonë të këndshme, syzezën Stoli Beli, ta shihnim të paraqiste disa herë në javë programet e Qendrës Eksperimentale të Televizionit, nga një studio e sajuar në vilën njëkatëshe, ngjitur me godinën e dytë të Radio Tiranës, në rrugën “Kont Urani”.

Them e sajuar, sepse ajo ishte veçse një dhomë e zakonshme, madje me tavan të ulët, ku të zihej fryma. Madje, edhe gjatë dimrit nga nxehtësia e madhe që lëshohej prej llambave të projektorëve, jo vetëm Stolisë, por edhe të ftuarve në studio, artistëve që jepnin shfaqje e kujtdo tjetër, djersët u rridhnin rrëke.

Këtë gjendje e provova dhe unë një pasdite, fund shtatori  të vitit 1964. Nga një kanal shtetëor televiz gjermano-perendimor kishte ardhur një dokumentar prej 15 minutash rreth ndeshjes “Partizani”- “Këln”, për të cilën kam shkruar më sipër.

Por, çuditërisht, pa… tekst. Dhe meqë kisha qenë një ndër komentuesit e asaj ndeshjeje në Radio, Stolia më ftoi të bëja një përshkrim të dokumentarit. Gjithçka shkoi mirë e bukur, sadoqë në atë një çerek ore u mbulova nga djersë.

“Eh sikur dhe ne një ditë të fillonim të filmonim dhe të transmetonim ndeshjea shfaqje jashtë kësaj studioje”- tha dikush.

Dhe ja, erdhi dita që e vetmja kamerë televizive gjermano-lindore të linte këtë studio dhe të vendosej…në tribunën qendrore të stadiumit “Qemal Stafa”. Me fjalë të tjera, bash aty ku rrinin e shihnin ndeshjen udhëheqësit tanë byroistë, ta pret mendja, të ruajtur nga syçeltësorët sigurimas të shtetit tonë, të fortë dhe të pamposhtur komunistë.

E them faqeza se që të transmetohej kjo ndeshje, sebep u bëra unë së bashku me Anton Mazrekun dhe Ismet Bellovën që të komentonim me mikrofonin e Radio Tiranës ndeshje nga stadiumet tona.

Së pari, më dëgjoi inxhinier Emil Plumbi, që veç teknikës së Radios kishte filluar të merrej edhe me teknikën ende shumë të varfër të kësaj qendre eksperimentale televizive. Pastaj më dëgjoi edhe shefi teknik, Spiro Qirko, që së bashku me ta, u mor për të sendërtuar këtë sipërmarrje goxha të koklavitur, ishte Lulzim Topçiu, inxhinier i ri dhe i talentuar.

Që të mos e zgjas, më 10 prill të vitit 1966, me këtë kamerë që, edhe pse e vjetëruar, mbahej me shpirt nëpër dhëmbë, falë kujdesit të teknikëve, doli nga studioja, dhe u bë gati që me syrin e saj magjik, të përthithte pamje të ndeshjes së futbollit “Partizani”- “Dinamo”, prej andej t’i shpinte nëpër shtëpitë e atyre pak qindra teleshikuesve që kishin nëpër shtëpi këtë kuti magjike, aq të lakmuar, të quajtur televizor.

Kjo ndodhi tamam atëherë kur nga Rumania sapo na kishte ardhur një autobus me pajisje që bënin të mundur një transmetim të tillë. Siç mora vesh më pas nga Jani Melo, një nga teknikët e parë të Televizionit Shqiptar, gjatë vendosjes së kamerës në tribunë, erdhi dhe mbeti aty si hu gardhi edhe një njeri që nuk dukej se kishte haber nga kamera, sido që gjatë tërë kohës që u bënë provat, nuk ia ndau asaj sytë.

Hidhte herë pas here vështrimin e ngultë edhe në atë mori telash të mbledhura bashkë dhe të futura në një si tub të gjatë që lidhte këtë kamerëme aparaturat e vendosura në autobusin rumun. Erdhi kështu dhe çasti i shumëpritur i transmetimit të së parës ndeshje futbolli në televizion..…

Spiro Qirkoja, tërë gaz solli në kabinën, ngjitur me kabinën e Radios, një televizor të vogël, që pastaj mora vesh se quhej monitor dhe po tërë gaz më tha të bëhesha gati për komentin televiziv. Iu drejtova së pari Anton Mazrekut, që, siç e kemi parë në tregimet e këtij vëllimi, që më 1938 ishte pagëzuar “babai” i komentimit të së parës ndeshje futbolli në Radio.

Mirëpo, ai si me të qeshur ma ktheu se nuk kishte qejf të bëhej dy herë “baba”, sidoqë këtë radhë në mikrofon dhe kamera televizive… Por edhe Ismetit, siç dukej, ngaqë ishte i ri, nuk ia pati ënda të pagëzohej “baba” i telekamerës sportive…

Kështu që më mbeti mua të mbyllem në atë kabinë dhe të bëj për herë të parë komentin e një ndeshjeje që transmetohej në televizion nga kameramani i apasionuar, Beqir Derhemi. Pa mbaruar mirë pjesa e parë e ndeshjes, veç kur morëm vesh se anembanë Tiranës kishin krisur telefona dhe hallku nëpër shtëpira që ndiqnin ndeshjen me televizorë, shpreheshin plot hare setransmetimi po shkonte bukur fort, zëri im kumbonte birinxhi, ndonëse figura hera-herës errësohej.

Por duket se na morën, siç thuhet, mësysh!…

Sapo filloi pjesa e dytë, befas nga kamera zuri të dilte tym… Dhe ky tym, si për inat, zuri të davaritej drejt e nga shkallët e tribunës qendrore.

U bë zallamahi!.. Ndonjë udhëheqës edhe lëvizi, u ngrit, se, mos o zot, ç’po bënte vaki!.. Ai njeriu i sigurimit që nuk u shqit nga prapa kamerës, edhe ai lëvizi dhe kushedi, për çdo të papritur ishte gati edhe t’i vinte gjoksin kamerës, si Aleksandër Matrazovi, heroi sovjetik që me emrin e Stalinit në gojë kishte vënë edhe ai gjoksin mitralozit nazist në një bunker, por ai veç tymit, lëshonte… zjarr, a predha.

Por për fat nuk ndodhi asgjë… Tymi u tret po bash me të nga ekranet e televizorëve të teleshikuesve u tretën edhe pamjet e ndeshjes që u mbyll në barazim 1-1.

Sido që gjysmak, kishte përfunduar kësisoj transmetimi i një ndeshjeje futbolli në QET, me të vetmin “kasavet” të atij djall tymi. Dhe ky kasavet nuk kishte qenë pa arsye.

Disa ditë më parë, siç mora vesh nga radiot e huaja, në një vend të Amerikës Latine disa guerrillas ishin shtënë si pjesëtarë të një trupe televizive që kishte intervistuar një gjeneral të juntës ushtarake, e cila sundonte në atë vend.

Por kamera kishte qenë në të njëjtën kohë dhe mitraloz dhe nga syri i saj magjik kishin dalë plumba, që e kishin lënë top në vend gjeneralin në fjalë.

‘Mos ndoshta edhe ai sigurimësi, për të njejtën arsye, – më tha të nesërmen nën zë një shok imi i besuar, -për këtë qëllim  nuk i ishte shqitur kamerës, që atë pasdite kishte nxjerrë tym, në… stadium?’.

Ku i dihet!…

Back to top button
error: Content is protected !!
Close