Si u përhap dhe si u mposht ”gripi spanjoll” dhe çfarë i mësoi njerëzimit

Në vitin 1918, i ashtuquajturi “grip spanjoll” vrau më shumë se 50 milionë njerëz nëpër Europë dhe SHBA.

Gripi nisi në janar dhe shkurt, në SHBA, kur shumë të sëmurë me dhimbje koke, probleme me frymëmarrje, kollë e temperaturë të lartë, nisën të gjejnë vdekjen në mënyrë të shpejtë.

Pak muaj më pas, shumë pacientë në Francë, Gjermani e Belgjikë, mbushën spitalet pasi shfaqën simptoma të ngjashme. Ndërsa në maj, një festival fetar në Spanjë shkaktoi përhapjen në masë të sëmundjes misterioze.

Historia përsëritet

Dy historiane spanjolle, motrat Laura dhe Maria Lara Martinez, kanë dy vite që studiojnë gripin spanjoll dhe kanë arritur të shohin ngjashmëritë me pandeminë e COVID-19.

Në vitin 1918, thonë motrat, njerëzit thanë që ishte grip i thjeshtë. Megjithatë, ashtu si në vitin 2020, spitalet u tejmbushën nga pacientët dhe masat kufizuese ishin të ngjashme: mbyllje e teatrove, shkollave dhe kufijve.

Çdo gjë në hapësira publike, sidomos kabinat e telefonave, do të dezinfektoheshin. Njerëzit u këshilluan të bëjnë shumë kujdes me masat higjienike, dhe në SHBA, ata që kapeshin pa maskë në publik mund të dënoheshin me 100 dollarë gjobë (të barasvlefshme me 1700 dollarë sot).

Por një tjetër luftë ishte dhe ajo kundër besëtytnive. Në vitin 1918, një peshkop në Madrid kërkoi që të mbahej një meshë e t’i luteshin zotit për largimin e pandemisë, dhe autoritetet nuk ne anuluan mbajtjen e festivalit “San Isidro”.

Vetëm një javë pas festivalit, përhapja u bë aq e rëndë sa gazetat nisën të shkruajnë se të gjithë ishin sëmurë. Incidenti bëri që dhe gripi të quhej “Gripi Spanjoll”, edhe pse kishte nisur në SHBA, në një bazë ushtarake në Kansas.

Dy motrat historiane thonë që mund ta ketë pasur origjinën edhe më herët se aq, në Kinë ose në Francë, në vitin 1917. Megjithatë, ngaqë Spanja ishte neutrale në Luftën e Parë Botërore, lajmet e mediave spanjolle ishin më shumë të përqendruara te pandemia.

Nëna e gjithë pandemive

Duke mos pasur asnjë vaksinë dhe asnjë shpresë për t’i bërë ballë, njerëzit po shpresonin që të vinte i ngrohti i verës për t’ia ulur fuqinë virusit. Por vala e dytë ishte më e rëndë se e para.

Në Spanjë kjo valë nisi në shtator dhe përkoi me festat e të korrave, si dhe me uljen e masave kufizuese. Në disa zona, madje, pati dhe një valë të tretë në vitin 1920, kur mendohet se ka qenë vërtet fundi i pandemisë. Dhe fundi erdhi sepse shoqëria nisi të krijojë imunitet, ndërsa virusi nuk u zhduk asnjëherë.

Kur mbaron pandemia?

Pandemia merr fund kur virusi nuk ngjitet më midis njerëzve dhe kur numri i të infektuarve është shumë i vogël.

Gjatë “gripit spanjoll”, mbarimi i pandemisë varej shumë nga niveli i informacionit që kishin njerëzit dhe se sa ishin ndikuar qeveritë nga lufta.

Por në fund, njerëzit nisën të mos shqetësohen më.

Euforia pas pandemisë

Mbarimi i “gripit spanjoll” dhe i Luftës së Parë Botërore u ndoq nga “Roaring 20s”, apo (vitet e vrullshme ’20), një mënyrë për të përshkruar zhvillimin ekonomik, rimëkëmbje të ndërtimit dhe e mallrave të konsumit.

“Popullsia që i mbijetoi këtyre katastrofave (lufta dhe gripi) u përfshi nga një eufori dhe zhvillim ekonomik”, thonë motrat Lara Martinez.

Është pjesë e natyrës njerëzore, shpjegojnë ato, e ngjashme me “vallet e vdekjes” pas Murtajës së Zezë të shekullit të 14-të.

Por në këtë periudhë plot me optimizëm, regjimet totalitare nisën të shfaqen duke shfrytëzuar dëshirat për kontroll, individualizëm dhe autonomi.

“Njerëzit kanë kujtesë të shkurtër”, thotë historiani spanjoll Jaume Claret Miranda. “Megjithatë, ‘gripi spanjoll’ la një trashëgimi të madhe në shkencë dhe mes specialistëve, duke shtuar njohurinë për trajtimin e pandemive”.

Mësimi më i vyer nga e shkuara, thotë Claret, është se çdo masë që dukej e tepruar para pandemisë, pas saj dukej e pamjaftueshme.

Back to top button
error: Content is protected !!
Close