Udhëtim plot peripeci drejt Syrit të Kaltër, turistët e huaj: Rruga është e shkatërruar

Të shkosh drejt Syrit të kaltër për të shijuar këtë mrekulli të natyrës duhet të mendohesh mirë.

Rruga që të çon aty është shumë e amortizuar dhe prej vitesh nuk është kryer asnjë investim. Faktet flasin vetë.

Pjesa me e madhe e rrugës që është vetëm 2 kilometra siç duket dhe nga pamjet është e pashtruar dhe me gropa. Sa të duket sikur s’do arrish dot të shijosh perlën natyrore të shpallur dhe monument kulture.

Për të ardhur në burimin e Syrit të kaltër nga rruga kryesore na u deshën 15 minuta në një kohë që nëse do ishte një rrugë e mirë asfaltuar mund të bëhej për 5 minuta. Por problemi s’përfundon këtu kush vjen këtu duhet të marrë parasysh se mund ti dëmtohet dhe makina.

Edhe disa turistë të huaj që takuam na treguan peripecitë që hasën.

“Është një mrekulli, kam udhëtuar nga Gjermania. Kam dëgjuar nga njerëz në Itali që nëse shkon në Shqipëri duhet të vizitosh patjetër këtë pikë të mrekullueshme turistike. E kam lënë Harly Davisonin tim edhe gati 8 minuta eca me këmbë sepse rruga është e shkatërruar”, shprehet ai.

“Rruga ishte pak e rrezikshme për shkak të gropave edhe mu desh ti jepja makinës shumë ngadalë. E kuptoj që jemi në mes të natyrës, por gjithsesi rruga duhet të ishte më e mirë. Ne gjithë Shqipërinë rrugët nuk kanë kualitetit kështu që nuk u surprizova shumë”, shprehet një tjetër turist.

Mes disa turistëve të huaj u ndeshëm dhe me shqiptarë të Kosovës.

“Rruga na shqetëson. Duhet rregulluar që të vijë gjithë Kosova, të vijnë ta shohin këtë mrekulli që në Kosovë nuk e kemi”, shprehet ai.

Ky zotëri shton se veç rrugës duhen dhe investime të tjera.

“Investitorët duhet të ndërtojnë këtu që të vijmë të flemë dhe të zgjohemi, duke parë këtë mrekulli”, thotë ai.

Syri i Kaltër ndodhet në fshatin Muzinë shumë pranë rrugës nacionale Gjirokastër-Delvinë.

Njihet si burim ujor që vjen nga Mali i Gjerë dhe me një thellësi prej të paktë 45 metrash.

Disa e njohin dhe si burimi i Bistricës pasi është burim i parë i lumit Bistricë. Ndërsa emrin flitet se ja ka vënë një inxhinier në vitin 1950, pasi ngjyra e ujit i kujtonte sytë e të dashurës./abcnews.al

Back to top button
error: Content is protected !!
Close