2 orë nga vdekja e Aneta Ramës, asnjë mesazh ngushëllimi për Ramën nga Meta e Basha. Si i dha leje Berisha rivalit Fatos Nano për varrimin e të ëmës

Kryeminstri Rama dha mëngjesin e sotëm lajmin e trishtë se nëna e tij Aneta Rama nuk jetonte më.

Aneta Rama u nda nga jeta orën 05.00 të mëngjesit të sotëm në shtëpinë e saj. Ajo ishte e sëmurë, ndërsa prej ditësh ndodhej e shtruar në spital. Një javë më parë Aneta Rama kishte lënë spitalin dhe qëndronte në shtëpinë e saj, raporton newsbomb.al. “Do të na mungosh shumë, por asgjë më shumë nuk bëje dot për ne sesa e pamundura që bëre plot përkushtim gjithë jetën, prandaj prehu në paqe mam”, shkroi Rama ndër rreshta për humbjen e të ëmës.

Mirëpo, kur kanë kaluar më shumë se dy orë nga bërja publike e lajmit se Aneta Rama nuk jeton më, nga opozita dhe Presidenca nuk ka asnjë mesazh ngushëllimi për kryeministrin, raporton newsbomb.al. Nuk dihet nëse Ilir Meta, Lulzim Basha apo aktorë të tjerë të rëndësishëm të politikës shqiptare i kanë dërguar mesazh privatisht kryeministrit, por në raste të tilla këto mesazhe bëhen publike, pavarësisht përplasjeve politike.

Mesazhi i vetëm publik për kryeministrin ka ardhur nga Kosova. Presidenti Thaçi shpërndau postimin e Ramës për humbjen e nënës dhe shkruante “I dashur Edi, në këtë ditë të pikëllimit, por edhe të krenarisë, bashkëndjej me ju dhimbjen e thellë për ndarjen nga jeta të nënës Aneta. Ngushëllimet më të sinqerta në emër timin dhe të familjes.”

Një model që ka mbetur thellë në mendjen e të gjithëve, është ai kur Sali Berisha pavarësisht përplasjeve të drejtpërdrejta me Fatos Nanon, i dha leje këtij të fundit të dilte nga burgu dh t’i jepte lamtumirën e fundit të ëmës që kishte ndërruar jetë, raporton newsbomb.al.

Lideri historik i së majtës mori në atë kohë 17 orë leje nga autoritetet shtetërore për të dalë nga burgu i Bënçës ku vuante dënimin, me “OK” e Presidentit Sali Berisha. Pavarësisht se ishte rivali i tij më i madh, Berisha “e liroi” Nanon për vdekjen e nënës, ndërsa lideri historik i së majtës e vlerësoi lart këtë veprim të Presidentit të atëhershëm.

“Dua të falënderoj autoritetet që më dhanë mundësinë t’i jap lamtumirën e fundit, bashkë me njerëzit e mi më të afërt, nënës sime. I falënderoj sepse do të përgëzoja faktin që ata e njohin armëpushimin. Para vdekjes dhe hasmit ulin armët. Do të doja që këtë ta bënin edhe përballë të gjallëve”, shprehej Nano gjatë ceremonisë mortore të nënës së tij. /NEWSBOMB.AL

Back to top button