REPORTAZH/ Llixhat e Bënjës, vetitë kurative të ujërave termalë dhe turizmi në zonë

Llixhat e Bënjës në Përmet, janë destinacioni ynë në këtë reportazh. Në udhëtimin me kameran e Report tv, na shoqëron specialisti i turizmit Jaho Canaj, i cili tregon më shumë për Ujin e Ftohtë.

Është pagëzuar me emrin “Uji i Ftohte” sepse ka shumë burime natyrore-shkëmbore ku uji rrjedh gjithmonë i ftohtë dhe i pastër. Ky hidro-monument gjendet në të djathtë të rrugës nacionale Tepelenë-Gjirokastër. Burimi del në pjesën e sipërme të shpatit të majtë të luginës së Drinos në kontaktin e shkëmbinjve gëlqerorë me ata flishorë. Reshjet që bien në pjesën lindore të malësisë së Kurveleshit përmes zgavërimeve e shpellave karstike, depërtojnë në thellësi të shkëmbinjve gëlqerore dhe ushqejnë këtë burim.

Ujërat në Përmet

Zhurma e ujit, gjelbërimi, cicërimat e zogjve etj, prej kohësh, e kanë kthyer këtë vend në mjedis pushimi për udhëtarë. Rrugëtimi ynë merr drejtimin lindor për të përshkuar 60 km deri në Banjat e Bënjës. Udhës ndalojmë në luginën e Vjosës në afërsi të Grykës së Këlcyrës teksa hedhim vështrimin tek pllaja e gjelbër dhe kullotat për bagëtitë e imta. Ky bari na tregon për kulinarinë tradicionale të zonës.

Rrugës për tek llixhat e Bënjës, nuk mund të përjashtohet një vizitë tek Inkubatori i përpunimit të produkteve frutore të zonës. Këtu në fakt mund të njihesh me procesin e plotë të përpunimit të frutave e sidomos të glikosë që është krenaria e Përmetit.

Llixhat në Bënjë

Vazhdojmë udhëtimin tonë për në ujërat termale të Bënjës, apo siç quhen ndryshe “Banjat e Bënjës”. Ato ndodhen në Njësinë Administrative Petran, vetëm 3 km nga vendi ku lumi Vjosa bashkohet me përroin e Langaricës.

Ujërat termo-minerale të Bënjës janë të studiuara nga pikëpamja analitiko-shkencore dhe përmbajtja e tyre kimike. Një nga arsyet kryesore përse nga viti në vit zona e Bënjës së Përmetit po njeh një frekuentim të madh nga vendasit e të huajt janë burimet ujore termale.

Temperatura e këtyre ujërave është, 26-32 gradë celius.Të gjitha burimet me ujëra termominerale sulfurore ndodhen shumë afër me njëri-tjetrin, në një gjatësi që nuk shkon më shumë se një kilometër dhe të gjitha këto rrethana krijojnë kushte për investime me interes.

Ujërat me bazë sulfurorë kanë efekte shumë të larta kuruese sidomos për reumatizmën. Por ajo cka mbetet shqetësim është mungesa e investimeve në këtë zonë.

Ura e Kadiut në Bënjë

Back to top button