Bashkitë mbyten në borxhe/ 8.7 miliardë lekë fatura të papaguara, ja më të prekurat

Pushteti vendor ka rritur ndjeshëm borxhet në pjesën e parë të vitit, ndikuar edhe nga situata e vështirë financiare e krijuar nga pandemia COVID-19.

Sipas të dhënave të Ministrisë së Financave, stoku i detyrimeve të prapambetura të 61 bashkive arriti në 8.7 miliardë lekë deri në fund të qershorit, ekuivalente me 70.2 mln euro. Kështu, bashkitë jo vetëm nuk kanë përparuar me shlyerjen e tyre, por kanë rritur borxhet me rreth 570 milionë lekë ose rreth 4.6 milionë euro, krahasuar me stokun e fundit të vitit të kaluar.

Më shumë se gjysma e këtij borxhi rreth 52% e totalit i takon pagesave të pakryera për investimet nga pushteti vendor, 22% për tenderimet e papaguara për mallra e shërbime dhe 14% për vendimet gjyqësore për largimet e padrejta nga puna.

Por, kush janë bashkitë që kanë akumuluar më shumë detyrime të prapambetura?

Sipas të dhënave, niveli më i lartë u shënua në Bashkinë Tiranë me rreth 1.9 miliardë lekë apo 15.7 milionë euro, jo vetëm si rrjedhojë e përqendrimit të popullsisë në këtë njësi, por edhe për shkak të projekteve të shumta në investimet publike.

Pas saj renditet bashkia e Kavajës me 6.8 milionë euro detyrime, ndjekur nga ajo e Vorës me 3.7 milionë euro si dhe Bashkia e Pogradecit e Kamzës përkatësisht me 3.3 dhe 3 mln euro.

Ndërsa, njësitë e qeverisjes vendore më me pak borxhe rezultojnë Bashkia Pustec, Këlcyrë, Dropull, dhe ajo e Patosit me zero detyrime të prapambetura.

Megjithatë, një zerim i këtyre detyrimeve të pashlyera është thuajse i pamundur për një pjesë të këtyre njësive, kryesisht atyre të vogla që mbledhin më pak të ardhura nga burimet e veta./Top Channel

Back to top button