Hoti: Nuk ka Asociacion me kompetenca ekzekutive, për Ujmanin po bëhet zhurmë pa nevojë

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ka ritheksuar sot se dialogu me Serbinë bëhet vetëm për njohje reciproke.

Disa ditë pasi nënshkroi marrëveshjet me Serbinë me ndërmjetësimin e ShBA-së, Hoti ka folur sot në lidhje me këto marrëveshje dhe procesin e dialogut që është në vazhdimësi me ndërmjetësimin e BE-së.

“Procesi duhet të përfundojë me normalizim të plotë, me të cilin kuptohet njohje reciproke mes dy vendeve, marrëveshja duhet të arrijë një zgjidhje të përhershme. Sot nuk e kam asnjë hezitim që të ulem në tavolinën për bisedimet që ndodhin në Uashington dhe Bruksel, por vetëm këto dy vende, askund tjetër “, tha Hoti.

I ftuar në një diskutim nga Instituti Demokratik i Kosovës me përfaqësuesit e shoqërisë civile dhe medias, Hoti ka thënë nuk ka dialog teknik me Serbinë.

“Atë që po e bëjmë në këtë fazë është drafti i elementeve për marrëveshjen finale. Është me rëndësi ta përsëris që nuk ka dialog teknik, nuk jemi duke arritur marrëveshje parciale, pa e arritur njohjen reciproke nuk mund të adresojmë çështjen të tjera”, tha ai.

Kryeministri Hoti  po ashtu, duke iu referuar marrëveshjes së Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë, tha  se “nuk ka Asociacion me kompetenca ekzekutive në Kosovë” .

Hoti po ashtu tha që në dialog nuk do të diskutohet as për territorin

“Është një qasje për zgjidhje sistematike të problemit dhe jo zgjidhje kreative. Integriteti territorial i Republikës së Kosovës është i panegociueshëm. Kjo nuk është shtruar në asnjë tryezë diskutimi ku unë kam marrë pjesë qe tre muaj”, tha ai.

Ndërsa për çështjen e Ujmanit, Hoti tha se “Tek Ujmani po bëhet zhurmë pa asnjë nevojë dhe po shfrytëzohet për politikë ditore’

Leonora Kryeziu, drejtoreshë e ekzekutive e PIPS-it kërkoi që dialogu të jetë transparent.

“Procesi i dialogut është bërë i vështirë si pasojë e zhvillimeve gjeo-politike. Situata politike në Kosovë vetëm e ka komplikuar procesin, antagonizmat politik nuk e kanë ndihmuar këtë proces. Diskutimet politike për dialogun të jenë më shumë në dritë të shtetit dhe jo partive politike. Një marrëveshje e paqes nuk mund të jetë sekrete, ka pasur raportime për takime sekrete, si shoqëri civile do të bëjmë më të mirën që ky proces të jetë transparent”, tha ajo.

Back to top button